LIVE UPDATES

ZGJEDHJET- Edhe 1 ditë fushatë! Rama: Marrim 78-88 mandate! Berisha 'shpall fitoren' ndaj "non grata-s". SPAK “godet” në Shkodër, kontrolle në zyrat e PSD

➤ Nesër është dita e fundit e fushatës elektorale. ➤ 3 ditë para zgjedhjeve, kryeministri Edi Rama parashikoi se merr 78-88 mandate në të gjithë Shqipërinë. ➤ Kryedemokrati Sali Berisha e ironizoi për parashikimin. Po ashtu, përshëndeti DASH dhe presidentin Donald Trump për lajmin e dhënë nga gazetari amerikan se për të nuk kishte më sanksionet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. ➤ Teksa fushatës po i vjen fundi, duket se ka lëvizje në terren nga SPAK. ➤ Kontrolle, të ndaluar dhe urdhër-arreste në qarkun e Shkodrës. ➤ Raportohet se në shënjestër janë zyrat elektorale të Partisë Socialdemokrate. Në terren, bashkë me hetuesit e SPAK dhe agjentët e BKH-së ishte edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. ➤Sot përfundon edhe afati që fletët e votimit të emigrantëve shqiptarë, të qëndrojnë në pikat e DHL në të gjitha shtetet. Fletët që nuk tërhiqen gjatë ditës së sotme, kthehen në Shqipëri. ➤Përjashtim bën Greqia, që për shkak të problematikave, zyrat e DHL do të qëndrojnë të hapura edhe më 9 maj.

11 artikuj për këtë temë.
1 MUAJ ME PARE

Berisha sulmon partitë e reja nga Shkodra: Janë skllevër të Ramës

ZGJEDHJET- Edhe 1 ditë fushatë! Rama: Marrim 78-88 mandate! Berisha
Sali Berisha

SHKODËR- Kryedemokrati Sali Berisha gjatë takimit përmbyllës elektoral në Shkodër ka sulmuar kreun e Partisë Social Demokrate Tom Doshin duke e quajtur atë një skllav të kryeministrit Edi Rama. Po ashtu, ai hodhi edhe akuza ndaj partive të reja duke u shprehur se votat për ta do të shkojnë për Partinë Socialiste. Berisha shtoi se partitë e reja janë të gjitha vegla të Ramës.

“Ndaj dhe unë u ftoj ju me 11 Maj të votoni ekipin e Luçiano Boçit, e profesor Luçiano Boçit, këta gra e burra që janë krenari për Shkodrën dhe Shqipërinë. U ftoj të mbështesni këtë ekip se përballë është alternativa e krimit. Në Velipojë, përfaqësuesit e Pëllumb Gjokës. Në Dajç, të tjerët. Në Dobraç, të tjerët. Tani u them atyre unë, me datën 12 Maj, qeveria e re do t’u shpallë ju grupe terroriste dhe mos guxoni të kërcënoni qoftë dhe një komisioner dhe një qytetar. Do të përgjigjeni ashtu siç nuk ua pret mendja.

Dhe mos mendoni se u mbrojnë Edi Rama dhe Benet Beci. Ia mbathin të parët. Qytetarë të mençur të Shkodrës, u bëj thirrje, asnjë votë për Tom Pazarin. Asnjë votë. Vota për Tomën është e tëra votë për Edi Ramën. Toma është skllavi i Edi Ramës.

Kurse ato partitë, o miq, ato partitë që u thonë ju se ne nuk jemi për rotacionin, ato janë maska, ato janë për Edi Ramën. Po si nuk je ti për rotacionin, largimin e një regjimi që po e zhbën Shqipërinë? Atëherë ti je një vegël e Edi Ramës.

Asnjë votë për ta. Miqtë e mi, në Europë shkohet me ideale demokratike. 11 Maji është dita që ju firmosni për integrimin e Shkodrës dhe Shqipërisë në Europë. Me Edi Ramën shkohet drejt Tom Doshit. Me Tom Doshin shkohet drejt Edi Ramës. Me Aleancën për Shqipërinë Madhështore shkohet drejt Brukselit, shkohet drejt Europës, shkohet drejt aleancës me SHBA”, tha Berisha./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

“Nuredin Seci ka ç’aktivizuar kontaktet”/ Kompania amerikane flet për AP: Po lobojmë për non-gratën e Berishës!

