LIVE UPDATES

SKANDALI tek Onkologjiku/ Rama: Krim kundër njerëzimit! Koçiu njofton masat: Mjekët do marrin leje për të punuar në privat

➤Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot të gjithë shefat e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza ”. ➤Mbledhja ka ardhur pas skandalit të bërë publik në spitalin Onkologjik në vend, ku mjekët zhvatnin pacientët e sëmurë më kancer. ➤Rama tha se çdo mjek që shkel betimin, dhe merr para nga pacientët e sëmurë, është duke kryer një krim kundër njerëzimit. Ndërkohë kreu i qeverisë njoftoi se një grup menaxherësh të huaj do të asistojnë drejtuesit e QSUT-së, për të bërë kalimin drejt kapitullit për autonominë spitalore.➤Nga ana tjetër Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu njoftoi disa nga ndryshimet në Urdhrin e Mjekut. Ajo tha se ndër të tjera do të ndalohet që një mjek të ndjekë të njëjtin pacient edhe në shtet edhe në spitalin privat që mund ta zotërojnë, apo që mund të punojnë.

5 artikuj për këtë temë.
9 MUAJ ME PARE

“Të rrënuar psikologjikisht”, Rama tregon prapaskenat e takimit me mjekët tek Onkologjiku

SKANDALI tek Onkologjiku/ Rama: Krim kundër njerëzimit! Koçiu
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka treguar prapaskenat nga takimi që ka pasur sot me mjekët dhe stafin e spitalit Onkologjik në QSUT. Rama u shpreh se stafi i këtij spitali ishte i rrënuar psikologjikit për shkak të skandalit që ndodhi tek Onkologjiku. Kreu i qeverisë shtoi se përgjegjësia është individuale për secilin mjek apo infermier.

Rama: Përgjegjësi e tyre është individuale, duhet ta mbajmë para ligjit dhe para zotit. Përgjegjësia juaj si institucion spitalor është të reagoni dhe të kujdeseni për funksionim e përditshme. Për të shtyrë çdo hap, reformimin, hap pas hapi të këtij institucioni. Takimi me skuadrën e Onkologjikut para se të vija këtu ishte mbresëlënës. Në kuptimin negativ për rrënimin psikologjik dhe moral të të gjithëve që është e natyrshme se janë më afër nga të gjithë ndaj këtyre merimangave.

9 MUAJ ME PARE

Rama merr në mbrojtje Koçiun: Dorëheqja e saj joracionale, historinë e kobaltit e fabrikuan ujërat e zeza mediatike

SKANDALI tek Onkologjiku/ Rama: Krim kundër njerëzimit! Koçiu
edi rama

TIRANË- Gjatë fjalës së tij në mbledhjen me shefat e QSUT, kryeministri Edi Rama ka përgëzuar drejtësinë për zbulimin e skandalit te Onkologjiku, teksa ka bërë thirrje që gjykatësit të mos e relativizojnë këtë histori kriminale dhe mjekët të marrin dënimin e merituar.

Ndërkohë që sa i takon një tjetër prej gjetjeve të prokurorisë, ajo e mosvënies në punë të pajisjes së kobaltit, Rama tha se ajo është fabrikim i mediave, të cilat i cilësoi si pompa të kanalit të ujërave të zeza.

“Kërkesa në komente për dorëheqjen e ministres, të zakonshme akuzat dhe sajesat nga ata me shpirt katran dhe mendje sahan i gëzohen këtyre rasteve për lojën e përditshme me mendjen e njerëzve duke arritur në fabrikim kriminal të historisë së kobaltit. Të mbështetur edhe nga pompat e kanaleve të ujërave të zeza mediatike.

Ç’ka më takon mua dhe atyre që janë dhe këtu një pjesë e madhe, sipas shkallës së përgjegjësisë dhe që kanë një rol për të luajtur në mbarëvajtjen e punës së shërbimit shëndetësor dhe në ecurinë e masave për transformimin, është adresimi sistematik i problematikave.

Drejtësia e bëri edhe një herë punën e vet dhe kjo është e vetmja e mirë e asaj të keqeje që doli në pah, i përgëzoj dhe u bëj thirrje gjykatësve që të mos lejojnë që relativizmin e asaj veprimtarie kriminale, siç ka ndodhur më parë kur gjykatës kanë ngrënë turpin me ryshfet dhe kanë nxjerrë të lirë vrasës që duhej të ishin brenda sot e gjithë ditën.

