Kush janë 4 futbollistët që do luajnë për herë të dytë në Europian

TIRANË- Shqipëria arriti sot të kualifikohet për herë të dytë në histori në një Kampionat Europian.
Pasi shkuam në Francë, Shqipëria do të jetë një nga 24 kombëtaret që merr pjesë në Euro 2024, që mbahet në Gjermani.
Është interesant fakti që 4 futbollistë të Kombëtares së Shqipërisë do të luajnë për herë të dytë në një Europian.
Për herë të dytë në një Kampionat Europian pritet të luajnë Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Frederik Veseli dhe Sokol Cikalleshi.
Është për t’u nënvizuar fakti, që Berat Gjimshiti u grumbullua në Euro 2016, por nuk ishte titullar.
Ndërsa, sot Gjimshiti jo vetëm që është titullar në Kombëtaren e Shqipërisë, por është dhe kapiteni. Ai ka performuar mjaft mirë jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me Atalantën, duke marrë lëvdata për punën e tij si mbrojtës.
Shqipëria u kualifikua sot më 17 nëntor, pas barazimit në fushën e Moldavisë. Ekipi ynë kombëtar ka grumbulluar 14 pikë, duke qenë në vend të parë në grup dhe siguruar kualifikimin./Zëri.ai/
Profil/ Silvinho dhe De Biasi, dy trajnerët që bënë historinë me Shqipërinë

TIRANË – Shqipëria ka shkruar historinë mbrëmjen e sotme, teksa ka arritur të kualifikohet për herë të dytë në historinë e saj në një Europian. Pas Francës, tashmë kuqezinjtë shkojnë në Gjermani.
Por, kush është Silvinho, konsideruar nga shumë persona si arkitekti i Shqipërisë, që arriti të shkojë në Gjermani?
49-vjeçari nuk është vetëm një trajner i shkëlqyer tashmë dhe me rezultate fantastike, por përpara kësaj, ka qenë një futbollist që ka luajtur në majat e futbollit europian.
Silvinho si lojtar ka luajtur me ekipe të rëndësishme të tilla si Corinthias, Arsenal, Celta Vigo, Barcelona e deri tek kampionët aktual të Ligës së Kampioneve, Manchester City. Me Barcelonën, ai u shpall kampion Europe dy herë, në vitin 2006 dhe 2009. Në karrierën e tij, Silvinho ka luajtur 415 ndeshje dhe ka shënuar 7 gola, edhe pse ka qenë një mbrojtës. Silvinho ka veshur 6 herë dhe fanellën e kombëtares braziliane.
Ndërsa, si trajner, Silvinho ka qenë ndihmës i Tites tek Corinthians, ndërsa më 2004 ishte tek Interi, për të qenë ndihmësi i Robert Mancinit. Në vitin 2016, ishte sërish krahu i djahtë i trajnerit të Brazilit, Tites. Më 2019, ai arriti të shkëputet nga influencat e të tjerëve dhe u bë trajneri i një klubi të njohur si Lyon.
Eksperienca e tij në Ligue 1 zgjati vetëm 4-5 muaj, pasi si trajner u shkarkua. Më pas, më 2021, Silvinho arriti të bëhej trajneri i ekipit të Corinthians. Atje qëndroi për 1 vit dhe në shkurt 2022 u shkarkua. Në momentet që dukej se karriera e tij si trajner mund të mos kishte ngjitje, në fakt ndodhi e kundërta. Me të në krye të pankinës, Shqipëria njohu një nga momentet më të mira ndonjëherë në historinë e saj, duke arritur të fitojë përballë ekipeve si Çekia dhe Polonia e të kualifikohemi në Euro 2024.
Kush është De Biasi, i pari që kualifikoi Shqipërinë në një Europian?
Gianni De Biasi është padyshim një nga ata emra që Shqipëria e shqiptarët nuk mund ta harrojnë. Kjo sepse ai arriti të dërgojë Shqipërinë në Francë, në kualifikueset dramatike, që kulmuan me ngjarjet në Beograd, ku tifozët vendas përdorën edhe dhunë ndaj futbollistëve tanë.