ZGJEDHJET- Edhe 1 ditë fushatë! Rama: Marrim 78-88 mandate! Berisha
Chris LaCivita dhe Sali Berisha

TIRANË, Shqipëri (AP)— Disa nga arkitektët e fushatave presidenciale të Donald Trump janë ribashkuar për të punuar sërish së bashku, kësaj here në Shqipëri, ndërsa përpiqen të ndihmojnë një kandidat "trumpian' që të triumfojë në zgjedhjet e kësaj fundjave. Bëhet fjalë për Chris LaCivita, i cili shërbeu si bashkë-menaxher i fushatës së suksesshme të Trump në vitin 2024; anketuesin e Trump prej kohësh, Tony Fabrizio, dhe Paul Manafort, i cili shërbeu si kryetar i fushatës së Trump në vitin 2016. Treshja po punon për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, kreun e Partisë Demokratike të opozitës së Shqipërisë, i cili po e sfidon kryeministrin Edi Rama që t’i rikthejë demokratët në pushtet, edhe pse ai pret gjyqin për akuzat për korrupsion.

"Është e vetmja Parti Demokratike për të cilën do të mendoja ndonjëherë të punoja,"- tha me shaka LaCivita teksa ishte nisur për në Shqipëri. 

*Në SHBA, Partia Demokratike është kundërshtarja e Partisë Republikane të Donald Trump

Berisha, i cili shpreson që administrata e re të tërheqë sanksionet që e ndalojnë të hyjë në SHBA, ka nënshkruar gjithashtu një kontratë 2-vjeçare prej 6 milionë dollarësh me "Continental Strategy", një firmë republikane konsulence dhe lobimi. Stafi i saj përfshin Katie Wiles, vajzën e shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, e cila së bashku me LaCivitën, udhëhoqi fushatën e Trump. Por, Katie Wiles nuk është e përfshirë me rastin e Berishës. Konsulenca e huaj ka qenë prej kohësh një mënyrë popullore për strategët amerikanë nga të dyja partitë për të fituar para midis cikleve zgjedhore. Në Shqipëri, si në shumë vende të tjera, të qenit i parë si person me lidhje të ngushta me SHBA-në dhe udhëheqësit e saj konsiderohet një aset i madh.

Rama ka lidhjet e tij me aleatët e Trump. Në dhjetor, Kabineti i Ramës miratoi fillimin e negociatave me "Atlantic Incubation Partners LLC", në pronësi të dhëndrit të Trump, Jared Kushner, për zhvillimin e një resorti luksoz prej 1.6 miliardë dollarësh në ishullin e vogël të Sazanit. Gjatë gjithë fushatës, Berisha e ka paraqitur veten si një figurë të ngjashme me Trumpin dhe viktimë të një skeme politike për të cilën ai fajëson pjesërisht miliarderin amerikan George Soros.

Ai e nisi fushatën e tij me premtimin “Ta bëjmë Shqipërinë përsëri të madhe”, por më vonë iu desh ta ndryshonte sloganin për shkak të shqetësimeve se mund të keqinterpretohej si një referencë për “Shqipërinë e madhe” dhe të nxiste konfrontim në Ballkanin Perëndimor për shkak të frikës që disa në vendet fqinje kanë për ekspansionizmin shqiptar.

Fushata tani zotohet ta bëjë Shqipërinë “grandioze” ose “madheshtore”. Ashtu si Trump, edhe Berisha ka kapelen e tij dalluese të fushatës — një blu që ka të gdhendur numrin 1, renditjen e demokratëve në fletën e votimit. Ndërsa zgjedhjet e fundit në Kanada dhe Australi kanë demonstruar fuqinë e reagimit negativ kundër kandidatëve që konsiderohen shumë të lidhur me Trumpin, në vende të tjera këto lidhje kanë qenë një ndihmë e madhe. Në Argjentinë, Javier Milei erdhi në pushtet me sloganin "Ta bëjmë Argjentinën të madhe përsëri" dhe me stilin Trumpian.

