“Sterilizimi”, Ilir Rrapaj dëshmon në Komision: Nuk kam miqësi me Beqajn, kam prej orës 7 të mëngjesit me një gotë ujë

TIRANË- Në seancën e sotme të Komisionit Hetimor për koncensionet në Shëndetësi u mor në pyetje edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, ortaku i tij italian Umbro Staccini, të dy partnerët kryesorë të ‘SaniService’ dhe ish-ministrja e Ekonomisë dhe Financave, aktualisht e Bujqësisë, Anila Denaj. Rrapaj ndodhej në burg prej 16 gushtit, pasi akuzohet se ka mashtruar për aktivitetin e kompanisë, fitimin e saj si dhe për miqësinë e tij me ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja.
Rrapaj mori leje nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dhënë dëshminë e tij para Komisionit Hetimor. Ndërsa, Denaj është thirrur pasi në kohën që është dhënë koncensioni ka mbajtur postin e kreut të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Teksa kryente detyrën dhe ishte njohur me koncensionin, Denaj nuk ka qenë dakord për çmimet e sterilizimit dhe madje ka depozituar edhe një ankesë.
Rrapaj gjatë dëshmisë së tij, mohoi të ketë pasur lidhje me ish-ministrin e Shëndetësisë, Beqajn. Sa i takon hapjes së garës për koncesionin e sterilizimit e kishte mësuar nga ortaku i tij Umberto Staccini.
“E kam njohur si personazh publik. Nuk kishim miqësi as më para, as më gjatë, as më vonë. E kam takuar në të njëjtin aktivitet që kam takuar edhe zv.ministrin. Ishin mbi 400 pjesëmarrës”, tha Rrapaj
Ai tha se edhe nëse Beqaj nuk do të ishte ministër, sërish do të kishte fituar koncesionin, pasi kompania e tij është me 5 yjë.
“100% po plus edhe TVSH. Kompania “Sani Service” ka në zemrën e saj një lider ndërkombëtar. Më zgjodhi mua për të qenë pjesë e kësaj historie me 5 yje. Ju e quajtët 5M unë e quaj me 5 Yje. Mendoj që po, absolutisht po”, theksoi ai.
Ndërsa ish-zëvendës ministrin Klodian Rrepaj, ai e njeh tani, pasi siç u shpreh, ata ndajnë të njëjtën “rezidencë”.
“Deri në gusht 2024 kisha dijeni se kush dhe çfarë ishte. Kam kaq muaj që ndaj të njëjtën 'rezidencë' dhe tani mund të them se e njoh. Fjala mik ka një përkufizim të veçantë. Të jesh mik është diçka e rrallë, por fatkeqësisht kam bindjen që ky term është termi më i abuzuar. Nuk kam pasur asnjëlloj miqësie dhe njohje me të. Përkundrazi më etiketojnë me njohje të thellë me të. Udhëtimi im është totalisht i ndryshëm dhe i largët nga zotëria në fjalë”, u shpreh ai.
Ai po ashtu ka pranuar se njeh dhe kryeministrin Edi Rama pasi e ka takuar në një aktivitet politik si pjesë e delegacionit të Umbrias. Ai po ashtu shprehet se edhe Beqaj e ka takuar vetëm në ambiente zyrtare.
“Edhe për personazhet e lartcituar, e njoh nëpërmjet aktivitetit politik. E kam njohur në të njëjtin aktivitet. Aty e kam takuar fizikisht. Ky është momenti i parë. E kam takuar edhe në një ose dy takime të tjera, si pjesë e delegacionit të Umbrias. Beqajn e kam takuar vetëm në ambiente zyrtare”, tha Rrapaj.
I pyetur nga deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa në lidhje me një pagesë prej 180 milionë lekë të marra nga koncesioni i sterilizimit. Rrapaj tha se iu është përgjigjur njëherë kësaj pyetjeje dhe u shpreh se ka prej orës 7 të mëngjesit në komision dhe ka pirë vetëm një gotë ujë deri më tani.
