LIVE UPDATES

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun, dy vartësit e saj në ‘’arrest shtëpie”! Zv.kryeministrja 7 orë takim me Ramën

➤Gjykata e Posaçme ka pezulluar nga detyra Belinda Ballukun, e cila deri tani mbante postin e zëvendëskryeministres dhe njëherësh ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës. ➤Pas vendimit numri dy i qeverisë dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ndodhej prej orës 12:15 në godinën e Kryeministrisë në një takim me kryeministri Edi Rama, i cili zgjati mbi 7 orë. ➤Përveç saj Gjykata e Posaçme miratoi dhe masën e arrestit të shtëpisë për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kreun e Korportatës Energjitike Shqiptare Erald Elezi. ➤ Përveç tenderit për tunelin e Llogarasë, Balluku dhe vartësit e saj janë marrë nën hetim dhe për tenderin e lotit të katërt të Unazës së Madhe në Tiranë. ➤SPAK me anë të një njoftimi zyrtar ka zbardhur akuzat dhe rolin e Belinda Ballukut për shkeljet në dy tenderët me vlerë 210 mln euro për Tunelin e Llogarasë dhe Unazës së Madhe. Balluku dhe vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderët. ➤Në lidhje me çështjen ende nuk ka një reagim nga kreu i qeverisë, nëse ka shkarkuar Ballukun, apo nëse kjo e fundit ka dhënë dorëheqjen për postet në qeveri.

12 artikuj për këtë temë.
6 MUAJ ME PARE

Belinda Balluku pezullohet nga detyra! A ndërhyu GJKKO në pushtetin qeveritar?

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun, dy vartësit e saj në
Edi Rama, Belinda Balluku, Mero Baze, Baton Haxhiu dhe Ylli Manjani

TIRANË-GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun! Ky ishte vendimi që shënjoi ditën e sotme. Por ky vendim ka hapur një debat: A ka të drejtë drejtësia të pezullojë zyrtarë të zgjedhur? A është cënuar imuniteti qeveritar? A zëvendësoi gjykata kryeministrin? A do të veprojë Edi Rama apo do të presë institucionet e drejtësisë?

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani e sheh vendimin e GJKKO si një grusht shteti. Manjani i qëndron pyetjes së parë, ku shprehet se me pezullimin e Belinda Ballukut është pezulluar edhe qeveria. Duke u ndalur tek koncepit i imunitetit qeveritar, Manjani arsyeton se pezullimi është shkelje e Kushtetutës nga ana e GJKKO-së dhe se këtë vendim nuk mund ta marrë kjo gjykatë. Sipas tij masa e pezullimit nga detyra merret ndaj çdo funksionari publik, përveç atyre të zgjedhurve, në këtë rast zv.kryeministrja Belinda Balluku.

Nga Ylli Manjani

Vendimi i sotëm për të pezulluar qeverinë, përbën as më pak e as më shumë sesa GRUSHT SHTETI.

Sigurisht që drejtësia ka të drejtë të pezullojë zyrtarë publikë, por jo të zgjedhur. Anëtarët e qeverisë mbrohen me të njëjtin imunitet si të zgjedhurit, përveç faktit që zonja Balluku është gjithashtu e zgjedhur. Por GJKKO sot nuk ka pezulluar Ballukun, por qeverinë. Së pari zvkryeministri është kryeministër. Vetëm propozim për ndryshim kabineti nuk bën, të tjerat i bën të gjitha. Në një situatë kur Kryeministri gjendet i pamundur të jetë fizikisht në detyrë dhe zvkryeministri është i pezulluar, vendi është pa qeveri. Ky është qëllimi i drejtësisë, të lërë vendin pa qeveri?! Asnjë pushtet nuk ka të drejtë të lerë vendin pa qeveri.

Së dyti, me këtë preçedent, drejtësia i ka dhënë mandat vetes të ndryshojë qeverinë sa herë të dojë. Sepse neser, me një letër anonime, mund të çelë një hetim për Kryeministrin apo gjithë qeverinë (apo nuk ja kanë marrë dorën me këtë grupin e srrukturuar kriminal) dhe GJKKO i pezullon se prishin provat. Ou? Pse qeveritë i zgjedh drejtësia?!

Ndaj them se kjo ndërhyrje e drejtësisë mbi ekzekutivin është grusht shteti. Imuniteti është shpikur si koncept jo për të mbrojtur mbajtësin e detyrës, por për të mbrojtur dhe garantuar pavarësinë e një pushteti ndaj një tjetri. Drejtësia sot ka ndërhyrë brutalisht në pushtetin ekzekutiv. Dhe kjo është e papranueshme. Ne nuk kemi gjeneralë e ushtri që ta bëjnë grushtin, por kemi prokurorë që ndjehen pronarë të Republikës. Ata ndjehen dhe veprojnë si eprorë të pushteteve të tjera që dalin nga vota. Edhe ata ushtarakët kur bljnë grusht shteti këahtu thonë si spak-u jonë: "po luftojmë korrupsionin"....

Grusht shteti i republikës së prokurorëve është, që çke me të! Ndaj ligjet e kanë të ndaluar pezullimin nga detyra të të zgjedhurve. Pikërisht për të ndaluar grushtin e shtetit të të emëruarve. Do kishte qenë krejt normale, brenda anormalitetit që kanë krijuar, që të kërkonin arrest me burg për zonjën Balluku, ose të aplikonin një masë tjetër. Kështu masa do individualizohej dhe skishte pse të ngatërrohej me funksionim e qeverisë. Por pezullimi në këtë rast është grusht shteti. Gjykata Kushtetuese paguhet nga ky shtet, për këtë ditë. Kaq.
*****
Diskutimet popullore e populiste me pandëshkueshmëri e me "palloshë" e me "Belindë", janë temë tjetër dhe mund të pajtohem me shumë gjetje. Por grushti i shtetit meriton vemendje parësore! Personalisht ndjehem mirë që erdhën punët deri në këtë pikë sepse kur flisja, nuk me besonte njeri... Por kam qenë, jam e do jem me shtetin dhe rendin shtetëror.
Çdo asocim që tenton të lidhë qëndrimet e mia me persona, është i pavend dhe e neveris.

