Debate të forta kanë shoqëruar emisionin “Shqipëria Live”, ku i ftuari Albatros Rexha është përplasur ashpër me moderatoren Sidorela Gjoni për intervistën që kjo e fundit zhvilloi disa ditë më parë me kryeministrin Edi Rama.
Shkrimtari dhe opinionisti e akuzoi gazetaren se kishte “bullizuar” kreun e qeverisë gjatë intervistës, duke argumentuar se Rama kishte zgjedhur të qëndronte i qetë përballë pyetjeve të saj.
“Ti e ke bullizuar, ai rrinte urtë. Hall me fol, as mos me fol”, u shpreh Rexha në nisje të debatit.
Nga ana e saj, Gjoni kundërshtoi menjëherë akuzat, duke deklaruar se nuk kishte bërë asnjë koment ndaj kryeministrit dhe se po kryente detyrën e saj si gazetare.
Debati u tensionua edhe më shumë kur Rexha këmbënguli se mënyra sesi ishte zhvilluar intervista me Ramën ishte e papranueshme dhe e cilësoi atë si paraqitjen më joprofesionale të moderatores.
“Ishte paraqitja më joprofesionale e jotja në histori”, i tha ai Gjonit.
Moderatorja iu përgjigj duke i kërkuar të mësonte kuptimin e fjalës “bullizim”, ndërsa shtoi se nuk kishte sulmuar dhe as komentuar kryeministrin gjatë intervistës.
“Mëso kuptimin e fjalës ‘bullizim’, Albatros. Ke një problem shumë të madh dhe më vjen shumë keq, se je shkrimtar”, deklaroi Gjoni.
Përplasja vijoi me tone të larta, teksa Rexha pretendoi se Rama kishte qenë i detyruar të dëgjonte pyetjet e gazetares për të shmangur akuzat për arrogancë.
“Ai ishte i detyruar të të dëgjonte ty, sepse do dilnit dhe do e akuzonit për arrogancë”, tha Rexha.
Në një moment, debati degradoi në replika personale. Rexha u shpreh se ishte mërzitur më shumë se kushdo nga intervista me kryeministrin, duke e cilësuar atë “të shpifur”.
“Unë më së shumti. Ishte e shpifur”, deklaroi ai.
Kulmi i përplasjes u arrit kur Albatros Rexha paralajmëroi se nuk do të pranonte më të ishte i ftuar në emision.
“Përndryshe nuk do të të vij më në studio”, tha ai.
Ndërsa Sidorela Gjoni iu përgjigj menjëherë:
“Po mos hajde. Mund të ikësh që tani, Albatros. Mund të largohesh në këtë moment.”
Pas kësaj, Rexha vendosi të largohej nga studio, duke ironizuar emisionin dhe duke deklaruar se aty kishte “mjaftueshëm njerëz që e shajnë Ramën”.
“Faleminderit. Kënaqësi shumë e bukur. Keni mjaftueshëm njerëz që e shajnë Ramën në studio, mua nuk më bëni dot”, tha ai teksa largohej.
Debati nuk u mbyll me kaq. Para se të dilte nga studio, Rexha e quajti sërish moderatoren “bullizuese"
“Bullizuese. Të uroj fat në karrierë bullizuese”, ishte mesazhi i tij i fundit.
Ndërkohë, në fund të debatit nuk mungoi as komenti ironik i Kaprit, i cili iu drejtua Rexhës me fjalët: “Të fala Edi Ramës”.
Përplasja vjen vetëm pak ditë pasi intervista mes Sidorela Gjonit dhe kryeministrit Edi Rama shkaktoi reagime të shumta në rrjet. Gjatë asaj interviste, tensionet mes palëve u rritën pas pyetjeve të gazetares lidhur me investimet në Zvërnec dhe projektin e Sazanit, ndërsa në një moment Rama ndërpreu lidhjen direkte me emisionin.
Pjesë nga debati:
Albatros Rexha: Ti e ke bullizuar, ai rrinte urtë. Hall me fol, as mos me fol.
Sidorela Gjoni: Po nuk thashë gjë unë.
Albatros Rexha: Sikur të kishte folur, do të kishte thënë: “Presion ndaj mediave, ky është arrogant...”
Sidorela Gjoni: Më lër të flas dhe unë, të të përgjigjem. S’do flasësh vetëm ti. Ta mbaroj fjalën time.
Albatros Rexha: Jo moj, jo, se s’je duke folur me kryeministrin këtu, që rri urtë.
Sidorela Gjoni: Ti je më i mirë se kryeministri?
Albatros Rexha: Ai rri urtë, unë nuk rri urtë.
Sidorela Gjoni: Nuk është kryeministri nga ata që ka nevojë që t’i bësh ti avokatin në studio, se e ka treguar gjatë historisë së vet. Tani më lër të mbaroj fjalinë time.
Albatros Rexha: Shans historik nuk ka. S’mund të më bullizosh mua siç e bullizove atë.
Sidorela Gjoni: Mëso kuptimin e fjalës “bullizim”, Albatros. Ke një problem shumë të madh dhe më vjen shumë keq, se je shkrimtar.
Albatros Rexha: Ai ishte i detyruar të të dëgjonte ty, sepse do dilnit dhe do e akuzonit për arrogancë.
Sidorela Gjoni: Jeni shkrimtar që nuk e dini kuptimin e fjalës “bullizues”.
Albatros Rexha: Jam çfarë të dua unë, nuk e cakton ti se çfarë jam. Jam shkrimtar, jam hajvan.
Sidorela Gjoni: Nuk ka atë kuptim fjala “bullizim”, e para. Unë nuk kam komentuar. Në ka njeri që nuk ka thënë gjë për atë, jam unë.
Albatros Rexha: Ishte paraqitja më joprofesionale e jotja në histori.
Sidorela Gjoni: O Albatros, sa shumë je mërzitur. Po pse je mërzitur kaq shumë, o Albatros? Kush u mërzit më shumë, ti apo ndonjë tjetër?
Albatros Rexha: Unë më së shumti. Ishte e shpifur. A ka mundësi të të them një fjalë tani?
Sidorela Gjoni: Jo, nuk do thuash, se do të të bëj unë pyetje.
Albatros Rexha: Përndryshe nuk do të të vij më në studio.
Sidorela Gjoni: Po mos hajde. Mund të ikësh që tani, Albatros. Mund të largohesh në këtë moment.
Albatros Rexha: Faleminderit. Kënaqësi shumë e bukur, faleminderit. Keni mjaftueshëm njerëz që e shajnë Ramën në studio, mua nuk më bëni dot.
Sidorela Gjoni: Kush ta ka kërkuar të shash Ramën?
Albatros Rexha: Bullizuese. Të uroj fat në karrierë bullizuese.
Kapri: Të fala Edi Ramës.