“E dhashë më lart përgjigjen, s’gjej dot ndonjë alternativë, edhe pse po shtrëngohem në këto orë të vonë të pasdites. Kam, që në 7 të mëngjesit kam pirë vetëm një gotë ujë. Por ajo është përgjigje dhe e tillë ngele. Është një vendimmarrje kolegjiale për ta adresuar në personin tim fizik një përgjegjësi të kësaj natyre që e kam përmbushu besoj me sukses të plotë. Asnjë veprim i karakterit financiar nuk është larguar apo ka patur të mundur që të anashkalojë udhëzimet që vinin nga statusi i kompanisë”, përfundoi ai.
Komisioni Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u ngrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime.
Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit. Aktualisht, Beqaj është në burg pasi akuzohet se ka abuzuar me fondet e BE-së, por po hetohet edhe për koncensionet në Shëndetësi. Megjithatë, ndërsa hetimet vazhdojnë, deri më tani për të nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare nga ana e SPAK. /ZËRI
'Sterilizimi'/ Koçi: A do e fitonit koncesionin e sterilizimit nëse Beqaj s’do ishte ministër? Rrapaj: Absolutisht që po

TIRANË- Biznesmeni Ilir Rrapaj vazhdon të japë dëshminë e tij para komisionit hetimor të Shëndetësisë. Ai u pyet nga deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi nëse do të fitonte koncesionin e sterilizimit nëse Beqaj nuk do të ishte ministër i Shëndetësisë në atë kohë. Ai tha se do të fitonte, pasi kompania është një bashkim operatorësh lider.
Petro Koçi: Nëse zoti Beqaj nuk do të ishte ministër dhe zoti Rrjepaj nuk do të ishte zëvendës ministër, do të kishit shanse për të fituar këtë koncesion si bashkëpunim operatorësh?
Ilir Rrapaj: 100% po plus edhe TVSH. Kompania “Sani Service” ka në zemrën e saj një lider ndërkombëtar. Më zgjodhi mua për të qenë pjesë e kësaj historie me 5 yje. Ju e quajtët 5M unë e quaj me 5 Yje. Mendoj që po, absolutisht po.
Petro Koçi: Ju thatë që keni qenë për një kohë të gjatë në Itali. Po të mos ishit një person me lidhje të garantuara qoftë brenda kategorisë së bizneseve, por edhe me autoritete vendore të Umbrias. Po të mos ishit ju një njeri i tillë me këto status dhe njohje, a do mundej zoti Beqaj të futej në lidhej me autoritetet vendore të Umbrias, apo jo?
Ilir Rrapaj: Nuk mund ta parashikoj, nuk mundem dot të jap një përgjigje konkrete. /ZËRI
“Sterilizimi”, Zhupa: Përse morët 180 milionë lekë në vit? Rrapaj i shmanget pyetjes: Kam që në 7 të mëngjesit me një gotë ujë

TIRANË- Biznesmeni Ilir Rrapaj po vijon me dëshminë e tij para komisionmit Hetimor të Shëndetësisë në lidhje me koncesionet e sterilizimit dhe chek-up. I pyetur nga deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa në lidhje me një pagesë prej 180 milionë lekë të marra nga koncesioni i sterilizimit. Zhupa e pyeti ate për mënyrën sesi ai ka marrë këto para.
Por, Rrapaj tha se iu është përgjigjur njëherë kësaj pyetjeje dhe ngriti shqetësimin e tij, se ka prej orës 7 të mëngjesit në komision dhe ka pirë vetëm një gotë ujë deri më tani.
Ina Zhupa: Këto 180 mln lekë që na rezultojnë ne, ju i keni marrë si fatura hotelesh apo avionësh, apo jua kanë dhënë si pagë, në ç’kuptim?
Ilir Rrapaj: Ju citova disa prej ngjyrave të listës së panumërt të kostove, sepse kundrejt një shërbimi të caktuar do të merreshin parasysh edhe kostot. Ishte rrjedhojë e një vendimi kolegjial. Asambleja e ortakëve e konsideroi si të pranueshme këtë propozim edhe në aspektin ekonomik.
Ina Zhupa: Pse ju zgjodhën ju për t’ju dhënë këto para për të bërë këtë mbikëqyrje, duke qenë se ju jetonit në Itali dhe nuk zgjodhën një shqiptar që ta bënin me një kosto më të ulët??