Ndryshe e sheh vendimin opinionisti dhe gazetari Mero Baze. Ky i fundit njëjtë si ish-ministri i drejtësisë, Ylli Manjani shprehet se SPAK ka cënuar imunitetin qeveritar dhe duke renditur rastet e Ilir Beqajt, Erion Veliajt dhe Ilir Metës, deklaron se në Shqipëri është ngritur një pushtet i ri: Republika e Prokurorëve. Por ndryshe nga Manjani, Baze ndalet edhe tek qëndrimi i kryeministrit Edi Rama. Sipas tij Rama ka dy rrugë; e para të ndjekë skemën në rastet e zyrtarëve të tjerë dhe të presë të vendosë drejtësia, dhe e dyta të veprojë vetë duke e shkarkuar. 

Nga Mero Baze

Kryeministri Edi Rama duhet të vendosë nëse do ta bëjë vetë betejën lidhur me atë që konsiderohet tejkalim i kufijve kushtetues nga GJKKO dhe SPAK në rastin e pezullimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, apo do të ndjekë retorikën e tij të deritanishme për ta lënë drejtësinë të veprojë si pushtet i pavarur. Kjo e dyta i ka sjellë një sërë përfitimesh politike në raport me procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke rritur autoritetin e SPAK dhe duke mos hapur beteja për shumë nga shkeljet e qarta ligjore që janë ndeshur në këtë proces. Për burokratët europianë këto janë të parëndësishme, pasi për ta ka rëndësi rezultati politik i SPAK dhe jo kultura ligjore që sundon në Shqipëri. Por për Shqipërinë kanë rëndësi të dyja.

Duke iu qëndruar besnik retorikës së tij se nuk ndërhyn në drejtësi, u arrestua kryetari i Bashkisë së Tiranës në zyrë, pa akuzë ndaj tij, por mbi dyshime për bashkëshorten në një veprimtari të një OJQ-je. Aq i dukshëm ishte motivimi personal i prokurorëve, saqë për çdo përpjekje për të mbrojtur shkeljet që ata bënin ndaj Veliajt, përfshirë edhe fyerjet verbale në sallën e gjyqit, ata i shtonin nga tre akuza në javë, shumica pa bazë ligjore, pa fakte penale dhe pa realitet faktik.

E njëjta gjë u bë me Ilir Beqajn. I përfshirë në akuzë për koncesionin e sterilizimit - një nga koncesionet më të mira të bëra në fushën e shëndetësisë, që ka shpëtuar mijëra jetë - befas, me kërkesë të gjykatës dhe përtej prokurorisë, u kërkua që ai të konsiderohej pjesë e një grupi kriminal bashkë me zëvendësministrin. Ky ishte një hap larg zyrës së kryeministrit, pasi në fakt koncesioni është politikë e qeverisë, jo e Beqajt apo zëvendësministrit.

Tani ka trokitur në dyert e kryeministrisë. Belinda Balluku është pezulluar nga detyra me vendim gjykate dhe i është ndaluar dalja jashtë shtetit pasi konsiderohet e pandehur. Vendimi është i debatueshëm, pasi SPAK ka anashkaluar parlamentin duke vendosur masa sigurie që cenojnë imunitetin, si ndalimi i udhëtimit ose arresti me burg. Këtu ka debat edhe për cënim të rëndë të imunitetit qeveritar, edhe për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në pushtetin ekzekutiv

Është pak a shumë ajo që bënë me Veliajn: meqë ai nuk kishte imunitet, e çuan direkt në burg 9 muaj para se të ngrinin akuzën. Dhe më pas, përmes Ulsiut, zbatuan një regjim të posaçëm kriminal për ta linçuar edhe fizikisht - regjim që vazhdon ende pa shumë shpjegime nga qeveria. I gjithë ky agresion ndaj të drejtave ligjore të të pandehurve politikë - përfshirë Ilir Metën - për arrestimet e tyre të parakohshme, në fakt ka krijuar një pol të ri pushteti në Shqipëri: Republikën e Prokurorëve.

Kryeministri Edi Rama e ka pranuar këtë realitet dhe nuk ka ndërmarrë asnjë nismë ligjore për të frenuar disa fenomene që më shumë se drejtësi janë politikë me drejtësinë. Ky është arrestimi i parakohshëm i zyrtarëve të lartë për korrupsion apo pezullimi nga detyra, siç ndodhi në këtë rast. Me sa duket I shijoi më shumë rmbështetja ndaj Shqipërisë në kancelaritë perëndimore dhe hovi që i dha kjo klimë ritmit të pranimit të Shqipërisë në BE, duke hapur gjithë kapitujtë.

Tani, një betejë e re verbale si ajo që nisi procesin ndaj Veliajt nuk ka kuptim. Kryeministri duhet të ruajë pavarësinë e pushtetit të tij dhe nëse konstaton krizë kushtetuese, duhet t’i drejtohet vetë Gjykatës Kushtetuese në emër të qeverisë. Kjo është një betejë që duhet ta bëjë ai. Nuk ka nevojë për debate televizive apo sulme nëpër gazeta. Ose vepron vetë, ose vazhdon të mbrojë retorikën e deritanishme: drejtësia ka punën e saj, ai ka të vetën.

