Rama: Do të ndërtohen dhe 3 kulla të reja në Tiranë

TIRANË- Tre kulla të reja priten të ndërtohen në kryeqytet në vitet në vijim. Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Edi Rama, i cili tha se këtë të enjte janë dhënë lejet për tre kulla të reja. Njëra do të ndërtohet në qendër, njëra te Bulevardi i Ri dhe tjetra tek “21 dhjetori''. Deklaratën e bëri teksa ishte i ftuar në emisionin "Opinion".
I pyetur se kush i blen ato apartamente dhe njësi, kreu i qeverisë tha se i blejnë shqiptarët dhe të huajt. Sipas tij, shqiptarët kanë sakrifikuar për shumë vite dhe përderisa i blejnë kanë para.
Edi Rama: Kulla nuk janë ato me 10 apo 15 kate. Kulla janë ato mbi 20 kate. Janë dhënë sot edhe 3 të reja. Është dhënë një midis atyre të dyjave në qendër, njëra te Bulevardi i Ri dhe tjetra tek “21 dhjetori”. Janë të larta këto të fundit. Është fat që kemi arkitektët më të njohur që vijnë në vendin tonë. Tirana e ka potencialin për t’u zhvilluar lart njëlloj si Tel Avivi. Ne nuk kemi prishur trashëgiminë historike. E kemi mbrojtur atë. Rritja e densitetit të popullsisë në qendër sjell rritje ekonomike. I blejnë shqiptarë dhe të huaj. Çmimet janë të larta. Shqiptarët kanë sakrifikuar për shumë vite dhe përderisa i blejnë kanë para./Zëri.ai
Inceneratorët/ Rama: Aferë qartësisht korruptive

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur këtë enjte për dosjet e "nxehta" në duart e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), një prej të cilave inceneratorët. Sipas Ramës, inceneratorët janë aferë e pastër korruptive. Deklaratën kreu i qeverisë e bëri i ftuar në emisionin "Opinion" duke pranuar kësisoj hapur se një nga sipërmarrjet më të mbrojtura prej tij, deri kur SPAK bëri nxori urdhërarrestet e para është një aferë korruptive.
Edi Rama: Afera korruptive është qartësisht një aferë korruptive që po merret një organ që e kemi krijuar për këtë punë. Unë jam mbrojtësi dhe frymëzuesi i SPAK që t’i pijë ujin e zi çdo gjëje që ka marrë padrejtësisht në kurriz të popullit shqiptar. Sistemi po i çon (zyrtarët) para drejtësisë, por nuk bëhet sa hap e mbyll sytë. Ky funksionim i sistemit do të bëjë që njerëzit të mendohen 17 herë para se të bëhen pjesë e aferës./Zëri.ai
Takimi me Mitsotakis dhe çështja 'Beleri", Rama: I dhashë të njëjtën përgjigje

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar takimin me homologun grek Kyriakos Mitsotakis gjatë punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit të mbajtur në Tiranë më datë 16 tetor. I ftuar në "Opinion" Rama tha se ka pasur një bisedë të hapur me të.
Kreu i qeverisë shtoi se ka pasur dhe një takim bilateral me të ku e ka informuar që së shpejti do të inaugurohet busti i babait të tij që është i pari kryeministër i Greqisë që ka vizituar minoritetin. I ndalur tek çështja "Beleri" dhe a u diskutua kjo në takimin mes tyre, Rama nuk dha detaje.
Edi Rama: Nuk dua të bëj komente që i kam bërë, historia dihet. Folëm në Samit, patëm një bisedë shumë, shumë të hapur si gjithmonë. Folëm dhe më vete, patëm takim bilateral. Folëm, diskutuam. Shkëmbyem pikëpamjet. E informova që së shpejti do të inaugurohet busti i babait të tij që është i pari kryeministër i Greqisë që ka vizituar minoritetin.
Blendi Fevziu: A ju hapi çështjen e Belerit?
Edi Rama: Patjetër.
Blendi Fevziu: Cila ishte përgjigja juaj?
Edi Rama: E njëjta përgjigje që kam dhënë në publik dhe që nuk kam asnjë përgjigje tjetër.
Blendi Fevziu: A ju përmendi Mitsotakis që kjo do t’i kushtojë Shqipërisë rrugën e integrimit europian?
Edi Rama: Nuk flitet kështu në takime bilaterale, se takimet bilaterale nuk janë takime për të bërë deklarata. Në takime bilaterale flitet në mënyrë shumë informale./Zëri.ai
Deklarata për Kosovën/ Rama zbulon çfarë i tha Macron

