Shqipëria dërgon 30 ushtarakë në misionin të NATO-s në Rumani! Misioni përfunon në vitin 2029
TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimi për të dërguar një tog këmbësorie të Forcave të Armatosura të Repubilkës së Shqipërisë në Rumani, në kuadër të strukturës të NATO-s për mbrojtjen e krahut juglindor të Aleancës (RP-SE).
Me propozimi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe mbështetur në kuadrin ligjor për dërgimin e trupave jashtë vendit, misioni synon të kontribuojë në operacionet e mbrojtjes kolektive dhe aktivitetet e DDA-së në rajon.
Sipas vendimit zyrtar të qeverisë, kontingjenti shqiptar do të jetë i përbërë nga 30 ushtarakë, të cilët do të integrohën në stukturat drejtuese dhe operacionale të Aleancave në teritorin rumun.
Sipas vendimit, misioni do të zgjasë deri më 15 shtator 2029 . Çdo togë do të qëndrojë në mision deri në gjashtë muaj, ndërsa më pas do të zëvendësohet nga kontingjenti pasardhës.
Ministria e Mbrojtjes do të mbulojë të gjitha shpenzimet e ushtarakëve, përfshirë dietat ditore prej 12 mijë lekësh, akomodimin, ushqimin, sigurimin e jetës dhe atë shëndetësor, transportin, mbështetjen mjekësore, si dhe shpenzime të tjera që lidhen me kryerjen e misionit.
Njoftimi i plotë
Vendim për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me një togë këmbësorie, në përbërje të strukturave të NATO-s, për mbrojtjen e krahut juglindor të aleancës (RP-SE), në kuadër të aktiviteteve të DDA-së, në Rumani
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dërgimin me mision të një toge këmbësorie, të përbërë nga 30 (tridhjetë) ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në përbërje të strukturave të NATO-s, për mbrojtjen e krahut juglindor të Aleancës (RP-SE), në kuadër të aktiviteteve të DDA-së, në Rumani.
2. Misioni i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është kryerja e detyrave në përbërje të Brigadës Shumëkombëshe Juglindore (MNB-SE), në zonën e përcaktuar të përgjegjësisë.
3. Venddislokimi i togës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është në strukturat e Brigadës Shumëkombëshe Juglindore, pjesë e Divizionit Shumëkombësh Juglindor të NATO-s, në rajonet Craiova dhe Caracal, në Rumani.
4. Kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 15.9.2029, me sistem rotacioni. Periudha e qëndrimit në mision për çdo togë është deri në 6 (gjashtë) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me togën pasardhëse.
5. Ministria e Mbrojtjes, për ushtarakët pjesëmarrës në këtë mision, përballon shpenzimet për:
a) dieta për ditët e qëndrimit në mision, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) akomodim;
c) ushqim;
ç) lavanderi;
d) ujë të pijshëm;
dh) energji elektrike;
e) sigurim jete;
ë) siguracion shëndetësor për ditët në udhëtim;
f) siguracion shëndetësor jashtë zonës së misionit;
g) mbështetje shëndetësore;
gj) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
h) transport të kontingjentit në rrugë tokësore;
i) transport të individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disiplinore;
j) aktivitete social-kulturore, në rastet e festave kombëtare, gjatë kryerjes së misionit;
k) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së misionit.
6. Transporti i kontingjentit që merr pjesë në misionin në Rumani, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, uji, lavanderia, transporti i individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disiplinore, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, përveç rasteve kur, në bazë të marrëveshjeve dy ose shumëpalëshe, ku palët janë pjesë, palët e tjera marrin përsipër përballimin e këtyre shpenzimeve.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
8. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./ZËRI
Qeveria çon në Kuvend marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut, parashikohen pika të përbashkëta kufitare
TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e kësaj të mërkure projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta kufitare.
Vendimi, i propozuar nga ministri i Punëve të Brendshme, synon krijimin e një kuadri të ri bashkëpunimi mes dy vendeve për menaxhimin e kufirit shtetëror, me qëllim lehtësimin e lëvizjes dhe rritjen e efikasitetit të procedurave të kontrollit.
Pas miratimit në qeveri, projektligji i kalon Kuvendit të Shqipërisë, ku do t’i nënshtrohet shqyrtimit dhe votimit nga deputetët.
V e n d i m
Për propozimin e projektligjit “për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 9, të ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Qeveria liron nga detyra zëvendësministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Vilma Premti
TIRANË- Këshilli i Ministrave ka vendosur në mbledhjen e kësaj të mërkure lirimin nga detyra të zëvendësministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Vilma Premti.
Vendimi është miratuar me propozim të Kryeministrit Edi Rama dhe ka hyrë në fuqi menjëherë.
VKM:
V E N D I M PËR LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Vilma Premti, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
Mblidhet Qeveria! Lamallari: Ndihma për familjet e policëve të rënë në detyrë! Nufi: Shqipëria do të dërgojë oficerë në Gaza
TIRANË- Qeveria është mbledhur këtë të mërkurë në mbledhjen e radhës, ku ka miratuar disa vendime të rëndësishme. Pas përfundimit të mbledhjes, ministrat bënë publike vendimet e marra, të cilat përfshijnë mbështetje financiare për familjet e efektivëve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës, si dhe miratimin e dërgimit të forcave ushtarake shqiptare në misionin ndërkombëtar në Gaza.
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallarit, deklaroi se familjet e policëve të rënë në detyrë do të përfitojnë paga dhe pension familjar. Gjithashtu, ministri bëri me dije se do të ofrohen bursa për fëmijët, punësim për familjarët dhe sigurimin e banesave falas.
“Kemi vendosur që të miratohet vendimi që përcakton masën, procedurën dhe rregullat për trajtimin financiar të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë humbur jetën në krye të detyrës, si edhe të atyre që janë plagosur. Ky vendim trajton të gjithë elementët, duke nisur nga ndihma e menjëhershme financiare, e cila shkon deri në 10 paga mujore të punonjësit të ndjerë të policisë. Më pas parashikohen pensioni, bursat e plota arsimore për fëmijët, si dhe punësimi me prioritet për familjarët. Ajo që është më e rëndësishmja është edhe sigurimi i banesave falas për bashkëshorten dhe fëmijët e mitur të punonjësit që ka humbur jetën në detyrë. Kjo është një zgjidhje shumë e mirë, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat dhe kapacitetet ligjore”, tha Lamallari.
Minisri i Mbrojtjes, Ermal Nufi,deklaroi se javën e ardhshme do të merret vendimi zyrtar për dërgimin e trupave në Gaza. Ministri u ndal edhe te Samiti i NATO-s, duke sqaruar se zhvillimi i tij në Shqipëri do të vendoset nga krerët e shteteve anëtare të Aleancës.
“Javën që vjen, do të marrim vendimin, Shqipëria ka marrë një angazhim dhe lidhet me faktin që do të dërgojmë oficerë të shtabit në Gaza. Shqipëria do të jetë pjesë e këtyre trupave, kemi bërë një shqyrtim të rrethanave në Gaza dhe do të dërgojmë oficerët e shtabit. Samiti i NATO-s është vendosur që do të zhvillohet në Shqipëri. Në lidhje me zhvillimin e samiteve vendosen nga krerët e shteteve. Samiti do të zhvillohet në 2027, ose jo, kjo gjë do të merret nga krerët e shteteve anëtare“, tha ministri Nufi./ZËRI