LIVE UPDATES

Përfundon numërimi i votave preferenciale/ Disa deputetë kërkojnë pamjet në KQZ, Rama: Jemi një familje!

➤ Ka përfunduar numërimi për votën preferenciale në Qarkun e Tiranës. ➤ Nesër do të numërohen dhe dy kuti të tjera, të Durrësit dhe të Elbasanit. ➤ Nga numërimi i votave, Olta Xhaçka ka mundur të marrë mandatin e deputetit për Partinë Socialiste duke lënë jashtë parlamentit kolegen e saj Blerina Gjylametin. ➤ Ornaldo Rakipi zëvendësoi Xhemal Qefalinë. Në Lezhë, mandatin e tretë për Partinë Socialiste, sipas votave, e ka marrë Admir Kadeli me 27 vota më shumë se Marjeta Neli. ➤ Teksa kërkojnë një vend për në Kuvend, disa kandidatë për deputetë i janë drejtuar zyrtarisht Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi që t'u vihen në pamjet filmike të numërimit të votave në Tiranë. ➤ Për këtë çështje ka pasur edhe një ndërhyrje nga kryeministri Edi Rama.

8 artikuj për këtë temë.
1 MUAJ ME PARE

Kandidatët e PS ankimuan në KQZ rezultatet, Rama: Mos i hyni asaj rruge!

Përfundon numërimi i votave preferenciale/ Disa deputetë
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një mesazh kandidatëve të Partisë Socialiste që kanë ankimuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rezultatet e 11 majit. Në mesazhin e tij, Rama shprehet që kandidatët të mos vijojnë me ankimimet, duke shtuar se të gjithë bashkë janë një skuadër. Sipas tij, ka zero shanse që votat preferenciale të jenë devijuar.

''Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale! Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge. Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim. Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh. E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi,"-shkruan Rama në mesazhin e tij.

Një subjekt politik dhe 11 kandidatë kanë kërkuar pamjet filmike në KQZ me pretendimin se iu vodhën votat. Mes tyre përmendim kandidatin e Partisë Demokratike në Tiranë Ilir Alimehmeti, i cili humbi përballë Jorida Tabakut. Edhe kandidatja e PS, Blerina Gjylameti, e cila është në garë të ngushtë me Olta Xhaçkën, që kryeson me 69 vota deri tani, ka bërë kërkesë në KQZ./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

KQZ urdhëron numërimin të dy kutive me vota të panumëruara në Durrës dhe Elbasan

Përfundon numërimi i votave preferenciale/ Disa deputetë
Foto ilustruese

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka marrë vendim në lidhje me procesin zgjedhor, duke urdhëruar numërimin fillestar të dy kutive të votimit që deri më tani kishin mbetur të panumëruara. Bëhet fjalë për një kuti në qarkun e Durrësit dhe një kuti në qarkun e Elbasanit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) urdhëron numërimin fillestar të votave të panumëruara për qendrat e votimit nr. 1352/01, KZAZ nr. 21, qarku Durrës dhe nr. 2777/00, KZAZ nr. 54, qarku Elbasan. Procesi i numërimit do të kryhet më datë 20.05.2025, ora 12:00, në ambientet e KQZ-së. Rezultatet e këtyre qendrave të votimit do të përfshihen në Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore përkatëse,”-bëri me dije KQZ.

Dy kutitë, janë marrë të rregullta në KQZ dhe më pas janë konsideruar nga KZAZ si të parregullta. Tashmë, procesi i numërimit do të kryhet më datë 20, ora 12:00, në ambientet e KQZ-së./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

I "rrëmbeu" mandatin e deputetes, Olta Xhaçka përqafon e puth Gjylametin

Përfundon numërimi i votave preferenciale/ Disa deputetë
Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylameti

TIRANË- Procesi i përfundimit të numërimit të votave të Diasporës është mbyllur me një përqafim. Pas mbylljes së protesit për votat e Tiranës, përfundimisht Olta Xhaçka është në Kuvend, në vend të Blerina Gjylametit; ndërsa Orlando Rakipi do të futet në sallë në vend të Xhemal Qefalisë.

Por edhe pse gara ishte e fortë, Xhaçka ka shkuar dhe i ka dhuruar një përqafim koleges së saj. Më pas, siç duket nga videoja e siguruara nga "News 24", të dyja kanë dalë nga salla e numërimit të përqafuara.

MOMENTI ME VIDEO:


Mesa duket edhe pse rezultati nuk ka qenë i mirë për njerën prej tyre, mes socialisteve nuk ka hatërmbetje./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

11 kandidatë kërkojnë pamjet nga KQZ, mes tyre Alimehmeti e Gjylameti

Përfundon numërimi i votave preferenciale/ Disa deputetë
Ilir Alimehmeti dhe Blerina Gjylameti

TIRANË- Një subjekt politik dhe 11 kandidatë kanë kërkuar pamjet filmike në KQZ me pretendimin se iu vodhën votat. Mes tyre përmendim kandidatin e Partisë Demokratike në Tiranë Ilir Alimehmeti, i cili humbi përballë Jorida Tabakut. Edhe kandidatja e PS, Blerina Gjylameti, e cila është në garë të ngushtë me Olta Xhaçkën, që kryeson me 69 vota deri tani, ka bërë kërkesë në KQZ.

