‘Po më nxisni që të bëhem politikan mezor’, shtyhet mbledhja e Këshillit të Mandateve për Vullnet Sinajn

TIRANË- Është mbyllur pa një vendimmarje mbledhja e sotme e Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet, ku u diskutua mbi mocionin e opozitës, për heqjen e mandatit të deputetit Vullnet Sinaj. Kjo për shkak se deputeti socialist kërkoi kohë që të konsultohej me një jurist, për dosjen me rreth 200 faqe që është depozituar në Kuvend nga deputetët e opozitës. Kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Gazment Bardhi, kërkoi që çështja të adresohet pa vonesa në Gjykatën Kushtetuese dhe të mos mbahet peng nga Kuvendi.
Gjatë mbledhjes nuk munguan debatet, pasi Sinaj pretendoi se nuk ka marrë asnjë para nga buxheti i shtetit, dhe se 36 mijë eurot për të cilat akuzohet janë blerje në kasë, nga institucionet, dhe jo para të marrë nga procedura publike. Edhe pse ka deklaruar se nuk do të garojë më për deputet, gjatë debateve me Bardhin, Sinaj u shpreh se opozita po e nxiste që të bëhej ‘mezor’ politikan, dhe të mendojë të garojë edhe për një mandat në zgjedhjet e ardhshme.
PJESË NGA DEBATET
Bardhi: Ne nuk ju akuzuam se keni vjedhur Diçka, mirëpo kushtetuta thotë se deputetit nuk i lejohet. Vetëm se keni marrë 3 milionë të vjetra, duhet ta mbyllim këtë seancë. Duke vlerësuar gjithë gjërat që përmendet që keni bërë, dhe nuk kemi arsye pse t’i vëmë në diskutim. Por mos prisni nga asnjë deputet që qoftë për një lekë të mbyllim sytë për ata deputetë që kanë përfituar para nga Buxheti i Shtetit. Edhe nëse është vlera që ju thoni, jeni në shkelje të Kushtetutës.
Unë nuk heq apo jap mandate. Ne kemi bërë mocion, është gjykata kushtetuese. Ju duhet të shkoni dhe të mbroni veten. Ne do t’i bindemi GJK, dhe ju duhet të keni frikë nga shqyrtimi i kësaj çështjeje nga GJK. Nëse besoni te personi i besuar, duhet të nxisni kolegët që dosja të shkojë në GJK. Kaq e thjeshtë është kjo çështje. Nuk ka asgjë personale në këtë mocion, ne besojmë se është shkelur kushtetuta.
Sinaj: Zoti Bardhi e kape me dorë kushtetutën. Meqë e more kushtetutën në dorë dhe hap ato që lexove dhe shiko data. Do më heqësh dhe mandatin e parë?
Bardhi: Unë do lexoj ato që dua unë, jo atë që do ti. E rëndësishme është respektimi i Kushtetutën, duhet të mbash përgjegjësi. Ke marrë 2 lekë apo 3 milionë, shko në Gjykatë Kushtetuese. Pse keni frikë kur keni respektuar Kushtetutën?
Sinaj: Nuk kam asnjë frikë se ti po vepron në këtë komision sikur je avokat djalli, jo njerëzor. Do të më nxisësh mua atë ndjenjën e krenarisë së vlonjatit dhe të them unë po do shkoj. Jo, do vazhdoj këtu dhe ne të dy do përplasemi ka mundësi dhe në mandatin tjetër, po më detyroni që të bëhem mezor politikan. I ke kërcënuar një pjesë të deputetëve. Ka shumë deputetë që nuk ta kanë dhënë firmën dhe i falënderoj. Ke vajtur me letër në dorë. Ty nuk të besojnë as të tutë.
Bardhi: E para njëherë të siguroj i nderuar koleg, se mocioni është në emër të Grupit Parlamentar. Nëse të ka gënjyer njeri, është çështja jote. Nëse ke informacion që kam shantazhuar, të nxis ti dërgosh në organet kompetente. Ti nuk je për të folur për ata që kanë firmosur, por për të dhënë shpjegime pse keni shkelur kushtetutën.
‘Me 7-8 klasë shkollë i kam punonjësit’, Sinaj: Nuk e dinë që Biblioteka është institucion shtetëror

TIRANË- Vazhdojnë debatet në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, ku po shqyrtohet mocioni i deputetëve të opozitës, për deputetin socialist Vullnet Sinaj. Ky i fundit gjatë mbrojtjes së tij, u shpreh se punonjësit e marketeve, nuk e kanë ditur që faturat u janë prerë institucioneve shtetërore.
Sinaj: Do ju them një gjë për të qeshur, një punonjëse kishte prerë 11 fatura me Bibliotekën, dhe kur e pyeta se pse e ka bërë këtë, më tha që nuk e dinte që ishte institucion shtetëror. Unë nuk i kam administratorët e kompanisë dhe punonjësit me universitet, me 7-8 klasë shkollë i kam. Jo të gjithë punonjësit mund të jenë juristë si zoti Bardhi.