Por, De Biazi ka qenë i njohur edhe përpara se të drejtojë Shqipërinë. De Biassi ka menaxhuar një sërë ekipesh, kryesisht italiane. Ai e nisi me ekipe të ligave të ulëta të Italisë, për të drejtuar më pas skuadra më të mira. Fillimisht drejtoi një ekip amator, më pas Vicenzën, Vastesen, Carpin, Cozencan, Spalin, Modenan, Brescian, Torinon, Levanten, Udinezen, Alaves dhe tashmë po drejton Azerbajxhanin.
De Biasi gjithashtu kishte punuar edhe më parë me shqiptarë. Një vit para se të merrte drejtimin e skuadrës së Udineses, ai udhëhoqi për 22 ndeshje skuadrën e Torinos në sezonin 2008/09, në të cilën punoi me Blerim Xhemailin, futbollistin shqiptar të përfaqësueses zvicerane.
De Biasi ka pasur nën drejtim lojtarë të njohur si Gokhan Inler, Mauricio Isla apo Antonio Floro Flores. Një emër tjetër i madh që kishte punuar me të tek Udinese, është legjenda skuadrës nga “Friuli”, Antonio Di Natale, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme tek skuadra bardhezi dhe në futbollin italian. Arritja më e madhe e tij ishte padyshim kualifikimi i Shqipërisë në Euro 2024, ndërsa ka arritur edhe disa rezultate surprizë për Azerbajxhanin. Ekipi azer, edhe pse konsiderohet një skuadër e dobët, nën drejtimin e tij, fitoi 3:0 ndaj Suedisë.
Shqipëria sot, më 17 nëntor barazoi në Moldavi, por falë 14 pikëve që ka grumbulluar, kualifikohet në Euro 2024./Zëri.ai/
Çoi Kombëtaren në Euro2024, Silvinjo: Nder!
MOLDAVI – Trajneri i Kombëtares Shqiptare Silvinho, në konferencën për mediat, deklaroi se është një nder për të, që me Shqipërinë shkon në Euro 2024 në Gjermani.
Silvinho shprehet se për të sonte është realizuar një ëndërr. Ai falënderoi të gjithë lojtarët që kanë dhënë kontribut në këto kualifikuese. Në lidhje me Armando Brojën, Silvinho theksoi se duhet të respektohet së pari shëndeti i futbollistit.
Si ndiheni për kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2024?
Silvinho: Për mua është një nder i madh ajo që kemi arritur. Jam shumë i lumtur që u realizua kjo ëndërr. Unë jam brazilian, por ne jemi të ngjashëm me shqiptarët, krijojmë marrëdhënie të afërt me të gjithë. Është bërë një punë e madhe dhe sigurisht ishte një ëndërr që u realizua.
Patën ndonjë moment, kur menduat se ndeshja mund të humbej, sidomos në fund të sfidës?
Silvinho: Po, kishte momente delikate. Ata luajtën edhe me topa të gjatë. Vërtetë pas golit që pësuam, jam ndjerë i shqetësuar, sepse rezultati mund të ndryshonte. Moldavia luan shumë mirë futboll, është një nga skuadrat më të vështira në grup, ka pësuar vetëm 1 humbje ndaj nesh, sa i përket fizikut të lojtarëve, por edhe për lojën me topa të gjatë. Dua të komplementoj punën e bërë nga trajneri moldav.
Cilat janë emocionet e tua më të mëdha, kur fituat Ligën e Kampioneve apo tani që u kualifikuat në Gjermani?
Silvinho: Sigurisht të luash në Champions dhe të fitosh atë është një diçka shumë e mirë. Por edhe të shkosh në Gjermani është diçka kaq e bukur dhe e pabesueshme. Si futbollist ishte diçka me rëndësi për mua, por edhe kjo që sapo arritën është shumë e bukur, është si ëndërr. Unë dua të falënderoj edhe Panucin dhe Rejan, pasi ata e nisën punën për këtë kualifikim ëndrrash. Dua të falenderoj lojtarët që kanë qenë dhe janë në këtë Kombëtare.
Mister, ç’mund të thoni për Brojën? Ai ka qenë pak i pranishëm në këto kualifikuese për në Europian.
Silvinho: E kemi thënë shpesh për Brojën, ai ka pësuar një dëmtim dhe ka 11 muaj pa luajtur. Ai kishte bërë disa minuta dhe tek ne ndjeu shqetësime fizike e për 1 muaj e gjysmë nuk u aktivizua. Luajti për pak minuta përballë Cityt. Për ne rëndësi ka shëndeti i lojtarit, ai ka vlera, është lojtar i jashtëzakonshëm. Ne jemi të lumtur që e kemi në ekip, por ne nuk jemi makina, jemi njerëz në radhë të parë. Ne kemi dhe një sfidë ndaj Ishujve Faroe, duhet të respektojmë publikun tone, urojmë të arrijmë një fitore.
Shqipëria u kualifikua sonte, pas barazimit 1:1 në Kishinau me Moldavinë. Shqipëria është në krye të grupit me 14 pikë të grumbulluara./Zëri.ai/
KONFERENCA LIVE:
Shqipëria në Europian! Politika u bashkohet urimeve për Kombëtaren

