'Na kishe munguar!'/ Gazetarët e presin me batuta, Basha qesh

TIRANË- Lulzim Basha e ka nisur konferencën e tij për shtyp me batuta. Pa nisur mirë konferenca, Basha i takoi gazetarët që po prisnin konferencën e tij, të cilët e pritën me fjalët: Na kishe munguar!
Përgjigjen Basha ua ktheu me batutë, duke i paralajmëruar edhe për takime të tjera.
MOMENTI I BATUTËS ME VIDEO:
Basha tregon mënyrën si do mundë Ramën

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare Lulzim Basha ka treguar këtë të enjte dhe mënyrën se si ai mendon të mundë Kryeministrin Edi Rama në zgjedhje. Gjatë fjalës së tij në konferencën me gazetarët, Basha tha se plani i PD-së do të mbështetet në tre kolona, transparencë, përgjegjësi dhe alternativë, të treja sipas tij të shkelura nga Edi Rama.
Lulzim Basha: Të bësh opozitë do të thotë të bësh maksimumin, të mbash përgjegjësi për ata që kanë dëmtuar shtetin. Opozitë nuk është ai që bërtet më fortë, por ai që paraqet alernativa, jo ai që shkel ligjin. U pengua buxheti? Jo. U penguan ligjet e tjera? Çfarë ndodhi? Buxheti më i lartë në Shqipëri kaloi për shtatë minuta. Padiskutim, përballë nuk kemi një qeverisje normale. Unë e kuptoj shumë mirë me taktikat për të shmangur transparencën, përgjegjësinë dhe alternativat. Nuk ka më kohë, për të shmangur këto tre kolona. Shqiptarët nuk kanë më kohë për të parë më shfaqje, ku i vetmi që ka përfituar është Edi Rama. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka, që Edi Rama në vend që të fshihet pas alibive, por qeveria e tij të paguajë për atë çfarë ka bërë./ZËRI
Basha: Jam kryetari i PD! Më njeh KQZ dhe Gjykata

TIRANË- Lulzim Basha deklaroi këtë të enjte se është kryetari i Partisë Demokratike, i zgjedhur në mënyrë statutore me një anëtar një votë në zgjedhjet e 29 korrikut. Sipas tij, në krye të Partisë Demokratike e njeh dhe Gjykata, por dhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Por pyetjeve për dorëheqjen e tij dhe komandimit të Enkelejd Alibeajt në krye të PD-së, Basha zgjodhi të mos i përgjigjej.
Lulzim Basha: Nuk e kam thënë unë që jam kryetar i PD-së, e thotë KQZ-ja, gjykata, institucionet e shtetit shqiptar dhe institucionet ndërkombëtare ku Partia Demokratike bën pjesë. Unë padiskutim jam kryetar i zgjedhur një anëtar një votë më 29 korrik. Ju lutem pyetje të tjera sepse ato kanë kaluar. Unë sot mendoj që shqiptarëve u vlen e sotmja dhe tutje. Gjykata është e qartë, KQZ-ja është e qartë edhe për zgjedhjet e Kuksit.
Pyetje: Por KQZ-ja u detyroi të autorizonit zotin Alibeaj, por gjithsesi meqënse nuk doni të përgjigjeni…
Lulzim Basha: Janë cic mice që u interesojnë pak njerëzve.
Pyetje: E keni të vështirë të pranoni që s’keni dhënë dorëheqjen? Kur thoni…
Lulzim Basha: Thash edhe njëherë, e morët përgjigjen e plotë. Zgjedhjet e 29 korrikut janë të qarta, statusi ligjor i kryetarit të partisë është i qartë. Dëshirat e të tjerëve janë dëshirat e të tjerëve, unë nuk ndaloj askënd që të ketë dëshira dhe ëndrra. Këto janë faktet, këto janë faktet.
Legjitimiteti i kryetarit të Partisë Demokratike, mbetet ende dyerve të gjykatave, ndërsa Sali Berisha dhe Lulzim Basha pretendojnë se janë në krye të saj, të zgjedhur në mënyrë statutore. Grupi i Bashës vijon të mbajë logon zyrtare të Partisë Demokratike, që u themelua me lëvizjen e Dhjetorit 1990 pas vendosjes së pluralizmit politik në vend, edhe pse është dobësuar në mbështetës dhe është në minorancë brenda grupit parlamentar. Ndërkohë Sali Berisha drejton shumicën e demokratëve, por nuk ka as vulë e as logo. Gjykata e Lartë e riktheu sërish çështjen për "vulën" në Gjykatën e Apelit ku do të shqyrtohet me themel. Do jetë kjo gjykatë që do të japë dhe vendimin përfundimtar./ZËRI
'Pse dole pas arrestimit të Berishës'/ Rastësi apo...? Basha: Po lidhja telat e këputur