Ndërkohë që gjatë replikave të tij me Gazment Bardhin, Sinaj u shpreh se demokratin nuk e besojnë as deputetët e tij, dhe për këtë nuk janë mbledhur as firmat e të gjithë grupit për mocionin.
Sinaj: Ty nuk të besojnë as deputetët e tu, sepse e nxore lajmin në media, dhe nuk të besonin as njerëzit e tu.
Bardhi: Unë nuk e di kush të gënjen ty, nuk ka asnjë të vërtetë në këtë që po thua, ti nuk ke pse i fshihesh drejtësisë.
Sinaj: Sa për ligjin, në Maj të 2017 unë mora vendim si ortak i vetëm që biznesi im nuk do të bëhek pjesë e asnjë transaksioni me shtetin. Në QKB kemi dorëzuar dokumentin që të tërhiqemi nga çdo tender publik. Vendimi që kam marrë në Maj të 2017 është në fuqi edhe sot, vetë ju e thoni që deputeti i ka marrë të gjitha masat për të zbatuar ligjin për konfliktin e interesit.
Bardhi: Thjesht për ta sqaruar, deputeti ka dy ndalime, nga ligji dhe Kushtetuta. Deputetit nuk i lejohet që të jetë aksioner, edhe kur nuk bën transaksione me shtetin, por nuk keni zbatuar Kushtetutën.
Korreshi: "Big Market" janë shtuar apo pakësuar?
Sinaj: Ti do të kuptosh nga unë çfarë ka ndodhur me biznesin tim. E di ti sa supermarkete kam pasur unë para se të bëhesha deputet? Po të pyes unë ty tani. Si mund të jap përgjigje për punën e palodhur të punonjësve? Normale që janë shtuar se biznesi im ka qenë gjithmonë në rritje./ZËRI
PD kërkon heqjen e mandatit të tij, Sinaj: Më bëtë të më plasë cipa, i kam dhuruar Buxhetit 100 mijë € nga llogaria personale

TIRANË- Deputeti Vullnet Sinaj, ka folur në mbledhjen e Këshillit për mandatin dhe rregulloren, në lidhje me akuzat e opozitës, se kompania Bigalb group, ka përfituar para nga buxheti i shtetit. Sinaj u shpreh se paratë në fjalë, që pretendohet se janë marrë nga Buxheti i Shtetit nga kompania ku ai është 100% pronar, janë sipas tij kthim i TVSH nga bizneset që kanë falimentuar. Sinaj përmendi akte bamirësie të bëra prej tij dhe nga kompania në fjalë, ndërsa u përball me deputetët e opozitës.
Vullnet Sinaj: Jam këtu sot për të sqaruar të gjithë shqiptarët, sepse ata të zonës sime e dinë se kush janë. Mua nuk më lejohet që të ndërhyj në biznes, personi i besueshëm më ka dhënë disa të dhëna, ajo që ka dalë është një gjë qesharake. 32 mln lekë janë rimbursim TVSH-je, nga biznese të mbyllura, që kanë shkuar në likujditet, këto janë lekët e biznesve, nuk janë lekët e buxhetit. Për çfarë ke ardhur këtu? Të më heqësh mandatin e parë që unë e kam mbyllur, faturat e mandatit të dytë janë vetëm 350 mijë lekë.
Unë nuk kam bërë biznes kur jam bërë deputet, në politikë kam hyrë për të dhënë kontribut, rrogën e kam dhënë për njerëzit në nevojë. U kam krijuar mundësinë njerëzve në nevojë që të jetojnë si të gjithë. Më vjen keq zoti Bardhi, si nuk e gjete që unë kam dhënë 100mln lekë nga llogaria ime personale për situatën e tërmetit. Si nuk e gjete që ky Bigalb grup, pas meje ka dhënë dhe ai 100 mijë euro. Më falni që po flas kështu, më detyruat që të më plasë cipa, që të flas hapur. Si ka mundësi që Vullnet Sinaj ka dhënë 100 mijë euro, a ka një deputet që të ketë dhuruar në këto shifra për shtetin shqiptar, ti merresh me këto gjëra që janë banale. Biznesi im është familjar, unë jam me kuota pasive, është një biznes që ka 2500 punonjës. Ai biznesi im ka siguruar të gjithë punonjësit në një kompani private.
Janë 150 mijë euro që biznesi i paguan për punonjësit e vetë, më detyruat që të flas kështu. Unë nuk e di nëse je i martuar dhe ke fëmijë zoti Bardhi, ai biznesi që është 100% imi, është ai që ka bërë sallën e kardiokirurgjisë në spitalin Nënë Tereza. Si ka mundësi që ti vjen këtu dhe më thua që unë kam bërë namin. Nuk kam marrë pjesë në asnjë tender, në asnjë koncension, për këto dosje voluminoze që ju keni sjellë këtu, unë duhet të konsultohem me juristë.
