LIVE UPDATES

19 shtete firmosin Bordin e Paqes! BE ‘bllokadë’ Trump, edhe Rama nuk ishte i pranishëm. Presidenti amerikan: Të gjithë do bëhen pjesë

➤Presidenti Donald Trump ka firmosur zyrtarisht marrëveshjen për Bordin e Paqes, ku ishin të pranishëm vetëm 19 shtete, shumë më pak se pritshmëritë që kishin pasur më herët zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë. ➤Ajo që ra në sy ishte mungesa e të gjithë krerëve të vendeve të BE, me përjashtim të Hungarisë, ndërsa Trump nuk u kursye as ndaj të pranishmëve, kur tha: Janë nja dy tre këtu që nuk i duroj dot, po janë njerëz të jashtëzakonshëm. ➤Në takim ishte e pranishme presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama, jo. ➤Trump ka zbutur tonet dhe në raport me OKB, ku tha se kjo organizatë ka një potencial të jashtëzakonshëm.

7 artikuj për këtë temë.
5 MUAJ ME PARE

Çfarë është "Bordi i Paqes" i Trump dhe kush do t'i bashkohet?

19 shtete firmosin Bordin e Paqes! BE ‘bllokadë’ Trump, edhe
donald trump-lista e vendeve qe kane firmosur

DAVOS- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ftuar dhjetëra liderë botërorë që t'i bashkohen iniciativës së tij të Bordit të Paqes që synon zgjidhjen e konflikteve globale, por diplomatët thonë se kjo mund të dëmtojë punën e Kombeve të Bashkuara.

Ndërsa disa aleatë tradicionalë të SHBA-së janë përgjigjur me kujdes dhe në disa raste e kanë refuzuar ofertën e Trump, të tjerë, përfshirë kombe që kanë pasur prej kohësh marrëdhënie të tensionuara me Uashingtonin, si Bjellorusia, e kanë pranuar.

ÇFARË ËSHTË BORDI I PAQES?

Trump e propozoi për herë të parë Bordin e Paqes shtatorin e kaluar, kur njoftoi planin e tij për t'i dhënë fund luftës në Gaza. Më vonë, ai e bëri të qartë se fushëveprimi i bordit do të zgjerohej përtej Gazës për të trajtuar konflikte të tjera në mbarë botën.

Presidenti i SHBA-së do të jetë kryetari i parë i bordit dhe do të ketë për detyrë të promovojë paqen në të gjithë botën dhe të punojë për zgjidhjen e konflikteve, sipas një kopjeje të draft-kartës së parë nga Reuters.

Shtetet anëtare do të kufizohen në mandate trevjeçare, përveç rasteve nëse paguajnë nga 1 miliard dollarë secila për të financuar aktivitetet e bordit dhe për të fituar anëtarësim të përhershëm, thuhet në statut.

Shtëpia e Bardhë ka emëruar Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, të dërguarin special të Trump, Steve Witkoff, ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner, si anëtarë të Bordit Ekzekutiv themelues të iniciativës.

CILAT VENDE E KANË PRANUAR FTESËN E TRUMPIT DERI TANI?

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha të mërkurën se rreth 35 liderë botërorë deri më tani janë zotuar të bashkohen me Bordin e Paqes nga rreth 50 ftesa që janë dërguar.

Këto përfshijnë aleatë të Lindjes së Mesme si Izraeli, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe , Bahreini, Jordania, Katari dhe Egjipti. Anëtarët e NATO-s, Turqia dhe Hungaria, udhëheqësit nacionalistë të të cilave kanë kultivuar lidhje të mira personale me Trumpin, gjithashtu kanë rënë dakord të marrin pjesë, ashtu si edhe Maroku, Pakistani, Indonezia, Kosova, Uzbekistani, Kazakistani, Paraguai dhe Vietnami.

Benjamin Netanyahu i Izraelit është gjithashtu dakord, edhe pse është zemëruar për përfshirjen e zyrtarëve turq dhe katarianë në Bordin Ekzekutiv të Gazës dhe përballet me një urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Nuk kishte asnjë përfaqësues izraelit në skenë për ceremoninë e Bordit të Paqes, megjithëse Presidenti izraelit Isaac Herzog ishte në Davos. Netanyahu nuk mori pjesë.

