
MAROK- Mendja e një mësueseje marokene menjëherë te nxënësit e saj kur ndjeu tërmetin 6.8 ballë që goditi një javë më parë. Nesreen Abu ElFadel ndodhej në Marrakesh, kurse shkolla ishte në Adaseel, një fshat malor më afër epiqendrës së tërmetit. Mesuesja e gjuhës frënge u nis menjëherë drejt fshaitit të kërkonte fëmijët, por zbuloi se 32 të vegjlit, nga mosha 6 deri në 12 vjeç, kishin vdekur.
"Shkova në fshat dhe fillova të pyesja për fëmijët e mi, ku është Somaya? Ku është Youssef? Ku është kjo vajzë? Ku është ai djalë? Përgjigja erdhi disa orë më vonë, kishin vdekur të gjithë,”- thotë ajo.
“Imagjinova momentin kur mbaja fletën e frekuentimit të klasës dhe vendosja vizë pas emrit të çdo nxënësi derisa të bëheshin 32 emra. Tani kanë vdekur të gjithë,”- tha ajo për BBC.
Nxënësit ishin në mesin e pothuajse 3 mijë njerëzve të vrarë nga tërmeti më i fortë i regjistruar ndonjëherë në Marok, i cili goditi vendin mbrëmjen e 8 shtatorit. Zonat më të goditura ishin ato në jug të Marrakeshit, ku shumë fshatra malorë u shkatërruan plotësisht. Adaseel ishte një nga ato vende.
ElFadel kujton se si e gjetën një prej nxënësve, vetëm 6 vjeçe.
Ekipet e shpëtimit gjetën trupin e Hatixhes, të shtrirë pranë vëllait të saj Mohamed dhe dy motrave të saj, Mena dhe Hanan. Ata kishin qenë të gjithë në shtratin e tyre, ndoshta në gjumë.
"Khadija ishte e preferuara ime. Ajo ishte shumë e bukur, e zgjuar, aktive dhe i pëlqente të këndonte. Ajo vinte në shtëpinë time, dhe mua më pëlqente të studioja dhe të flisja me të,”- shton ajo.
Mësuesja i përshkroi studentët e saj si "engjëj" dhe fëmijë të respektueshëm që ishin të etur për të mësuar. Pavarësisht se po luftonin me varfërinë dhe një krizë dërrmuese të kostos së jetesës, fëmijët dhe familjet e tyre mendonin se shkollimi ishte gjëja më e rëndësishme në botë.
"Klasa jonë e fundit ishte të premten mbrëma, saktësisht pesë orë para se të godiste tërmeti,”- tha ElFadel.
“Kishim nisur të mësonim himnin kombëtar të Marokut dhe planifikonim ta këndonim para gjithë shkollës të hënën në mëngjes,”- tha ajo më tej.
Pavarësisht zërit të saj të qetë, ElFadel ka kaluar traumë. Ajo ende nuk mund ta kapërcejë atë që ndodhi me nxënësit dhe shkollën e saj.
"Unë nuk fle, jam ende në shok,"- tha ajo.
“Njerëzit më konsiderojnë si një nga ata me fat, por nuk e di se si mund të vazhdoj të jetoj jetën time,”- vijoi më tej.
Zonjës ElFadel pëlqente t'u mësonte arabisht dhe frëngjisht fëmijëve në një fshat të populluar nga njerëz që kryesisht flasin gjuhën e tyre, Tamazight.
"Arabishtja dhe frëngjishtja ishin shumë të vështira për t'u mësuar, por fëmijët ishin shumë të zgjuar dhe pothuajse i flisnin rrjedhshëm të dyja gjuhët,”- kujton ajo.
Ajo ka në plan të vazhdojë karrierën e saj në mësimdhënie dhe shpreson që autoritetet do të rindërtojnë shkollën e Adaseel, e cila u shemb gjatë tërmetit.
Gjithsej 530 institucione arsimore janë dëmtuar në shkallë të ndryshme, duke përfshirë disa prej të cilave që janë shembur plotësisht ose kanë pësuar dëmtime të rënda strukturore, sipas deklaratave zyrtare. Qeveria marokene ka ndërprerë përkohësisht mësimet në zonat më të goditura.
"Ndoshta një ditë kur ata të rindërtojnë shkollën dhe klasat të kthehen në sesion, ne mund t'i përkujtojmë ata 32 fëmijë dhe të tregojmë historinë e tyre,”- tha zonja ElFadel.