TIRANË – Shqipëria ka shkruar historinë për herë të dytë, duke u kualifikuar në Europianin e Gjermanisë. Ekipi ynë kombëtar barazoi 1:1 në Moldavi, por se tashmë është zyrtarisht në Europian. Në lidhje me këtë kualifikim historik, kanë reaguar edhe politikanët e vendit tonë.
Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në Facebook, ka postuar shqiponjën dhe renditjen e grupit, ku Shqipëria është në krye.
“Faleminderit kuqezinjve për këtë dhuratë fantastike”, shkruan Rama.
Presidenti Bajram Begaj shkruan përmes një postimi se Kombëtarja sot arriti të gëzojë një komb të tërë.
“Faleminderit kombëtares për emocionet e dhuruara dhe urime për kualifikimin e merituar në Euro 2024!”, shkruan Begaj.
Edhe lideri demokrat Sali Berisha ka uruar Kombëtaren për kualifikimin. Berisha shprehet se merita të veçanta në këtë kualifikim ka trajneri Silvinho.
“Për së dyti kuqezinjtë bëjnë historinë! Lojë e bukur, barazim me Moldavinë. Kuqezinjtë pas fitoreve të tyre të mrekullueshme shkojnë me dinjitet, krenarë, të sigurt për suksese të reja në Gjermani. Urimet më të përzemërta të gjithë ekipit, yjeve të tij, kapitentit, liderit të tyre Sylvinho, arkitekt i kësaj arritje historike. Urime! #sb”, shprehet Berisha.
Për kualifikimin e Kombëtares Shqiptare në Euro 2024, ka reaguar edhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili shkruan se kjo arritje historike gëzon zemrën e çdo shqiptari.
"Një kualifikim historik që bën krenar dhe gëzon gjithë kombin shqiptar. Urimet më të përzemërta shqiponjave kuqezi, trajnerit, stafit dhe në veçanti tifozëve të mrekullueshëm për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme në çdo ndeshje. Jam besimplotë që shkëlqimi dhe entuziazmi i Kuqezinjve tanë do të jetë po aq i jashtëzakonshëm në Kampionatin Europian, kualifikimi në të cilin është plotësisht i merituar", thotë Meta në reagimin e tij.
Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar për kualifikimin e Shqipërisë në Europian. Kurti ka uruar lojtarët për këtë arritje historike. “Shqipëria kalon. Festë e madhe, që do vazhdojë në Euro 2024. Për herë të dytë në histori. Pas Francës, tashmë drejt Gjermanisë. Urime lojtarëve, gëzuar të gjithëve”, shkruan Kurti.
Shqipëria barazoi në Moldavi 1:1, por arriti të kualifikohet në Euro 2024, pasi është në krye të grupit me 14 pikë. /Zëri.ai/
Me lot në sy, Duka: Djemtë dhanë shpirtin në fushë