TIRANË- Lulzim Basha ka zhvilluar sot një konferencë shtypi pas 4 muajsh mungesë dhe heshtje mediatike. Basha ka treguar se gjatë kësaj mungese ai ka qenë në më shumë se 250 takime në të gjithë Shqipërinë, siç tha ai, për të lidhur “telat e këputur” të opozitës me qytetarët.
Gjithashtu, Basha u shpreh se refuzon të jetë pjesë e politikës që ai e konsideron “telenovelë 2-vjeçare”.
PYETJE: Pse dolët publikisht vetëm pas arrestimit të Berishës?
BASHA: Nuk do t’i lidhja dy ngjarjet me njëra tjetrën, ne kemi punuar për strukturimin e Partisë Demokratik. Personalisht kam qenë në 250 takime anë e mbanë gjithë Shqipërisë për të lidhur telat e këputur nga PD me hallet e njerëzve dhe njerëzit. Ishim në një telenovelë ku aktor, regjisor dhe teleshikues ishin vetë politikanët e opozitës. Këto 4 muaj kanë shërbyer që PD të rindërtojë themelet, organizimin e saj, kontaktet me qytetarët e grupet e interesit dhe nisjen e procesit të ofertës tonë elektorale për procesin e ardhshëm zgjedhor parlamentar dhe iniciativat politike.
Unë kam qenë në aktivitet të plotë, por nuk isha pjesë e telenovelës ku kush bërtet e tallet më shumë për të krijuar mjegull për t’u fshehur pas saj. Ka 2 vjet që Edi Rama sheh telenovelë falas, edhe në NETFLIX ndryshon telenovela pas dy vitesh. Ne refuzojmë të jemi pjesë e kësaj telenovele. U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të mos e ndjekin më këtë telenovelë./ZËRI
Basha 'i mërzitur' me mbështetësit e Berishës: Sa jam kujdesur unë për të...

TIRANË- Lulzim Basha ka sulmuar mbështetësit e kryedemokratit Sali Berisha. Në konferencën e tij të parë për mediat pas shumë kohësh mungesë, Basha tha se të gjithë kanë shkuar pranë tij për përfitimet e tyre personale. Duke folur ndër të tjera edhe për veten si bashkëpunëtor të tij të afërt.
"Rithemelimi dihet që është i izoluar dhe dihet arsyeja e izolimit, kontaktet e mia janë në nivelet më të larta të presidenti Biden dhe nivelet më të larta. E kam dëgjuar këtë tezë, është një tezë që qarkullon nga një i tretë pasi nuk njeh, por shenjën e barazimit, Berisha ka zgjedhur rrugën e tij dhe ka pasur arsyet e tij, çfarë kam pasur për të thënë e kam thënë, me thënë të drejtën fajin më të madh nuk ia vë atij, natyrisht që ka përgjegjësi, një burrë shteti nuk mund të bjerë në emocione të tilla, fajin më të madh e kanë ata, bënë sikur shkuan tek Berisha sepse u digjte barku për të, që s’kanë lënë gjë pa i thënë. Ne e dimë që ata që ka pranë nuk kanë shkuar për Sali Berishën, as demokratët. besonin se ai stan kishte bylmet më të mirë, kanë shkuar për egoizëm. Vendimet me kostot që ka marrë personalisht...sa kam punuar unë me Sali Berishën nuk kanë punuar këta. Sa jam kujdesur 10 vite për t'i ruajtur imazhin dhe trashgimninë e tij politike kur këta e përqeshnin, por duhet të zgjidhja mes mirënjohjes dhe nevojës për të lëvizur përpara. Kemi paguar një çmim të jashtëzakonshëm. Po të mendoja për veten time, sot nuk do të kishte PD. Do të ishte e gjitha e pashpresë dhe e tretur, siç është tretur Rithemelimi. Kujdo që bën llogari personale i kujtoj fatin e këtyre që sot kanë sindromën e bixhozçiut. Hidh-humb,"-tha Basha.
Arrestimi i Sali Berishës, Basha flet për herë të parë: Keqardhje!