Udhëheqësi bjellorus Aleksandër Lukashenko, i përshkruar shpesh si diktatori i fundit i Evropës dhe një aleat kyç i presidentit rus Vladimir Putin, është regjistruar.

Kryeministri kanadez Mark Carney, i cili ka kritikuar vazhdimisht Trumpin për prishjen e “rendit global të bazuar në rregulla” dhe vendosjen e tarifave ndëshkuese, synon të bashkohet me kushtet. Ai tha se detajet, përfshirë ato financiare, ende nuk janë përpunuar.

Putin dhe Carney nuk ishin të pranishëm në ceremoninë e Davosit të enjten.

CILAT VENDE KANË REFUZUAR TË ANËTARËSOHEN APO ENDE NUK JANË ANGAZHUAR?

Iniciativa e Bordit të Paqes, e cila vjen në mes të një përçarjeje transatlantike në rritje mbi Groenlandën , tarifat dhe çështje të tjera, ka tërhequr një reagim të kujdesshëm nga disa aleatë të ngushtë të SHBA-së, të cilët shpesh nuk ndihen rehat me qasjen luftarake, unilaterale, "Amerika e Para" të Trump ndaj diplomacisë ndërkombëtare.

Norvegjia dhe Suedia e kanë refuzuar ftesën e tij, ndërsa Ministri i Ekonomisë i Italisë, Giancarlo Giorgetti, tha se anëtarësimi në bord dukej problematik.

Britania tha se nuk do të nënshkruante për shkak të shqetësimeve rreth përfshirjes së Rusisë.

Franca gjithashtu ka refuzuar pjesërisht duke përmendur pyetje se si do të vepronte Bordi i Paqes në bashkëpunim me OKB-në.

ÇFARË FUQIE DO TË KETË BORDI?

Këshilli i Sigurimit i OKB-së në nëntor i dha mandat Bordit të Paqes, por vetëm deri në vitin 2027 dhe që të përqendrohet vetëm në Gaza. Rusia dhe Kina abstenuan, duke u ankuar se rezoluta e hartuar nga SHBA-të nuk i jepte OKB-së një rol të qartë në të ardhmen e Gazës.

Rezoluta mirëpriti krijimin e Bordit të Paqes si një administratë kalimtare "që do të përcaktojë kornizën dhe do të koordinojë fondet për rindërtimin e Gazës" sipas planit të paqes të Trump derisa Autoriteti Palestinez të jetë reformuar në mënyrë të kënaqshme.

Gjithashtu autorizoi Bordin e Paqes që të vendoste një Forcë të përkohshme Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza. Bordi kërkohet t'i raportojë Këshillit të Sigurimit prej 15 anëtarësh çdo gjashtë muaj mbi progresin e tij.

Përtej Gazës, mbetet e paqartë se çfarë autoriteti ligjor ose mjetesh zbatimi do të ketë Bordi i Paqes ose si do të punojë me Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Karta e Bordit thotë se kryetari i tij, Trump, do të ketë fuqi të gjerë ekzekutive, duke përfshirë aftësinë për të vënë veton ndaj vendimeve dhe për të shkarkuar anëtarët, me kusht që të ketë disa kufizime.

ipas statutit të tij, Bordi do të ndërmarrë "funksione të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare"./ZËRI

5 MUAJ ME PARE

Zelensky njofton nga Davos: Ukraina do të zhvillojë takim trepalësh me Rusinë dhe SHBA

19 shtete firmosin Bordin e Paqes! BE ‘bllokadë’ Trump, edhe
Volodymyr Zelensky

DAVOS- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar nga Davosi se së shpejti do të mbahet një takim trepalësh në fundjavë, mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së, për të folur mbi vendosjen e paqes mes Kievit dhe Moskës. 

Ukraina, Rusia dhe SHBA-të do të zhvillojnë bisedimet e tyre të para trepalëshe për paqe në Emiratet e Bashkuara Arabe të premten, njoftoi Volodymyr Zelensky, pasi nisi një sulm të ashpër ndaj udhëheqësve botërorë për mungesën e mbështetjes për Kievin. Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zelensky tha se takimet do të jenë në “nivel teknik”, duke shtuar se “rusët duhet të jenë të gatshëm për kompromise, jo vetëm Ukraina”.