Ne duhet të vijojmë punën tonë, jo vetëm me masat. Ndryshimet e propozuara nga grupi i punës, i ngritur sapo morëm dijeni për grupin keqbërës te Onkologjiku”, tha Rama./ZËRI 

9 MUAJ ME PARE

Drejtimi i QSUT-së, Rama: Do të angazhojmë një grup menaxherësh të huaj

SKANDALI tek Onkologjiku/ Rama: Krim kundër njerëzimit! Koçiu
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, në takimin me drejtuesit e spitaleve, tha se një grup menaxherësh të huaj do të asistojnë drejtuesit e QSUT-së, për të bërë kalimin drejt kapitullit për autonominë spitalore.

"Do të angazhojmë një grup menaxherësh të huaj, që të asistojnë nga afër drejtuese e re të QSUT, dhe qendrave të tjera, që të hapim së shpejti kapitullin e ri të autonomisë spitalore, që kjo qendër do të duhet ta ketë, dhe kësaj qendre duhet ti japë të gjithë fleksibilitetin, që ti shpërblejë mjekët sipas meritës.

Veprimtaria kriminale e atij grupi keqbërësish, njësoj si historia e Tixhes, nuk e hedh përpjekjen tonë për ta transformuar sistemin shëndetësor. Kjo që po ndodh na bën më të vetëvijshëm për gjërat që duhen bërë akoma. Por nëse ka një shembull është kantieri i transformimit të QSUT në dekadën e fundit", u shpreh Rama. 

Gjatë fjalës së tij, Rama iu bëri thirrje gjykatësve që “mos e hanë turpin me ryshfet” dhe të hetojnë deri në fund skandalin.

“Drejtësia e bëri punën e vet. Përgëzoj prokurorët dhe i bëj thirrje gjykatësve që mos lejojnë që relativizimin dhe banalizimin e asaj veprimtarie kriminale, siç ka ndodhur kur gjykatës të caktuar e kanë ngrënë turpin me ryshfet dhe kanë nxjerrë të lirë edhe vrasës që duhet të ishin brenda sot e gjith ditën. Ndërsa ne duhet dhe do të vazhdojmë punën tonë, jo vetëm me masat që paralajmëroi ministrja Koçiu”, tha Rama.

/ZËRI 

9 MUAJ ME PARE

Skandali në spitalin Onkologjik, Rama: Krimi i mjekëve është krim kundër njerëzimit

SKANDALI tek Onkologjiku/ Rama: Krim kundër njerëzimit! Koçiu
Edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur para drejtuesve të spitaleve në vend, ku ka adresuar shqetësimet e tij, pas skandalit të raportuar në spitalin Onkologjik.

Teksa iu përgjigj akuzave të shumta që janë bërë këto ditë, edhe nga segmente të politikës, Rama tha se dorëheqja e Ministres së Shëndetësisë, do të ishte joracionale. Sipas Ramës, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të japin dënimin maksimal, për të gjithë mjekët e përfshirë.

"Duke u përgatitur për këtë adresim publik, në një moment shumë të errët që krijoi për bluzat e bardha, veprimtaria e disave prej jush në spitalin onkologjik, mu kujtuan fjalët e Besim Elezit, as në ëndërr nuk e kishim parë dot një spital në këto kushte më tha, kur hapëm repartin e sëmundjeve të brendshme.

Ata dhe kolegët e tij kanë punuar në kushte heroike, pa mjete, por kishin pastërtinë e tyre. Në këtë territor ku jemi sot, nuk mungonte figura dhe përkushtimi i mjekut, ndërsa sot nuk mugon pothuajse asgjë, nga çfarë kishim dje, por fatkeqësisht jo gjithnjë figura dhe përkushtimi i mjekut janë në lartësinë e misionit që nis me betimin e hipokratit.

Të mos jesh në lartësinë e detyrës, në profesionin tuaj, është një hall shumë i madh për njeriun, që i lidhet fati i shëndetit. Ta përdorësh uniformën më simbolike, njësoj si maskat e grabitqarëve të bankave, për të nxjerrë paratë nga të sëmurët, është krim kundër njerëzimit", u shpreh Rama. 