Kandidati i Koalicionit Euroatlantik Rajmond Dervishi në Tiranë, Etilda Gjonaj e PS në Tiranë, Altin Goxhaj i PD në Tiranë, Aulon Kalaja i PD në Durrës, të cilin e mundi Arjan Ndoja si edhe Frrok Gjini i PS në Shkodër kanë kërkuar gjithashtu pamjet filmike./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Diaspora! Celibashi: Janë 50 mijë fletë për t’u numëruar, 2 mijë të pavlefshme, 353 vota nuk erdhën nga DHL

Përfundon numërimi i votave preferenciale/ Disa deputetë
Ilirjan Celibashi

TIRANË-Kryekomisioneri i KQZ Ilirjan Celibashi ka dalë këtë të hënë në një deklaratë për mediat, në lidhje me vijimësinë e procesit të numërimit të fletëve të votimit për diasporën. Celibashi tha se nga diaspora kanë mbërritur 201795 fletë votimi, nga të cilat 1971 kanë qenë të pavlefshme.

Sa i përket mbërritjes së zarfeve nga diaspora, kreu i KQZ ka njoftuar se 353 zarfe të DHL, por nuk kanë ardhur përmes rrugës normale, por kanë ardhur përmes një shërbimi postar tjetër, përfshirë edhe postën shqiptare.

Ilirjan Celibashi: 201795 është numri i fletëve të votimit të vlerësuara, prej të cilave 199 824 janë fletë votimi të vlefshme. 1971 janë të pavlefshme. Për ta kuptuar më qartë janë 201 795 votues nga jashtë. Pra po të vëreni dhe ta konstatoni pasi të mbarojmë bashkëbisedim nga numri total i zarfeve postarë të mbërritur në KQZ, janë 110, janë shqyrtuar 95 apo 98, ka kuptim logjik. Nga kjo e tërë e shqyrtuar kanë rezultuar numër pak më i vogël fletësh votimi që iu janë nënshtruar procesit...dhe tani po vazhdon vlerësimi i fletëve të votimit për kandidatët. Këto fletë votimi janë duke u rivlerësuar vetëm për kandidatët. Janë përjashtuar fletët e votimit që ka vota vetëm për partitë politike, dhe po vlerësohen vetëm ata që kanë pasur votë për kandidatët. Janë 107 zarfe nga 353 që KQZ i ka marrë në shqyrtim dhe i ka vlerësuar. Të 353 zarfet e mbërritur janë zarfe të DHL, por nuk kanë ardhur përmes rrugës normale, por kanë ardhur përmes një shërbimi postar tjetër, përfshirë edhe postën shqiptare. 6 zgjedhës e kanë dorëzuar personalisht. Kurse 347 kanë ardhur me postë tjetër. Ne i kemi ofruar zgjedhësit që dërgimi i zarfit të bëhet përmes një operatorit të përzgjedhur nga ne që nuk kishte kosto.

1 MUAJ ME PARE

Gara për Tiranën! Xhaçka diferencë të ngushtë me Gjylametin, Rakipi lë pas Qefalinë, Tabaku kryeson nga PD

Përfundon numërimi i votave preferenciale/ Disa deputetë
Kandidatët në listën e hapur

TIRANË-Vijon ende numërimi i votave preferenciale për qarkun e Tiranës, ku deri tani janë numëruar 27697 zarfe me votën e diasporës, nga 43157 në total. 

Në kampin socialist, Olta Xhaçka kryeson me një diferencë të ngushtë ndaj Blerina Gjylametit me 69 vota, duke siguruar një vend në Parlamentin e ri. Xhaçka ka siguruar 6.039 vota, ndërsa Gjylameti 5.970 vota. 

Po brenda PS-së, Orlando Rakipi ka një epërsi prej 447 votash ndaj Xhemal Qefalisë. Një tjetër emër që ka siguruar mandat nga lista e hapur është ministrja Anila Denaj, e cila u zgjodh përmes kuotës gjinore.

Nga Partia Demokratike, Jorida Tabaku kryeson nga lista e hapur me 20.058 vota. Ajo lë pas Ilir Alimehmetin, me 17.736 vota.

Në Kukës, kandidati demokrat ka rimarrë Isuf Çelaj mandatin e deputetit falë votave të diasporës. Po ashtu, edhe kandidati socialist Eduard Shalsi ka marrë një mandat, duke shkuar kështu në Kuvend. Sa i përket Vlorës, Partia Socialiste ka siguruar mandatin e 9-të në këtë qytet.