Bardhi: Kemi verifikuar se deputeti Sinaj është pronar në 9 kompani, ku në 5 prej të cilave është aksioner i drejtpërdrejtë. Ne kemi verifikuar nëpërmjet shkresave zyrtare, në këtë rast Drejtorisë së Thesarit, se deputeti Vullnet Sinaj, nëpërmjet kompanive të tij në vetëm 9 transaksione që ne kemi evidentuar mund të jenë edhe shumë më shumë, ka përfituar nga buxheti i shtetit rreth 36 mijë euro. Në këto kushte ai është në shkelje të Kushtetutës konkretisht të nenit 70, pika 3. Këto fakte, janë konfirmuar zyrtarisht edhe nga Ministria e Finacave dhe Drejtoria e Thesarit.
Në mocionin e dorëzuar nga deputetët opozitarë, thuhet se Sinaj ka shkelur Kushtetutën, pasi ka përfituar fonde publike në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, i cili ndalon deputetit që të përfitojë pasuri publike.
Opozita pretendon se ekzistojnë 30 prova se si si ligjvënësi i maxhorancës ka përfituar para nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanive të tij gjatë kohës së ushtrimit të mandatit të deputetit.
Socialisti nuk i ka tjetërsuar aksionet, por i ka transferuar te persona të tjerë, dhe për këtë arsye demokratët akuzojnë se ai asnjëherë nuk ka humbur të drejtën e pronësisë mbi kompanitë e tij dhe marrjen e fitimeve.
Demokratët shprehen se pronësia mbi këto kompani dhe fakti që fitimet kanë shkuar si divident për vetë deputetin Vullnet Sinaj rezulton i provuar edhe nga deklaratat vjetore të deklarimit të pasurisë nga ana e tij.
Firmosësit e mocionit pretendojnë se janë të paktën 9 transaksioneve të verifikuara nga thesari i shtetit në shumën totale 3.689.814 lekë që kanë shkuar si pagesa për shoqëritë “BIGALB GROUP” sh.p.k., “BIG LISUS” sh.p.k., “BIG DURRËSI” sh.p.k., “BIG PESHKOPIA” sh.p.k., “BIG ROI” sh.p.k., “BIG LEO” sh.p.k., “BIG LEZHA” sh.p.k., “BIG DRINI” sh.p.k., “BASHKIMI” sh.p.k., “TIRANA CASH & CARRY” sh.p.k. /ZËRI
Mori 36 mln lekë nga buxheti i shtetit përmes “Bigalb group”, Këshilli i Mandateve vendos sot për Vullnet Sinajn

TIRANË- Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet sot në orën 11:00 në Kryesinë e Kuvendit për të shqyrtuar mocionin e 14 deputetëve të opozitarës, të cilët kërkojnë konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj. Kjo kërkesë e PD-së, e cila e akuzon Sinajn se ka përfituar para publike me bizneset e tij, do të shqyrtohet nga Këshilli i Mandateve dhe më pas pritet që t’i kalojë seancës plenare për votim.
Në mocionin e dorëzuar nga deputetët opozitarë, thuhet se Sinaj ka shkelur Kushtetutën, pasi ka përfituar fonde publike në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, i cili ndalon deputetit që të përfitojë pasuri publike. Ndërkohë që vetë Sinaj pretendon se nuk ka marrë asnjë shumë nga buxheti i shtetit përmes bizneseve të tij.
“Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet. Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit”, ka thënë më herët Sinaj në një reagim të tij.
Opozita pretendon se ekzistojnë 30 prova se si si ligjvënësi i maxhorancës ka përfituar para nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanive të tij gjatë kohës së ushtrimit të mandatit të deputetit.
Socialisti nuk i ka tjetërsuar aksionet, por i ka transferuar te persona të tjerë, dhe për këtë arsye demokratët akuzojnë se ai asnjëherë nuk ka humbur të drejtën e pronësisë mbi kompanitë e tij dhe marrjen e fitimeve.
Demokratët shprehen se pronësia mbi këto kompani dhe fakti që fitimet kanë shkuar si divident për vetë deputetin Vullnet Sinaj rezulton i provuar edhe nga deklaratat vjetore të deklarimit të pasurisë nga ana e tij.
Firmosësit e mocionit pretendojnë se janë të paktën 9 transaksioneve të verifikuara nga thesari i shtetit në shumën totale 3.689.814 lekë që kanë shkuar si pagesa për shoqëritë “BIGALB GROUP” sh.p.k., “BIG LISUS” sh.p.k., “BIG DURRËSI” sh.p.k., “BIG PESHKOPIA” sh.p.k., “BIG ROI” sh.p.k., “BIG LEO” sh.p.k., “BIG LEZHA” sh.p.k., “BIG DRINI” sh.p.k., “BASHKIMI” sh.p.k., “TIRANA CASH & CARRY” sh.p.k. /ZËRI