TIRANË- Lulzim Basha ka komentuar për herë të parë masën e sigurisë të vendosur ndaj kryedemokratit Sali Berisha. Në konferencën e tij për mediat, për herë të parë pas shumë kohësh, Basha tha se ka keqardhje në aspektin personal. Por "analizën" e bëri edhe në rrafshin politik, ku sipas tij, Berisha i ka sjellë shumë kosto Partisë Demokratike. Në fund, shtoi se drejtësia duhet të bëjë punën e saj. Gjithashtu, sqaroi edhe pse ai dhe deputetët që e mbështesin në Kuvend, nuk ishin ditën që Parlamenti dha "ok' SPAK-ut për të ashpërsuar masën e sigurisë ndaj Berishës.
PJESË NGA DISKUTIMET:
Arrestimi i Berishës, Basha: Kam 2 reagime, njëri në rrafshin personal. Natyrisht që nuk më vjen mirë që një njeri që kam bashkëpunuar për një kohë të gjatë, që ka dhënë kontributet e veta për vendin të përfundojë këtu. Çfarë kam pasur për t'i dhënë ia kam thënë, e dini se dhe ai e ka thënë publikisht përmbajtjen e këtij komunikimi për të mos ardhur deri këtu. por në fund secili bën zgjedhjen e tij në jetë dhe mban përgjegjësi. Kjo është njëra anë e kostos që sjellja e tij i solli të gjithëve. është kosto që ka marrë personalisht, familjes së tij, PD dhe vendit. Kam keqardhje të thellë që kjo të përfundojë kështu. është e domosdoshme që PD të eci përpara. Në çdo rast qëndrimi i PD është që drejtësia të bëjë punën e saj e papenguar dhe çdokush, duke nisur nga unë i pari, duhet të jemi në dispozicion për ço kufizim. Propozimi që kam dërguar është solid me një përvojë të vendeve të tjera, ku kërkohet edhe vullneti i deputetëve. Unë e konfirmoj timin dhe të deputetëve të PD. Bëhet fjalë për të gjitha ofezat që trajton SPAK.
Pse nuk shkuar në Kuvend për të hequr imunitetin ndaj Berishës?
Basha: Ne do të ishim në parlament për të marrë vendimet përkatëse, ka kohë që parlamenti nuk funksionin si i tillë. Atë ditë, parlamenti ishte në gjendjen e vetë më të rënduar. Ne kishin fjalë për të thënë, nuk mund të shkonim si duar që ngriheshin përpjetë në një ambient të intoksikuar. Qëndrimi ynë politik për çdo rast është i qartë./ZËRI
Reforma Zgjedhore, rikthehet Basha, live për mediat: E udhëheqim ne!

