Prej 5 orësh komision! Çfarë po ndodh me deklarimet për 'TIMS'

TIRANË- Mbledhja e Komisionit Hetimor për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS ka filluar prej 5 orësh. Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka kërkuar që dëshmia e tij në Komisionin Hetimor për TIMS të bëhet me dyer të mbyllura. Sipas Rrumbullakut, arsyeja është se dëshmia e tij përmban të dhëna sensitive. Dëshmia e Rrumbullakut vijoji pasi ajo e Ministrit të Brendhëm Taulan Balla u shty për një ditë tjetër.
Rrumbullaku: Kërkesa ime të hidhet në votim, unë jam gati të përgjigjem për të gjitha. Në sistemin TIMS, kemi të bëjmë me ndërhyrje të paautorizuara dhe mos respektim të procedurave. Në këtë aspekt kam kryer të gjitha kompentencat e mia ligjore.
Salianji: Për këtë kërkesë duhet votim i ndërmjetëm dhe nuk mundemi. Por propozoj të vazhdojmë vetem me pyetjet që nuk kanë lidhje me informacionet e klasifikuara.
Balla dëshmoi për rreth dy orë në Komisionin Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit “TIMS” me dyer të mbyllura. Por për shkak të informacioneve të konsideruara si sekret hetimor dëshmia e tij është spostuar për një ditë tjetër, kur të gjithë anëtarët e komisionit të pajisen me certifikatë sigurie.
Mbedhja filloi me debate dhe shkak u bë kërkesa e Ballës. Nënkryetari i komisionit Toni Gogu i kërkoi kryetarit Ervin Salianji të hedhë në votim kërkesën e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, disa herë rresht. Por Salianji ka kërkuar që Balla të paraqitet në sallë, të miratohet rendi i ditës dhe më pas të vendosin nëse mbledhja do të mbahet apo jo me dyer të mbyllura. Deputetët e PS "braktisën" dhe zhvilluan një pushim të shkurtër për të vijuar më tej me dëshmitë./ZËRI
'TIMS'/ Prokuroria i jep 'dritën jeshile' Kom.Hetimor për Ervin Muçën: Të thirret, por... pa media

TIRANË- Prokuroria e Tiranës, i është përgjigjur kreut të Komisionit Hetimor Parlamentar për TIMS, Ervin Salianji, në lidhje me kërkesën e këtij të fundit për thirrjen në komisionin, të ish-drejtorit të IT-së në Policinë e Shtetit Ervin Muça. Akuza, i ka dhënë ‘’dritën jeshile’’ komisionit për thirrjen ne Muçës, por me disa kushte.


Duke qenë se Ervin Muça do të pyetet në lidhje me tema sensistive për sigurinë kombëtare, Prokuroria kërkon që ai të pyetet pa praninë e mediave dhe pjesë-pjesë. Letra u lexua në komision nga Salianji. Muça do të thirret në komision më datë 17 maj, ora 11:00./ZËRI
"Kam informacione sekrete për TIMS-in"/ Zbardhet shkresa e Ballës drejtuar Komisionit Hetimor

TIRANË- Zbardhet kërkesa e plotë e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, i cili i është drejtuar me një kërkesë komisionit hetimor parlamentar për ndërhyrjen në sistemin TIMS. Në shkesën zyrtare, Balla thekson se informacionet për të cilat ai do të flasë klasifikohen si "sekret hetimor", ndaj edhe kërkon që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura. Por po ashtu kërkon që deputetët e komisionit që të jenë të pajisur me certifikatë sigurie.
KËRKESA E TAULANT BALLËS:
Në vijim të thirrjes për dhënien e dëshmisë në Komisionin Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS, sot më datë 15.05.2024, ju informoj sesi ministër i Brendshëm, informacionet që disponoj lidhur me çështjen bazohen në dokumentacion dhe të dhëna që janë përcjellë nga Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikqyrjes Policore. Duke qenë se informacionet e marra nga institucionet e sipërcituara përbëjnë informacion të klasifikuar "sekret shtetëror", bazuar në nenin 12 të ligjit vlerësoj se anëtarët e nderuar të këtij Komisionit të zhvillohet me dyer të mbyllura, në përputhje me detyrimet ligjore për mbrojtjen e këtij informacioni. Gjithashtu, rezulton se çështja e TIMS është objekt hetimi penal nga Prokuroria pranë Gjyakatës së Shkallës së Parë të Tiranës e si pasojë të dhënat nuk mund të bëhen publike për shkak të nevojave që lidhen me këtë procedim penal në proces e sipër./ZËRI
Vazhdon debati tek "TIMS-i"/ Gogu-Salianjit: Mbyllni dyert të futet Balla. Demokrati: Amen!