Një shprehje e Gjykatës Kushtetuese për këtë problem është një gur më shumë në kulturën juridike që duhet të ndërtojmë për të zgjidhur krizën mes institucioneve. Ata duhet të shprehen shpejt dhe me përgjegjësi, si institucion që garanton rendin kushtetues të Republikës. Deri atëherë, qeveria duhet të zbatojë vendimin e gjykatës dhe ta lërë krizën të përballet në institucione dhe jo në debate publike, për t’i treguar njëri tjetrit kush është më i fortë.

Po të ishte Sali Berisha, do ta kishte zgjidhur për pesë minuta: do ta shpallte grusht shteti, siç në fakt ka shenja, do ta quante Dumanin “horr bulevardesh”, do të ngrinte një komision hetimor dhe do ta shkarkonte. E njohim atë kohë dhe nuk duhet të kthehet më, edhe pse pati shumë “suksese” me atë metodë. Tani e vetmja rrugë është beteja ligjore dhe një formulim i qartë nga Gjykata Kushtetuese për këtë krizë - formulim që do të vlejë edhe për të ardhmen.

Edhe analisti Baton Haxhiu e nis reagimin e tij me togfjalëshin 'Republika e prokurorëve po ngrihet'. Njëjtë si Yllli Manjani, sipas tij vendimi i shkarkimit të Belinda Ballukut nga GJKKO, tregon se gjykata po zëvendëson kryeministrin. Sipas tij, pushteti varet nga vula e gjyqtarëve. Ai e sheh vendimin si një akt politik dhe jo juridik. Haxhiu arsyeton se drejtësia mund të kërkojë heqjen e imunitetit, mund të kërkojë arrest me burg, mund të kërkojë çdo masë tjetër që kufizon individin, por nuk mund të japë masa që prekin ekzekutivin dhe nuk mund të ndërhyjë në përbërjen e qeverisë. Analisti shprehet se pas këtij vendimi, rëndësi ka nëse pranojmë që një zëvendëskryeministër të pezullohet me një firmë gjykatësi pa autorizimin e atyre që Kushtetuta u jep kompetencën për ta bërë këtë.

Nga Baton Haxhiu

Republika e prokurorëve po ngrihet pa votë, kur një masë sigurie bëhet akt qeverisjeje dhe gjykata tenton të zëvendësojë Kryeministrin në kufirin e parë të një grushti shteti pa tanke. Nesër Gjykata e Posaçme mund ta emërojë vetë zëvendëskryeministren e Edi Ramës. Sepse me vendimin nr. 118 datë 19 11 2025 ajo mori një kompetencë që nuk ia jep as Kushtetuta as ligji. Pezulloi numrin dy të qeverisë nga detyra sikur të ishte organ emërues. Sikur pushteti ekzekutiv të varej nga vula e gjyqtarëve dhe jo nga vota e qytetarëve. Dhe ky është thelbi. Jo fati penal i Belinda Ballukut. Por fakti që një gjykatë i tregoi Kryeministrit se kush komandon ekzekutivin.

Me një vendim të vetëm GJKKO i dërgoi një mesazh politik qeverisë. Ne vendosim kush rri dhe kush ikën nga kabineti. Ne vendosim kur qeveria mbetet pa numrin e saj dy. Ne vendosim kush mund të ushtrojë pushtet ekzekutiv. Sepse masa “pezullimi i ushtrimit të detyrës” për një zëvendëskryeministre nuk është masë sigurie. Është akt qeverisjeje. Është ndërhyrje në thelbin e pushtetit.

Vendimi në vetvete e pranon këtë. Në pikën e parë të tij thuhet qartë se gjykata ka vendosur “pezullimin nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë”. Pra gjykata e ka të qartë se çfarë funksioni po pezullon. Dhe pikërisht për këtë akti nuk është më juridik. Është politik. Është institucional. Është kompetencë që s’i takon.

Sigurisht që drejtësia ka të drejtë të hetojë ministra. Ka të drejtë të kërkojë masa sigurie ndaj kujtdo zyrtari publik. Por nuk ka asnjë të drejtë të zgjedhë qeverinë. Të marrë për vete rolin që Kushtetuta ua jep qartësisht tre institucioneve dhe vetëm atyre. Kryeministri propozon. Presidenti dekreton. Kuvendi miraton. Këtu fillon dhe mbaron skema e emërimit dhe shkarkimit të ministrave dhe të zëvendëskryeministrit. GJKKO nuk është as Kryeministër. As President. As Kuvend. Nuk ka mandat të ndërtojë qeveri paralele përmes masave të sigurimit.

Kjo nuk ka lidhje me fajësinë e Belindës. Kjo është çështje shteti. Sepse zëvendëskryeministri është njeriu që drejton vendin në mungesë të Kryeministrit. Nëse Kryeministri është i pamundur të ushtrojë funksionet e tij, vendi mbahet nga zëvendësi. Dhe nëse zëvendësi është pezulluar nga gjykata, zinxhiri i ushtrimit të pushtetit këputet. Pra vendi hyn në vakum ekzekutiv. Pra qeveria ngelet pa kokë rezervë. Pra gjykata ndërhyn në mekanizmin e vazhdimësisë së shtetit. Askush nuk e ka këtë të drejtë.

Dhe këtu qeveria nuk ka të bëjë vetëm me një emër. Ka të bëjë me funksionin. Me parimin. Me kufirin mes pushteteve.

Belinda Balluku nuk është vetëm ministre. Ajo është deputete e zgjedhur. Dekretuar si ministre nga Presidenti. Miratuar nga Kuvendi. E propozuar nga Kryeministri. Pra me dyfish imuniteti. Imunitet ekzekutiv dhe parlamentar. Imunitet që nuk e mbron personin por institucionin. Njeriun jo. Funksionin po.

