LIVE UPDATES

Berisha propozon të zhbëjë sistemin e ri të drejtësisë, thirrja "me kod" për Kryemadhin: Duhet transparencë!

➤ Për kryedemokratin Sali Berisha, aleati i tij politik Ilir Meta është i arrestuar si i "burgosur politik". ➤ Por nuk iu përgjigj konkretisht pyetjes nëse do ta ndihmojë Metën që duke i siguruar vende të sigurta për kandidatët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në vitin 2025. Megjithatë bashkpunimin politik ia siguroi. ➤ Nga "arresti shtëpiak", Berisha paralajmëroi "nismën e re", atë të zhbërjes së sistemit aktuals të drejtësisë. Madje, i bëri apel BE-së dhe SHBA-së që të mos e mbështeste më këtë drejtësi dhe gjithashtu kërkoi angazhimin e Komisionit të Venecias për rishqyrtimin e sistemit. ➤ Pas akuzave tashmë të përsëritura ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut të SPAK, Altin Dumani, Berisha sulmoi edhe ish-ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim duke e cilësuar si “bashkëautore në grushtin e shtetit ndaj opozitës", ndaj edhe u bë shpallja e tij "non grata”. ➤ I pyetur për dosjen Meta-Kryemadhi dhe deklaratën për Monikën, ku përmendi faktin se ish-kryetarja e LSI duhet të tregonte për mbi 400 mijë dollarët, kryedemokrati tha se çdo politikan duhet të qëndrojë transparent dhe të bëjë transparencë para të gjithash publikut. ➤ Në fund, ai bëri thirrje për protestën e nesërme 29 Tetor duke kërkuar pjesëmarrje nga qytetarët.

3 artikuj për këtë temë.
3 MUAJ ME PARE

Sali Berisha propozon zhbërjen e sistemit të drejtësisë: Komisioni i Venecias ta rishqyrtojë. Kam prova për çdo diplomat të korruptuar

Berisha propozon të zhbëjë sistemin e ri të
Kryedemokrati Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar që ndërkombëtarët të hetojnë sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe që Parlamenti Europian, Komisioni Europian e vendet partnere të heqin dorë nga çdo mbështetje e kësaj drejtësie të cilën ai e konsideron të kriminalizuar. Në një konferencë me gazetarët, Berisha u shpreh se Komisioni i Venecias duhet të angazhohet për një rishqyrtim të këtij sistemi. Berisha citoi Ëorld Justice Project dhe tha se Shqipëria para reformës së drejtësisë ishte në vendin e 65, ndërsa pas saj, renditet në vendin e 110. Sipas tij, kjo gjë tregon dështimin e reformës në drejtësi.

“World Justice Project gjen dëshmi flagrante të dështimit të reformës së drejtësisë dhe drejtësisë së re. Shqipëria para reformës së drejtësisë ishte në vendin e 65. Pas reformës në drejtësi dhe shndërrimit të drejtësisë në një degë ekzekutivi nga reforma e Xhorxh Sorosit, Shqipëria renditet në vendin e 110. Janë një seri vendesh si Nigeria, Kenia, Tunizia, Bangladeshi, të cilat renditen gjer në 25 vende më mirë se Shqipëria, kurse Kosova fqinje renditet 44 vende më mirë se Shqipëria. Në drejtësinë penale, Shqipëria renditej në vitin 2015, para reformës së drejtësisë, në vendin e 46. Pas shndërrimit të drejtësisë në degë ekzekutivi, Shqipëria renditet në vendin e 92. Ka humbur pra 46 vende. Ky është një tregues dramatik, kjo është ‘pavarësi’ e mercenarëve të drejtësisë Dumani-Kraja apo fytyra e vërtetë e drejtësisë me Irena Gjokat e saj. Por jo më pak dramatike është ndërhyrja e qeverisë në drejtësinë penale. Në këtë kuadër, Shqipëria para reformës renditej në vendn e 62, kurse pas reformës sorosiane renditet në vendin e 106, duke pasur kështu shumë vende para, Vietnami, Banladeshin, Tunizinë, Kenian, Nigerinë, etj. Kurse Kosova renditet në këtë kontekst në vendin e 46. Pra, këto tregues dëshmojnë se drejtësia e re është një drejtësi e munguar për qytetarët shqiptarë. Është një degë ekzekutivi për narkoshtetin shqiptar. Ndaj PD i bën thirrje Parlamentit Europian, Komisionit Europian, vendeve partnere të heqin dorë nga çdo mbështetje e kësaj drejtësie të kriminalizuar, të kontrolluar në çdo qelizë të saj nga kreu i narkoshtetit Edi Rama dhe regjimi i tij. Të angazhojnë Komisionin e Venecias për një rishqyrtim tërësor të këtij sistemi, në mënyrë që shqiptarëve t’u rikthehet e drejta themelore e një procesi ligjor të drejtë dhe drejtësia të nxirret nga kthetrat e politikës dhe të shndërrohet në një sistem të varur nga ligji,”- tha Berisha.

