LIVE UPDATES

Orët e fundit para zgjedhjeve! Trump dhe Harris bëjnë thirrjet finale për votuesit

➤ Fushata ka hyrë në orët e saj të fundit! Nesër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës zgjedhin presidentin e ri të vendit. ➤ Gara zhvillohet mes demokrates Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump. ➤ Gara është ende "kokë më kokë". Sondazhet tregojnë se Kamala Harris ka shënuar një rritje të vogël prej 0.8 pikë përqindjeje. ➤Kjo pason sondazhin tronditës të Iowa-s që i dha asaj një epërsi në një shtet që Trump e ka fituar rehat në dy zgjedhjet e mëparshme. ➤ Zgjedhjet e nesërme janë parashikuar si gara "më e ngushtë" ndonjëherë që nga viti 2000. ➤Kandidatja demokratë për presidente Kamala Harris ka dërguar një letër komunitetit Shqiptaro-Amerikan në prag të zgjedhjeve. Ajo vlerësoi rolin e tyre në zhvillimin ekonomik dhe angazhimin social në qytetet dhe komunitetet në të gjithë vendin. ➤Amerika po përballet me të njëjtën histori për herë të dytë në tetë vjet. Kandidatura e Kamala Harris ose do të shkruajë një kapitull të ri ose do të konfirmojë se amerikanët vështirë se do të zgjedhin një grua për t'u ulur në karrigen e Zyrës Ovale.

6 artikuj për këtë temë.
7 MUAJ ME PARE

Si do të zhvillohet procesi zgjedhor në SHBA (E PLOTË)

Orët e fundit para zgjedhjeve! Trump dhe Harris bëjnë thirrjet
Kamala Harris dhe Donald Trump

UASHINGTON- Procesi zgjedhor në SHBA funksionon ndryshe nga çdo shtet tjetër. Për disa analistë ai mund të quhet një proces i vështirë, por për disa duket i thjeshtë. Në këtë artikull shpjegohet sesi zhvillohen zgjedhjet në Amerikë. Presidenti i ardhshëm do të ketë në dorë fatin e vendit, dhe jo vetëm.

Si zhvillohen zgjedhjet në Amerikë?

Zgjedhjet në amerikë zhvillohen çdo 4 vite dhe presidentëve i lejohet të qeverisin vetëm 8 vite nëse ata rizgjidhen sërish. Këto zgjedhje të përgjithshme, që prej vitit 1845, zhvillohen të martën e parë të muajit Nëntor. Këtë vit i bie data 5 Nëntor. Çdo shtet është përgjegjës për zgjedhjet që mbahen, kjo do të thotë se mënyrat e votimit mund të ndryshojnë në çdo vend të Amerikës. Votimet e para mbyllen në Ditën e Zgjedhjeve në orën 18:00 sipas Zonës Kohore Lindore në Indidiana dhe Kentucky, ndërsa në vende të tjera si Alaska të mërkurën në orën 01:00 të mëngjesit. Pjesa tjetër e shteteve i mbyllin votimet mes këtyre dy orareve. Por shumë amerikanë votojnë më herët, personalisht ose me postë.

Pse dita e zgjedhjeve zgjat më shumë se një ditë?

Çdo shtet ka rregullat e veta për zgjedhjet dhe këto mund të jenë të ndryshme nga shtetet e tjera. Për shembull: Ëashington, Utah dhe Oregon, votojnë pothuajse me postë, një proces që shtrihet përgjatë disa javëve. Çdo shtet ka disa forma të votimit të hershëm, një proces që hapet për personat që nuk mund të votojnë ditën e zgjedhjeve. Kjo bëhet që të marrin pjesë sa më shumë njerëz në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

Kandidatët për këtë vit?

Për Demokratët kandidate është zëvendës presidentja Kamala Harris. Ajo ka zgjedhur si zëvendës së saj, guvernatorin e Minnesota-s, Tim Walz. Për Republikanët, kandidat është Donald Trump, i cili garon bashkë me senatorin JD Vance të Ohio-s si zëvendës të tij. Por në garë ka edhe kandidatë të tjerë dhe opsionet variojnë nga shteti në shtet.

Kandidati i Partisë Liberale, Chase Oliver është pothuajse në çdo shtet, njësoj si kandidatja e Partisë Jeshile, Jill Stein. Edhe ish-Demokrati, Robert F. Kennedy Jr është pothuajse në çdo fletëvotimi. Por pavarësisht se ka kandiduar si i pavarur ai ka shprehur mbështetje për Trump. Me pak fjalë, pjesa më e madhe e amerikanëve do të votojnë ose për Harris, ose për Trump.

Kur do e mësojmë fituesin?

Kjo mund të zgjasë pak. CNN arriti ta projektonte fituesin në zgjedhjet e vitit 2020 vetëm pas 4 ditësh nga Dita e Zgjedhjeve. Shumë shtete patën rezultate shumë të ngushta atë vit.