Me masën “ndalim i daljes jashtë shtetit” gjykata ka futur parlamentin në një spirale si ajo e rastit Berisha ku vetë Kuvendi e konsideroi masën si formë të kufizimit të lirisë së një deputeti. Por në rastin e Ballukut kemi më shumë. Sepse nuk kufizohet vetëm liria e një deputeti. Kufizohet ushtrimi i pushtetit ekzekutiv. Dhe kjo nuk është më masë sigurie. Ky është akt me pasoja kushtetuese.

Drejtësia mund të kërkojë heqjen e imunitetit. Mund të kërkojë arrest me burg. Mund të kërkojë çdo masë tjetër që kufizon individin. Por nuk mund të japë masa që prekin ekzekutivin. Nuk mund të ndërhyjë në përbërjen e qeverisë. Nuk mund të sillet sikur është organ vendimmarrës i pushtetit ekzekutiv. Kjo është linja që nuk kalohet. 

Edi Rama duhet të shkojë deri në fund në Gjykatën Kushtetuese. Sepse nëse sot pranon në heshtje që një gjykatë të pezullojë zëvendëskryeministren pa pëlqimin e Kuvendit, pa procedurë dhe pa dialog kushtetues, nesër e njëjta gjë mund të ndodhë me cilindo ministër. Madje edhe me vetë Kryeministrin. Mjafton një interpretim kreativ i nenit “rrezik për prishjen e provave”. Ky është mekanizëm që çmontuar pushtet. Ky është precedent.

Rama nuk mund të thotë “e zgjidhim politikisht”. Sepse kjo nuk është çështje politike. Është çështje kushtetuese. Nëse sot nuk vihet kufiri, nesër SPAK e GJKKO do kenë de facto fuqinë për të projektuar qeveri të reja përmes dosjeve dhe masave të sigurimit. Dhe kjo nuk është më drejtësi. Është inxhinieri politike. Është rishkrim i sistemit përmes vendimeve penale. Jo përmes votës.

Këtu hyn edhe roli amerikan. Departamenti i Drejtësisë, OPDAT, Ambasada e SHBA-ve kanë investuar vite të tëra për SPAK-un. Kanë dhënë legjitimitet moral dhe politik. Kanë garantuar mbështetjen ndërkombëtare.

Por tani, pikërisht për këtë, duhet të jenë të parët që kërkojnë respektimin e procedurave. Sepse një drejtësi që perceptohet si e mbështetur nga amerikanët nuk mund të veprojë jashtë kornizës kushtetuese pa dëmtuar vetë reformën. SPAK nuk është projekt për të zgjedhur qeveritë e Shqipërisë. Është projekt për të gjykuar korrupsionin. Dhe këto dy role nuk duhen dhe nuk mund të përzihen. Vetëm nëse ajo ka lobuar dhe vendos që kështu të ndodh dhe shpeshherë nuk pyet fare për procedura.

Belinda Balluku nuk është problemi. Është shembulli. Është testi. Është kokë turku e një sistemi që kërkon të tregojë forcë duke kaluar përmes rrugës më të rrezikshme. Drejtësia nuk mund të jetë arkitekte e ekzekutivit. Nuk mund të jetë pushteti që shemb dhe ndërton qeveri. Kjo tingëllon si luftë ndaj korrupsionit por në thelb është përçarje e pushteteve. Është rrëshqitje në republikën e prokurorëve. Grusht shteti pa tanke. Grusht shteti me masa sigurie.

Në këtë moment nuk ka rëndësi nëse Belinda është fajtore apo jo. Këtë e thotë gjykata me proces. Rëndësi ka nëse pranojmë që gjykata të bëhet vetë proces politik. Rëndësi ka nëse pranojmë që një zëvendëskryeministër të pezullohet me një firmë gjykatësi pa autorizimin e atyre që Kushtetuta u jep kompetencën për ta bërë këtë. Rëndësi ka nëse i hapim rrugë një precedenti që nesër mund të përdoret kundër kujtdo. Edhe kundër atyre që sot brohorasin.

Dita e sotme nuk është dita e Belindës. Është dita kur u prek një gur themeli i shtetit. Është dita kur gjykata provoi të tregojë se kush zgjedh qeverinë. Dhe nëse nuk ka një reagim kushtetues menjëherë, atëherë vendi nuk po rrezikon një krizë. Vendi po rrezikon një model të ri pushteti. Pa votë. Pa debat. Pa parlamentarizëm.

Një republikë ku gjykata i tregon Kryeministrit se kush duhet të jetë zëvendëskryeministër. Ky është kufiri. Dhe ky kufi s’mund të kalojë.

Në këtë pikë teksa vendimi lexohet si një ndërhyrje në pushtet nga ana e drejtësisë, 'sytë; kthehen nga Kryeministri Edi Rama. I takon kreut të qeverisë që para vendimit për shkarkimin nga detyra të zv.kryeministres për ta zëvendësuar atë, por ende nuk dihet se si do të veprohet dhe a do të ketë një dorëheqje nga Balluku.

6 MUAJ ME PARE

7 orë takim me Ballukun, Rama largohet nga Kryeministria

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun, dy vartësit e saj në
PAMJE NGA VENDNGJARJA

TIRANË- Kryeministri Edi Rama është larguar nga Kryeministria pas një takimi 7 orësh me zv.kryeministren Belinda Balluku. Numri dy i qeverisë dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ndodhej prej orës 12:15 në godinën e Kryeministrisë në një takim me Ramën, pasi GJKKO caktoi ndaj saj masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim dalje nga vendi”. 

