LIVE UPDATES

Rama në podcastin “Flasim”: Rritje pagash e pensionesh deri në 2030, Shqipëria pret raportin e BE për prokurimet

➤Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të rritjes së pagave, me fokus rritjen reale të të ardhurave dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse. Ai paralajmëroi rritje të reja në sektorin e shëndetësisë nga muaji qershor. Sipas tij, mjekët dhe infermierët do të përfitojnë shtesa mujore që variojnë nga 12 mijë deri në 18 mijë lekë, si dhe paga më të larta për turnet dhe rivlerësim të përvojës.➤Rama u ndal edhe te skema e pensioneve, duke thënë se rritja do të vijojë gradualisht deri në vitin 2030, ndërsa po përgatitet edhe një skemë plotësuese ku kontributet individuale do të dyfishohen nga shteti ose punëdhënësi.➤Ai foli gjithashtu për një raport të Bashkimit Europian për prokurimet publike që pritet të vijë javën e ardhshme, duke theksuar se Shqipëria renditet e para në rajon për përmirësime në transparencë dhe menaxhim.

3 artikuj për këtë temë.
3 MUAJ ME PARE

Skema e re për pensionet, Rama: Rritje graduale deri në 2030

Rama në podcastin “Flasim”: Rritje pagash e pensionesh deri
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria ka stabilizuar një skemë të rritjes së përvitshme të pensioneve, duke parashikuar rritje të ndjeshme në vitet e ardhshme.

Sipas tij, rritja e bërë në janar do të dyfishohet në 2027, do të trefishohet në 2028, katërfishohet në 2029 dhe pesëfishohet në 2030. Rama njoftoi gjithashtu se po përgatitet një kolonë e dytë e sistemit të pensioneve, e cila do të funksionojë si skemë plotësuese e asaj ekzistuese.

Ai shpjegoi se punonjësit do të mund të kontribuojnë me një shumë të vogël nga paga e tyre, e cila do të dyfishohet nga shteti ose punëdhënësi, duke krijuar një fond individual që i shtohet pensionit bazë.

"Ndërkohë që kemi stabilizuar dhe kemi vënë në lëvizje një skemë rritjeje të përvitshme të pensioneve, çka është rritur në këtë janar do të dyfishohet në janarin e ardhshëm, do të trefishohet në janarin e 2028-ës, do të katërfishohet në janarin e 2029-ës dhe do të pesëfishohet në janarin e 2030-ës.

Po përgatisim edhe një kolonë tjetër të skemës së pensioneve, e cila i bashkëngjitet në mënyrë komplementare sistemit aktual, kolonës qendrore të pensioneve, duke krijuar një hapësirë të re dhe një mundësi të dytë mbështetjeje për të ardhmen.

Ideja është shumë e thjeshtë: çdo punonjës që zgjedh të kontribuojë me një shumë të vogël nga paga e tij, për shembull 1 euro në muaj, do të ketë një kontribut të barabartë nga pala tjetër, shteti ose punëdhënësi në sektorin privat. Në këtë mënyrë, kontributi dyfishohet dhe, muaj pas muaji, krijohet një fond individual, i cili i shtohet pensionit që përfitohet normalisht nga kolona e parë, skema ekzistuese.

Kjo nuk është absolutisht diçka “alla shqiptare”, sepse ne nuk bëjmë të tilla; po mësojmë nga përvojat më të mira dhe përpiqemi të sjellim këtu modele të sprovuara. Pra, është një model i mirënjohur që krijon mundësinë e krijimit gradual të një fondi pensionesh, për më shumë siguri për individin dhe për një lidhje më të qëndrueshme mes punonjësit dhe punëdhënësit, shtetit apo privatit. Një mekanizëm sigurie financiare për moshën e tretë dhe, e përsëris, një mekanizëm komplementar që nuk e prek, por e forcon mekanizmin aktual," tha Rama.

Rreth 100 milionë euro janë parashikuar për rritjen e pensioneve në kuadër të skemës së re të mbështetjes për pensionistët në buxhetin e shtetit për vitin 2026./ZËRI

3 MUAJ ME PARE

Rama: Javën e ardhshme raporti i BE për prokurimet, Shqipëria kryeson në rajon

Rama në podcastin “Flasim”: Rritje pagash e pensionesh deri
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama njoftoi se javën e ardhshme Shqipëria do të marrë një raport nga Bashkimi Europian për prokurimet publike. Sipas tij, raporti analizon situatën në rajon dhe e rendit Shqipërinë të parën për përmirësimet, transparencën dhe cilësinë e mekanizmave.

Rama theksoi se gjetjet bazohen në fakte dhe shifra konkrete, duke kundërshtuar perceptimet negative për korrupsionin në vend.

