Aktualitet

Nis Maratona e Tiranës, vrapues nga 40 shtete në garë! Çmimi i madh për fituesin, 5 mijë euro

Çmimi më i madh, prej 5,000 eurosh, i takon fituesit të vendit të parë në maratonën e plotë, 42 kilometra.

F.I
Nis Maratona e Tiranës, vrapues nga 40 shtete në garë!
pamje nga maratona

TIRANË-Po zhvillohet sot edicioni i dhjetë i Maratonës së Tiranës, një prej aktiviteteve më të rëndësishme sportive në kryeqytet, ku do të marrin pjesë rreth 5,800 garues. Risia e këtij viti është përfshirja e garës prej 5 kilometrash, duke krijuar më shumë mundësi për pjesëmarrjen e qytetarëve dhe përfshirjen e një numri më të madh vrapuesish në këtë aktivitet.

Pjesëmarrësit garojnë në pesë kategori: maratona e plotë prej 42 kilometrash, gjysmëmaratona prej 21 kilometrash, Tirana 10K-gara 10 kilometra, si dhe kategoria 5 kilometra, e cila vjen si risi këtë vit. Pjesë e aktivitetit është edhe gara 3 kilometra "We Too". Edhe këtë vit, fituesit do të shpërblehen me çmime që variojnë nga 200 deri në 5,000 euro. Çmimi më i madh, prej 5,000 eurosh, i takon fituesit të vendit të parë në maratonën e plotë, 42 kilometra.

Për organizimin e saj janë angazhuar prej gjashtë muajsh rreth 600 vullnetarë, 800 punonjës policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës. 

E gjithë unaza e vogël e Tiranës nuk do të ketë qarkullim të automjeteve, po ashtu bulevardi “Zogu i Parë” dhe Bulevardi i Ri. Nga sheshi “Skënderbej” deri te sheshi “Nënë Tereza”, Rruga e Kavajës, e Durrësit, “Myslym Shyri”, rrugët e ish-Bllokut dhe kryqëzimet që të nxjerrin nga bulevardi në Rrugën e Elbasanit, do të jenë të bllokuara.

Për shkak të maratonës, sot edhe disa linja të transportit publik urban do të devijohen.

MOS HUMB