MOLDAVI – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është shfaqur si asnjëherë më parë, me qeleshe në kokë dhe i përlotur për kualifikimin në Euro 2024. Në një prononcim për mediat, Duka theksoi se ky kualifikim ishte për shkak të punës së jashtëzakonshme të djemve kuq e zi, trajnerit dhe stafit.
“Ishte fundi i një cikli shumë të bukur, një edicioni fantastik, ku çunat dhanë maksimumin. Kanë shumë cilësi, përveç shpirtit dhe dashurisë për fanellën. Falënderoj shumë çunat që ishin në fushë, Sylvinhon, stafin dhe tifozerinë e mrekullueshme në të gjithë rrugëtimin.
Jam shumë i bindur që të gjithë po festojnë, dikush duke brohoritur e dikush me lot. Ua dedikojmë suksesin atyre çunave fantastikë, që janë të gjithë të mrekullueshëm dhe me dëshirë të madhe për fanellën”, tha Duka në prononcimin për mediat.
Armand Duka theksoi se ajo që duhet të urojmë tashmë është që Shqipëria të paraqitet sa më mirë në Euro 2024 në Gjermani./Zëri.ai/
HISTORIKE! Shqipëria shkon në Gjermani, për herë të dytë në Europian!

MOLDAVI – Shqipëria ka shkruar historinë këtë mbrëmje, pasi me barazimin 1:1 në Moldavi, zyrtarisht jemi në Europianin e vitit 2024. Nëse do të fitonim përballë moldavëve, Shqipëria do shënonte ftoren e 100 në histori, gjë e cila fatkeqësisht nuk ndodhi.
Shqipëria ka pasur një rrugëtim të shkëlqyer në këto eliminatore. Ashtu siç askush nuk e mendonte, ekipi ynë jo vetëm që është kualifikuar, por me shumë mundësi do të jetë edhe kokë grupi.
Kombëtarja shqiptare nuk e nisi mirë teksa humbi 1:0 ndaj Polonisë në Varshavë. Por, më tej kishte vetëm rezultate positive për kuqezinjtë tanë.

Shqipëria më 17 qershor mundi Moldavinë me rezultatin 2:0. Kuqezinjtë tanë mundën Ishujt Faroe në fushë kundërshtare me rezultatin 1:3. Shqipëria më pas mori 1 pikë në Çeki, duke barazuar 1:1.

Ekipi ynë kombëtar habiti të gjithë, duke mundur dy ekipet që pretendonin në fillim të kualifikuesve se do ishin në krye, Poloninë dhe Çekinë. Shqipëria fitoi 2:0 ndaj Polonisë dhe më pas 3:0 ndaj Çekisë. Tashmë me këtë barazim në Kishinau, jemi në Europianin e Gjermanisë.
Kualifikimi në Euro 2016
Kjo nuk është hera e parë kur Shqipëria është kualifikuar në Europian, pasi ishim edhe në Francë, teksa na u desh edhe fati për t’u kualifikuar.
Në atë kohë, u renditëm pas Portugalisë, teksa kishim 14 pikë. Lamë pas ekipe të fuqishme si Danimarka dhe Serbia. Në këto eliminatore ndodhi edhe incidenti më i madh në botën e sportit për kombin shqiptar, ku në Beograd u ngrit flamuri kuq e zi.

Pas dhunës në stadiumin e Beogradit, Shqipëria fitoi 3 pikë në tavolinë.
Shqipëria doli jashtë kompenticionit në fazën e grupeve. Mirëpo, arriti që të lërë pas një ekip, atë të Rumanisë. Pasi ekipi ynë kombëtar humbi 1:0 ndaj Zvicrës dhe 2:0 ndaj Francës, arriti të marrë 3 pikë ndaj Rumanisë.
Në ndeshjen e luajtur në Lyon, Shqipëria fitoi me rezultatin e ngushtë 1:0. Ishte Armando Sadiku ai që realizoi gol në minutën e 43. Shqipëria u skualifikua nga golavarazhi, që nuk ishte kaq i mirë./Zëri.ai/
Shënon Moldavia, barazohen shifrat...

