Kontrollet për Inceneratorin e Elbasanit-U arrestua bashkë me vëllain e deputetit të PS! Bledar Çullhaj 'e pëson' nga gruaja
ELBASAN-Me vendim të Gjykatës Prokuroria dhe Policia që prej orëve të para të mëngjesit kanë zhvilluar kontrolle në banesa të personave që kanë lidhje me inceneratorin në qytetin e Elbasanit. Aksioni lidhet me djegien e fushës së mbetjeve të inceneratorit.
Veç Denis Hasallës drejtor në kabinetin e bashkisë Peqin, i cili është njëkohësisht edhe vëllai i deputetit socialist Saimir Hasalla, në pranga është vendosur edhe Bledar Çullhaj. Ky i fundit nuk ka asnjë funksion publik, por gruaja e tij është përgjegjëse në sektorin e mbetjeve. Gjatë kontrollit në banesë, 36-vjeçarit iu gjet një armë e ftohtë, shkruan TCH.
Sipaa informacioneve paraprake kontrolle janë ushtruar dhe në banesën e administratorit të kompanisë publike të landfillit Elbasan, “Eco-Elb”, Leli Kaja. Po ashtu, kontrolle janë zhvilluar edhe tek mbikëqyrësit e kontratave në Bashkitë e qarkut dhe janë sekuestruar edhe disa celularë.
Deri më tani raportohet se Gjykata ka caktuar disa masa sigurie për veprën penale "shpërdorim detyre" dhe "ndotje mjedisi", por ende nuk ka detaje të tjera.
Iu gjetën fishekë luftarakë në shtëpi! Arrestohet nga Policia vëllai i deputetit të PS
TIRANË- Vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Hasalla është shoqëruar nga Policia e Shtetit. Denis Hasallës i janë gjetur në banesë 30 fishekë luftarakë. Ai aktualisht mban pozicionin e drejtorit të kabinetit në bashkinë e Peqinit. Bashkë me të është vendosur në pranga edhe Bledar Çullhaj, të cilit gjatë kontrolleve në banesë i është gjetur një armë e ftohtë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Elbasan
Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për lejimin e kontrollit në disa banesa, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve: -B. Ç., 36 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë e ftohtë; -D. H., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI
Djegia e fushës së mbetjeve të inceneratorit të Elbasanit, Prokuroria kontrolle në 14 zyra e banesa
ELBASAN- Prokuroria e Elbasanit ka nisur kontrollet në disa banesa lidhur me djegien e fushës së mbetjeve të inceneratorit, gati një vit më parë. Që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, Policia ka zhvilluar kontrolle në rreth 14 zyra dhe banesa të personave që kanë lidhje me inceneratorin e qytetit. Sipas "OraNews", kontrolle janë ushtruar dhe në banesën e administratorit të kompanisë publike të landfillit Elbasan, “Eco-Elb”, Leli Kaja.
Po ashtu, kontrolle janë zhvilluar edhe tek mbikëqyrësit e kontratave në Bashkitë e qarkut dhe janë sekuestruar edhe disa celularë.
Deri më tani raportohet se Gjykata ka caktuar disa masa sigurie për veprën penale "shpërdorim detyre" dhe "ndotje mjedisi", por ende nuk ka detaje të tjera. Aktualisht ende nuk dihet nëse bashkë me kontrollet ka persona të ndaluar, apo masa të tjera pasi ende nuk ka një njoftim zyrtar për aksionin./ZËRI