"Dua të ndaj me ju kënaqësinë e marrjes këto ditë të një raporti shumë domethënës të Bashkimit Europian, përmes instrumentit përkatës të SIGMA-s dhe OECD-së, që ka analizuar edhe panoramën e përgjithshme të prokurimeve publike në rajonin tonë, ku Shqipëria spikat me përmirësimet e saj. Përmes shifrave dhe fakteve, do të mund t’i tregojmë edhe publikut se sa larg janë të gjitha ato që thuhen dhe stërthuhen, duke ushqyer një perceptim negativ lidhur me raportin e Shqipërisë me korrupsionin dhe lidhur me pozicionin e kësaj shumice ndaj korrupsionit, në raport me realitetin e fakteve dhe të shifrave konkrete, të identifikuara dhe të rreshtuara jo nga qeveria apo ekspertët e saj, por nga një instrument i besueshëm dhe cilësor i Bashkimit Europian, me të gjithë integritetin e duhur profesional për të treguar se cila është e vërteta. Edhe në atë çka lidh prokurimet publike me transparencën dhe cilësinë e mekanizmave që i vënë ato në përdorim në të mirë dhe në interes të publikut, Shqipëria përsëri spikat si e para në rajonin tonë," tha Rama.

Shqipëria shënoi me 11 dhjetor 2025 30 vite nga krijimi i sistemit të prokurimeve publike. Në këtë event të organizuar në Tiranë për 30 vjetorin e prokurimeve publike mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili foli për progresin e bërë ndër vite, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te roli i “Diellës”, e cila është mandatuar si ministre AI në shtator, në kuadër të mandatit të katërt të qeverisë. Ai theksoi se “Diella” nuk do të marrë vendime, por do të analizojë dhe sjellë të dhëna për prokurimet publike, ndërsa vendimmarrja do të mbetet në dorë të strukturave përkatëse./ZËRI

3 MUAJ ME PARE

Rritja e pagave në sistemin shëndetësor nis në qershor, Rama: Mjekët e urgjencës do të trajtohen në të njëjtin...

Rama në podcastin “Flasim”: Rritje pagash e pensionesh deri
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim” ka deklaruar se nga 1 janari i këtij viti Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të rritjes së pagave.

Ai bëri të ditur se nga muaji qershor do të ketë rritje pagash edhe në sistemin e shëndetësisë. Mjekët e urgjencës do të trajtohen në të njëjtin nivel me kolegët e tyre, ndërsa shtesat mujore do të arrijnë deri në 18 mijë lekë për mjekët dhe 12 mijë lekë për infermierët dhe teknikët. Rama shtoi se këto masa përfshijnë edhe paga më të larta për turnet dhe një sistem rivlerësimi bazuar në përvojën.

"Nga 1 janari i këtij viti kemi hyrë në një fazë të re të rritjes së pagave, me një drejtim të qartë: rritje reale e të ardhurave dhe mbrojtje e fuqisë blerëse. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për pagat nominale, të cilat, nga paga minimale në shkallë vendi, janë rritur në 500 euro, apo në mesataren e përgjithshme kanë arritur në rreth 10%, me një ritëm të qëndrueshëm si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Po këtu bëhet fjalë për çka na ka munguar si mekanizëm, jo sepse nuk e kemi ditur mungesën, por sepse s’kemi mundur ta adresojmë si pasojë e mungesës së mundësive të ekonomisë. Sot që ekonomia na ka dhënë mundësi të reja, ne kemi vendosur të indeksojmë pagat në sektorin publik çdo dy vite, me mekanizma shtesë për kategori të ndryshme, dhe kësisoj të korrigjojmë impaktin e inflacionit mbi pagën për mësuesit, për mjekët, infermierët, punonjësit e policisë, ushtarakët dhe administratën.

Një vëmendje e veçantë i është dhënë sistemit shëndetësor, ku nga qershori pagat do të rriten edhe në disa shërbime kritike. Mjekët e urgjencës do të trajtohen në të njëjtin nivel me të tjerët edhe për sa i përket rojeve, që janë një ngarkesë ekstra. Ndërkohë, shtesat konkrete do të arrijnë në 18 mijë lekë në muaj për mjekët dhe 12 mijë lekë për infermierët dhe teknikët, të shoqëruara me paga më të larta për turnet dhe një sistem rivlerësimi për përvojën.

Është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë aty ku përgjegjësia është më e lartë dhe ku sistemi kërkon mbështetje të përditshme. Është një politikë e qëndrueshme, sepse është një rritje ekonomike e qëndrueshme dhe janë mekanizma të nevojshëm, që kjo rritje ekonomike i ka bërë të mundshëm dhe, patjetër, edhe të matshëm në atë që është llogaria e çdo familjeje që jeton me punë të ndershme," tha Rama.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB