
TIRANË- Komisioni i Disiplinës në FSHF ka marrë vendimin pas më shumë se një muaji nga ngjarja e dhunës së ndodhur në 26 nëntor, në ndeshjen mes Tiranës dhe Vllaznisë për femra.
Sipas vendimit Tirana dënohet me zbritjen e 3 pikëve në klasifikim. Ndërsa vajzat e Vllaznisë dënohen me humbjen e sfidës në tavolinë në rezultatin 3-0. Ndërkaq, janë dhënë edhe dënime të tjera për ngjarjen në fjalë, duke përjashtuar për këtë sezon nga aktivitetet futbollistike presidentin e Vllaznisë për femra, Lazër Matlija, si dhe drejtoreshën e Tiranës për femra, Edonisa Aliu.
“Zyrtari i KF Vllaznia Femra, Lazer Matija, për sulm fizik ndaj lojtareve dhe zyrtareve të ekipit kundërshtar, duke shkaktuar akte dhune ne ndeshjen midis KF Tirana Femra kundër KF Vllaznia Femra, në bazë të neneve 6/2/a, 14/1/h dhe 14/1/i të KDE dënohet përjashtim nga aktiviteti për sezonin futbollistik 2023-2024. Në zbatim të neneve 6/2/b dhe 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.
Zyrtarja e KF Tirana Femra, Edonisa Aliu, për sulm fizik ndaj lojtareve dhe zyrtareve të ekipit kundërshtar, duke shkaktuar akte dhune ne ndeshjen midis KF Tirana Femra kundër KF Vllaznia Femra, në bazë të neneve 6/2/a, 14/1/h dhe 14/1/i të KDE dënohet përjashtim nga aktiviteti për sezonin futbollistik 2023-2024. Në zbatim të neneve 6/2/b dhe 6/2/c të KDE, zyrtares i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit”, theksohet në vendimet përkatëse për të dy.