Teksa Rama është larguar, raportohet se makina e zv.kryeministres Belinda Ballukut ndodhet ende pranë ambienteve të kryeministrisë. 7 orë takim por ende nuk ka një reagim nga kreu i qeverisë, nëse ka shkarkuar Ballukun, apo nëse kjo e fundit ka dhënë dorëheqjen për postet në qeveri. Takimit Rama-Balluku iu bashkua edhe ish-ministri i drejtësisë Ulsi Manja.

Prokuroria e Posaçme me anë të një njoftimi zyrtar ka zbardhur akuzat dhe rolin e Belinda Ballukut për shkeljet në dy tenderët me vlerë 210 mln euro për Tunelin e Llogarasë dhe Unazës së Madhe. SPAK zbardh edhe rolin e vartësve të saj, kreu të ARRSH, Gentian Gjyli dhe drejtorit aktual të KESH, Erald Elezi. Të dyve u është komunikuar masa e arrestit në shtëpi, ndërsa Ballukut i është komunikuar masa e pezullimit të detyrës dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit. Balluku dhe vartësit akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderët./ZËRI

6 MUAJ ME PARE

GJKKO pezulloi Ballukun nga detyra! Rama mbledh nesër qeverinë para Samitit të BE

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun, dy vartësit e saj në
Belinda Balluku dhe Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë nesër qeverinë. Takimi pritet të zhvillohet para samitit “Plani i Rritjes – Rruga jonë drejt BE-së” (Growth Plan “Our Pathway to EU”), ku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos do të ndajnë diskutime për planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian.

Nuk ka ende një informacion zyrtar lidhur me agjendën e mbledhjes. Mbledhja e qeverisë vjen pas vendimit të Gjykatësë së Posaçme për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, e cila deri tani mbante postin e zëvendëskryeministres dhe njëherësh ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës./ZËRI

6 MUAJ ME PARE

GJKKO pezulloi Ballukun nga detyra! SPAK me njoftim zyrtar: Paracaktoi fituesin e tenderit të Unazës së Madhe

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun, dy vartësit e saj në
Belinda Balluku

TIRANË-Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me shpalljen e masave të sigurisë për zv.kryeministren Belinda Balluku dhe vartësit e saj, drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kreun e Korportatës Energjitike Shqiptare Erald Elezi, në lidhje me hetimet për prokurimet e tenderit të Unazës së Madhe dhe tunelit të Llogarasë. SPAK njoftoi se ka ekzekutuar masat e sigurimit personal ndaj Ballukut që janë pezullimi nga detyra i funksionit si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe “Ndalim të daljes jashtë shtetit”.

Sa i përket tunelit të Llogarasë, SPAK njofton se Balluku, në rolin e ministres së Infrastrukturës, ka ndjekur hap pas hapi të gjithë procesin e prokurimit, duke orientuar procedurat që nga faza përgatitore, dorëzimi i ofertave, vlerësimi dhe deri te nënshkrimi i kontratave. Hetimi ka nxjerrë se fituesit e tenderave kanë qenë të paracaktuar dhe se janë krijuar avantazhe të padrejta për bashkimet e operatorëve që dolën fitues.

Në rastin e tunelit të Llogarasë, Balluku dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me drejtorin e ARRSH Evis Berberi dhe me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, duke i favorizuar kompanitë që përfunduan me kontratën prej gati 19 miliardë lekësh.

E njëjta skemë, sipas SPAK, është konstatuar edhe te tenderi i Unazës së Jashtme, ku përsëri Balluku dhe drejtues të ARRSH kanë ndikuar në përzgjedhjen e fituesit, megjithëse tenderi ishte rreth 2 miliardë lekë. Kriteret për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe dyshohet sipas SPAK të jenë vendosur specifikisht për të favorizuar kompanitë e ndërtimit Euroteorema, Pevlaku dhe NOVA Construction.

NJOFTIMI I SPAK:

Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njofton se, në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.136 të vitit 2025, janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi:

Ndërtimi i tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë të autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), me fond limit 18.967.810.952 lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4, me numër REF-02817-08-13-2021 dhe fond limit 2.096.958.794 lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, deri në këtë fazë të hetimeve, janë evidentuar veprime të kundraligjshme të të pandehurës Belinda Balluku. Në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.

E pandehura Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues “I….dhe A…..”.

Në kohën e kryerjes së veprimeve për këtë procedurë prokurimi, të pandehurit kanë pasur detyrat funksionale; Evis Berberi, Drejtor i Përgjithëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, Specialistë të Nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sa i takon procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i  Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, me numër REF-02817-08-13-2021, me fond limit 2,096,958,794,70 lekë pa TVSH, ka rezultuar se  e pandehura  Belinda Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga Institucioni në varësi të kësaj Ministrie, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në fazën përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave.

E pandehura Belinda Balluku në bashkëpunim me të pandehurin Evis Berberi, anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit J.Ç, A.K., D.Xh, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Erald Elezi dhe shtetasit K.K, M.Sh., kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë,“E…” sh.p.k, “P…”sh.p.k, dhe “N…”sh.p.k.

Gjatë këtyre dy procedurave të prokurimit  janë evidentuar veprime në kundërshtim me ligjin, nr. 162/2020, “Për Prokurimin Publik”, VKM nr.285, datë 19.05.2021,“Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, ligjin nr.9367, datë 07.04.2005 “Për Parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për, me vendimin  nr.118, datë 19.11.2025, ka vendosur :

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues, “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe i dyshuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.

Me datë 20.11.2025, janë ekzekutuar masa e sigurimit personal :

Masa e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku.
Masat e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurve Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.

Hetimet e deritanishme janë kryer përmes metodave speciale, grumbullimit të provave digjitale si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme vijon hetimet për këtë procedim penal.

6 MUAJ ME PARE

Pozicioni kushtetues i Zv.kryeministrit, a do ta shkarkojë Rama Ballukun?

