
TIRANË-Derbi mes Partizanit dhe Tiranës ka nisur me një sherr masiv në tribuna mes mbështetësve të të dy skuadrave. Përpara se sfida të fillonte, një përplasje e ashpër ka ndodhur ndërmjet tifozerive, ku shumë prej tyre u futën dhe në fushë. Tifozët e Tiranës u përplasën me mbështetësit e të kuqve, duke u gjuajtur me sende të forta e fishekzjarrë.
Kjo bëri ndërhyrjen e policisë, për të vënë nën kontroll situatën, në mënyrë që sfida të vijonte normalisht. Por një punonjës policie është goditur me sende të forta dhe si pasojështë dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekësve.
Lidhur me këtë, policia ka shoqëruar në komisariat tifozë të skuadrës së futbollit Partizani për akte të dhunshme para dhe gjatë zhvillimit të ndeshjes. Policia njofton se në vijim do të jepen informacione me të dhëna më të plota në lidhje me rastin.
Njoftimi i policisë:
Gjatë hyrjes në stadiumin “Arena e Demave”, Tufinë, të tifozëve dhe sportdashësve për të ndjekur ndeshjen e futbollit Partizani-Tirana, është goditur me sende të forta një punonjës policie, i cili ndodhet në spital, për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit dy shtetas (tifozë të skuadrës së futbollit Partizani), për akte të dhunshme para dhe gjatë zhvillimit të ndeshjes. Në vijim do të keni informacion me të dhëna më të plota në lidhje me rastin.