A do ta sjellin konsulentët e rinj një fitore të shumëpritur?

Partia e Berishës e paraqet punësimin e stafit të fushatës së Trump si një sukses të madh. Amerikanët, thonë ata, kanë punuar në të gjitha aspektet e fushatës, nga strategjia te mesazhet dhe komunikimi publik. 

"LaCivita menaxhoi një nga fushatat më spektakolare në historinë politike, duke e bërë Trumpin president edhe pse i kishte të gjithë kundër. Deri në një farë mase kjo lidhet me situatën e opozitës në Shqipëri dhe me udhëheqësin e saj,”-tha PD në një përgjigje me shkrim për Associated Press. Ndërsa shtuan se: PD e Shqipërisë dhe republikanët amerikanë janë “aleatë të natyrshëm”, pasi të dyja forcat politike mbështesin familjen dhe tregun e lirë.

Rama, kreu i Partisë Socialiste, e quan me tallje Berishën një “buf kënete” dhe shpesh kritikon përfshirjen e amerikanëve, madje edhe LaCivita-n. Demokratët nuk kanë zbuluar se sa është paguar LaCivita, por thanë se “pagesa e tij është bërë në përputhje me ligjin dhe rregullat zgjedhore, këtu në Shqipëri dhe në Amerikë” dhe se kontrata përfundimisht do të bëhet publike pas zgjedhjeve. LaCivita ka theksuar se po paguhet vetëm për të këshilluar partinë dhe se nuk po lobon tek zyrtarët në SHBA.

Manafort, thanë ata, është pjesë e ekipit të LaCivitës si “një mik dhe bashkëpunëtor", ndaj edhe është parë në Tiranë së fundmi. 

Punësimi i një kompanie lobimi, me qëllim heqjen e cilësimit 'non grata' të Berishës

Përveç ndihmës në fushatë, në fund të prillit, demokratët nënshkruan një kontratë lobimi prej 250,000 dollarësh në muaj me Continental Strategy me seli në SHBA për t'i ndihmuar ata të krijojnë marrëdhënie me  degët ekzekutive dhe legjislative, si dhe për të promovuar demokracinë, iniciativat kundër korrupsionit dhe reformat qeveritare. Firma drejtohet nga Carlos Trujillo, një aleat i hershëm i Trump, i cili shërbeu si ambasador i SHBA-së në Organizatën e Shteteve Amerikane gjatë mandatit të parë të Trump. Marrëveshja ka ngritur dyshime në Shqipëri dhe ka shkaktuar një hetim nga SPAK-u, Struktura Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Firma po paguhet nga Fondacioni “Make Albania Great Again”, një organizatë jofitimprurëse e sapokrijuar e themeluar nga Nuredin Seci, një kontraktor shqiptaro-amerikan nga Neë Jersey, me para që supozohet të jenë mbledhur nga komuniteti shqiptaro-amerikan.

Seci nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me fondacionin dhe nga kishin ardhur fondet. Pyetjet iu dërguan në llogarinë e tij në Facebook, numrat dhe një adresë email-i e lidhur me Secin duket se janë shkëputur. Melissa Stone, një zëdhënëse e Continental, tha: Puna jonë po financohet nga një biznesmen amerikano-shqiptar dhe udhëheqës aktiv në diasporën shqiptaro-amerikane që e do Amerikën dhe e do Shqipërinë.

Kjo përfshin përpjekjen për të hequr sanksionet ndaj Berishës, të cilit iu ndalua të bënte fushatë në SHBA, ku jetojnë shumë emigrantë shqiptarë.

“Si pjesë e punës sonë për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ne po i drejtojmë në mënyrë aktive një peticion Administratës Trump për të nisur një rishikim të plotë dhe përmbysje të përdorimit si armë të Seksionit 7031(c) nga epoka e Bidenit kundër udhëheqësve konservatorë dhe pro-amerikanë, përfshirë Presidentin Sali Berisha,”-shtoi ajo në një deklaratë.