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun, dy vartësit e saj në
Belinda Balluku

TIRANË-Gjykata e Posaçme ka pezulluar nga detyra Belinda Ballukun, e cila deri tani mbante postin e zëvendëskryeministres dhe njëherësh ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Pasi u mor e pandehur nga SPAK për shkelje me Tenderin e Llogarasë, zv.kryeministrja Belinda Balluku është nën hetim edhe për tenderin për lotin e katërt të Unazës së Madhe.

Posti që Belinda Balluku mban, Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë si përbërje të Këshillit të Ministrave. Në nenin 95, pika 1 e Kushtetutës thuhet qartë se “Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat”.

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun, dy vartësit e saj në

Në këto kushte një qeveri nuk mund të qëndrojë pa postin e zëvendëskryeministrit. Pas pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, Kryeministri Edi Rama vendoset para vendimit për ta zëvendësuar atë, por ende nuk dihet se si do të veprohet dhe a do të ketë një dorëheqje nga Balluku.

Prej orës 12:15 minuta, Belinda Balluku ndodhet në Kryeministri në një takim me kryeministrin Edi Rama. Belinda Balluku iu bashkua kabinetit të Ramës si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë në vitin 2019 dhe kontrollon prej më shumë se pesë vitesh portofolin më të madh qeveritar. Ajo është zv.kryeministrja e dytë e Ramës që po përballet me SPAK pas Arben Ahmetajt.

6 MUAJ ME PARE

Çfarë po ndodh pas dyerve të kryeministrisë? Balluku 5 orë në takim me Ramën

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun, dy vartësit e saj në
Belinda Balluku

TIRANË-Numri dy i qeverisë dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ndodhet prej pesë orësh në godinën e Kryeministrisë, pasi GJKKO caktoi ndaj saj masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim dalje nga vendi”. Zv.kryeministrja Balluku po vijon takimin me kryeministrin Rama në godinën e qeverisë prej orës 12:30, ndërsa kryeministri deri më tani nuk ka ende asnjë reagim. Takimit Balluku-Rama, i është bashkuar prej më shumë se një ore edhe ish-ministri i drejtësisë Ulsi Manja.

Përveç akuzës për ‘shkelje të barazisë në tendera’ për tunelin e Llogarasë njoftuar më 31 tetor, dosja hetimore e Ballukut është ngarkuar dhe me një çështje tjetër, atë të ndërtimit të Unazës së Madhe, Loti 4. Me vendim të gjyqtarit Erion Çela, Ballukut i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike si dhe dalja jashtë vendi. Politikania socialiste është funksionarja më e lartë publike në detyrë, që është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme. 

Përveç saj, Gjykata e Posaçme miratoi dhe masën e arrestit të shtëpisë për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kreun e Korportatës Energjitike Shqiptare, Erald Elezi.

Nuk dihet sesa mund të zgjasë takimi në kryeministri, ndërsa Partia Mundësia është vendosur para godinës, ku me pankarta në duar kërkojnë dorëheqjen e Belinda Ballukut./ZËRI

6 MUAJ ME PARE

Balluku 5 orë në takim me Ramën! Partia Mundësia protesë para Kryeministrisë: Të dorëhiqet

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun, dy vartësit e saj në
pamje nga protesta

TIRANË-Partia Mundësia dhe kreu i saj Agron Shehaj kanë dalë në një protestë para kryeministrisë, pas lajmit se Belinda Balluku është pezulluar nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre nga ana e GJKKO. Teksa Balluku ndodhet prej 5 orësh në takim me Ramën, protestuesit jashtë godinës kërkojnë dorëheqjen e zëvendëskryeministres, pas masës së Gjykatës së Posaçme për pezullimin e saj nga detyra.

GJKKO e pezulloi zv.kryeministren nga detyra dhe vendosi moslejimin e daljes së saj jashtë shtetit. Nuk dihet ende çfarë po diskutohet mes Ramës dhe Ballukut, ndërsa më herët takimit të tyre iu bashkua edhe ish-ministri i drejtësisë Ulsi Manja. Në lidhje me vendimin nga ana e kryeministrit Edi Rama nuk ka ende një reagim./ZËRI

6 MUAJ ME PARE

Balluku tre orë në Kryeministri! Edhe Ulsi Manja shkon në godinë

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun, dy vartësit e saj në
Ulsi Manja

TIRANË-Ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka mbërritur në kryeministri ku prej 3 orësh zëvëndëdkryeministrja Belinda Balluku ndodhet në takim me kryeministrin Edi Rama. Manja i cili mban dhe postin e kryetarit të komisionit të Ligjeve u pa të hynte në kryeministri rreth orës 15:40.

Nuk dihet ende çfarë po diskutohet, ndërsa pas vendimit të Gjykatës Kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit për pezullim nga detyra, zv. kryeministrja Belinda Balluku ka shkuar në zyrën e Edi Ramës. Në lidhje me vendimin nga ana e kryeministrit Edi Rama nuk ka ende një reagim.

Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimet në drejtim të numrit 2 të qeverisë Belinda Balluku, për të cilën Gjykata vendosi sot masën e pezullimit nga detyra dhe ndalimin për të dalë jashtë vendit. Përveç saj Gjykata e Posaçme miratoi dhe masën e arrestit të shtëpisë për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kreun e Korportatës Energjitike Shqiptare Erald Elezi. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n, se përveç tenderit për tunelin e Llogarasë, Balluku dhe vartësit e saj janë marrë nën hetim dhe për tenderin e lotit të katërt të Unazës së Madhe në Tiranë. Ky tender me vlerë 19 milionë euro, është fituar nga bashkimi i operatorëve “Alko Impleks General Construction” shpk dhe “2 T” shpk.