TIRANË- Pas një pushimi të gjatë, deputetët janë mbledhur sërish në Komisionin Hetimor për rrjedhjen e të dhënave të TIMS. Që me nisjen e takimit, pati një përplasje tjetër mes Ervin Salianjit dhe Toni Gogu. Ky i fundit kërkoi edhe njëherë mbylljen e dyerve për vazhdimin e Komisionit, ndërsa Salianji kërkon që ministri i Brendshëm, Taulant Balla të futet njëherë në sallë dhe më pas të votohet rendi i ditës. Më pas, Blerina Gjylameti zbuloi se gjatë pushimit Salianji ishte takuar edhe vetëm me Ballën.
"E takuat, folët madje dhe e patë. Aty në korridor është që në orën 5 pa 10. Jemi ligjvënës, nuk e cënojmë dot ligjin,"-shtoi Gjylameti.
PJESË NGA DEBATI:
Salianji: Ti ngre dorën si të gjithë të tjerët dhe pasi të kem përfunduar unë dhe të them zoti Gogu merr fjalën, atëherë e merr. Po iu them ju e keni këtë situatë kujt t'ja ngecni por hajde diskutojmë.
Gogu: I nderuar zoti Salianji, të shkelësh ligjin me këtë lloj guximi dhe krenari, ti qofsh. Të fyesh kolegët ti qofsh. Zonja ka 2 orë që pret fjalën. Kërkesa jonë por rrënjoset në tavolinën tuaj. Vendos Komisioni dhe jo kryetari kur mbyllen dyert. Hidhni për votim kërkesën tonë.
Salianji: O zot na ruaj nga mend, amen! Në asnjë rast të vetëm nuk i drejtohet askush Këshillit të Legjislacionit. Të nderuar qytetarë ka një përpjekje për të mbuluar paligjshmërinë që është deri në fyt. Në orën 5 duhet të ishte ministri i brendshëm këtu. Nuk kemi protokolluar një kërkesë në kohën e duhur për të marrë masat për këtë gjë. Çfarë mbledhje kërkoni të bëni kur nuk keni certifikatë sigurie? Doni të bëni cirk ju? I lutem sekretarisë që të mbahet në procesverbal se këta i përdorin, vendimi i datës 5 përcakton rendin e ditës, nëse ka kërkesë për të ndryshuar rendin e ditës... *Gogu i afron kërkesën. Po fshij fytyrën me atë. Të vijë ministri i Brendshëm. Nëse nuk vjen e ndryshojmë rendin e ditës./ZËRI
'Shpallim në kërkim ministrin'/ Socialistët braktisin 'TIMS', Salianji kërkon socialistin, Balla e pret në korridor

TIRANË- "Shpallim në kërkim Taulant Ballën,"-tha Salianji në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS, por duket se ministri i Brendshëm nuk është shumë larg tij. Pas kërkesës së Partisë Socialiste se takimi duhet të mbahet me dyer të mbyllura për shkak se do të trajtohen disa çështje sekrete, debatet kanë nisur mes deputetëve. Salianji ka nisur kërkimet për Ballën nëpër zyrat e Kuvendit, ndërkohë që ministri i Brendshëm qëndron në sallën e grupit në katin e katërt me deputetët socialistë. Por kërkon votimin në mbledhje për të mbajtur "top sekret" çështjet që do të diskutojë me deputetët.
“Shpallim në kërkim Ballën, punonjësit e gardës ta gjejnë se ku është fshehur. Duhet të vijë. Pasi të vijë Balla dhe të marrë fjalën atëherë do flasim. Ejani këtu dhe të flasim. Nuk bëhet kjo me sufler dhe me njerëz që bëjnë si të shqetësuar. Kur të vijë ministri dhe ta parashtrojë kërkesën atëherë e vendosim”.
Nga ana tjetër, nënkryetari i komisionit Toni Gogu i kërkoi kryetarit Ervin Salianji të hedhë në votim kërkesën e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, disa herë rresht. Por Salianji ka kërkuar që Balla të paraqitet në sallë, të miratohet rendi i ditës dhe më pas të vendosin nëse mbledhja do të mbahet apo jo me dyer të mbyllura.
“Ky komision është vend punë e jo spektakli. Spektakli i këtij komisioni janë vendimet e komisionit jo sa herë del ti në televizor. Hidh në votim kërkesën siç të detyron ligji sepse nuk e mbar ti pushtetin e komisionit. Te je një i parë në mes të barabartëve, drejton mbledhjet e këtij komisioni e thërret mbledhjen e këtij komisioni. Për kërkesën e Ballës duhet të informosh komisionin dhe ta hedhësh në votim,”- tha Gogu.
Teksa palët debatonin, Balla shkoi në Kuvend, por deri më tani nuk ka asnjë zgjidhje. Deputetët e PS-së kanë dalë për pushim, ndërsa mbledhja është ndërprerë edhe nga opozita. Me rinisjen e takimit pritet të vendoset edhe fati i takimit të sotëm./ZËRI