TIRANË- Debati politik për transferimin e Erion Veliajt në burgun e Fierit është zgjeruar deri tek kryeministri Edi Rama. Një takim në burgun e Fierit mes ministrit të drejtësisë Toni Gogu dhe kryebashkiakut mbrëmjen e 30 tetorit është kthyer në kryefjalën e ditës. Por çfarë ndodhi në këtë takim? Sipas avokatit të Veliajt takimi ka zgjatur rreth një orë e gjysëm dhe është zhvilluar në zyrën e drejtorit të burgut. Veliaj publikoi një letër ku pretendon se gjatë takimit, ministri i ka përcjellë 3 kërkesa që, sipas tij, vinin nga kryeministri Edi Rama, mes tyre të pranonte përfshirjen në çështjen e “Flamingove-Studentët”, të hiqte dorë nga Bashkia e Tiranës dhe t'ia delegonte atë Arbër Hajdarit, si dhe të mos këshillohej më me Plarent Ndrecën. Vetë ministri Gogu ka konfirmuar takimin me Veliaj, por ka mohuar kategorikisht se ka përcjellë mesazhet e pretenduara. Sot një tjetër letër e Veliajt drejtuar GJKKO u lexua në seancën gjyqësore ndaj tij. Kryebashkiaku kërkoi hetim, duke pretenduar se transferimi i tij në burgun e Fierit është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Por gjykata u shpreh se nuk është kompetencë e tyre të kryejë verifikimin.
./ZËRI