GJKKO pranoi kërkesën e SPAK për të pezulluar Ballukun nga ushtrimi i funksioneve publike, për shkak se mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban.

Balluku mund të dalë jashtë vendit vetëm me një leje të veçantë që prek rastet e familjarëve dhe të rënda shëndetësore./ZËRI

6 MUAJ ME PARE

GJKKO e pezulloi nga detyra, Belinda Balluku shkon me urgjencë në kryeministri

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun, dy vartësit e saj në
belinda balluku ne kryeministri

TIRANË- Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin e saj nga detyra, dhe ndalimin për të dalë jashtë vendit, Belinda Balluku ka shkuar në kryeministri, ndërsa nuk dihet ende nëse do të ketë një takim mes saj dhe Edi Ramës. Shkallët e kryeministrisë Balluku i ngjiti dhe ditën kur u mor zyrtarisht e pandehur nga Gjykata e Posaçme për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimet në drejtim të numrit 2 të qeverisë Belinda Balluku, për të cilën Gjykata vendosi sot masën e pezullimit nga detyra dhe ndalimin për të dalë jashtë vendit. Përveç saj Gjykata e Posaçme miratoi dhe masën e arrestit të shtëpisë për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kreun e Korportatës Energjitike Shqiptare Erald Elezi. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n, se përveç tenderit për tunelin e Llogarasë, Balluku dhe vartësit e saj janë marrë nën hetim dhe për tenderin e lotit të katërt të Unazës së Madhe në Tiranë. Ky tender me vlerë 19 milionë euro, është fituar nga bashkimi i operatorëve “Alko Impleks General Construction” shpk dhe “2 T” shpk.

GJKKO pranoi kërkesën e SPAK për të pezulluar Ballukun nga ushtrimi i funksioneve publike, për shkak se mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban.

Balluku mund të dalë jashtë vendit vetëm me një leje të veçantë që prek rastet e familjarëve dhe të rënda shëndetësore. /ZËRI

6 MUAJ ME PARE

SPAK zgjeron hetimet për Belinda Ballukun, nën lupë dhe tenderi 19 milionë euro për Unazën e Madhe të Tiranës

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun, dy vartësit e saj në
belinda balluku

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimet në drejtim të numrit 2 të qeverisë Belinda Balluku, për të cilën Gjykata vendosi sot masën e pezullimit nga detyra dhe ndalimin për të dalë jashtë vendit. Përveç saj Gjykata e Posaçme miratoi dhe masën e arrestit të shtëpisë për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kreun e Korportatës Energjitike Shqiptare Eduard Elezi.

Burime bëjnë me dije për ZËRI-n, se përveç tenderit për tunelin e Llogarasë, Balluku dhe vartësit e saj janë marrë nën hetim dhe për tenderin e lotit të katërt të Unazës së Madhe në Tiranë. Ky tender me vlerë 19 milionë euro, është fituar nga bashkimi i operatorëve “Alko Impleks General Construction” shpk dhe “2 T” shpk.

GJKKO pranoi kërkesën e SPAK për të pezulluar Ballukun nga ushtrimi i funksioneve publike, për shkak se mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban.

Balluku mund të dalë jashtë vendit vetëm me një leje të veçantë që prek rastet e familjarëve dhe të rënda shëndetësore. /ZËRI

6 MUAJ ME PARE

Pas Ballukut, Gjykata e Posaçme arreston kreun e ARRSH-së dhe drejtorin e KESH

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun, dy vartësit e saj në
personat nen hetim per tenderin e llogarase

TIRANË- Përveç ministres Belinda Balluku, që u pezullua nga ushtrimi i funksioneve publike, Gjykata e Posaçme ka lëshuar masa sigurie "arrest shtëpie" për dy zyrtarë të tjerë. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se dy personat që janë vënë nën masën e arrestit të shtëpisë janë kreu aktual i ARRSH-së Gentian Gjyli, si dhe drejtori i KESH, Erald Elezi. Belinda Ballukut i ndalohet që të ushtrojë funksione publike, si dhe i është bllokuar pasaporta në mënyrë që të mos dalë jashtë vendit.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit që ju është vendosur në dispozicion shkresa, janë urdhëruar të vënë në dijeni për masat funksionaren Belinda Balluku, dhe në rast të mosrespektimit të vendimit të Gjykatës, ndaj politikanes socialiste mund të aplikohet një masë më e ashpër sigurie. Si Balluku ashtu dhe vartësit e saj, ishin marrë të pandehur më herët nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa masat e reja janë lëshuar nga gjyqtari Erion Çela me kërkesë të prokurorit Dritan Prençi.

 Belinda Balluku u mor e pandehur nga Prokuroria e Posaçme në 31 Tetor, për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera, në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Pas rreth tre javësh ku qëndroi në heshtje dhe vijoi aktivitetin e saj politik, Belinda Balluku u rikthye dje për herë të parë në Kuvend, ku bëri dhe mbrojtjen e saj në lidhje me akuzat, ndërsa gjatë fjalës së saj opozita vendosi që të braktiste sallën./ZËRI 

6 MUAJ ME PARE

Gjykata e Posaçme pezullon nga detyra Belinda Ballukun, i ndalohet largimi jashtë vendit

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun, dy vartësit e saj në
belinda balluku

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur dy masa të reja në drejtim të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, atë të pezullimit nga detyra, si dhe ndalimin për të dalë jashtë vendit. Këto masa të reja ndaj numrit 2 të qeverisë, janë ndërmarrë me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, pasi Balluku si person nën hetim mund të prishte provat, apo të intimidonte dëshmitarët. Belinda Balluku u mor e pandehur nga Prokuroria e Posaçme në 31 Tetor, për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera, në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Pas rreth tre javësh ku qëndroi në heshtje dhe vijoi aktivitetin e saj politik, Belinda Balluku u rikthye dje për herë të parë në Kuvend, ku bëri dhe mbrojtjen e saj në lidhje me akuzat, ndërsa gjatë fjalës së saj opozita vendosi që të braktiste sallën.