Në vitin 2016, Hillary Clinton e pranoi humbjen një ditë pas zgjedhjeve edhe pse numërimi vazhdonte në shumë shtete. Nuk është rast i njëjtë me Trump. Nëse në shtetet kyçe do të jetë rezultat i ngushtë mund të duhen ditë për të përcaktuar një fitues. Lajmi i mirë është që disa shtete kanë bërë ndryshime që prej zgjedhjeve të 2020-ës për ta pasur më të lehtë për zyrtarët elektoralë që të kenë një avantazh në numërimin e votave me postë, të cilat kërkojnë kohë më të gjatë për t’u numëruar.

Në vitin 2000, një prej zgjedhjeve me rezultatin më të ngushtë në historinë e SHBA-së, u deshën 36 ditë që të shpallej fituesi. Asokohe Gjykata Supreme përfundoi rinumërimin në Florida. Në ato zgjedhje gjërat u komplikuan për shkak të problematikave në fletëvotime në disa qarqe të Florida-s. Por këtë vit nuk parashikohet diçka e tillë. Madje puna mund të shkojë deri në atë pikë saqë rrjetet televizive si CNN mund ta projektojnë fituesin natën e zgjedhjeve. Por kjo mbetet për t’u parë.

Si zgjidhet Presidenti në SHBA?

Më shumë se 150 milionë banorë pritet të marrin pjesë në votime. Por janë 538 zgjedhësit, ata që vendosin presidentin në një proces që zgjat nga Dhjetori deri në Janar. Kur qytetarët hedhin votat, ata në fakt vendosin për një listë zgjedhësish që lidhen me kandidatin që fiton votat popullore në çdo shtet. Këta zgjedhës më pas hedhin votat për presidentin dhe zëvendës presidentin në kryeqytetin e çdo shteti më 17 Dhjetor. Ky proces njihet si Kolegji Zgjedhor dhe është i përcaktuar në Kushtetutë.

Këto vota elektorale numërohen më pas në dhomën e Përfaqësuesve më 6 Janar 2025. Presidenti i ri e merr detyrën më pas më 20 Janar 2025.

Si ndahen votat elektorale?

Numri lidhet me madhësinë e delegacionit kongresor shtetëror, me një votë për secilin senator dhe anëtar të Kongresit. Shtetet më të vogla, si Alaska, Delaware, dy Dakotat, Vermont-i dhe Wyoming, marrin secila nga tre vota. Me çdo anëtar shtesë në Kongres, një shtet merr nga 1 zgjedhës më shumë. Shtetet më të populluara janë Kalifornia (54 vota zgjedhore), Teksas (40 vota zgjedhore) dhe Florida (30 vota zgjedhore).

Këto numra mund të ndryshojnë çdo 10 vjet pasi Kushtetuta kërkon një census të popullsisë dhe më pas numri i vendeve në kongres ndahet në mënyrë proporcionale. Censusi më i fundit u realizua në 2020 dhe për këtë arsye edhe numri i votave zgjedhore ka ndryshuar. Votuesit në Ëashington DC marrin po ashtu tre vota zgjedhore falë një neni në Kushtetutë, por ata nuk kanë të drejtë përfaqësimi në Dhomën e Përfaqësuesve apo Senat.

Sa vota duhen për të fituar Shtëpinë e Bardhë?

Në total janë 538 zgjedhës. Kjo shifër është e njëjtë me 100 senatorët dhe 435 anëtarët e Kongresit, plus 3 votat për Ëashington D.C. Shumica e votave që duhen marrë për t’u shpallur fitues është 270. 

Çfarë ndodh nëse ka barazim?

538 është numër çift çfarë do të thotë se edhe një barazim është i mundshëm. Ka ndodhur vetëm një herë në të shkuarën, në 1800, por atëherë rregullat ishin ndryshe. Nëse asnjë kandidat nuk arrin 270 votat e nevojshme atëherë Presidentin e zgjedh Kongresi, ndërsa Senati zgjedh zëvendës presidentin. Secila prej 50 shteteve do të ketë nga një votë. Republikanët kanë aktualisht më shumë vende në Kongres. Parashikohet që edhe në zgjedhjet e Nëntorit, Republikanët të mbajnë këto kuota. Me pak fjalë, një barazim do të sillte fitoren e Trump.

Si zgjidhen anëtarët e Kongresit?

Çdo dy vjet 435 anëtarët e Kongresit luftojnë për karrigen e tyre. Dihet se ku i kanë bastionet e sigurta Republikanët dhe Demokratët, por gjithmonë ka një mundësi që shumica të ndryshojë duar. Demokratët favorizohen në 208 gara, ndërsa republikanët në 212 prej tyre. Këto zgjedhje nuk pritet që ndonjë prej dy partive kryesore të ketë shumicë shumë të madhe. Ndryshimet në balancën e pushtetit kanë ndodhur shumë më shpesh zgjedhjet e fundit.

Në këto zgjedhje ka mundësi që Demokratët të fitojnë shumicën e tyre të vogël për Kongresin e ardhshëm edhe nëse humbin Shtëpinë e Bardhë apo kontrollin e Senatit. Është shumë e rëndësishme për secilën palë që të kontrollojë Kongresin. Presidentët kanë nevojë për kontroll për të miratuar prioritetet e tyre. Partia opozitare dëshiron kontrollin që të bllokojë prioritetet e kreut të shtetit.

Po Senati si funksionon?

