
VLORË- Deputetja e PD-së, Ina Zhupa e ka cilësuar ligjin për Zonat e Mbrojtura si një ligj klientelist që do t'u shërbejë oligarkëve. Në një deklaratë nga selia blu, Zhupa e vuri theksi tek protestat e banorëve që kërkojnë që ky lum mos të devijohet dhe as të dëmtohet.
Sipas saj, me ndryshimet e fundit në ligjin për Zonat e Mbrojtura nuk ka më asnjë mbrojtje por shkatërrim për parqet kombëtare.
Sa i takon projektit për Shushicën, ajo shtoi se devijimi bëhet për të furnizuar me ujë investimet strategjike dhe resortet në Himarë, ndërkohë që prek jetën e banorëve të 30 fshatrave, por edhe paprekshmërinë që Vjosa duhet të ketë me degët e saj, si Park Kombëtar.
Deklarata:
Prej disa ditësh banorët e 30 fshatrave ku kalon lumi Shushicë dhe aktivistë dhe ekspertë mjedisorë po protestojnë për mosdevijimin dhe moscenimin e lumit. Lumi Shushicë është një prej degëve kryesore të lumit Vjosë, ky i fundit i shpallur Park Kombëtar në mars të vitit 2023. Një vit pas vendimit nga qeveria, Shushica përballet me mundësinë e heqjes nga statusi “i mbrojtur”.
Tashmë me ndryshimet në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”, ku nuk kanë më praktikisht asnjë mbrojtje bëhet edhe më e realizueshme, shkatërrimi i çdo Parku Kombëtar. Bëhet fjalë për një projekt ku devijohen 140 litra ujë në sekondë nga lumi dhe rrjedha normale e tij dhe përdoret për ujësjellësin e Himarës, gjë që rrezikon ta thajë plotësisht pjesën e sipërme të tij gjatë verës që përdoret nga banorët për vaditje tokash, për bagëtitë etj.
Ky devijim bëhet për të furnizuar me ujë investimet strategjike dhe resorte në Himarë ndërkohë që prek jetën e banorëve të 30 fshatrave, por dhe paprekshmërinë që duhet të kishte Vjosa me degët e saj si Park Kombëtar.
Banorët, aktivistët, ekspertët mjedisorë po protestojnë prej ditësh kundër projektit të ujësjellësit të Himarës, i cili rrezikon dëmtimin e ekosistemit.
Partia Demokratike mbështet protestën e drejtë të banorëve dhe të aktivistëve të mjedisit. Ky projekt, i pari që nis projektet e bëra gati sa të kalonte ligji që shkatërron Zonat e Mbrojtura, sjell një dëm të dyfishtë. Dëmton banorët dhe jetesën e tyre të përditshme të lidhur me lumin Shushica dhe dëmton degën e Parkut Kombëtar Vjosa duke shkatërruar mbrojtjen e tij dhe ekosistemin dhe duke hapur precedent për shkatërrime të mëtejshme të këtij lumi.
Me këtë secili shqiptar mund të kuptojë se sa e kotë ishte propaganda me shpalljen Park Kombëtar të Vjosës, kur një vit më vonë do t’u hiqnin mbrojtjen të gjitha Parqeve Kombëtare. Ky akt i parë në shërbim të resorteve dhe jo të banorëve dhe mbrojtjes së Parkut Kombëtar Vjosës, tregon qartësisht cili do jetë fati i të gjitha Zonave të Mbrojtura nëse nuk e ndalim ne këtë masakër mjedisore.
Aktualisht, në fshatin Kuç të Vlorës po punohet prej 8 muajsh për shtrirjen e tubacioneve të ujësjellësit të Himarës. Investim që ka vlerën e 9.5 milionë eurove, shumë e ofruar nga Fondi Shqiptar për Zhvillim dhe Bashkia e Himarës./ZËRI