Kreu i Partisë Demokratike iu rikthye edhe njëherë shpalljes së tij non-grata kur tha se e gjitha u bë për mbrojtjen e narkoqeveritarëve shqiptarë dhe diplomatëve të korruptuar ndërkombëtarë. Madje shtoi se kishte prova për çdo fjalë që thoshte.

“Besoj se për ju e çdo shqiptar, sot është bërë e qartë se shkaku madhor i shpalljes non-grata të Sali Berishës qëndronte në mbrojtjen nga ai të interesave kombëtare dhe denoncimit nga ai të korrupsionit të narkoqeveritarëve shqiptarë dhe diplomatëve të korruptuar ndërkombëtarë. Besoj se finalizimi i hetimit, ku nxori si akt të korrupsionit pasiv, mercenarët e Skapit nxorën pagesat që ime bijë ka bërë për mua nga burime 100 përqind transparente dhe të deklaruara në organet shtetërore për një vakancë të përbashkët, për një ndërhyrje shëndetësore, apo huaja për një proces gjyqësor ku ajo është palë, dëshmoi fytyrën e vërtetë të mercenarëve të Skapit dhe shkallën e korrupsionit transnacional të atyre që morën pjesë në këtë akt. Kjo drejtësi funksionon për shqiptarët dhe sot shqiptarët kanë drejtësi të munguar. I bëj thirrje Departamentit të Drejtësisë së SHBA të ndërpresë çdo ndihmë për struktura të inkriminuara në çdo qelizë dhe të kontrolluara fund e krye nga Edi Rama dhe krimi i organizuar në Shqipëri. Këto që them unë nuk mund të vlerësohen nga ato që thotë dikush tjetër. Ju keni të drejtë të më kërkoni fakte për këto, dhe unë disponoj fakte dhe dokumente zyrtare që janë të padiskutueshme,”- tha Berisha.

3 MUAJ ME PARE

I kërkoi të tregonte ‘peshkun e madh’, Berisha tërhiqet për Kryemadhin: Njësoj si të flasë para Nuredin Dumanit

Berisha propozon të zhbëjë sistemin e ri të
Kryedemokrati Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha duket se ka refletuar për deklaratën që bëri dy ditë më parë nga dritarja e banesës së tij. Mbrëmjen e 25 tetorit, gjatë fjalimit të tij të parnatshëm, Berisha u kërkoi si Kryemadhit ashtu edhe ish-ministrit të Mjedisi, Lefter Koka që të flisnin për ‘peshkun e madh’ të 460 mijë eurove të inceneratorëve, duke nënkuptuar kryeministrin Edi Rama. Por, sot në një konferencë me gazetarët, Berisha u pyet nëse me këtë thirrje kërkonte që Kryemadhi të bëhej bashkëpunëtore e drejtësisë. Në përgjigjen e tij, kreu i Partisë Demokratike krahasoi Altin Dumanin me të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani. Sipas Berishës, kthimi i Kryemadhit në një ‘pentito’ do të ishte njësoj sikur të rrëfehej përpara vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani.