Ndryshon pak puna te Senati. Vetëm 1 e 3 e vendeve të Senatit janë në garë çdo dy vite. Demokratët janë në mbrojtje në këtë aspekt pasi po përpiqen të mbajnë shumicën e tyre të lehtë aty. Pavarësisht se kush ka kontrollin e Senatit, asnjëra palë nuk pritet të ketë “supershumicë”. /ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Zgjedhjet në SHBA 2024, a është Amerika gati për një presidente femër?

Orët e fundit para zgjedhjeve! Trump dhe Harris bëjnë thirrjet
Kamala Harris

UASHINGTON- Amerika po përballet me të njëjtën histori për herë të dytë në tetë vjet. Kandidatura e Kamala Harris ose do të shkruajë një kapitull të ri ose do të konfirmojë se amerikanët vështirë se do të zgjedhin një grua për t'u ulur në karrigen e Zyrës Ovale. Është një takim me Historinë që, megjithatë, duket se ka ndarë vendin. Nëse duhen besuar sondazhet, kjo garë zgjedhore po formohet si një "luftë e gjinive", me një shumicë burrash që mbështesin Trumpin dhe shumicën e grave në anën e Harris.

Vetëm një dite para zgjedhjeve, zëvendës presidentja e SHBA po sheh rënie në sondazhet e saj fillestare. Tani të gjitha sondazhet japin tablonë e një thriller elektoral në të shtatë shtetet që do të vendosin rezultatin. Kjo ngre pyetjen nëse seksizmi dhe paragjykimi në një garë kaq të ngushtë mund ta kthejnë peshoren në favor të Donald Trump.

Arsyeja që lind kjo pyetje është se Shtetet e Bashkuara kanë qenë historikisht në ballë të të drejtave të grave. Megjithatë, ata mbeten një nga vendet e pakta perëndimore që ende nuk kanë zgjedhur një grua në nivelin më të lartë të udhëheqjes së tyre. Në mënyrë tipike, të paktën, sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve janë të hapur ndaj kësaj mundësie.

Në janar, Gallup zbuloi se 93% e amerikanëve do të votonin për një grua nëse ajo konsiderohej serioze dhe vinte nga partia e tyre. Kjo përqindje ishte 78% më lartë që nga vitet 1980.

"Ka dy standarde"

Megjithatë, analistët politikë flasin për një realitet më kompleks. Arsyetimi i tyre bazohet në faktin se gratë si kandidate duket se përballen me shumë pengesa shtesë që i vendosin ato në disavantazh.

Analisti grek politik, Nomiki Konst beson se ka vërtet standarde të dyfishta për gratë që hyjnë në politikë. Ky fakt i veçantë argumenton se reflektohet edhe në mënyrën se si media i pasqyron kandidaturat e tyre.

Duke folur për Vima, ai tha se mediat po e ngrenë shumë lart nivelin e kritikave ndaj Harris. Në të njëjtën kohë, ne jemi të njohur me çmendurinë e Trump, saqë kemi mësuar ta racionalizojmë atë. Për shembull, një artikull u botua në "The Daily Beast" për stilin e keq (të veshjes) të Harris. Nëse ky nuk është seksizëm, atëherë nuk e di se çfarë është.

Nga ana tjetër, është e vështirë të mos njohësh progresin që është bërë në lëvizjen e grave. Vetëm në katër vitet e fundit, Amerika e ka parë lëvizjen #MeToo të shoqëruar nga një numër historikisht i lartë i grave të zgjedhura në Kongres në zgjedhjet afatmesme të vitit 2022.

Fushata seksiste e Donald Trump…

“Fushata e Trump është tepër poshtëruese ndaj grave, jo vetëm në aspektin e pozicioneve politike, por edhe në retorikë”, tha Konst. Si shembull ai paraqet pika zgjedhore që janë të mbushura me nënkuptime seksiste

Nga ana tjetër, Alexandra Veletsis, e cila ka punuar në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së Trump, nuk pajtohet me këtë mendim. Duke folur për “Vima”, ajo tha se gjatë administrimit të ish-presidentit, roli i gruas u forcua veçanërisht.

“Ne kishim njerëz si Brooke Rollins, Mercedes Slap, Hope Hicks, Ivanka Trump. Të gjitha ishin nëna që punonin dhe kishin gjithsej rreth 20 fëmijë. Shikoni ekipin e Joe Biden dhe do të kuptoni se ai po i kufizon gratë në fushën e komunikimit. Ne kishim gra analiste si Kellyanne Conëay dhe Brooke Rollins në bordin e politikës së brendshme”.

Edhe pse sondazhet tregojnë një rezultat margjinal, Konst shfaqet optimist për fitoren e Harris për shkak të mbështetjes dërrmuese që ajo merr nga gratë. “Gratë do të vendosin për këto zgjedhje”, vlerësoi ai, duke shpjeguar se mbështetja e grave për Harris i kapërcen grupmoshat dhe grupet demografike. Në vend të kësaj, ai sheh një boshllëk mes burrave, me ata nën 40 vjeç që mbështesin Trumpin dhe ata mbi 50 vjeç që përkrahin demokratët për herë të parë që nga viti 2000.