MOLDAVI- Tre minuta para mbarimit të ndeshjes Moldavia ka shënuar gol duke barazuar ndeshjen. Baboglo ka thyer mbrojtjen e Shqipërisë, por edhe murin e portierit Ertrit Berisha.
Ndërkohë në minutën e 25-të të ndeshjes goli i Sokol Cikalleshit i dha Shqipërisë mundësinë për të shkuar në Gjermani në "Euro 2024". Kjo është hera e dytë që Kombetarja Shqiptare shkon në Europian./Zëri.ai
Seferi fiton penallti! Shënon Cikalleshi, Shqipëria në avantazh

MOLDAVI- Shqipëria ka shënuar golin e saj të parë në përballjen me Moldavinë. Penalltia e fituar nga Taulant Seferi është finalizuar nga sulmuesi Sokol Cikalleshi, i cili tundi rrjetën në minutën e 25-të. Ky ishte goli i parë i ndeshjes me Moldavinë, duke u afruar kështu drejt kualifikimit në Euro 2024. Por kanë mbetur ende shumë minuta lojë./Zëri.ai
Nis sfida, himni kombëtar shqiptar luhet në Moldavi

MOLDAVI – Ka nisur ndeshja mes Moldavisë dhe Shqipërisë në Kishinau.
Ekipi ynë kombëtarr luan një finale përballë moldavëve, pasi kjo sfidë mund të përcaktojë kualifikimin në Euro 2024.
Një moment emocionues ka qenë edhe luajtja e himnit kombëtar shqiptar në Kishinau.
Himni është kënduar nga futbollistët, por edhe stafi teknik i Kombëtares.
Himni u këndua edhe nga shumë tifozë shqiptarë, të pranishëm në stadiumin e Kishinaut. Ata shpalosën dhe flamurin kuq e zi në shkallët e stadiumit.

Kuqezinjve iu mjafton një barazim, për t'u kualifikuar matematikisht në Euro 2024. /Zëri.ai/
Shqipëria, ndër mbrojtjet më të mira në eliminatore

TIRANA – Shqipëria ka performuar jashtëzakonisht mirë në këto kualifikuese, duke thyer shumë rekorde.
Përpos sulmit që ka meritat e tij, edhe mbrojtja ka dhënë një kontribut të çmuar në rezultatet që ka arritur Shqipëria.
Shqipëria ka të dhëna jashtëzakonisht të mira, sa i përket mbrojtjes.
Vetëm dy kombëtare kanë të dhëna më të mira se Shqipëria, sa i përket mbrojtjes. Franca dhe Portugalia kanë mbrojtjet më “të hekurta” në elimatoret e Euro 2022.
Franca në 6 ndeshje ka pësuar 1 gol, ndërsa Portugalia në 9 ndeshje ka pësuar 2 gola. Shqipëria është e treta, pasi në 6 ndeshje ka pësuar 3 gola.
Pas Kombëtares Shqiptare, në mbrojtje më mirë paraqitet Anglia që në 6 ndeshje ka pësuar po 3 gola dhe kombëtarja e pestë më e mirë në mbrojtje është Spanja, që në 7 ndeshje ka pësuar 4 gola.
Le të presim se çfarë do na dhurojë kjo sfidë, për të parë nëse ky rekord do të mbetet i tillë apo do të ndryshojë./Zëri.ai/
Kuqezinjtë me këngë në 'Zimbru'

MOLDAVI- Futbollistët e Kombëtares Shqiptare të Futbollit kanë mbërritur pak minuta më parë në stadiumin "Zimbru" ku dhe do të zhvillohet ndeshja kundër Moldavisë. Në radhë njëri-pas tjetrit ata janë pritur nga tifozët kuqezi, të cilët dhe këtë ndeshje nuk i lanë vetëm.
Në një moment një nga tifozët, i drejtohet Sokol Cikalleshit duke i thënë se duan 3 gola prej tij. Disa lojtarë afrohen dhe takojnë tifozët.
Pas futbollistëve, një nga e një ka nisur dhe futja e trifozëve. Nën ritmet e këngës “Mora fjalë”, tifozët duken energjikë për këtë ndeshje./Zëri.ai
Silvinho beson fitimtarët, formacioni i Shqipërisë kundër Moldavisë