Pjesë nga konferenca:

Pyetje: Ju e keni bërë të qartë tashmë mbështetjen për aleatin tuaj, Ilir Metën për situatën e tij juridike. Pak ditë më parë i kërkuar Monika Kryemadhit ti tregojë shqiptarëve se cili është peshku i madh dhe të informojë se në cilin rast; i ka dorëzuar Edi Ramës, 460 mijë euro. A është kjo një thirrje ndaj Monika Kryemadhit që të bëhet bashkëpunëtore e drejtësisë.

Sali Berisha: Pyetja është komplekse. Së pari, për Ilir Metën. Theksoj se brutaliteti, prita dhe brutaliteti i urdhëruar nga Edi Rama i aplikuar ndaj Ilir Metës do të mbetet akti më kriminal, më i turpshëm, më antikushtetues në historinë e këtij vendi. Akt, të cilin nuk e gjeni dot, mjerisht, as në analet e diktatorit Hoxha. Së dyti, nuk mbroj asnjë akt korruptiv të asnjë njeriu. Por, ua them unë ju këtu, të mos paraqesësh dot asnjë fakt dhe ta kesh pasur Kastriot Ismailin 4 apo 6 vite në burg, të kesh përdorur të gjitha metodat për t’i marrë dëshmi kundër Ilir Metës dhe ai nuk ka pohuar asgjë, atëherë më thoni ju mua, cili është ai njeri që mund të besojë deklaratat e tjera, kur personit për të cilin ky akuzohet, i ishte ofruar lirimi i menjëhershëm nëse do pohonte gjënë më të vogël. E kuptoni ju se çfarë drejtësie është kjo? Çfarë turp-drejtësie është kjo? Të akuzosh Ilir Metën se ke porositur një shtëpi te një biznesmen dhe i ke marrë përsipër për të votuar një ligj, në një kohë që mercenar Dumani thotë se ke anuluar blerjen e shtëpisë, por thotë se ligjin e ke kaluar. Duhet të kesh atë fytyrë që kanë, të shkruar në këtë mënyrë para shqiptarëve. Ligjin nuk e kalon Ilir Meta me 20 deputetë, ligjet i kalon Edi Rama me 67 deputetë që kishte.  Ligji, për të cilin Dumani pafytyrësisht akuzon Metën se u kalua, në fjalimin panagjerik të Edi Ramës në parlament për këtë ligj ju do gjeni superlativat më të rralla për një ligj. Çfarë fytyre kanë këta njerëz që këndej akuzojnë se kalove ligjin, kur e dinë se ligji nuk kalon me 20 deputetë, dhe nuk guxojnë të thërrasin Edi Ramën që kaloi të njëjtin ligj. A nuk është kjo një turp-drejtësi? Tani, vijmë tek rasti i zonjës Kryemadhi. Zonja Kryemadhi është një politikane që në rininë e saj. Politikani ka për gjykatës publikun në radhë të parë, asnjë nuk qëndron mbi ligjin, por personalisht ndjej se çdo politikan duhet të qëndrojë transparent dhe të bëjë transparencë para së gjithash publikut, aty është detyrimi. A e kuptoni ju se Altin Dumani është ndoshta më kriminel se Nuredini? Sepse Nuredini ka kryer vrasje, po i ka pohuar ato, i ka rrëfyer aty, i ka treguar ato. Kurse Dumani është një mashtrues ordiner, një njeri që fsheh krimet, që përdor krimet për pengmarrje, që zbaton urdhrat të atyre që e kanë marrë peng. Nuk mund të imagjinohen gjëra të tilla. Pra, çdo politikan, çdo qytetar duhet të qëndrojë me transparencë para kësaj drejtësie të inkriminuar në çdo qelizë, siç fakton ky studim.  Lexoni pak kush është në bordin e Ëorld Justice Project. Nuk ka asnjë lidhje opozita shqiptare me të. Pra, ju bëni fjalë për drejtësi. Këtu nuk ka drejtësi, ka padrejtësi. Krahas Nuredinit duhet të ishte edhe Altini aty me qëndrimin që mban ndaj krimit, me dosjet që mbyll.