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, e pranishme në takim, bëri me dije se nuk do të lejohen më mjekët që të ndjekin të njëjtin pacient në publik dhe në privat: “Mjekët e punësuar në sektorin publik që punojnë në klinika private duhet të marrin autorizim nga drejtuesi i spitalit dhe do konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë. Do të ndalohen mjekët që të ndjekin të njëjtët pacientë edhe në klinikat private. Kjo praktikë është toleruar gjatë këtyre viteve dhe u zgjat pasi kjo qeveri vendosi të ndërmarrë reformën shëndetësore. Sot jemi në hapin e fundit të reformës dhe së shpejti QSUT dhe spitalet e tjera do të marrin autonominë e plotë. Mjekët që kanë hapur klinika private nuk do të mund të mbajnë funksione drejtuese në spitale publike apo në Universitetin e Mjekësisë”. /ZËRI 

9 MUAJ ME PARE

Skandali tek Onkologjiku/ Qeveria "me dorë të hekurt": Mjekët ndalohen të ndjekin të njëjtin pacient në shtet e privat!

SKANDALI tek Onkologjiku/ Rama: Krim kundër njerëzimit! Koçiu
Albana Koçiu

TIRANË-Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu në mbledhjen e zhvilluar sot me shefat e QSUT ka bërë me dije se do të ketë disa ndryshime të reja, disa prej të cilave do të hyjnë në fuqi menjëherë, në lidhje punën e mjekëve dhe atyre që hapin apo punojnë edhe në klinika private. 

Ministrja tha se dërgimi në klinika private do të dënohet, ndërsa përsëritja e kësaj shkeljeje do të shkojë deri në ndalim të aktivitetit. Shkelja e etikës, betimi i Hipokratit do të dënohen po ashtu, teksa shtoi se shkelja e protokollit mjekësor do të çojë edhe në ndalimin e aktivitetit të mjekut për gjatë gjithë jetën.

Koçiu: E para falënderoj prokurorët dhe besoj se shpreh në emër të qytetarëve, e dyta shpreh keqardhjen bluzave të bardhave të përkushtuar e të devotshëm. E kam ndjerë deri në palcë mërzinë dhe plagosjen e rëndë morale për atë neveri. Shumica juaj nuk janë si ata, sistemi ynë nuk është ai. Ka mjekë te Onkologjiku që punojnë me përkushtim dhe nuk e meritojnë njollën që iu vu nga kolegët. Dua të bëj me dije se kemi ndërhyrë në ligje, i cili rregullon veprimtarinë për bluzat e bardha. Një drejtues në spital publik, nuk mund të punojë në privat. Nëse mjeku çon klientë në privat do ketë gjobë për mjekun e klinikës. Mjekët që duan të punojnë në privat do duhet të marrin leje. Individët që njollosin institucionin do të ndalohet të veshin bluzën bardhë gjatë gjithë jetës. Nuk thashë disa nga afatet për masat e shkelura, sepse janë ende në diskutim edhe për disa ditë. Kjo ngjarje e rëndë do përbëjë një mësim të paçmuar për të punuar për shëndetësinë europine 2030.

MASAT:

Dua t’ju bëj me dije se gjatë këtyre ditëve kemi punuar intensivisht për disa ndërhyrje të shpejta dhe kuptimplota në LIGJIN “PËR URDHRIN E MJEKËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, i cili rregullon veprimtarinë e profesionistëve të shëndetësisë dhe përcakton parime, standarde e kritere për aktivitetin e bluzave të bardha. 

-Hapja apo puna në një klinikë private për mjekët e sektorit publik do të vazhdojë deri në momentin kur spitali përkatës do të përfundojë procesin e autonomisë dhe me marrjen e autonomisë kjo do të jetë rreptësisht e ndaluar.

Mjekët e punësuar në sektorin publik që kanë hapur apo punojne në klinika private, si edhe ata qe do te duan ta bejne këtë më tutje, duhet të marrin një autorizim/leje nga titullari i spitalit ku janë të punësuar. (Ky autorizim duhet të konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe të publikohet në një regjistër publik digjital).

-Do të ndalohet ligjërisht që një mjek të ndjekë të njëjtët pacientë në klinikën private që ka hapur vetë apo që punon aty. Një mjek i cili ndjek pacientë në klinikat shtetërore është në konflikt të hapur interesi nëse kërkon që po këta pacientë të vijnë në klinikën private që ai ka hapur vetë apo punon aty.