Deputetët që do të shkojnë në Parlament janë: Bledi Çuçi, Zamira Sinaj, Erjona Ismaili, Pirro Vëngu, ndërsa nga lista e hapur Damian Gjiknuri, kandidati më i votuar, Vullnet Sinaj, Ardit Bido, Brunilda Mersini dhe i nënti në listë Vasil Llajo.
Në Elbasan, PS ka ruajtur 10 mandatet, ku nga votat e diasporës ka siguruar 93,384 vota në total në këtë qark, nga ana tjetër  PD ka 42,314 vota.

Në qarkun e Fierit, socialistët Dhimitër Kruti dhe Ramion Kurti ndodhen në një garë të ngushtë, me vetëm 117 vota diferencë mes tyre. Ndërkohë në Korçë, Besa Spaho përpiqet të ruajë mandatin nga kolegia e saj socialiste Eslemvera Zake, duke udhëhequr me 566 vota.

Po ashtu ka përfunduar edhe numërimi për qarkun e Beratit, ku Partia Socialiste ka konfirmuar mandatin e 5, ndërsa Partia Demokratike ka mbetur me 2 mandate./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Krimet zgjedhore-SPAK e BKH hetime në Elbasan

Përfundon numërimi i votave preferenciale/ Disa deputetë
foto ilustruese

ELBASAN-Pas zgjedhjeve të 11 majit, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit po vijojnë punën intensive në terren, duke hetuar krimet e mundshme zgjedhore të ndodhura në Qarkun e Elbasanit.

Hetimet janë përqendruar si në fazën parazgjedhore, ashtu edhe në ditën e votimit. SPAK dhe BKH po mbledhin prova, dëshmi dhe materiale që mund të dokumentojnë raste të tilla si blerje vote, kërcënime ndaj votuesve, shfrytëzim i paligjshëm i administratës publike nga ana e disa kryebashkiakëve për qëllime elektorale apo përfshirje të disa bizneseve të mëdha si edhe të grupeve të strukturuara kriminale në procesin zgjedhor.

Aksionet e SPAK janë shtrirë në disa qytete të vendit, ku agjentët kanë zbarkuar disa herë në Elbasan, Peqin, Librazhd, Malësi e Kavajë dhe disa zona të tjera. SPAK dhe BKH po mbledhin prova, dëshmi dhe materiale që mund të dokumentojnë raste të tilla si blerje vote, kërcënime ndaj votuesve, shfrytëzim i paligjshëm i administratës publike nga ana e disa kryebashkiakëve për qëllime elektorale apo përfshirje të disa bizneseve të mëdha si edhe të grupeve të strukturuara kriminale në procesin zgjedhor.

1 MUAJ ME PARE

Më shumë vota të numëruara se sa në total/ Kreu i KQZ: Dërgesat nuk janë bërë në mënyrën e duhur

Përfundon numërimi i votave preferenciale/ Disa deputetë
Ilirjan Celibashi

TIRANË-Shifra kontradiktore janë raportuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, sa i përket votës së diasporës, ku numri i votave të numëruara për çdo Qark ka rezultuar më i lartë, se sa numri i zarfeve të raportuara nga KQZ që kanë ardhur në Shqipëri. Në një prononcim për Euronews Albania, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se të dyja shifrat janë të sakta, por sipas tij shifra më e ulët tregon shifrën e zarfave të skanuar, ku mungon zarfi B. Sipas tij, fajet i kanë emigrantët që nuk i kanë bërë dërgesat siç duhet.

“Numrat që janë aty janë shifra të vërteta, por pasqyrojnë të dhëna që nuk janë në kontradiktë me njëra tjetrën. Numri i fletëve të votimit të vlerësuara, me shifrën që rezulton si më e ulët në faqen e internetit të KQZ, kjo e fundit ka të bëjë me ato zarfa që janë të administruar në sistemin elektronik të KQZ në mënyrë automatike. Por ka jo pak dërgesa të votuesve shqiptarë në KQZ që nuk janë bërë në mënyrën e duhur. E kanë dërguar fletën e votimit të futur në zarfin A dhe jo në zarfin B, por si votë ka mbërritur në KQZ”, – tha Celibashi.

Ndërkohë ka përfunduar numërimi i votave të diasporës sa i përket subjekteve politike për të 12 Qarqet e vendit. Partia Socialiste arriti të fitojë 83 mandate, ndërsa Partia Demokratike vetëm 50 mandate. Deputetë do të futen në Kuvend edhe nga partitë e vogla dhe të reja, ku 3 mandate u fituan nga Partia Social-Demokrate e Tom Doshit, 2 mandate nga Partia Mundësia e Agron Shehajt, dhe nga një mandat secila “Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt dhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit./ZËRI

Poll

MOS HUMB