“Gratë votojnë më shumë se meshkujt. Kështu që Kamala ka pikërisht votuesit që i duhen, sepse me gratë mund të jesh shumë më i sigurt se ato do të shfaqen në kutinë e votimit”, shpjegon Konst.

Veletsis nuk e kundërshton vlerën e votës së grave dhe sigurisht që do të ishte e kënaqur nëse Amerika më në fund do të kishte një presidente femër. Megjithatë, për dështimin e Hillary Clinton dhe vështirësitë me të cilat po përballet, Harris nuk fajëson seksizmin. Në vend të kësaj, ajo beson se në të dyja rastet Partia Demokratike nuk zgjodhi kandidaten e duhur femër presidenciale.

“Gratë kujdesen për gjithçka. Ata janë përgjegjës për kujdesin shëndetësor të familjeve të tyre. Ata ndoshta firmosin çeqet për faturat e muajit. Janë ata që bëjnë pazarin. Ata kanë shumë në mendje kur shkojnë të votojnë dhe gjinia e kandidatit është ndoshta shqetësimi më i vogël i tyre”.

Seksizmi: fantazmë apo ekziston?

Harris po kërkon një fitore historike të martën, por pyetja është nëse segmenti i vogël, por i dallueshëm, seksist i elektoratit do të mjaftojë për të bllokuar rrugën e saj. Anketuesit pranojnë se është pothuajse e pamundur të llogaritet ndikimi i vërtetë në rezultat. Për disa, atëherë, seksizmi do të mbetet një spektër, ndërsa për të tjerët një gjë që ekziston dhe mund të fajësohet për dështimin e kandidatëve femra.

Megjithatë, e sigurt është se këto zgjedhje janë më të polarizuarat në historinë e kohëve të fundit dhe bazuar në gjininë e votuesve, janë më të polarizuara se në vitin 2016, kur Clinton ishte kandidate. Arsyet janë seksizmi i hapur i Trump, i cili ka ngjallur reagime, aftësia e Harris për të thyer stereotipet, perceptimet e rrënjosura thellë për gratë në pushtet dhe ndalimi i Gjykatës së Lartë për abortin. /ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Kamala Harris letër shqiptarëve: Shembull për të gjithë amerikanët

Orët e fundit para zgjedhjeve! Trump dhe Harris bëjnë thirrjet
Kamala Harris

UASHINGTON- Kandidatja demokratë për presidente Kamala Harris ka dërguar një letër komunitetit Shqiptaro-Amerikan në prag të zgjedhjeve. Zëvendës presidentja amerikane shkruan se lidhjet e veçanta mes amerikanëve dhe shqiptarëve datojnë prej më shumë se një shekulli që nga Konferenca e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore. Harris ka shprehur mirënjohje për kontributin e paçmueshëm që ky komunitet ka dhënë ndër vite në zhvillimin dhe forcimin e SHBA-së. Ajo vlerësoi rolin e tyre në zhvillimin ekonomik dhe angazhimin social në qytetet dhe komunitetet në të gjithë vendin.

Harris e cilësoi shqipërinë si një aleate të palëkundur të NATO-s dhe promovuese të stabilitetit në rajon. Kanidatja demokrate vuri në vëmendje edhe kontributin e vendit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pas pushtimit rus të Ukrainës.

“Për më shumë se një shekull, duke filluar që nga Konferenca e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore, amerikanët dhe shqiptarët kanë ndarë një lidhje të veçantë. Deri në ditët e sotme, shqiptaro-amerikanët kujtojnë që ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që dolën në mbrojtje të pavarësisë së Shqipërisë në atë moment vendimtar. Dua të ritheksoj partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleate e palëkundur e NATO-s, dhe unë jam mirënjohës ndaj Shqipërisë për promovimin e stabilitetit në rajon, si dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë muajve pas pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia. Nga pronarë të bizneseve të vogla tek profesionistë në mjekësi, drejtësi dhe shërbim publik, shqiptaro-amerikanët kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e ekonomive lokale dhe forcimin e strukturës sociale të qyteteve dhe fshatrave të panumërta në të gjithë vendin”, shkruan Harris.

Orët e fundit para zgjedhjeve! Trump dhe Harris bëjnë thirrjet
Letra

Harris ka premtuar mbështetje për komunitetin Shqiptaro-Amerikan brenda SHBA-së, për të siguruar mundësi të barabarta. Ajo gjithashtu përmendi dhe përkushtimin e SHBA-së në mbështetjen ndaj Kosovës shumë etnike, të integruar plotësisht në komunitetin ndërkombëtar. /ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Analiza e BBC: Çfarë do të bënin Harris dhe Trump në pushtet?

Orët e fundit para zgjedhjeve! Trump dhe Harris bëjnë thirrjet
Kamala Harris dhe Donald Trump

SHBA- Votuesit amerikanë do të zgjedhin nesër presidentin e tyre të ri mes dy kandidaturave,  zëvendëspresidentes demokrate Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump. Ja një vështrim i BBC se çfarë përfaqësojnë ata dhe si krahasohen politikat e tyre për çështje të ndryshme.