Ilir Rrapaj: E dhashë më lart përgjigjen, s’gjej dot ndonjë alternativë, edhe pse po shtrëngohem në këto orë të vonë të pasdites. Kam, që në 7 të mëngjesit kam pirë vetëm një gotë ujë. Por ajo është përgjigje dhe e tillë ngele. Është një vendimmarrje kolegjiale për ta adresuar në personin tim fizik një përgjegjësi të kësaj natyre që e kam përmbushu besoj me sukses të plotë. Asnjë veprim i karakterit financiar nuk është larguar apo ka patur të mundur që të anashkalojë udhëzimet që vinin nga statusi i kompanisë. /ZËRI
'Sterilizimi'/ Nga burgu në Kuvend, biznesmeni Ilir Rrapaj dëshmon prej 3 orësh në Kuvend: Beqajn s'e kam mik! Me Rrjepajn ndaj qelinë

TIRANË- Biznesmeni Ilir Rrapaj po dëshmon në Komisionin Hetimor për koncensionet në Shëndetësi. Aktualisht, Rrapaj po merret në pyetje nga kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi. Gjatë dëshmisë së tij, ai u shpreh se me Klodian Rrjepajn është njohur në vitin 2014, por tani e ka njohur mjaft mirë pasi ndodhen në të njëjtën qeli. Në lidhje me komunikimin me ish-zv.ministrin ku i referohet si “fratello”. Këtë term, Rrapaj e shpjegoi se e kishte prej faktit se ishte nga Vlora, dhe "fra-vëlla", është një shprehje që përdoret shpesh.
PJESË NGA DISKUTIMET:
Ilir Rrapaj: Nuk kam asnjë deklaratë për të bërë. Ndoshta gjatë marrjes në pyetje do të lindë nevoja për të bërë komentet e nevojshme.
Albana Vokshi: Cili është profesioni juaj?
Ilir Rrapaj: Sipërmarrës! Vij si një student i shkollës së mesme mjekësore në Vlorë dhe student i Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë. Kam shkuar në Itali për një akses në vazhdimin e formimit tim akademik. Por falë inciativës time sipërmarrëse, u mundova që të mos i qëndroja larg këtij sektori.
Albana Vokshi: Me çfarë jeni marrë para se të bëheshit pjesë e Sterilizimit?
Ilir Rrapaj: Kam qenë i dyzuar që të ushtroja një aktivitet sipërmarrës në Umbria, apo të isha pranë shoqatave sektoriale.
Albana Vokshi: Çfarë sipërmarrje keni pasur?
Ilir Rrapaj: Deri në vitin 2009 kam pasur një biznes me shërbime ndërtimore. Isha ortak i vetëm, por e kam ndarë më pas me persona të tjerë.
Albana Vokshi: Me çfarë kapitali e keni hapur?
Ilir Rrapaj: Nuk më kujtohet! E kam hapur në vitin 2000, e nisa me 1 dhe ka kaluar në mbi 30 persona të punësuar nga kompania.
Albana Vokshi: Sa ka qenë xhiro vjetore?
Ilir Rrapaj: Jam i emocionuar që të jem sa më ezaurues në përgjigjet që jap. Kam qenë me vite të ndryshme në varësi nga merkatoja. Ka pasur vite me nga 100 mijë euro, ka pasur vite me mbi 1 milion euro.
Albana Vokshi: A keni pasur eksperiencë në fushën e shëndetësisë?
Ilir Rrapaj: Kam pasur eksperiencë formative. Kam nostalgji për kohën që kam pasur kur kam bërë këtë udhëtim në fushën e shëndetësisë. I pashërueshëm asnjëherë udhëtimi në emigracion ka qenë domosdoshmëria që t'i vendosja garza ëndrrave të parealizuara. Kam kultivuar nëpërmjet formës së sipërmarrjes që të jem pranë sektorit të Shëndetësisë.
Albana Vokshi: E njihni Klodian Rrepaj?
Ilir Rrapaj: Deri në gusht 2024 kisha dijeni se kush dhe çfarë ishte. Kam kaq muaj që ndaj të njëjtën 'rezidencë' dhe tani mund të them se e njoh. Fjala mik ka një përkufizim të veçantë. Të jesh mik është diçka e rrallë, por fatkeqësisht kam bindjen që ky term është termi më i abuzuar. Nuk kam pasur asnjëlloj miqësie dhe njohje me të. Përkundrazi më etiketojnë me njohje të thellë me të. Udhëtimi im është totalisht i ndryshëm dhe i largët nga zotëria në fjalë.