Nga salla e Kuvendit, Belinda Balluku tha se nuk ka asnjë koment për çështjen në hetim dhe se nuk do të prononcohet derisa e vërteta të dalë në dritë.

“Më duhet të them disa fjalë jo për baltën dhe aludimet, por për detyrimin që kam ndaj kujtdo që beson te puna. Nuk do dëgjoni nga unë akuza për drejtësinë e re dhe kur prekem personalisht. Besoj thellësisht që kjo drejtësi e re produkt i PS dhe Ramës, dhe është duke kryer misionin nga i cili u reformua me pikat e dobëta dhe të forta. Nuk do më dëgjoni të merrem me prokurorë dhe gjyqtar, nuk do prononcohem për çështjen pasi kanë rrugën e tyre dhe do e ndjek derisa e vërteta të marr formën e vet. Ne mbështesim reformën edhe kur prekemi personalisht. PS është një formacion politik serioz i vetmi në republikë ku fjala e secilit degjohet dhe ka peshë. Ndaj në respekt të misionit të saj nuk kam asnjë koment”, u shpreh dje Balluku.

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se shifra për abuzimin me tenderin në tunelin e Llogarasë është fiktive, njësoj siç sipas tij ka ndodhur më herët dhe me aferën e inceneratorëve. Tashmë pas masës së dhënë nga Gjykata e Posaçme, mbetet për t’u parë nëse kryeministri do të zgjedhë persona të tjerë në postin e zëvendësit të tij, si dhe në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, një prej portofoleve më të rëndësishme në qeveri.

Sipas një dosje penale të shpalosur nga SPAK, Belinda Balluku nën cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur fazën e tenderit për Tunelin e Llogarasë, që nga faza përgatitore, deri në momentin e lidhjes se kontratës me operatorin ekonomik fitues.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Balluku e kishte të përcaktuar fituesin e tenderit për Tunelin e Llogarasë, bashkimi i Operatorëve Ekonomikë (BOE) "INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK" dhe "ASL INSAAT TAAHHUT". Bashkimi i kompanive turke u shpall fitues i tenderit me ofertë rreth 170 milionë euro. 

Një tender fitues me këtë vlerë, ndonëse kishte oferta të tjera shumë herë më vogla, sipas SPAK, ka ndodhur në sajë “të veprimeve të kundërligjshme të Belinda Balluku, nën cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, veprime këto, në kundërshtim me ligjin nr. 162/2020 "Për Prokurimin Publik" dhe VKM nr. 285, datë 19.05.2021 "Për miratimin e rregullave të prokurimit publik".

E gjithë skema është zbuluar nga komunikimet mes Ballukut dhe vartësit të saj, Evis Berberi, përmes aplikacionit Signal, që nuk mund të përgjohet. Por Berberi rezulton t’i kishte ruajtur sms-të që kishte këmbyer me eproren. Sipas SPAK, komunikimet mes tyre kanë vërtetuar se që prej tenderit të parë e deri në firmosjen e kontratës me turqit, Balluku, kishte 'mbikëqyrur' çdo hap, deri në shpalljen e tenderit fitues. Berberi ka luajtuar po ashtu një rol kyç, pasi ishte pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për tenderin e parë, që më pas u anulua, e deri kur më pas e emëroi në krye të ARSH-së.

Ku nis historia? Që me hapjen me hapjen e tenderit të parë, në dhjetor të vitit 2020. Nga një fond limit prej 190 milionë eurosh, kompania “Gjoka Construction” kishte bërë një ofertë prej 140 milionë. Megjithatë, kjo oferta do të shpallej e papërshtatshme sipas ministres dhe zv.kryeministres, Belinda Balluku. Më pas, kjo e fundit, ka urdhëruar vartësin që të anulojë direkt tenderin.

Bisedë të 18 marsit 2021

Belinda Balluku: Mendoj ta anulojmë, skualifikoji të gjithë.

Evis Berberi: Jam mëse dakord.

Belinda Balluku: Më jep afatet nëse e shpallim nesër....Mbylleni sot me urgjencë.

Evis Berberi: E mbyllëm, sot e ke të mbaruar.

Më pas, Balluku shton: “Kam atë ndjesinë time që nuk duhet”, dhe Berberi vijon: “E ke të fortë ndjesinë. Kur e do?”.

Përse e akuzon SPAK Ballukun? Tenderi i Tunelit të Llogarasë “patatja” e nxehtë e hetimit

Pas kësaj lëvizjeje, qëllimi ishte hapja e tenderit të dytë që u rihap më 22 qershor 2021, ku në lojë futet kompania turke INTERCAR, e cila nuk kishte aplikuar tenderin e parë. Megjithatë, nga komikimet e zbuluara, Balluku kishte kontaktuar me kompaninë në fjalë, e cila më 1 tetor shpallet fituese nga bashkimi me ASL, me ofertën 170 milionë euro, 30 milionë euro më shumë se oferta që kishte paraqitur shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. në procedurën e parë.

SPAK nënvizon në dosje se bashkimi i dy kompanive u shpall fitues në kundërshtim me kriteret e vendosura në dokumentet standarte të tenderit. Bëhet fjalë për kritere, si: mungesa e përvojës në ndërtim urash, mungesa e dokumentit për urdhrat përmbarimorë, dokumentet e papërkthyera dhe të pacertifikuara, mungesë dokumentesh për kontratat e punonjësve, dhe të asaj të makinerive dhe pajisjeve./ZËRI 

Poll

MOS HUMB