Në maj 2021, ish-Sekretari i Shtetit Antony Blinken sanksionoi Berishën për dyshime për “korrupsion të konsiderueshëm” dhe ia ndaloi atij, gruas dhe fëmijëve të tij hyrjen në SHBA. Britania e Madhe bëri të njëjtën gjë një vit më vonë.

Blinken tha se gjatë mandatit të Berishës si kryeministër nga viti 2005 deri në vitin 2013, politikani “ishte i përfshirë në akte korruptive, të tilla si përvetësim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimin e tij personal dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”, gjë që Berisha e mohon.

Vitin e kaluar, Berisha u akuzua për korrupsion për një skemë të dyshuar në të cilën ai ndihmoi dhëndrin e tij të privatizonte tokë publike për të ndërtuar pallate apartamentesh në kryeqytet, Tiranë. LaCivita e ka quajtur Berishën "një mik të vërtetë të Shteteve të Bashkuara". Dhe ka bërë paralele midis Trump dhe Berishës, duke i cilësuar të dy si "të ndjekur penalisht dhe të persekutuar padrejtësisht nga një qeveri që nuk ka asnjë konsideratë për Demokracinë".

LaCivita ka pranuar se vendimi i Berishës për të promovuar përfshirjen e tij është i ndryshëm nga klientët e tjerë të huaj që preferojnë më shumë diskrecion.

“Ky është një vend ku, e dini, ndërhyrja e Amerikës në zgjedhjet e tyre inkurajohet. Kudo tjetër, jo aq shumë”, tha LaCivita në një bisedë me gazetarë që paraqiteshin si klientë potencialë, e cila u botua nga "The Guardian"./ZËRI

Marrë nga AP

1 MUAJ ME PARE

Votat emigrantëve në Greqi/ KQZ kërkesë DHL: Urgjent një raport, 1920 vota janë me probleme

ZGJEDHJET- Edhe 1 ditë fushatë! Rama: Marrim 78-88 mandate! Berisha
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Katër ditë para zgjedhjeve të 11 majit, problematikat me votën e diasporës mbeten prezente, sidomos çështja e zarfave në Greqi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, së fundmi i ka bërë një kërkesë urgjente kompanisë postare DHL për problemet që emigrantët shqiptarë në Greqi kanë hasur me zarfet e votimit.

Celibashi ka kërkuar që t’i dërgohet në mënyrë urgjente një raport në lidhje me procesin e shpërndarjes së dokumentacionit zgjedhor me Greqi, lidhur me ankesat e PD-së.

Në kërkesë KQZ kërkon; sqarime për personelin e angazhuar me procesin, nëse i është lënë ndonjë pale të tretë dhe arsyet pse nëse është bërë, sa është numri i zgjedhësve që nuk u është dorëzuar zarfi apo nuk janë gjetur adresat, ose që nuk u është dorëzuar fare, sa është numri i zarfave të kthyer, apo i atyre që janë marrë dhe nuk janë kthyer.

Përmbajtja e kërkesës:

Në lidhje me procesin e shpërndarjes së dokumentacionit zgjedhor me Greqinë jeni të lutur të na dergoni URGJENTISHT, një raport në lidhje me këtë proces, referuar çështjeve si më poshtë:

1. Cilat janë strukturat dhe/ose personeli i angazhuar në këtë proces?

2. A i është deleguar ky proces subjekteve të treta? Nëse po, cila është marreveshja?

3. Sa është numri i zgjedhesve të cilëve nuk ju është dërguar njoftim për dërgesën postare të KQZ?

4. Cilat janë arsyet që kjo nuk është bërë?

5. Sa është numri i zgjedhesve që nuk ju është dorëzuar fare dokumentacioni zgjedhor?

6. Sa është numri i zgjedhësve të cilëve nuk ju është dorëzuar personalisht në dorë dokumentacioni zgjedhor?

7. A e dispononi ju dokumentacionin provues të rasteve të dorezimit të dokumentacionit zgjedhor personalisht zgjedhësit?

8. Sa është numri i zgjedhesve të cilëve dokumentacioni zgjedhor ju është tërhequr në banese, pasi kjo ju është kërkuar nga zgjedhësi? A dispononi ju dokumentacionin provues për këto raste.