Avokati i Rrapajt: Kjo pyetje është bërë pjesë e akuzës. Sepse organi i akuzës i thotë se keni pasur njohje në Vlorë. Kështu është ngritur akuza nga SPAK
Ilir Rrapaj: Nuk e kam njohur edhe pse në një qytet.
Albana Vokshi: Kur e keni takuar për herë të parë?
Ilir Rrapaj: Në një aktivitet publik të organizuar nga qeveria shqiptare. Diku nga viti 2014. Kemi folur për komplimenta për karrierën dhe vendin që kishte marrë.
Albana Vokshi: Si u vutë në dijeni për sterilizimin?
Ilir Rrapaj: Nga një prej ortakëve.
Albana Vokshi: Ato emailet "fratello", "fra"...?
Ilir Rrapaj: Jam me origjinë nga Vlora, kjo fjalë përdoret që nga një kërcënim, deri tek likuiditeti.
Avokati: Edhe email janë pjesë e hetimit, kanë dalë në media. Kanë edhe nëntekste lidhur me atë që Komisioni po heton.
Albana Vokshi: Cili është ortaku që iu informoi për koncensionin?
Ilir Rrapaj: Umbrio Staccini.
Albana Vokshi: Po Umbrion ku e njihni?
Ilir Rrapaj: Ka qenë presidenti i Polit Medikal, rajoni Umbria.
Albana Vokshi: A e njihnit Ilir Beqaj?
Ilir Rrapaj: E kam njohur si personazh publik. Nuk kishim miqësi as më para, as më gjatë, as më vonë.
Albana Vokshi: Kur e keni takuar për herë të parë?
Ilir Rrapaj: Në të njëjtin aktivitet që kam takuar edhe zv.ministrin. Ishin mbi 400 pjesëmarrës.
Albana Vokshi: Pra po thoni që kur ai ka pësuar një aksident, ju nuk e keni ndihmuar në një nga spitalet në Itali?
Ilir Rrapaj: Jo! Edhe më vjen keq se do e kisha ndihmuar si për këdo shqiptar. Në cilin spital ka qenë?
Albana Vokshi: Në Bari
Ilir Rrapaj: është 850 km larg nga Umbria.
Albana Vokshi: A keni dijeni për një shtëpi që ka blerë Ilir Beqaj në Itali?
Ilir Rrapaj: Jo!
Albana Vokshi: A e njihni Edi Ramën?
Ilir Rrapaj: Edhe për personazhet e lartcituar, e njoh nëpërmjet aktivitetit politik. E kam njohur në të njëjtin aktivitet. Aty e kam takuar fizikisht. Ky është momenti i parë.
Albana Vokshi: Këtu u takuat, nuk e njihnit?
Ilir Rrapaj: Po, po! E kam takuar edhe në një ose dy takime të tjera, si pjesë e delegacionit të Umbrias. Beqajn e kam takuar vetëm në ambiente zyrtare.
Albana Vokshi: Për çfarë keni biseduar me kryeministrin?
Ilir Rrapaj: Kam qenë i pranishëm në takimet me delegacionet.
Albana Vokshi: Për çfarë u diskutua?
Ilir Rrapaj: Nuk mbaj mend akordin e arritur. Ishte një akord për faktin që ishte hera e parë në historinë e Italisë që ministrja i delegoi presidentit të një rajoni të delegonte bashkëpunimet ndërkombëtare. Është folur për ministritë përkatëse që ishin pjesë e këtij akordi.
Albana Vokshi: Që nga ky takimi që duhet të ketë qenë në 22 nëntor, cila ka qenë marrëdhënia juaj me Ilir Beqajn? A keni pasur takime të tjera?
Ilir Rrapaj: 1 ose 2 takime, institucionale, asnjë takim tjetër.
Albana Vokshi: Kush ishte hapi tjetër që ndoqët?
Ilir Rrapaj: Në vijim të takimi, padyshim që ka qenë një seri komunikimesh që kanë bërë palët mes tyre. Unë isha i ftuar për të lehtësuar komunikimin mes tyre. Asnjëlloj vijimsie jashtë këtyre rrethanave.
Albana Vokshi: Janë zhvilluar takim me delegacione të Umbrias në ministrinë e Shëndetësisë? Kanë qenë në dhjetor?
Ilir Rrapaj: Muaji nuk më kujtohet por po!