TIRANË-Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare Lulzim Basha ka ‘’thyer’’ këtë të enjte heshtjen dhe ka dalë përpara gazetarëve në një koferncë për mediat ku ndër të tjera u ndal tek Reforma Zgjedhore. Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se duhet të nisë menjëherë puna në komisionin e Reformës Zgjedhore dhe i bëri thirrje Partisë Socialiste që të lërë mënjanë alibitë. Sa i përket deklaratave të bëra një ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama, se reforma mund të bëhet dhe pa komision, Lulzim Basha u shpreh se Rama u është rithyer lojërave të vjetra të reformës, por nuk do të ia dalë.
Lulzim Basha: PD ka shpalosur prioritet duke depozituar disa projektligje. Pas depozitimit të paketës tonë për reformën zgjedhore, kemi pasur premtime për mbledhjen e komisionit të reformës. Dje dëgjuam kryeministrin që iu rikthye lojës së vjetër me reformën. Ka një komision bipartizan për reformën. Opozita është e përfaqësuar plotësisht. Ne mbetemi të hapur për plotësime rreth paketës tonë të propozimeve, por ne besojmë se paketa jonë adreson në mënyrë shteruese problemeve me reformën zgjedhore. Shqipëria një zonë vendore sjell barazinë e votës. Vota e emigrantëve është një propozim që i jep fund pengesave për të mundësuar votën e emigrantëve. Thirrja ime në emër të PD është që të nisë menjëherë puna në komision e reformës zgjedhore. PS të lerë mënjanë çdo alibi e ti japim shqiptarëve një reformë zgjedhore.
Komisioni për Reformën Zgjedhore është kthyer në një “mollë sherri”, jo vetëm mes socialistëve dhe demokratëve., por dhe vetë brenda këtyre të fundit. Komisioni i afirmuar më herët për Reformën Zgjedhore, me Enkelejd Alibeaj bashkëkryetar Komisioni krah Damian Gjinkurit, hasi në kundërshtinë e Gazment Bardhit dhe grupit të deputetëve që mbështesin Sali Berishën, të cilët kërkuan ndryshimin e anëtarëve, duke bërë pjesë deputetët që janë rreshtuar në krah të Bardhit dhe ata në krah të Sali Berishës. Kjo është kundërshtuar dhe nga Alibeaj dhe nga Partia Socialiste. Ky ngërç vijon prej 24 shtatorit. Me sa duket me paralajmërimin e kësaj të mërkure nga Kryeministri Edi Rama, ky Komision mund të vijojë punën pa praninë e demokratëve, të cilët ende nuk kanë lajmëruar lëvizjen e radhës./ZËRI
“Ringjallet” Lulzim Basha, sot konferencë me gazetarët. I vë 3 kushte Ramës për reformën zgjedhore

TIRANË- Një vit përpara zgjedhjeve parlamentare, Reforma Zgjedhore mbetet një nga pikat kyçe që kërkon bashkëpunimin e mazhorancës me opozitën për realizimin e saj. Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Edi Rama tha se Reforma Zgjedhore mund të bëhet dhe pa dakordësinë e opozitës, dhe pa ngritjen e një komisioni parlamentar, megjithatë për kalimin në Kuvend janë të nevojshme 84 vota, që socialistët nuk i kanë.
E udhës për arritjen e këtyre shifrave do të ishte një bashkëpunim me një prej fraksioneve të opozitës. Më të gatshëm për të vendosur kushte duket se kanë qenë deputetët e grupimit të Bashës, të cilët në një deklaratë për mediat nga ana e Kreshnik Çollakut vendosën dhe prioritetet e tyre.
“Përtej zhurmës logorike pa asnjë thelb të vërtetë politik, jetike për interesin e Opozitës dhe të shqiptarëve është që Parlamenti ti japë përgjigje tre prioriteteve madhore që mundësojnë ndryshimin e madh që kërkon çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi: Listat e hapura, Vota e Diasporës, Vetingu politik”, deklari Çollaku, ndërsa shtoi më tej: “Çdo shfaqje e potershme në Parlament që nuk ballafaqon këto prioritete është tradhti ndaj interesit publik dhe dëm që i bëhet vendit. Nëse Rama me socialistët dhe Berisha me rithemelimin, do ta vazhdojnë lojën e tyre në Parlament, nga sot ka vetëm një arsye. Asnjëra nga këto palë nuk janë të interesuara për lista të hapura, votë të emigrantëve dhe veting të politikës, dhe interesi i vetëm është zgjatja e agonisë dhe statuquosë së moçalit politik 30-vjeçar në Shqipëri”.
Kjo ‘ringjallje’ e grupimit të Lulzim Bashës vjen në një kohë kur brenda opozitës po bëhen përpjekjet për krijimin e një federate që do të sillte bashkimin e të gjitha grupimeve.
Edhe pse një gjë e tillë duket të jetë e vështirë, me Rithemelimin që kërkon që Basha të lihet jashtë, edhe pse dhe në radhët e atyre vetë ka pasur paqartësi. Fillimisht Luçiano Boçi dha një ftesë për Bashën, e cila u mohua të nesërmen nga ana e Flamur Nokës. Për të folur mbi të gjitha këto zhvillime, vetë Lulzim Basha ka vendosur që të thyejë heshtjen, dhe të flasë përpara gazetarëve. Ai ka paralajmëruar një konferencë me gazetarët gjatë orës 18:00 të pasdites./ZËRI