9. Sa është numri i zgjedhësve që e kanë dorëzuar/kthyer dokumentacionin zgjedhor në zyra apo qendra të tjera pritese të operatorit të sherbimit postar? Cili është domumentacioni provues për këtë rast?

Çfarë po ndodh me votimin në Greqi?

Partia Demokratike një ditë më parë (7 maj) në një kërkesë drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kërkoi që të bëhet një audit, duke argumentuar se rrezikohet integriteti i procesit zgjedhor në diasporë, kryesisht në Greqi. Sipas opozitës, shkeljet e konstatuara janë dërgesa të parregullta të zarfeve, dy fletë votimi në një zarf, mungesë udhëzimi për votuesit, presion politik dhe blerje votash, vonesa ose mosdorëzimi i zarfeve, mbledhje e paligjshme e votave. Opozita kërkon gjithashtu rishikim për pavlefshmëri të çdo vote të dorëzuar me zarf të pavulosur apo të paplotë si edhe hetim penal nga SPAK për blerje votash dhe përfshirje të PS në shpërndarje votash.

Sot është afati i fundit i pritjes së votave nga Diaspora. Ndryshe nga vendet e tjera përshkak të problematikave Greqia do të ketë edhe një ditë kohë për të nisur votat e emigrantëve shqiptarë./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

GJKKO lëshon 6 urdhër-kontrolle për anëtarë të shtabeve elektorale të PSD-së në Shkodër

ZGJEDHJET- Edhe 1 ditë fushatë! Rama: Marrim 78-88 mandate! Berisha
Altin Dumani në Shkodër

SHKODËR- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lëshuar 6 urdhër-kontrolle në qytetin e Shkodrës. Mësohet se kontrollet po ushtrohen në disa shtabe elektorale të Partisë Socialdemokrate (PSD), e drejtuar nga deputeti Tom Doshi në kryeqendrën e Veriut. Lidhur me aksionin e Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në Shkodër, gazetarja Klodiana Lala zbuloi më shumë detaje duke bërë me dije se janë sekuestruar disa aparatë celularë. Po ashtu, janë kontrolluar edhe disa makina, por ende nuk dihet se kujt i përkasin.

Sipas të dhënave nga terreni, një prej të personave ka refuzuar bashkëpunimin me autoritetet dhe si pasojë është shoqëruar për në Komisariatin e Shkodrës, megjithatë identiteti i tij ende nuk është bërë me dije. Ka dyshime se hetimet po kryehen në kuadër të dyshimeve për veprimtari të paligjshme të lidhura me procesin zgjedhor, por ende nuk ka asnjë konfirmim nga SPAK. Aksioni ka nisur që sot në mëngjes dhe në terren ishte edhe vetë kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Krimet zgjedhore/ BKH zbarkon në Shkodër, 2 në pranga

ZGJEDHJET- Edhe 1 ditë fushatë! Rama: Marrim 78-88 mandate! Berisha
Altin Dumani

TIRANË- Dy persona janë vënë në pranga, ndërsa disa të tjerë janë ndaluar në kuadër të një operacioni që po zhvillohet nga Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shkodrës.

Autoritetet po kryejnë kontrolle dhe veprime hetimore ne disa zona, si Malësi e Madhe, Barbullush, Bushat dhe Mjedë në kuadër të parandalimit të krimeve zgjedhore. Dritan Prençi është prokurori i SPAK i caktuar në Shkodër për hetimin e krimeve zgjedhore, por sot në terren është edhe vetë Altin Dumani, i cili është edhe në krye të Task-Forcës për krimet zgjedhore që do të funksionojë deri më 31 maj. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhet në ambientet e Prokurorisë së Shkodrës.

1 MUAJ ME PARE

Rama bën parashikimin e zgjedhjeve në Kuç të Vlorës: Marrim deri në 88 mandate!