Albana Vokshi: Çfarë roli kishit?
Ilir Rrapaj: Delegacioni zgjedh se kush konsiderohet si i dobishëm. Unë isha nënshtetas italian me kombësi shqiptare.
Albana Vokshi: Kush e bëri delegacionin? Ishit ju ndërmjetësi?
Ilir Rrapaj: Ishte rajoni i Umbrias
Albana Vokshi: Si e kontaktoi ministrin?
Ilir Rrapaj: Mua po më pyesni?! Më zgjodhën mua mes shumë personave dhe jam shumë i ndëruar për këtë gjë. Jam zgjedhur për kontributin që kam dhënë.
Albana Vokshi: Iu ftoi Umbrio Staccini?
Ilir Rrapaj: Shoqata e konfindustrisë italiane...
Albana Vokshi: A është folur për sterilizimin në këto takime
Ilir Rrapaj: U përgjërohem, merrni një kopje të kuadrit. Nuk flitet as për sterilizimin a asnjë gjë. Një asnjë germë të atij akordi nuk përmendet. Në marrëveshjen kuadër kam qenë në takime derisa është firmosur marrëveshja.
Albana Vokshi: Keni qenë pjesë e delegacionit për sterilizimin?
Ilir Rrapaj: Kam qenë. Nuk është folur për sterilizimin. Në këtë pelegrinazh në spitalet publike, ka qenë fotografimi i panoramës së gjendjes së spitaleve publike shqiptare. Ishte ftesë nga institucionet shqiptare për të bërë një vizitë në spitalet publike dhe objektivi ishte për të dhënë një kontribut për kritere protokollare të njësoheshin me ato italiane.
Albana Vokshi: Keni qenë kur u firmos marrëveshja?
Ilir Rrapaj: Po, në të njëjtin rol si më parë.
Albana Vokshi: Cili ishte produkti i marrëveshjes?
Ilir Rrapaj: Kirurgjia publike shqiptare ka hyrë në BE falë standardeve që adoptoi. Këtë e them me një ndjenjë krenarie të pashoq.
Albana Vokshi: Jeni krenar për mënyrën që është bërë koncensioni?
Ilir Rrapaj: Jam krenar për çfarë ka arritur të bëjë ky projekt madhështor.
Albana Vokshi: Pasi u firmos marrëveshja, çfarë është bërë. Ku keni qenë ju? Nga marrëveshja ka dalë një produkt, për sterilizimit. Kush e ka vijuar punën?
Ilir Rrapaj: Nuk kam koment për këtë. Nuk e kam ndjekur.
Albana Vokshi: Nga faktet publike rezulton që ka disa udhëtime të përbashkëta tuajat me Beqajn, Rrjepajn dhe shtetas italiane që kanë qenë pjesë e koncesionit. A mund të më shpjegoni se cila ka qenë marrëdhënia juaj?
Ilir Rrapaj: Nuk rezulton të jemi i vetëm, por në prezentë të personave të tjerë. Kanë qenë në funksion të takimeve zyrtare në Itali. Rajoni i Umbrias është pjesë e akordit, por edhe universiteti i Perugias. Në Kosovë, ka qenë një udhëtim i programuar me ftesë zyrtare nga rektori i Universitetit të Prishtinës. Nga pala italiane është kërkuar që takimi të lihet afër me takimin në Shqipëri. U bë për të mos ardhur dy herë. Makinën na e dha ministria, akt xhentilese. Karburanti u kompensua nga pala italiane.
Albana Vokshi: A mund të na e shpjegoni rastësinë e udhëtimeve?
Ilir Rrapaj: Zotërinj kanë qenë në funksion të tyre përkatëse dhe unë po ashtu. Udhëtimet e mia drejt Italisë apo anasjelltas mund të koncidojnë me një sërë figurash publike shqiptare, apo ish-figura, këtë mund ta konfirmoni. Për mua nuk është ndonjë risi.
Albana Vokshi: Keni udhëtuar disa herë bashkë, madje edhe makinën shtetërore të zv.ministrit, udhëtime jashtë vendit. Pse thatë që nuk i njihni?
