Më shumë

Kardashev, Shqipëria dhe mitologjia e kontrollit

Në një vend ku ndërprerjet e energjisë janë rutinë, ku përmbytjet na zënë befasi çdo vit, ku hidrocentralet varen nga shirat dhe importet nga mëshira e tregut...

Ledjan Ahmati
Kardashev, Shqipëria dhe mitologjia e kontrollit
FOTO ILUSTRUESE

Në vitin 1964, astrofizikanti rus Nikolai Kardashev hodhi një ide që për shumëkënd tingëllonte si fanta-shkencë: të matet zhvillimi i një qytetërimi jo me teknologjinë që ka, por me nivelin e energjisë që është në gjendje të kontrollojë.

Krijoi tre shkallë:
- Të Tipit I: një qytetërim që kontrollon të gjithë energjinë e planetit të tij – klimën,
stuhitë, oqeanet.
- Të Tipit II: që përdor energjinë e një ylli të tërë.
- Të Tipit III: që sundon një galaktikë të tërë.

Në vitin 2025, njerëzimi ende nuk ka kapërcyer Tipin I. Ndodhemi në Tipin 0.73. Dhe Shqipëria? Në më pak se 0.68.

Në një vend ku ndërprerjet e energjisë janë rutinë, ku përmbytjet na zënë befasi çdo vit, ku hidrocentralet varen nga shirat dhe importet nga mëshira e tregut...

– nuk kontrollojmë as energjinë e një lagjeje. Si mund të flasim për kontroll planetar?

Por kriza jonë nuk është thjesht energjetike. Është më e thellë – është kriza e kontrollit mbi vetveten. Sepse në Shqipëri asgjë nuk funksionon mbi meritë. Çdo institucion ka një shef, drejtor apo komandant, jo nga një profesionist, apo njeri me virtyte të larta morale apo sociale, teknokrate e formimi personal Dhe ky rregull i heshtur shtrihet edhe te strukturat më të rëndësishme të një demokracie – ato të partive politike në vend. Në një vend normal, partitë politike janë pasuri kombëtare – janë truri plural i një kombi. Ato duhet të përfaqësojnë ide, jo interesa.
Por në Shqipëri, partitë janë prona private, nuk janë organizata publike, por pronësi me vulë. Zotët e partisë nuk zgjidhen, ata e zaptojnë partinë si një tokë, si një godinë, si një biznes.

E mbajnë vulën me çdo kusht – shpesh edhe me gjykata, edhe me dhunë. Ato nuk përfaqësojnë më qytetarët – ato i komandojnë qytetarët. Në këtë realitet, meritokracia nuk ekziston. Jo vetëm se nuk shpërblehet përpjekja, por sepse çdo vend është zënë. Jo për meritë, por sepse “aty është filani” – dhe kështu energjinë kombëtare e përthith klientelizmi, nepotizmi, në shërbim të dy tre figurave të rrethuar nga një turmë çakenjsh që shkëlqejnë paaftësia, ama të aftë për të shqyer!

Si mund të ngjitemi në Tipin I të Kardashev, kur jemi të ngecur në Tipin -1 të demokracisë?

Kur vendimmarrja politike është private, kur energjia kombëtare kontrollohet nga grupe të vogla që shesin ndikim dhe bllokojnë çdo ide të lirë – atëherë jo vetëm që nuk kontrollojmë klimën, por as fjalën tonë. Shqipëria nuk ka mungesë djemsh e vajzash të zgjuar. Ka mungesë hapësire për ta. Dhe kjo nuk është çështje fati. Është çështje ndalimi me qëllim. Sepse një sistem që është ngritur mbi zaptim dhe jo mbi meritë – nuk do që të kontrollojë energjinë. Do vetëm të kontrollojë njerëzit.

Në fund:

Ne nuk jemi të paaftë si komb. Jemi të penguar si shoqëri. Deri kur të kthejmë partitë në pasuri publike, dhe institucionet në hapësira profesionale, dhe energjitë në drejtësi e dijeni, atëherë ndoshta mund të guxojmë të ëndërrojmë për Tipin I të Kardashev. Deri atëherë, jeta jonë do matet me ndërprerje. Jo me energji. Ky editorial është një thirrje për të zgjuar vetëdijen – jo vetëm për të diktuar gjendjen ku ndodheni, por për të ndezur mendjen.

Poll

MOS HUMB