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar deklaratën e presidentit të Francës Emmanuel Macron për një pezullim të procesit të vizave për Kosovën. I ftuar në "Opinion", Rama tha se Macron vuri theksin tek zbatimi i planit franko-gjerman. Ndërsa nuk la pa "sulmuar" ata që i quan si politikanë me profile false.
Edi Rama: Ai e preku çështjen e situatës në procesin e dialogut, si të gjithë të tjerët, por edhe ndoshta pak më shumë se të tjerët ai është vetvetiu i lënduar me faktin që edhe pse është angazhuar personalisht bashkë me kancelarin Scholz për të vënë në tavolinë një plan që quhet plani franko-gjerman dhe që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës në këtë fazë të historisë së saj dhe duke diskutuar më tha që unë nuk jam i gatshëm që të hap rrugë nëse ata në Prishtinë nuk do t’i hapin rrugë dakordësisë mbi planin franko-gjerman. Ajo që është shqetësuese është që edhe figura publike, edhe profile false me nxitje nga figura publike u hodhën në një sulm ndaj tij dhe ndaj madje u hodhën edhe në sulm ndaj meje, a thua se e bëra unë atë.
Pyetje: Pse Macron duhej të vinte ta bënte në Tiranë atë deklaratë zoti Rama mbi gjysmën tjetër të botës shqiptare?
Edi Rama: A thua se e kam unë gjithë fuqinë t’i them Presidentit francez, do bësh këtë, do bësh atë. Përkundrazi, por kjo është një tjetër, nuk ka rëndësi se unë jam mësuar me këtë. I këshilloj ta lexojnë mirë atë që tha sepse foli për disa javë në vijim që janë javë oportuniteti. Pra duhet të ketë lëvizje në drejtimin e duhur se nuk mund të merret peng gjithë bashkësia e aleatëve dhe e miqve të Kosovës, nuk mund të merret peng i gjithë komuniteti euroatlantik për ti bërë karshillëk një përpjekje të tyre, shumë, shumë të vendosur dhe po kaq të sinqertë për të zgjidhur çështjen e vetë Kosovës./Zëri.ai
Rama tregon se kur ka komunikuar për herë të fundit me Arben Ahmetajn

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka treguar se kur ka qenë hera e fundit që ka komunikuar me ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, tashmë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsiuonit dhe Krimit të Organizuar. I ftuar në "Opinion" Rama tha se ka folur me të para shumë kohësh.
Pjesë nga biseda:
Blendi Fevziu: Kush është Ahmetaj?
Edi Rama: Ish, ku e di.
Blendi Fevziu: Keni dijeni se ku ndodhet?
Edi Rama: Fare!
Blendi Fevziu: Kur keni komunikuar për herë të fundit.
Edi Rama: Shumë kohë më parë.
Blendi Fevziu: A kishit dijeni për lidhjet e tij me bosët e inceneratorëve? E keni mohuar gjithmonë..
Edi Rama: Çfarë kam thënë e them prapë. Aferat nuk janë pjesë e qëllimit të përbashkët, as e planit të punës dhe as e gjithë e atij mundi të bërë. Nuk janë aferat që e kanë plotësuar Elbasanin, por ajo gjëja atje. Ata që duan të bëjnë një rrugë dy punë, atëherë rrugët ndahen. Afera korruptive brenda asaj pune të madhe është një aferë korruptive që po merret një organ që e kemi krijuar pikërisht për këtë punë./Zëri.ai
'Ftohje' me Vuçiç-in? Rama: Raportet janë siç kanë qenë gjithmonë

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar mungesën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Samitin e Procesit të Berlinit dhe nëse ka një "ftohje" të raporteve mes tyre.
I ftuar në "Opinion", Ram tha se Vuçiç mungoi pasi kishte një takim të "madh" me Kinën. Ndërsa sa i përket raporteve me të tha se nuk ka as ftohje as "ngrohje". Por shtoi se dhe nëse ka marrëdhënie miqësore, interesat e vendit vijnë të parat.
Edi Rama: Raportet janë siç kanë qenë gjithmonë. Të drejtëpërdrejta. Ishte takimi i madh që kishin me Kinën. Unë nuk e kuptoj për çfarë diskutojmë. Unë e di shumë mirë se cili është pozicioni i Serbisë, aleancës së Serbisë… Unë i di të gjitha këto. Unë di që paqja nuk bëhet me shokët, paqja bëhet me armikun. Nëse Serbia ishte armiku i deridjeshëm paqja me atë bëhet. Ky është Ballkan. Shqipëria duhet të jetë Europa e Ballkanit. Kjo histori që këta ngrohen e ftohen unë se kam as me ngrohje as me ftohje këto janë marrëdhënie politike që mund të jenë dhe miqësore. Interesat vijnë të parat. Se çuditën serbët, se çuditet presidenti i Serbisë se unë çohem e them se duhet ndëshkuar njëherë për zinë kombëtare që është një skandal antieuropian i pajustifikueshëm. Le të mërziten ata, unë nuk punoj për ata, punoj për Shqipërinë./Zëri.ai
Nuk i bashkoi as Kombëtarja/ Rama: S'kisha dijeni për vizitën e Kurtit

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin "Opinion" ka komentuar këtë enjte raportet me homologun e Kosovës Albin Kurti. Dy liderët nuk i bashkoi as ndeshja e kombëtares së futbollit më 12 tetor. Ata u panë larg njëri-tjettri.
Sipas Ramës nuk është vënë në dijeni nga protokolli për vizitën e Kurtit ndërsa shtoi se ai nuk e bën një gjë të tillë kur shkon në Kosovë. "Takimin e munguar" të asaj dite e justifikon me faktin se nuk ka pasur dijeni.
Edi Rama: Unë nuk merrem me organizim e protokoll. Unë kisha tre vendet që kisha vetë dhe u ula në tre vendet që kisha vetë. Në boksin e veçantë ishte jo vetëm Albini por dhe një pjesë e qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri i Maqëdonisë së Veriut. Unë kur shkoj në Kosovë i njoftoj të gjithë.
Ndërsa në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi Rama u shpreh:
Nuk duhet harruar asnjë sekond, çdo kthim mbrapa i procesit të dialogut është në dëm të Kosovës. Ata që futen 5 milionë armatime dhe bën atë krim që bënë, morën përgjigje falë forcave të Sigurisë së Kosovës./Zëri.ai