Inflacioni

Harris ka thënë se prioriteti i saj do të ishte përpjekja për të reduktuar kostot e ushqimit dhe strehimit për familjet që punojnë. Ajo premton të ndalojë rritjen e çmimeve për ushqimet, se do të ndihmojë blerësit e shtëpive dhe se do të rrisë pagën minimale. Inflacioni u rrit nën presidencën e Biden, siç ndodhi në shumë vende perëndimore, pjesërisht për shkak të çështjeve të furnizimit pas COVID-19 dhe luftës në Ukrainë. Që atëherë ka rënë.

Trump ka premtuar t'i japë fund inflacionit dhe ta bëjë Amerikën përsëri "të përballueshme". Ai ka premtuar të japë norma më të ulëta interesi, diçka që presidenti nuk e kontrollon, dhe ai thotë se deportimi i emigrantëve pa dokumente do të lehtësojë presionin mbi strehimin. Ekonomistët paralajmërojnë se zotimi i tij për të vendosur taksa më të larta mbi importet mund të rrisë çmimet.

Taksat

Harris dëshiron të rrisë taksat për bizneset e mëdha dhe amerikanët që fitojnë 400,000 dollarë (305,000 £) në vit. Por ajo ka zbuluar gjithashtu një sërë masash që do të lehtësonin barrën tatimore për familjet. Ajo është shkëputur me Bidenin lidhur me taksën e fitimeve kapitale, duke mbështetur një rritje më të moderuar nga 23.6% në 28% krahasuar me 44.6% të presidentit aktual.

Trump propozon një numër shkurtimesh taksash me vlerë triliona. Analistët thonë se të dy planet tatimore do të shtojnë deficitin në rritje, por ai i Trump-it do ta rrisë më shumë.

Aborti

Harris i ka bërë të drejtat e abortit kryefjalë të fushatës së saj dhe ajo vazhdon të mbrojë legjislacionin që do të garantonte të drejtat riprodhuese në mbarë vendin.

Trump ka luftuar për të gjetur një mesazh të qëndrueshëm për abortin. Tre gjyqtarët që ai emëroi në Gjykatën e Lartë kur ishte president ishin vendimtare në përmbysjen e së drejtës kushtetuese për abort, një vendim i vitit 1973 i njohur më gjerësisht si ligji "Roe v Wade".

Emigracioni

Harris kishte për detyrë të trajtonte shkaqet rrënjësore të krizës kufitare dhe ndihmoi në mbledhjen e miliarda dollarëve të parave për të bërë investime rajonale që synonin frenimin e rrjedhës së emigrantëve.

Trump është zotuar të mbyllë kufirin duke përfunduar ndërtimin e një muri dhe duke rritur zbatimin e ligjit.  Ai ka premtuar gjithashtu deportimin më të madh masiv të emigrantëve pa dokumente. Ekspertët i thanë BBC-së se kjo nismë mund të shkaktojë shumë sfida ligjore. 

Politika e jashtme

Harris është zotuar të mbështesë Ukrainën "për aq kohë sa duhet". Ajo është zotuar, nëse zgjidhet, të sigurojë se do të jetë SHBA-ja dhe jo Kina, lider në botë. Ajo ka qenë një avokate për një kohë të gjatë për një zgjidhje me dy shtete midis izraelitëve dhe palestinezëve dhe ka bërë thirrje për t'i dhënë fund luftës në Gaza.

Trump ka një politikë të jashtme izoluese dhe dëshiron që SHBA të shkëputet nga konfliktet në botë. Ai ka thënë se do t'i jepte fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve. Po ashtu, Trump e ka pozicionuar veten si një mbështetës i vendosur i Izraelit, por gjatë fushatës tha pak se si do t'i jepte fund luftës në Gaza.

Tregtia

Harris ka kritikuar planin gjithëpërfshirës të Trump për të vendosur tarifa mbi importet, duke e quajtur atë një taksë kombëtare për familjet që punojnë, e cila do t'i kushtojë çdo familjeje 4,000 dollarë në vit. 

Trump i ka bërë tarifat një premtim qendror të fushatës për të mbrojtur industrinë amerikane. Ai ka propozuar tarifa të reja 10-20% për shumicën e mallrave të huaja të importuara dhe shumë më të larta për ato nga Kina. Ai ka premtuar gjithashtu se do të shtyjë kompanitë që të qëndrojnë në SHBA për të prodhuar mallra, duke u dhënë atyre një normë më të ulët të taksës për korporata. 

Klima

Harris, si zëvendëspresidente, ndihmoi në miratimin e Aktit të Reduktimit të Inflacionit, i cili ka derdhur qindra miliarda dollarë për energjinë e rinovueshme, kreditimin e taksave të automjeteve elektrike dhe programet e zbritjeve. Ajo ka hequr dorë nga "fracking", një teknikë për rikuperimin e gazit dhe naftës, e kundërshtuar nga ambientalistët.

Trump, ndërsa ishte në Shtëpinë e Bardhë, hoqi qindra mbrojtje mjedisore, duke përfshirë kufizimet në emetimet e dioksidit të karbonit nga termocentralet dhe automjetet. Në këtë fushatë ai është zotuar të zgjerojë shpimet në Arktik.

