Më shumë

Tycho Brahe/ Një nga mendjet më të çmendura të historisë

Tycho ishte një i alkoolizuar që nuk i shmangej kurrë një debati, derisa gjatë një dueli humbi hundën e tij. 

k.m.
Tycho Brahe/ Një nga mendjet më të çmendura të
Tycho Brahe

TIRANË- Tycho Brahe, astronomi, alkimisti, astrologu dhe shkencëtari danez i shekullit të 16-të (1546-1601) ishte një personazh për të mos u humbur- mishërimi i vërtetë i shkencëtarit të shkëlqyer por edhe të çmendur. Në sfondin e kontributeve të tij të panumërta në shkencë dhe astronomi, veçanërisht në teorinë hënore, Tycho jetoi një jetë të çuditshme. I rritur nga një xhaxha që e rrëmbeu, Tycho ishte një i alkoolizuar që nuk i shmangej kurrë një debati, derisa gjatë një dueli humbi hundën e tij. 

Vdekja e tij gjithashtu mbetet një nga misteret e mëdha të historisë, pasi trupi i tij u zhvarros dy herë. Tycho dhe familja e tij kishin marrë pjesë në një banket në Pragë në vitin 1601. I ulur në një tryezë të madhe, ai hëngri dhe piu me gjithë zemër, por nuk mund të ngrihej nga tryeza.

Deri një dekadë më parë, kishte pretendime të vazhdueshme se ai ishte helmuar nga merkuri, për shkak të pranisë së toksinës në qimet e mustaqeve të tij. Vetëm kur trupi i tij u zhvarros në vitin 2010, kjo teori u hodh poshtë. Puna e fundit hetimore nga arkeologët zbuloi se Tycho ndoshta vdiq nga një kombinim fatal i obezitetit, diabetit dhe alkoolizmit - diçka ende mjaft e zakonshme në ditët e sotme.

Ajo që e tërhoqi Brahe drejt astronomisë ishte një eklips diellor në vitin 1560, i cili mezi ishte i dukshëm në Kopenhagë, ku ai studionte në atë kohë. Fakti që eklipsi diellor në fjalë ishte parashikuar me saktësi, shumë kohë përpara se të ndodhte, e magjepsi Tycho pa fund, ndaj edhe ai nisi kërkimet për ta bërë shkencën sistematike dhe të saktë. Pjesa tjetër e jetës së tij do të kalonte duke mbledhur të dhënat për një nga trupat më të mëdhenj të të dhënave astronomike në histori. Ai ishte një nga astronomët e fundit që punonte me "sy të lirë" në histori.

Teksa ishte ende student në Universitetin e Rostock, do të ndodhte dueli i famshëm kur edhe humbi hundën. Tycho u përball me kolegun Manderup Parsberg, gjoja për matematikën. Brahe do ta humbiste duelin dhe duke qenë se kishte lindur 400 vjet para operacionevet estetike, duhej të gjente një mënyrë për të ruajtur organin e tij. Zgjidhja ishte një hundë bronzi. Me një tub të vogël paste në xhep gjatë gjithë kohës, ai kujdesej që të mos e kapnin kurrë "pa hundë"!

Jeta e tij personale ishte tepër komplekse – jo vetëm që u rrëmbye nga xhaxhai i tij në moshën e vogël 2-vjeçare, por edhe prindërit e tij në dukje dakord me këtë veprim. Tycho trashëgoi një sasi të madhe pasurie, e cila për kohën llogaritej sa 1% e të gjithë pasurisë daneze. Jeta e tij bashkëshortore ishte e ndërlikuar nga fakti se ai, një fisnik, filloi të jetonte me dikë jashtë rangut të tij.

Në ligjin danez, pasi një fisnik jeton me një grua për tre vjet, ata konsiderohen të martuar. Por kishte më shumë veçori në jetën e mrekullueshme të Tycho. Ai kishte një shok të ngushtë të quajtur Jeppe, i cili ishte një xhuxh. Jeppe ulej te këmbët e tij gjatë ngrënies, fliste pandërprerë dhe ndalonte vetëm kur Tycho i jepte një kafshatë. Tycho kishte gjithashtu një dre të zbutur, për të cilin ishte shumë krenar. Kur i ngordhi, e përballoi vdekjen e tij të parakohshme duke pirë birrë. Tycho kishte gjithashtu një far në ishullin Hven, të cilin e kishte kthyer në një kështjellë, me dyer kurthi, një birucë dhe një dhomë torture./ZËRI

Poll

MOS HUMB