Njoftimi i tij erdhi ndërsa bëri disa nga komentet e tij më kritike deri më tani ndaj aleatëve të Kievit, duke u thënë delegatëve se Evropa “i pëlqen të diskutojë për të ardhmen, por shmang ndërmarrjen e veprimeve. Vërejtjet e tij erdhën menjëherë pas bisedimeve me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në margjinat e forumit, takimi i tyre i parë ballë për ballë këtë vit.

Zelensky dhe Trump folën për rreth një orë, e më pas patën një diskutim kokë më kokë. Presidenti ukrainas më vonë i përshkroi bisedimet si të rëndësishme dhe tha se ngriti nevojën urgjente për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës, veçanërisht në përgjigje të sulmeve ruse në infrastrukturën energjetike.

Trump më vonë u tha gazetarëve se takimi i tij me Zelenskyn në Davos kishte qenë shumë i mirë dhe tha se kishte një marrëveshje të gjerë mbi nevojën për t'i dhënë fund luftës. /ZËRI

5 MUAJ ME PARE

Pse nuk ishte në Davos për të firmosur marrëveshjen me Trump? Rama: Zgjodha vajzën, me lejen e tij…

19 shtete firmosin Bordin e Paqes! BE ‘bllokadë’ Trump, edhe
edi rama ne kuvend

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot në Kuvend, ku dha sqarime në lidhje me mungesën e tij në Davos, për të firmosur marrëveshjen me presidentin amerikan Donald Trump, për Bordin e Paqes.

“Isha në mes të një dileme nëse duhet ti përgjigjesha babait, apo të prisja vajzën. Natyrisht që vajzën e zgjodha me lejen e babait. Prisja nga zoti Mediu, që të hidhte poshtë pretendimin e Britanisë dhe të mbante anën e Amerikës. Zoti Mediu rrini i qetë, analizat i kanë bërë ata që na ftuan”, u shpreh Rama.

Rama iu përgjigj interesimit të deputetëve të pranishëm në sallë, mes tyre dhe Erald Kaprit, i cili solli shembullin e presidentes së Kosovës, e cila ishte pranë Trump në Davos.

“Duke përfituar nga rasti që kemi kryeministrin në sallë, dua mendimin e tij nëse është krenar sot që presidentja e Kosovës ndodhet në nënshkrimin e Bordit të Paqes, ndërsa kryeministri i Shqipërisë nuk ndodhet në Davos për të firmosur”, u shpreh Kapri.

Ai theksoi se pritshmëritë kanë qenë që Shqipëria të ishte e pranishme në Davos, pasi sipas deklarimeve zyrtare, vendi ynë është konsideruar si një nga themeluesit e kësaj nisme. Kapri iu referua gjithashtu deklaratës së kreut të grupit parlamentare të PS-së, Taulant Balla, sipas të cilit Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka marrë një ftesë të tillë. /ZËRI 

5 MUAJ ME PARE

BE ‘bojkoton’ Bordin e Paqes! Kush ishin 19 shtetet firmëtare, Erdogan u përfaqësua nga…

19 shtete firmosin Bordin e Paqes! BE ‘bllokadë’ Trump, edhe
donald trump

DAVOS- Në Davos u firmos sot marrëveshja e Bordit të Paqes me 19 shtete, kryesisht nga Lindja e Mesme, ndërsa ra në sy mungesa e përfaqësuesve të vendeve të BE, me përjashtim të Hungarisë. Ndërkohë që në listën e pjesëmarrësve ishte dhe Turqia, e cila u përfaqësua nga Ministri i Jashtëm Hakan Fidan.