Kjo është NJË PRAKTIKË E TOLERUAR përgjatë gjithë këtyre viteve PAS NDRYSHIMIT TË SISTEMIT dhe e zgjatur nga fakti se vetëm KJO SHUMICË QEVERISËSE vendosi të ndërmarrë reformën rrënjësore të autonomisë spitalore, e cila dihet botërisht se kerkon disa vite edhe në kushte shumë me normale se sa kushtet skandaloze të shëndetësisë e të spitaleve deri përpara 10 vjetësh.

Fatmirësisht sot jemi në hapin e fundit dhe kemi aktualisht në Fier, Memorialin, spitalin e parë me autonomi. Së shpejti QSUT dhe 12 spitale te tjera do të marrin autonominë e plotë pas plotësimit të kushteve të mbetura.

Por megjithatë, masat për ndarjen e mjekut nga pacienti në spitalin publik nga mjeku dhe pacienti në spitalin privat do t’i marrim menjëherë.  

-Po menjëherë, mjekët që kanë hapur dhe/ose punojnë në klinika private nuk do të mund të mbajnë ASNJË FUNKSION drejtuese të asnjë niveli në spitalet publike apo në Universitetin e Mjekësisë.

Një drejtues në këto struktura duhet t’i dedikohet plotësisht administrimit dhe aktivitetit në strukturën ku i është dhënë një përgjegjësi drejtimi. Historia e transferimit të pacientëve në klinikën private nga drejtuesit e shërbimeve publike do të mbarojë menjëherë sapo të miratohet ky ndryshim ligjor.  

•Do të thjeshtojmë në këtë ligj edhe procedimin disiplinor

Aktualisht procedimi disiplinor është kompleks, me komisione disiplinore rajonale, qendrore, ankimime administrative dhe më pas ato gjyqësore.  

Jo! Do të krijohet një komision i vetëm shtetëror disiplinor me 5 anëtarë dhe nje komision apelimi. Vendimet e këtij të fundit mund të ankimohen në gjykatën administrative, por ky ankimim nuk do të pezullojë ekzekutimin e vendimit te komisionit të apelimit.

Natyrisht të gjitha këto ndërhyrje të menjëhershme kërkojnë edhe NDRYSHIME TË MASAVE DISIPLINORE ekzistuese.  

Prandaj masat disiplinore aktuale do të ashpërsohen ligjërisht si pjesë e kësaj pakete ndërhyrjesh.  

• Dërgimi i pacientëve në klinikën private nga mjeku përgjegjës për ta në shërbimin publik, do të dënohet me gjoba domethënëse për mjekun dhe për klinikën private që vetë mjeku ka hapur apo punon. Ndërsa përsëritja e kësaj shkeljeje do të shkojë deri në ndalimin e aktivitetit për mjekun apo klinikën private për afate të caktuara.

• Shkelja e rregullit që drejtuesit publike nuk mund të kenë klinika private apo të punojnë në to përveç shkarkimit nga funksioni dhe gjobës domethënëse për mjekun, si dhe gjobës gjithashtu për klinikën private, do të mund të çoje deri në ndalimin e aktivitetit për të dyja palët për afate të caktuara.

• Mosdeklarimi transparent në kërkimin e autorizimit/lejes për punësim në privat do të çojë në heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit për afate të caktuara.

• Shkelja e etikës (betimit të hipokratit) dhe të protokolleve mjekësore, kur nuk ka shkaktuar pasoja do të çojë në ndalimin e kryerjes së disa shërbimeve mjekësore dhe deri në heqjen për afate të caktuara të licencës së ushtrimit të profesionit.

• Shkelja e protokollit mjekësor, kur ka shkaktuar pasoja të lehta do të çojë, përveç pasojave që burojnë nga ndëshkimi i drejtësisë edhe në heqje të licencës së ushtrimit të profesionit për një afat shumë domethënës.

• Shkelja e protokollit mjekësor, kur ka shkaktuar pasoja të rënda do të çojë përveç pasojave që burojnë nga ndëshkimi i drejtësisë edhe në ndalimin e aktivitetit të mjekut për gjithë jetën.

Prokuroria e Tiranës zbardhi skemën abuzive, në të cilin ishin përfshirë mjekë dhe specialist të Onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, pasi në vend që të jepnin shërbim për pacientë me sëmundje tumorale, bënin të kundërtën, duke i orientuar ata drejt spitaleve private më qëllim përfitimin ekonomik.

Poll

MOS HUMB