Ilir Rrjepaj: Ishin zyrtare. Universiteti i Peruxhias kërkoi takim me Universitetin e Kosovës. Nuk rezulton të jem i vetëm. Kam qenë në funksion të udhëtimeve zyrtare Rajoni i Umbrias është pjesë e këtij akordi kuadër, por edhe Universiteti i Peruxhas. Udhëtimi në Kosovës ka qenë i programuar për tu takuar me rektorin e universitetin e Prishtinës. Po i referohem makinës së zv.ministrit. Ministria e Shëndetësisë u tregua xhentile dhe na dha makinën për të shkuar në Kosovë. Pasi mbaruam punë në Tiranë, profesori italian iku në Prishtinë, Mendoni se ishim keq për një taksi apo një makinë private? Ishte një akt xhentilese nga ministria që i vuri në dispozicion profesorit një makinë. Në Prishtinë u bë një takim zyrtar.
Albana Vokshi: Nuk ka foto, nuk ka një rekord të këtij takimi?
Ilir Rrapaj: Duhet të ketë.
Albana Vokshi: Paratë e buxhetit, benzina e ministrisë u vu në dispozicion të disa italianëve për të shkuar në Kosovë. Pse ju morët 40 % dhe kompani të mëdha si Service Italia, mori vetëm 30%. Çfarë kontributi kishit ju?
Ilir Rrapaj: Isha distributor ekskluziv për dekontamiminim në Shqipëri. Menduan ortakët që ishte e logjikshme për të kompensuar teknologjinë.
Albana Vokshi: Jua dhanë paraprakisht 40%?
Ilir Rrapaj: Ata do të kishin pjesën e luanit në furnizimit të vazhdueshëm, do të kishin fitim më të lartë dhe të garantuar. Aparaturat e mia kanë vlerë modeste, dhe për një marrëveshje të ndershme më dhanë 40% të dividentit.
Albana Vokshi: Jeni prestanome. Nuk funksionon kështu kapitalizmi.
*dëshmia ende vazhdon...
'Sterilizimi'/ Opozita kërkon Vilma Nushin dhe Edi Ramën në Kuvend, maxhoranca kundër

TIRANË- Edhe mbledhja e sotme në Komisionin hetimor për koncensionet në Shëndetësi është zhvilluar me debate mes palëve. E gjitha nisi me kërkesën e opozitës që të shtyhet afati i punimeve, për të marrë në pyetje edhe kryeministrin Edi Rama dhe biznesmenen Vilma Nushi. Por maxhoranca është shprehur kundër, duke ngulur këmbë tek fakti se afati i përfundimit të hetimeve duhet që të përmbyllet më datë 14 nëntor.
PJESË NGA DEBATI:
Edmond Spaho: Ne s’mund ta mbyllim pa deponimin e Vilma Nushit dhe Edi Ramës. Koncesionet janë dhënë me firmën e Edi Ramës. Pa dëgjuar kryeministrin e pa dëgjuar përfituesen kryesore të koncesionit check up nuk mund ta mbyllim. Propozoj që të enjten të kërkojmë shtyrje të këtij komisioni.
Albana Vokshi: Kam kërkuar tek sekretariati që të vijë dhe Vilma Nushi e Gentiana Peposhi.
Plarent Ndreca: Arsyeja pse nuk thirren Peposhi dhe Nushi nuk kanë lidhje me kontratën e Check up. Aksioner është ‘3P life Logostik’. Nuk mund të thërrasim aksioner të aksionërëve. Nuk është mendimi jot, por është mendimi i Edi Ramës që të mos thërrasësh Vilmën
Albana Vokshi: Janë aksioner të kompanive. Ndaj edhe unë gjykoj që Vilma Nushi të vijë këtu. Nuk mbyllet ky komision pa ardhur njeriu kyç, Vilma Nushi dhe Edi Rama.
Ina Zhupa: Vilma Nushi ka marrë 1.5 mln euro divident nga ky konçesion, nga paratë publike të shqiptarëve.
Diskutimi u shtrua edhe për mungesën e mjekut Artan Lleshi, i cili dërgoi një raport mjekësor kur shprehej se e kishte të pamundur që të dëshmonte në Komision për shkak të një problemi që kishte në këmbë. Në fjalën e tij, deputeti demokrat Xhelal Mziu u shpreh se opozita ishte e gatshme që të shkonte në spital, apo në shtëpi, për t'i marrë dëshminë.