Kujdesi shëndetësor

Harris ka qenë pjesë e një administrate të Shtëpisë së Bardhë e cila ka ulur kostot e barnave me recetë dhe ka kufizuar çmimet e insulinës në 35 dollarë.

Trump, i cili shpesh është zotuar të çmontojë Aktin e Kujdesit të Përballueshëm, ka thënë se nëse zgjidhet ai vetëm do ta përmirësojë atë, pa ofruar specifika.

Rendi dhe ligji

Harris është përpjekur të krahasojë përvojën e saj si prokurore me faktin se Trump është dënuar për një krim.

Trump është zotuar të shkatërrojë kartelet e drogës, të shtypë dhunën e bandave dhe të rindërtojë qytetet e drejtuara nga demokratët që ai thotë se janë të pushtuara nga krimi. Ai ka thënë se do të përdorte ushtrinë ose Gardën Kombëtare, një forcë rezervë, për të luftuar kundërshtarët që ai i quan "armiku i brendshëm" dhe "të çmendurit e majtë radikalë" nëse ata prishin zgjedhjet.

Armët

Harris e ka bërë parandalimin e dhunës me armë një premtim kyç, dhe ajo dhe Tim Walz - të dy pronarë armësh - shpesh mbrojnë ligje më të rrepta.

Trump e ka pozicionuar veten si një mbrojtës i vendosur i Amendamentit të Dytë, të drejtës kushtetuese për të mbajtur armë. Duke iu drejtuar Shoqatës Kombëtare të Armëve në maj, ai tha se ishte miku i tyre më i mirë.

Marihuana

Harris ka bërë thirrje për dekriminalizimin e marihuanës për përdorim rekreativ. Ajo thotë se shumë njerëz janë dërguar në burg për posedim të kësaj droge dhe tregon për numra joproporcionalë të arrestimeve për burrat me ngjyrë dhe latinë.

Trump e ka zbutur qasjen e tij dhe tha se është koha për t'i dhënë fund "arrestimeve dhe burgosjeve të panevojshme" të të rriturve për sasi të vogla marihuanë që janë për përdorim personal./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Zgjedhjet në SHBA: Çfarë do të ndodhë nëse Harris dhe Trump dalin me barazim votash?

Orët e fundit para zgjedhjeve! Trump dhe Harris bëjnë thirrjet
Kamala Harris dhe Donald Trump

SHBA- Po sikur as Kamala Harris dhe as Donald Trump të mos arrijnë të fitojnë shumicën e votave në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 5 nëntor? Mundësia që kjo të ndodhë shkakton ankth tek amerikanët që tashmë janë të shqetësuar për ditën e zgjedhjeve presidenciale.

Sipas Kushtetutës së SHBA-së, në këtë rast Kongresi do të marrë përsipër të zgjedhë presidentin e 47-të të SHBA-së. Më konkretisht, anëtarët e rinj të Dhomës së Përfaqësuesve do të zgjedhin presidentin dhe Senati zëvendëspresidentin. Në mënyrë që të dy kandidatët të mbledhin 269 vota elektorale secili, Harris do të duhet të fitojë në ëisconsin, Michigan dhe Pennsylvania dhe Trump do të duhet të fitojë në Xhorxhia, Arizona, Nevada dhe Karolina e Veriut dhe një zonë që tradicionalisht voton demokratët... në Nebraska.

Megjithatë, ky është një skenar pothuajse i pamundur, i cili ka ndodhur vetëm dy herë në SHBA, në vitin 1800 dhe 1824.

Si do të votojë saktësisht Dhoma e Përfaqësuesve më 6 janar 2025, në rast të barazimit?

Çdo shtet, pavarësisht nga popullsia e tij, ka një votë,”- shpjegon Qendra Kërkimore e Kongresit.

Kjo do të thotë se jo të gjithë kongresmenët votojnë, por një delegacion kongresmenësh të partisë që ka fituar shumicën e vendeve në secilin shtet: Idaho, pra me dy kongresmenët e saj do të ketë një votë, si dhe Kalifornia me 52 kongresmenë. Duke qenë se ka 50 shtete në SHBA, kandidati presidencial do të duhet të marrë të paktën 26 vota për të fituar. Republikanët parashikohet të ruajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve pas zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Është e lehtë të imagjinohet se sa një proces i tillë do të rriste tensionin në SHBA, në një kohë kur miliona amerikanë tashmë besojnë se procesi zgjedhor është manipuluar./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Zgjedhjet në SHBA: A ka Europa partner bisedimesh për Trumpin?

Orët e fundit para zgjedhjeve! Trump dhe Harris bëjnë thirrjet
Foto ilustruese

Nëse Donald Trump do të fitojë zgjedhjet më 5 nëntor, kursi i tij i konfrontimit me partnerët europianë mund ta trazojë strukturën politike dhe atë të politikës së sigurisë në BE dhe në NATO. Kush mund të ndërmjetësojë në një rast të tillë? Në BE po lakohen emrat e disa politikanëve si partnerë bisedimesh për Trumpin nëse ai do të jetë presidenti i ri i SHBA-së.

Nëse bëhet fjalë për sfidat e politikës së sigurisë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, konsiderohet si zgjedhja e parë. Por edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni dhe presidenti polak, Andrzej Duda duke qenë të së njëjtës linjë partiake janë pozicionuar si aleatë të Trumpit.