Pyetje: Prap unë nuk mora një përgjigje konkretisht nga ju. A po i kërkoni Monika Kryemadhit të kthehet në një të penduar të drejtësisë, apo pranoni që deklarata juaj, ishte një lapsus.

Sali Berisha: Tani, do na falni pak, por unë përgjigje nuk mund të jepja se sa të krahasoja Altinin me Nuredinin. Çka nënkuptoja se për mua ishte njëlloj si të më thoshin se a duhet të bëhet e penduar Monika Kryemadhi tek Nuredin Dumani. Këtë nuk mund të ma thuash dhe unë nuk mund t’ia them kujt këtë.

3 MUAJ ME PARE

Meta i arrestuar, Berisha zbulon nëse do përfshihen në listat e PD kandidatët e PL

Berisha propozon të zhbëjë sistemin e ri të
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës për mediat tha se PD qëndron e hapur ndaj aleatëve të vet, duke lënë si mundësi përfshirjen e kandidatëve të Partisë së Lirisë në Listat e PD-së.

Pyetje: Në të shkuarën Ilir Meta ju ka ndihmuar dy herë duke strehuar kandidatët tuaj, për shkak të situatës me vulën dhe logon e PD në zgjedhjet lokale. Tashmë që Ilir Meta është në burg dhe situatë të vështirë politike, do të ja ktheni dhe ju nderin në një farë mënyre dhe duke i siguruar vende të sigurta për kandidatët e tij në zgjedhje.

Sali Berisha: Çështja e koalicionit është një çështje e hapur. PD qëndron e hapur ndaj aleatëve të vet. Partia e Lirisë është një parti aleate. Ilir Meta është një i burgosur politik. Siç e dini ju, Edi Rama urdhëroi pusinë ndaj tij, çoi bastardin e familjes Hoxha për të qenë i sigurt. Për herë të parë në histori, rendi ka dy policë në krye. Proda është një eksponent i krimit, mbiemër të dytë meriton Shullazi me të dhëna të implikimit të thellë. Dhe nuk mjaftoi ky, po u mor një nga specialistët më të mëdhenj të gjobëvënies në rrugë, ish-famoz për policët rrugorë që gjobiste, u bë ministër. A e kuptoni ju se çfarë degradimi të tmerrshëm, prandaj dhe Shqipëria në funksionimin e administratës renditet në 14 vendet me administratë më të papërshtatshme në planet. World Justice Project i ka bërë autopsinë narkoregjimit të Edi Ramës.

Në shtator, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka u takua me presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Në fokus të takimit ishin zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Kjo pasi aleatët e opozitës do të duhet që të përcaktojnë përbërjen e listave shumëemërore ku do të listohen kandidatët për deputetë. PD e drejtuar nga Sali Berisha në këto zgjedhje e ka vetë vulën dhe logon e partisë, ndaj nuk ka më nevojë për ndihmën e Metës, pasi në zgjedhjet e fundit (ato lokalet), kandidatët garuan nën logon e koalicionit "Bashkë fitojmë". Ndaj takimi ishte i fokusuar në maksimalizimin e votës së opozitës dhe fitoren e zgjedhjeve parlamentare.

Asokohe, Meta nuk shprehu asnjë preferencë, nëse përballë Ramës duhet të futen me një listë të përbashkët kandidatësh apo me lista të ndara, duke ia lënë në dorë Partisë Demokratike që të marrë një vendim.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u arrestua më 21 tetor me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi akuzohet për 3 vepra penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK. Në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”. /ZËRI

Poll

MOS HUMB