"Nëse ai është shumë keq dhe nuk lëviz dot, le të shkojmë ne si komision aty dhe ta pyesim zotërinë dhe ta shohim sa e rëndë është gjendja e tij. Do i sugjeroja dhe mazhorancës meqë ka vullnetin për ta mbrojtur le të gjejmë një mënyrë nëse është në spital të shkojmë në spital. Për të marrë një dëshmi. Jemi të gatshëm nëse e ka të pamundur. Por nuk ka asnjë lloj justifikimi dikush për të ardhur,"-tha Mziu në fjalën e tij.
Por sërish palët nuk kanë rënë dakord dhe debati për këtë çështje ka zgjatur për orë të tëra./ZËRI
ME VIDEO- Të dy në Kuvend, momenti kur Vullnet Sinaj takohet me biznesmenin e prangosur nga SPAK

TIRANË- Komisioni Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, ka ngjallur sërish debat mes palëve. Kryetarja e këtij komisioni, Albana Vokshi ka denoncuar se deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj kishte shkuar për t'u takuar mes biznesmenin e arrestuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Ilir Rrapaj.
Të dy, janë të ulur në hyrjen e Kuvendit, ndërkohë që deputeti Sinaj mbaj një telefon celular në dorë. Pranë tyre nuk ka asnjë efektiv policie, nga shumë prej atyre që shoqëruan Rrapajn nga burgu në ambientet e Kuvendit. Biznesmeni Rrapaj është në burg, çka do të thotë se e ka të ndaluar që të komunikojë me persona të tjerë pa marrë leje nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, apo nga vetëm SPAK. Madje nga organi hetimor mori leje për të qenë pjesë e Komisionit Hetimor, ndërsa Sinaj i është ulur pranë dhe ka nisur bisedën me të, pa të keq! Deri më tani, lidhur me rastin nuk ka asnjë reagim nga institucionet ligjzbatuese, pra as Policia e Shtetit që ka për detyrim të monitorojë Rrapajn, e as nga ana e SPAK./ZËRI
'Thuaj të largohet menjëherë'/ Vokshi bën denoncimin: Vullnet Sinaj ka 30' me biznesmenin Rrapaj

TIRANË- Kryetarja e Komisionit të koncensioneve në Shëndetësi, Albana Vokshi ka bërë një denoncim në mbledhjen e sotme. Ajo denoncoi faktin se deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj ishte takuar në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë me dëshmitarin e thirrur, Ilir Rrapaj. Ky i fundit ka marrë leje sot nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dhënë dëshminë e tij para Komisionit.
PJESË NGA DEBATI:
Vokshi: Kam një informacion, Vullnet Sinaj ka gjysmë orë që është ulur me dëshmitarin, iu lutem thojini që të largohet. As mos të ndikojë, as të mos të afrohet, as mos ta intimidojë. Ju lutem thojini sigurimit që të mos i afrohet. As mos ta intimidojë dhe as mos ta ndikojë. Këtë punë bëtë edhe kur erdhën dëshmitarët e tjerë nga burgu. As të mos ndikojë dhe as mos të imponohet për përgjigjet që do të japë këtu. Jo rastësisht ai mbahet në "arrest me burg".
Ndreca: Dëshmitari nuk është njëri i patakueshëm, se takohen edhe në burg.
*futet Sinaj në sallë
Vokshi: Zoti Sinaj shkoni në burg takojeni! Jo këtu! Ju lutem ka mundësi se nuk futeni dot në Komision. Dilni nga Komisioni dhe mos e takoni personin që është dëshmitarë. Ju ka organizuar Edi Rama? Kaq shumë po shqetësoheni? Ti e di shumë mirë se kjo nuk lejohet./ZËRI
'Sterilizimi'/ 3 biznesmenët italianë s'pranojnë të dëshmojnë, Vokshi: Do njoftojmë Policinë

TIRANË- Kryetarja e Komisionit hetimor për koncensionet në Shëndetësi, Albana Vokshi ka bërë me dije në nisje të seancës së sotme lajmëroi mungesat e dëshmitarëve që ishin në listë për sot. Në fjalën e saj, Vokshi tha se 3 shtetasit italianë që ishin thirrur sot për të dëshmuar kanë refuzuar thirrjen për të qenë pjesë e marrjes në pyetje. Vokshi thekson se 3 italianët kanë refuzuar për 3 herë pjesëmarrjen e tyre për të dëshmuar. Kështu që në këto kushte lajmëron se do të kërkojë ndihmën e Policisë së Shtetit për të mundësuar ardhjen e tyre në Komisionin Hetimor.