Mark Rutte: Një proeuropian që mund të influencojë tek Trump

Të paktën tre burime të nivelit të lartë nga NATO, që nuk duan të citohen me emër, i kanë pohuar DW-së, se Rutte si kryeministër i Holandës (2010 deri më 2024) gjatë mandatit të parë presidencial të Donald Trump ka pasur një raport të mirë me të. Pikërisht kjo ka qenë edhe njëra prej arsyeve, përse Rutte u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, për ta përgatitur aleancën mbrojtëse ndaj një kthimi të mundshëm të Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Mark Rutte njihet, që mund të ndikojë tek Trump, por ai mund të qendrojë edhe i palëkundur, nëse është e nevojshme, qoftë në bisedime bilaterale ashtu edhe në samitet e NATO-s, thotë ish-zëvendëssekretari i përgjthshëm i aleancës Camille Grand, sot ekspert për politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes pranë European Council on Foreign Relations.

Kur Trump më 2018 kërcënoi në samitin e NATO-s, se SHBAdo të largohet nga aleanca, nëse Europa nuk i rrit shpenzimet për mbrojtjen, ishte Rutte ai që gjeti rrugëdalje nga situate. Ai i vuri në dukje me rafinesë ish-presidentit atëherë, se shpenzimet e mbrojtjes – falë Trump – ndërkohë do të rriten.

Ian Lesser, drejtues i zyrës së Brukselit të German Marshall Fund of the United States (GMF), thotë, se Rutte mund t'i transmetojë Trumpit një "mesazh më të mirë për ndarjen e peshës" brenda aleancës: 23 nga 32 vendet anëtare të NATO-s, ndër to peshat e rënda si Franca dhe Gjermania, do ta arrinin e madje edhe mund ta tejkalojnë qysh këtë vit kuotën vjetore të shpenzimeve për mbrojtjen në nivelin e dy përqind të produktit bruto në vend. Në këmbim Rutte do të kërkojë nga Trump garanci lidhur me ndihmat për Ukrainën dhe vazhdimin e angazhimit të SHBA-së në NATO.

Trump ka kërcënuar jo vetëm me ndërprerjen e ndihmave për Ukrainën, por edhe se do ta inkurajojë presidentin e Rusisë Vladimir Putin, që të bëjë "çfarë të dojë" me alëatët e tij. Ish-këshilltari i tij për sigurinë komëbtare, John Bolton, mendon, se Trump madje mund ta nxjerrë SHBA-në nga NATO. Ndërsa eksperti Lesser thotë, se: "Rutte pret që qendrimi i Uashngtoni të jetë I parashikueshëm, veçanërisht në sfondin e luftës ruse."

Viktor Orban: "Trump para Trumpit"

Rutte është në garë me Viktor Orban. Kryeministri hungarez në korrik pas vizitave në Pekin, në Kiev dhe në Moskë në një "mission paqeje" u takua edhe me Trumpin. Atje ai u paraqit si ndërmjetësues i BE-së për dhënien fund luftës ruse në Ukrainë. Kur rivalja demokrate e TrumpitKamala Harris në shtator tha, se kryetarët e shteteve dhe të qeverive në botë "qeshin" me ish-presidentin, Trump duke iu kundërvënë përmendi raportet e ngushta me Orbanin dhe e vlerësoi atë si një kryeministër i fortë, këmbëngulës dhe i mençur i Hungarisë.

Zsuzsanna Vegh, analiste pranë German Marshall Fund of the United States (GMF) për Europën Qendrore, tha, se Orban me kontaktet e tij me Trump në radhë të parë synon të forcojë prestigjin e vet dhe imazhin si një personalitet drejtues i rëndësishëm ndërkombëtar: "Fitorja e Trumpit mund ta inkurajojë edhe Orbanin që të vazhdojë rrugën e autokracisë në vendin e tij", tha Vegh, e kësisoj Orbani "do të minonte edhe më tej kredibilitetin e BE-së si një bashkësisë e demokracive".

Ekspertët besojnë, se një politikë armiqësore e Orbanit kundër migracionit dhe komunitetit LGBTQ+- e bën atë të preferuar tek mbështetësit MAGA të Trumpit. Ish-këshilltari i Trumpit, Steve Bannon, e ka quajtur kryeministrin hungarez "Trump para Trumpit". Orban është një aleat i ngushtë i presidentit, rus Vladimir Putin dhe është kundër mbështetjes për Ukrainën nga BE-ja. Vëzhguesit druajnë, se ai mund të influencojë tek Trump duke i folur atij mbi përfytyrimet e Kremlinit.

Ndonëse kërkesat e Orbanit për armëpushim dhe bisedime përputhen me interesat e personave amerikanë të kontaktit që ai ka dhe në rrethanat aktuale edhe me interesat e Rusisë, analistja Vegh, megjithatë thekson: "Kam dyshim, nëse presidentit Putin i duhet kryeministri hungarez për t'u angazhuar për të në Shtëpinë e Bardhë."

