Më shumë

Mot ekstrem në Shqipëri, erë e fortë dhe shi i dendur! Anulohen lundrimet nga Porti i Durrësit

Përkeqësimi i motit pritet të zgjasë deri të hënën, me ndikim të madh në rajonin e veriut dhe veri-perëndimit të Shqipërisë.

M.M
Mot ekstrem në Shqipëri, erë e fortë dhe shi i dendur!
Foto ilustruese

TIRANË- Ditën e premte, vendi ynë do të ndikohet nga një sistem frontal që do të sjellë mot të vranët dhe reshje shiu. Reshjet do të fillojnë në veriperëndim që në orët e para, me intensitet të ulët deri mesatar. Gradualisht, ato do të rriten në intensitet, duke arritur deri në stuhitë dhe rrebeshë të fuqishme, veçanërisht në veriperëndim, dhe do të shoqërohen me shkarkesa elektrike.

Në orët e mbrëmjes, reshjet do të dobësohen në pjesën më të madhe të vendit, por në juglindje pritet që reshjet të jenë ende të forta, të shoqëruara me stuhi dhe breshër. Era do të fryjë me shpejtësi të lartë, veçanërisht përgjatë bregdetit, ku mund të arrijë deri në 25 m/sek.

Përkeqësimi i motit pritet të zgjasë deri të hënën, me ndikim të madh në rajonin e veriut dhe veri-perëndimit të Shqipërisë. Reshjet intensive mund të arrijnë deri në 100 tonë për hektar, duke shkaktuar përmbytje të mundshme.

Valëzimi në det do të jetë i lartë, dhe Autoriteti Portual i Durrësit ka njoftuar për anulimin e disa udhëtimeve detare.

Njoftimi zyrtar:

Referuar parashikimeve të Autoriteteve detare për përkeqësim të kushteve të motit, mbrëmjen e sotme (dt.03.10.2024) nuk do të ketë lundrime të trageteve nga Porti i Durrësit drejt Portit të Barit.

Tragetet do të nisen drejt Barit(Itali) mëngjesin e ditës së nesërme(04.10.2024).

Për çdo sqarim të nevojshëm, ju lutemi drejtohuni pranë agjencive të trageteve ose na ndiqni në adresën zyrtare www.durresport.al.

Temperaturat parashikohen:

në zonat malore 13 deri 20°C;

në zonat e ulëta 16 deri 24°C;

në zonat bregdetare 19 deri 23°C.

Nga ky përkeqësim preket i gjithë rajoni i Ballkanit, dhe Shqipëria kryesisht në veri dhe veri-perëndim të saj./ ZËRI

Poll

MOS HUMB