"Të tre shtetasit italianë refuzuan që të ishin pjesë e Komisionit. Sot ishte hera e tretë që thirreshin, sot në mëngjes kemi marrë emailin se Umbro Staccini, Elisabetta Anzanello dhe Giorgio Tardioli nuk do të jenë pjesë në Komision. Dëshmia e tyre është kyçe për hetimin parlamentar sepse janë aksionerë të kompanive, 2 prej tyre kanë marrë miliona si konsulentë privatë, por edhe kanë kompani nënkontraktuese. Ndaj ne dëshminë e tyre e konsiderojmë kyçe. Ne u dakordësuam që do të vazhdojmë t'i drejtohemi Policisë dhe Policia të sigurojë praninë e këtyre shtetasvve në Komisionin Parlamentar,"-tha në fjalën e saj Albana Vokshi.
Por i njëjti problem është hasur edhe me dy dëshmitarët shqiptarë, Artan Lleshi dhe Altin Fani. Sërish në fjalën e saj,Vokshi u shpreh se Lleshi, refuzoi edhe dëshminë gjatë së premtes duke paraqitur një epikrizë, ndërsa Fani, sipas saj i ishte përgjigjur në mënyrë "arrogante" duke refuzuar kështu ftesën për t'u marrë në pyetje.
Në këto kushte, Albana Vokshi nën cilësinë e kryetares së Komisionit kërkoi nga Policia e Shtetit që të veprohet në bazë të Kodit të Procedurës Penale për të siguruar praninë e tyre në komision për të dëshmuar./ZËRI
I lidhur me pranga por me dokumenta në duar, momenti kur Ilir Rrapaj sillet në Kuvend

TIRANË- Biznesmeni Ilir Rrapaj ka mbërritur me pranga në duar dhe i rrethuar nga efektivët e Policisë së Shtetit për Komisionin Hetimor për Shëndetësinë. Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga ZËRI, Rrapaj ka disa dokumente në duar, që mesa duket do i paraqesë në Kuvend.
Ilir Rrapaj, i cili është në burg për koncesion 100 mln euro të sterilizimit, është liruar nga qelia për pak orë për të dëshmuar në Komisionin Parlamentar për Check Up dhe Sterilizimin./ZËRI
"Sterilizimi"/ Biznesmeni Rrapaj dhe ortaku i tij dëshmojnë sot para Komisionit Hetimor, pritet edhe Denaj

TIRANË- Komisioni Hetimor për koncensionet në Shëndetësi do të vijojë sot për marrjen në pyetje të dëshmitarëve të tjerë për "Sterilizimin". Sot është thirrur për t’u marrë në pyetje biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ortaku i tij Italian Umbro Staccini, të dy partnerët kryesorë të ‘SaniService’. Biznesmeni ndodhet në burg prej datës 16 gusht 2024, por ka marrë leje nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dhënë dëshminë e tij para Komisionit Hetimor. Sot në listën e dëshmitarëve është edhe ish-ministrja e Ekonomisë dhe Financave, aktualisht e Bujqësisë, Anila Denaj. Kjo e fundit është thirrur pasi në kohën që është dhënë koncensioni ka mbajtur postin e kreut të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Teksa kryente detyrën dhe ishte njohur me koncensionin, Denaj nuk ka qenë dakord për çmimet e sterilizimit dhe madje ka depozituar edhe një ankesë. Për këtë zhvillime dhe të tjera, do të "merret sot në pyetje" nga kolegët e saj në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Dëshmitarët pritet të thirren sot në Komison:
Ora 9.30 - Ilir Rrapaj
Ora 14.00 - Anila Denaj
Ora 16.00 - Altin Fani
Ora 18.00 - Umbro Staccini
Ora 19.00 - Elisabetta Anzanello
Ora 20.00 - Giorgio Tardioli
Komisioni Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u ngrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime. Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit. Aktualisht, Beqaj është në burg pasi akuzohet se ka abuzuar me fondet e BE-së, por po hetohet edhe për koncensionet në Shëndetësi. Megjithatë, ndërsa hetimet vazhdojnë, deri më tani për të nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare nga ana e SPAK./ZËRI