ZGJEDHJET- Edhe 1 ditë fushatë! Rama: Marrim 78-88 mandate! Berisha
Edi Rama

VLORË- Ashtu siç e kishte paralajmëruar, kryeministri Edi Rama ka bërë parashikimin për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, në Kuç të Vlorës, atje ku nënshkroi të ashtuquajturin memorandum. Në këtë “dokument”, ashtu si 4 vite më parë, Rama bëri parashikimin e tij, duke u shprehur se minimalisht në të gjithë Shqipërinë fiton 78 mandate, ndërsa nuk e përjashton mundësinë për të marrë deri në 88 deputetë. Veçse kësaj herë, në krah nuk kishte Damian Gjiknurin, por Bledi Çuçin dhe kryebashkiakun e Himarës, Vangjel Tavon. 

"Kukësi, Dibra, Shkodra, Lezha, Durrësi, Tirana, Elbasani, Fieri, Korça, Vlora, Berati dhe Gjirokastra. Tani këtu jemi 74, apo jo? 74 nuk lëviz, këto nuk lëvizin më, janë të palëvizshme. Tani, këtu do kemi minimumin. Tani minimumi është 1 në Dibër plus, 1 në Shkodër plus, 1 në Fier plus dhe 1 një në Elbasan plus, ky është minimumi 78, nën 78 nuk bie Partia Socialiste. Ky nuk është as fall, as lotari, është memorandum. Memorandumet janë për historinë. Tani këtu jemi tek minimumi, tani 78 është minimumi, tani kalojmë te çfarë do të marrim plus kësaj, domethënë ça janë të mundshme plus kësaj, është një në Kukës, është e mundshme. Domethënë kjo është 100%, këtu jemi me 50 %, dakord, 50 %. Një në Kukës, kemi një në Shkodër, kemi një tjetër në Dibër të mundshëm, kemi një në Lezhë, kemi një në Durrës, kemi dy në Tiranë, kemi edhe një tjetër në Elbasan, në Korçë nuk lëvizim rrimë të 6, kemi edhe një tjetër në Fier, kemi edhe një në Vlorë, kjo këto janë të mundshme me 50%. Atëherë 78 dhe 88. Në këtë shifër do lëvizë, midis kësaj dhe kësaj. Nuk do jetë as kjo, do jetë diçka këtu midis se diku do marrim, diku do lëmë. Midis 78 dhe 88 lëviz Partia Socialiste këtë herë. Kështu që unë po e firmos këtu memorandumin këtu. Urdhëro. Vazhdoni hidhni firmat ju,”-tha Rama.

Rama është i bindur se në këto zgjedhje, Partia Socialiste do të marrë nga një mandat më shumë në: Dibër, Elbasan, Fier dhe Shkodër, duke i kaluar kështu 74 mandate që grumbulloi më 2021.

ZGJEDHJET- Edhe 1 ditë fushatë! Rama: Marrim 78-88 mandate! Berisha
Edi Rama

Parashikimi i Ramës u shoqërua me një koment edhe nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili ishte në një konferencë për mediat në kohën që Rama publikoi parashikimin e tij.

"Planet e Edi Ramës janë qesharake. Edi Rama është në ditët e fundit në atë zyrë. Shqiptarët të kanë prerë biletën, ty po të pret McGonigal. Mezi po të pret...,"-tha Berisha.

Në zgjedhjet e mbajtura 4 vite më parë, parashikimi i Ramës rezultoi i saktë. Po në këto zgjedhje?/ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Largimi i mjekëve nga Shqipëria/ Kandidati i ‘Euroatlantikëve’ propozon paga dinjitoze dhe fonde të veçanta

ZGJEDHJET- Edhe 1 ditë fushatë! Rama: Marrim 78-88 mandate! Berisha
Gazment Koduzi

TIRANË- Gazment Koduzi, kandidati i Koalicionit Euroatlantik në listën e hapur për deputet të Tiranës, ka folur në lidhje me një nga problematikat në mjekësi, ku bluzat e bardha po largohen jashtë vendit. 

Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë krahasuar me mesataren europiane, dhe për këtë kandidati i Koalicionit Euroatlantik ka propozuar disa pika që do të ndryshojnë rrënjësisht shëndetësinë. Koduzi renditi disa prej arsyeve kryesore që shkaktojnë largimin e bluzave të bardha, si pagat e ulëta, kushtet e këqija të punës dhe represioni politik.