LISTA E PJESËMARRËSVE

1.Arabia Saudite, ministri i Jashtëm Faisal bin Farhan Al‑Saud
2.Argjentina, presidenti Javier Milei
3.Armenia, kryeministri Nikol Pashinyan
4.Azerbajxhani, presidenti Ilham Aliyev
5.Bahrejni, sheiku Isa bin Salman Al Khalifa
6.Bullgaria, kryeministri Rosen Zhelyazkov
7.Emiratet e Bashkuara Arabe, kryetari i Autoritetit të Çështjeve Ekzekutive Khaldoon Al Mubarak
8.Hungaria, kryeministri Viktor Orban
9.Indonezia, presidenti Prabowo Subianto
10.Jordania, zëvendëskryeministri Ayman Safadi
11.Katari, kryeministri Sheiku Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani
12.Kazakistani, presidenti Kassym‑Jomart Tokayev
13.Kosova, presidentja Vjosa Osmani
14.Mongolia, kryeministri Gombojavyn Zandanshatar
15.Maroku, ministri i Jashtëm Nasser Bourita
16.Pakistani, kryeministri Shehbaz Sharif
17.Paraguai, presidenti Santiago Pena
18.Turqia, ministri i Jashtëm Hakan Fidan
19.Uzbekistani, presidenti Shavkat Miromonovich Mirziyoyev

5 MUAJ ME PARE

“Të gjithë duan të jenë pjesë e Bordit”, Trump zbut tonet me OKB-në: Kanë potencial të jashtëzakonshëm, por s’e kanë përdorur

19 shtete firmosin Bordin e Paqes! BE ‘bllokadë’ Trump, edhe
donald trump

DAVOS- Presidenti amerikan Donald Trump, u shfaq optimist gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për Bordin e Paqes me 19 vende, kryesisht të Lindjes së mesme, ndërsa ran ë sy mungesa e vendeve të BE-së me përjashtim të Hungarisë.

“Po ecën shumë mirë… pothuajse çdo vend dëshiron të jetë pjesë e saj“, u shpreh Trump në nisje të fjalimit, ndërsa u shpreh se “Bordi i tij i ri i Paqes” do të punojë “në bashkëpunim” me Kombet e Bashkuara, edhe pse e kritikoi OKB-në për dështimin në përmbushjen e potencialit të saj.

“Sapo ky bord të formohet plotësisht, ne mund të bëjmë pothuajse çfarëdo që duam të bëjmë, dhe do ta bëjmë këtë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara”, tha ai në Davos. “Gjithmonë kam thënë se Kombet e Bashkuara kanë një potencial të jashtëzakonshëm. Nuk e kanë përdorur, por ka një potencial të jashtëzakonshëm.”

Trump kishte sugjeruar më parë se “Bordi i Paqes”, të cilin ai e formoi kryesisht për të ndihmuar në rindërtimin e Gazës, “mund” përfundimisht të zëvendësojë OKB-në. Por të enjten ai tha se donte që të dyja të punonin së bashku, duke argumentuar se kjo mund të rezultonte në “diçka shumë, shumë unike për botën”.

Megjithatë, ai foli ashpër për performancën aktuale të OKB-së, duke pretenduar se ajo kishte luajtur pak rol në ndërmjetësimin e konflikteve që Trump i konsideron ndër të ashtuquajturat luftëra që ai beson se i ka përfunduar.

“Për tetë luftërat që i dhashë fund, nuk fola kurrë me Kombet e Bashkuara, asnjërën prej tyre”, tha Trump. “Ata u përpoqën, mendoj, dhe disa prej tyre, por nuk u përpoqën mjaftueshëm.”

Presidenti Donald Trump njoftoi se “Bordi i Paqes” ka filluar punën dhe “po funksionon shkëlqyeshëm”.

“Kemi një grup të shkëlqyer njerëzish dhe të rinj të jashtëzakonshëm që po e udhëheqin atë nga brenda”, tha ai gjatë njoftimit të bordit në Davos.