MOLDAVI – Trajneri i Kombëtares Shqiptare Silvinho sa duket ndjek parimin se formacioni që të ka nxjerrë fitues më herët, nuk mund të të zhgënjejë.
Më pak se 2 orë përpara sfidës në Kishinau ndaj Moldavisë, është publikuar edhe formacioni zyrtar i përfaqësueses kuq e zi.
Futbollistët që kanë qenë në fushë deri tani kanë performuar mjaft mirë dhe mbi të gjitha kanë arritur të marrin rezultate fantastike.
Në portë do të jetë Etrit Berisha, që luajti një ndeshje mjaft të mirë përballë Napolit në Seria A. Është ritkhyer po ashtu edhe mbrojtësi Ardian Ismajli, që ia ka dalë të rikuperohet pas dëmtimit në sfidën ndaj Çekisë.
Në mbrojtje luajnë edhe Hysaj, Gjimshiti, Mitaj. Në mesfushë do të jenë Ramadani, Asllani dhe Bajrami. Ndërsa sulmi do përbëhet nga Asani, Seferi dhe Cikalleshi. Kuqezinjve iu mjafton vetëm 1 pikë që të kualifikohen në Europian.
Formacioni: Berisha, Mitaj, Gjimshiti, Ismajli, Hysaj, Asllani, Ramadani, Bajrami, Asani, Seferi, Cikalleshi./Zëri.ai/
“Match day”! 90 minuta për 1 pikë, kuqezinjtë kanë me vete historinë përballë Moldavisë