Gazment Koduzi: Largimi i bluzave të bardha është plagë që kullon gjak e sistemit shëndetësor por edhe e shoqërisë. Mjekët largohen për shkak të pagave të ulta, mungesës së karrierës profesionale dhe shkencore, kushte të papërshtatshme pune dhe spitale që drejtohen edhe nga mësues historie apo punonjës social. Koalicioni Euroatlantik ju propozon bluzave të bardha paga dinjitoze të krahasueshme me kolegët e tyre europiane, specializime në qendrat e ekselencës në Bashkimin europian, kushte të përshtatshme pune, fond i vecantë për kërkim shkencor dhe institucione të drejtuara nga profesionistë.

1 MUAJ ME PARE

Sot, afati i fundit i votave të Diasporës, në Greqi shtyhet me një ditë

ZGJEDHJET- Edhe 1 ditë fushatë! Rama: Marrim 78-88 mandate! Berisha
Foto Ilustruese

TIRANË- Sot është afati i fundit i pritjes së votave nga Diaspora. Deri më tani njoftohet se kanë mbërritur 12 375 vota nga diaspora, duke e çuar numrin në mbi 160 mijë numrin e votave që kanë ardhur në vendin tonë. Megjithatë, për Grëqinë është bërë një përjashtim për shkak të problematikavce të hasura. Greqia do të ketë edhe një ditë kohë për të nisur votat e emigrantëve shqiptarë.

Tashmë edhe fushata elektorale është drejt mbylljes, por edhe sot partitë politike do të prezantojnë programet e tyre në qytetet e caktuara. Tirana do të shërbejë si vendi i fundit i fushatës zgjedhore, ku më 9 maj PS, PD, 'Mundësia' dhe 'Lëvizja Bashkë' do të zhvillojnë mitingjet përmbyllëse.

1 MUAJ ME PARE

Tre ditë para zgjedhjeve/ SPAK bën bilancin e krimeve zgjedhore: 123 kallëzime, 35 në hetim

ZGJEDHJET- Edhe 1 ditë fushatë! Rama: Marrim 78-88 mandate! Berisha
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-SPAK ka bërë të ditura të dhënat e fundit në lidhje me krimet zgjedhore. Me anë të një postimi në rrjete sociale Prokuroria e Posaçme njofton se 35 prej kallëzimeve kanë kaluar për hetim, ndërsa 16 janë dërguar për kompetencë në Prokuroritë e rretheve gjyqësore.

Për 22 materiale, Prokuroria vendosi mosfillim hetimesh ndërsa për 11 të tjerë janë dërguar për verifikim në drejtorinë vendore të Policisë. 

Nga këto 35 procedime penale të regjistruara, 20 janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga policia e shtetit, 8 janë nisur kryesisht nga SPAK, 3 kanë nisur si rezultat i kallëzimeve nga persona të ndryshëm, 2 janë referuar nga Prokuroritë e rretheve ndërsa 2 të tjerët janë bazuar në kallëzimet e subjekteve politike. 

Referuar kallëzimeve SPAK ka urdhëruar kontrollenë terren në disa nga qytetet e Shqipërisë. Një ditë më parë edhe Prokuroria e Përgjithshme njoftoi për harkun kohor njëjavor regjistrimin e 44 kallëzimeve penale që kanë të bëjnë me krimet zgjedhore për disa vepra penale që parashikon Kodi Zgjedhor./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Krimet zgjedhore/ BKH zbarkon në Shkodër, 2 në pranga, disa të ndaluar-Në terren edhe Altin Dumani (MESAZHET)

ZGJEDHJET- Edhe 1 ditë fushatë! Rama: Marrim 78-88 mandate! Berisha
Altin Dumani

SHKODËR-BKH dhe Policia e Shkodrës zhvilluan sot kontrolle dhe veprime hetimore në disa zona, Malësi e Madhe, Barbullush, Bushat dhe Mjedë në kuadër të parandalimit të krimeve zgjedhore. Në lidhje me aksionin raportohet se janë arrestuar dy persona, ndërsa ka disa të ndaluar. Dritan Prençi është prokurori i SPAK i caktuar në Shkodër për hetimin e krimeve zgjedhore.