Edhe pse Orban mund të jetë me Trump një "shok ideali", thotë eksperti Lesser drejtor i GMF, Mark Rutte është në fakt "partner strategjik bisedimesh", i cili angazhohet për interesat e sigurisë së NATO-s dhe ka një influencë më të madhe.

Duda dhe Meloni potencialisht si ndërmjetësues

Të tjerë partnerë bisedimesh për BE-në që janë në të njëjtën linjë me Trump dhe Orban sa i përket politikës së migracionit, janë në fakt në anën e Ruttes lidhur me çështjet strategjike. Presidenti polak Andrzej Duda i partisë nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS) është takuar në prill me Donald Trump. Sipas njoftimeve ai e ka bindur republikanin, se partia e tij të zhbllokojë në kongresin ë SHBA-së një paketë ndihme prej 60 miliardë dollarë për Ukrainën.

"Në sfondin e pozicionit strategjik të Polonisë në krahun lindor të NATO-s ruajtja e marrëdhënieve solide më SHBA-në konsiderohet si vendimtare për sigurinë kombëtare, pavarësisht nga përkatësia politike", i shkruan DW-së, Maciej Tyburski nga Thinktank-u "Warsaw Institute". Ndonëse PiS dhe republikanët, bashkë me Trumpin, ideologjikisht janë shumë afër, rëndësia e marrëdhënieve amerikano-polake vlerësohet më shumë prej spektrit tërësor politik.

Edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni konsiderohet nga kolegët e partisë së saj si një partnere perfekte bisedimesh për Donald Trump në rast se ai fiton zgjedhjet. Disa anëtarë të partisë ekstreme të djathtë Vëllezërit e Italisë (FdI) janë takuar ndërkohë me ish-presidentin e SHBA-së. Deputeti i FdI-së Antonio Giordano në korrik mori pjesë në kongresin e republikanëve në Milwaukee. Financial Times në një intervistë në shtator ai i tha, se Meloni është "partnerja e natyrshme e bisedimeve" për Trump, nëse "ai do të kuptojë, se si duhet të komportohet më mirë me Europën".

Ndonëse Meloni vet nuk mbështet në zgjedhjet e SHBA-së as Trump dhe as kandidaten demokrate Kamala Harris, afërsia e saj me Elon Musk që pas një takimi në janar 2023 është konsideruar nga disa vëzhgues si shenjë e preferencës së saj për ish-presidentin. Multimiliarderi Musk konsiderohet si një ndër përkrahësit më të njohur të fushatës së elektorale të Trumpit. Filippo Simonelli nga Instituti për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, i tha DW-së, se Meloni mund të përpiqet, të jetë si një ndërmjetësuese midis krahut të djathtë të skenës politike europiane dhe Komisionit të BE-së drejtuar nga Ursula von der Leyen, "që gjithnjë e më shumë po orientohet djathtas." Si e tillë ajo mund të pozicionohet edhe si ndërmjetësuese midis SHBA-së dhe institucioneve të BE-së.

Afërsia ideologjike e saj me Trump megjithatë nuk do të thotë, se Meloni e ka humbur nga vëmendja kërcënimin nga Rusia, thotë drejtori i GMF, Lesser: "Ajo është një transatlantike e bindur." Shpesh Meloni e ka shprehur mbështetjen e saj për Ukrainën dhe me këtë ka fituar respekt në Bruksel. Ashtu si edhe Duda, Meloni vlerëson rëndësinë e NATO-s si një aleancë mbrojtjeje për Europën.

Trump mund të mobilizojë ekstremistët e djathtë në Europë

Sipas disa analistëve politikë sukseset e bisedimeve të politikanëve të djathtë me një president të ri Trump në SHBA, mund t'i japin një hov të djathtëve europianë duke i normalizuar në njëfarë mënyre lëvizjet e tyre në BE. Comfort Ero, drrejtuese e Thinktank-ut International Crisis Group, vëren në një artikull të publikuar së fundi, se një qeveri e dytë Trump "mund të forcojë moralin e politikanëve të djathtë europianë, që punojnë kundër një Europe më të fortë dhe më të integrua ".

Po ashtu përpjekjet e Trumpit, për të negociuar bilateral me anëtarët e BE-së dhe të NATO-s, sikurse ka vepruar gjatë mandatit të parë, mund t'i dobësojnë këto institucione. Politika e paparashikueshme e jashtme e Trumpit, preferenca e tij për akorde afatshkurtra dhe mospërfillja e tij për multilateralizmin do t'ia vështirësonin BE-së me 27 vende anëtare pozicionimin ndaj tij, shkruan Ero: "Politikanët europianë druajnë, që një presidencë e dytë Trump mund të jetë një sprovë për unitetin brenda BE-së."

"Orban, Meloni dhe Duda janë së paku në çështjet e politikës së brendshme aleatë me Trumpin dhe me siguri do të përpiqen që ta shfrytëzojnë këtë aleancë", thotë eksperti i sigurisë Grand. "Kjo përçarje lidhur me pozicionimin europian kundrejt administratës së mundshme Trump nuk u ndihmon interesave europiane dhe NATO-s, sepse bilateralizmi i raporteve të sigurisë me SHBA-në afatgjatë mund ta minojë NATO-n."/DW

Poll

MOS HUMB