MOLDAVI- Kombëtarja Shqiptare e Futbollit luan sot një prej ndeshjeve më të rëndësishme në historinë e saj, ku edhe në rast barazimi, matematikisht do të ishte kualifikuar për në europianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani.
Përballë Moldavisë nuk do të jetë e lehtë, pasi tekniku i vendasve është shprehur se nëse është e nevojshme lojtarët do të vdesin në fushë, në mënyrë që të marrin një fitore kundrejt kuqezinjve. Momentalisht Kombëtarja Shqiptare gëzon një formë të mirë, brenda dhe jashtë fushe, ndërkohë që sa i përket formacionit trajneri Silvinjo, nuk premton surpriza, dhe i beson pothuajse të njëjtëve lojtarë që kanë luajtur dhe në ndeshjet me Çekinë dhe Poloninë.
Përveç formës së mirë dhe moralit të lartë, edhe historia e përballjes mes dy skuadrave flet në emër të Shqipërisë, e cila ka korrur 5 fitore në ndeshjet me Moldavinë dhe vetëm një barazim. Por pavarësisht historisë, Moldavia ka qenë surpriza e fazës në grupe, pasi ka grumbulluar 9 pikë në këto eleminatore, ndërkohë që fitorja ndaj nesh për ta, do ti bënte të ëndërronin arritjen për herë të parë në historinë e moldavëve në kompeticionin më të rëndësishëm europian për kombëtare. Teksa takimi i fundit i Moldavisë në grupin E do të jetë ndaj Çekisë, në transfertë.
HISTORIKU I PËRBALLJES MES DY SKUADRAVE:
Historia flet në favor të Kombëtares Shqiptare. Triumfi i fundit ndaj moldavëve ishte më 17 qershor në ‘Air Albania’. Të besuarit e Silvinjos fituan 2-0, me golat e Asanit dhe Bajramit. Në 2019, Shqipëria korri sukses në të dyja sfidat ndaj kundërshtarëve, në eleminatoret për ‘EURO 2020’, teksa në Elbasan Arena fituam 2-0 dhe në Moldavi takimi u mbyll 0-4 për tanët.
Në të vetmen ndeshje që Moldavia ka arritur të na shënojë ka qenë për kualifikueset e Europianit të 1996-s, ku sërish janë mposhtur në shtëpi 2-3 nga kuqezinjtë, teksa takimi i parë i luajtur në Tiranë kishte përfunduar 3-0. Dy kombëtaret kanë zhvilluar edhe 1 takim miqësor së bashku në vitin 2012, e mbyllur pa gola.
29 mars 1995: Shqipëri-Moldavi 3-0 / Kampionati Europian
7 qershor 1995: Moldavi-Shqipëri 2-3 / Kampionati Europian
15 gusht 2012: Shqipëri-Moldavi 0-0 / Miqësore
11 qershor 2019: Shqipëri-Moldavi 2-0 / Kampionati Europian
14 tetor 2019: Moldavi-Shqipëri 0-4 / Kampionati Europian
17 qershor 2023: Shqipëri-Moldavi 2-0 / Kampionati Europian
FORMACIONI I KUQEZINJVE
Në portë Silvinjo pritet të hedhë nga minuta e parë Etrit Berishën, ndërkohë që në mbrojtje pas dëmtimit të Arlind Ajetit, do të rreshtohen: Hysaj, Gjimshiti, Simajli dhe Mitaj. Mesfusha do ti besohet Ramadanit, Asllanit dhe Bajramit. Ndërkohë që treshja e sulmit do të përbëhet nga Cikalleshi në majë, Seferi dhe Asani nga krahët. Këta dy të fundit kanë gjetur gola spektakolarë në ndeshjet që u luajtën gjatë muajit Tetor në Air Albania.
SILVINJO: NUK LUAJMË PËR BARAZIM
Trajneri i Kombëtares Shqiptare ka thënë se Shqipëria nuk do të zbresë në fushën e lojës me mendjen për të marrë barazimin, sepse menaxhimi i ndeshjes do të bëhej shumë i vështirë.
“Unë mendoj se të dyja skuadrat e nisin ndeshjen për fitore. Nëse dy ekipe barazojnë dhe nëse ajo ndodh ekipet nuk janë të afta të fitojnë, pra barazimi është pasojë e lojës. Nuk menaxhohet ndeshja për një pikë. Të dy ekipet vijnë në këtë sfidë për fitore. Është një fitore për ne. Karikimi është i duhur, Moldavia ekip i fortë në shtëpi ka fituar me Poloninë dhe ka barazuar me Çekinë.
E dimë se kemi një finale dhe një ndeshje të rëndësishme. Lojtarët e reflektojnë seriozitetin dhe janë të ndërgjegjshëm që nuk ka mbaruar asgjë për kualifikimin. Kemi bërë një ndeshje të mirë në shtëpi me Çekinë. Jemi përgatitur dhe nuk ka ndryshim në forcën tonë. Luajmë ndaj Moldavisë, një ekip i fortë, shumë cilësor me lojtarë të mirë dhe fizikë, dhe shumë e vështirë në shtëpinë e saj”, deklaroi Sylvinho në konferencën e djeshme me gazetarët.
NDESHJA ME ISHUJT FAROE, FESTË APO BETEJA E FUNDIT
Në rast të një rezultati pozitiv me Moldavinë, ndeshja me Ishujt Faroe që do të mbahet në Tiranë të hënën do të ishte thjesht festa e madhe e kualifikimit. Me renditjen aktuale Shqipëria ka shanse reale për të kapur edhe vendin e parë në grup, që do ti jepte një komoditet edhe në renditjen e vazove, që përcaktojnë grupet për në Euro 2024. Në rast kualifimi, kjo do të ishte hera e dytë në historinë e Kombëtares Shqiptare vtë Futbollit që të kualifikohej në njuë kompeticion europian.
Kështu që sot mos harroni, të gjithë në orën 18:00 përpara ekranit të televizorit, për të ndjekur një nga ndeshjet më emicionuese të Kombëtares Shqiptare! Le të kryqëzojmë gishtat! /Zëri.ai