I pranishëm ishte edhe vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili është edhe në krye të Task-Forcës për krimet zgjedhore që do të funksionojë deri më 31 maj. Dumani zhvilloi një takim me kreun e Policisë së qytetit dhe zyrtarë të tjerë në ambientet e Prokurorisë së Shkodrës. 

Kreu i SPAK sipas burimeve ka vënë theksin tek zbulimi i krimeve zgjedhore. Dumani deklaroi se SPAK ka procedime konkrete lidhur me krimet zgjedhore dhe se pritshmëritë janë të mëdha. Ai ka kërkuar që në rastet kur ka akuza apo deklarata publike për shitblerje vote, personat që bëjnë këto akuza të thirren për të bërë kallëzim në Polici dhe Prokurori dhe të mos neglizhohen si raste.

Vizita e papritur e kreut të SPAK në Shkodër ka ngjallur vëmendje, mes dyshimeve për zhvillime të rëndësishme hetimore në këtë qytet. Ndërkohë përmes një postimi në rrjetet sociale SPAK bën me dije se deri më tani kanë nisur hetimet për 35 materiale kallëzuese./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Vota e diasporës/ Sot afati i fundit për tërheqjen e tyre, 62% e zarfeve kanë mbërritur në KQZ!

ZGJEDHJET- Edhe 1 ditë fushatë! Rama: Marrim 78-88 mandate! Berisha
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Deri më 7 maj 2025, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë mbërritur 153,277 zarfe me fletë votimi të dërguara nga votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, duke përfaqësuar 62% të totalit prej 245,935 zarfeve të shpërndara.

Nga totali i zarfeve të dërguara 37% e tyre u dërguan në Itali sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, 27,8% në Greqi, 10,4% në Gjermani, 8.4% në SHBA, 7% në Angli, në Francë u dërguan 2.2% etj.

Nga totali i zarfeve të mbërritura në KQZ, sipas të dhënave 43% e tyre janë nga emigrantët që jetojnë në Itali, 18% nga Greqia, 12% nga Gjermania, 10% nga SHBA, 7% nga Anglia etj.

23% e totalit të zarfeve të ardhura me fletët e votimit pranë KQZ i përkasin qarkut të Tiranës, 13% për Fierin, 12% për Durrësin, 9% Elbasani, 8% Shkodra, Vlora dhe Korça nga 7% secila. Për qarkun e Lezhës dhe Beratit nga 6% secila, Dibra 4%, Gjirokastra 3% dhe 2% Kukësi.

Nga të dhënat rezulton se diferenca më e thellë për zarfet e dërguara kundrejt atyre të mbërritura është në shtetin e Greqisë. Nga 68,3 mijë zarfe me fletë votimi të dërguara në këtë shtet, pranë KQZ kanë mbërritur 27,5 mijë apo 40% e tyre. Ndërsa në Itali nga 91,2 mijë zarfe të dërguara me fletë votimi kanë mbërritur 65,9 mijë apo 72% e tyre.

KQZ ka nisur këtë proces për herë të parë në mënyrë të zgjeruar, me synimin për të përfshirë votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Votuesit kanë marrë me postë zarfin me fletën e votimit dhe udhëzimet përkatëse, të cilat duhet t’i kthejnë pranë institucionit deri në ditën e zgjedhjeve.

Po ashtu sipas të dhënave zyrtare, 92% e zarfeve të dërguara janë marrë nga qytetarët, ndërsa 20,234 votues, ose rreth 8%, ende nuk i kanë marrë materialet e votimit.

Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, tha në një konferencë për media se rreth 11 mijë qytetarë nuk kanë mundur të pajisen me zarfin për shkak të pasaktësive në të dhënat e kontaktit, si adresat e banimit, email-et apo numrat e telefonit. Pjesa tjetër është kontaktuar, por nuk ka reaguar ndaj komunikimit nga shërbimet postare.

Për këta qytetarë, afati për të mundësuar marrjen e zarfeve do të jetë deri më 8 maj, ndërsa zarfat me fletën e votimit duhet të mbërrijnë deri në përfundimin e afatit të votimeve, pra deri ditën e diel ora 19:00, që të konsiderohen të vlefshme./Monitor

Poll

MOS HUMB