Trump gjithashtu vlerësoi punën për një plan paqeje për konfliktin në Gaza, duke thënë: “Ne publikuam një plan për përfundimin e përhershëm të konfliktit në Gaza dhe jam i kënaqur të them se vizioni ynë u miratua unanimisht nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në fund të vitit të kaluar”./ZËRI 

5 MUAJ ME PARE

Kosova nënshkruan pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, Osmani bisedë ‘kokë më kokë’ me Trump

19 shtete firmosin Bordin e Paqes! BE ‘bllokadë’ Trump, edhe
DONALD TRUMP DHE VJOSA OSMANI

DAVOS- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në praninë e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ka nënshkruar marrëveshjen për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes në Davos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Osmani u pa duke shkëmbyer edhe një bisedë të shkurtë me presidentin Trump, ku më pas nënshkroi marrëveshjen e cila u prit me duartrokitje nga të pranishmit e tjerë. Gjatë prezantimit të Bordit të Paqes nga ana e Trump, ra në sy mungesa e liderve të BE, ndërsa 19 kryetarët e shteteve të pranishëm, iu përkisnin kryesisht vendeve të lindjes.

19 shtete firmosin Bordin e Paqes! BE ‘bllokadë’ Trump, edhe
NENSHKRIMI I MARREVESHJES

Gjatë fjalës së tij, përpara nënshkrimit të marrëveshjeve, Trump iu është përgjigjur kritikëve të Bordit të Paqes, teksa tha se ai ka potencialin të jetë “një nga organet më të rëndësishme të krijuara ndonjëherë”, duke shtuar se është i nderuar që është kryetar.

“Po ecën shumë mirë… pothuajse çdo vend dëshiron të jetë pjesë e saj“, u shpreh presidenti amerikan.

Trump tha se sapo të formohet Bordi i Paqes, “ne mund të bëjmë pothuajse çfarë të duam”, po duke bashkëpunuar me Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Pavarësisht kritikave të tij të përsëritura ndaj organit ndërkombëtar, ai thotë se OKB ka “potencial të jashtëzakonshëm”.

Trump tha se kombinimi i përpjekjeve të Bordit të Paqes dhe OKB-së është “diçka shumë unike për botën” dhe “hapi i parë drejt një dite më të ndritshme për Lindjen e Mesme”. /ZËRI 

5 MUAJ ME PARE

Vetëm 19 kryetarë shtetesh! Trump prezanton Bordin e Paqes, Rama mungon, shtrëngon duart me Osmanin: Nja dy tre prej jush nuk i duroj dot…

19 shtete firmosin Bordin e Paqes! BE ‘bllokadë’ Trump, edhe
donald trump

DAVOS- Presidenti Donald Trump ka firmosur zyrtarisht marrëveshjen për Bordin e Paqes, ku ishin të pranishëm vetëm 19 shtete, shumë më pak se pritshmëritë që kishin pasur më herët zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë. Ajo që ra në sy ishte mungesa e të gjithë krerëve të vendeve të BE, me përjashtim të Hungarisë, ndërsa Trump nuk u kursye as ndaj të pranishmëve, kur tha: Janë nja dy tre këtu që nuk i duroj dot, po janë njerëz të jashtëzakonshëm.

Në takim ishte e pranishme presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama, jo.

Duke lavdëruar veprimet e tij në frontin ndërkombëtar, Donald Trump permendi gjatë fjalës së tij, përpara të pranishmëve sulmet ndaj centraleve bërthamore iraniane që ndodhën verën e kaluar, të cilat ai thotë se "shkatërruan" kapacitetin bërthamor të vendit.

“Irani dëshiron të flasë dhe do të flasë”, tha Trump, përpara se të vazhdojë të diskutojë operacionet kundër grupit Shteti Islamik në Siri.

Trump më pas u shpreh se “po ndodhin shumë gjëra të mira” dhe përshkruan se si kërcënimet ndaj Evropës, Amerikës dhe Lindjes së Mesme “po qetësohen vërtet”.

"Vetëm një vit më parë bota ishte në flakë, shumë njerëz nuk e dinin", shton ai.

Trump përsëriti pretendimin e tij se ka zgjidhur tetë luftëra që kur ka ardhur në detyrë, ndërsa u shpreh se një zgjidhje tjetër "do të vijë shumë shpejt".

Për luftën në Ukrainë, ai deklaroi: “Ajo që mendoja se do të ishte e lehtë, ka rezultuar të jetë ndoshta më e vështira.”

Pastaj ai falënderoi të pranishmit në ceremoni, përfshirë ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair: "Faleminderit Tony që je këtu, e vlerësojmë shumë."/ZËRI 

Poll

MOS HUMB