
TIRANË- Për shkak të gazeve serrë të emetuara nga njerëzimi, qershori 2024 ishte muaji më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, duke thyer çdo rekord. Sipas të dhënave të publikuara nga Observatori Evropian Copernicus, temperatura mesatare ishte "1.64°C më e lartë se mesatarja para-industriale", nga viti 1850 deri në vitin 1900, kur shpyllëzimi, djegia e qymyrit, gazit dhe naftës nuk kishin shkaktuar ende ngrohjen globale.
Në Arabinë Saudite mbi 1.300 njerëz vdiqën gjatë pelegrinazhit të madh në Mekë, pasi temperatura arriti në 51.8 gradë Celsius në xhaminë e madhe të qytetit të shenjtë të Islamit. Në Greqi, Akropoli duhej të mbyllej në mes të qershorit, pasi temperatura i kaloi 44 °Celsius. Në Kinë, veriu, përfshirë Pekinin, duroi temperaturat mbi 40°C, ndërsa jugu u përfshi nga përmbytjet.
Kenia, Afganistani dhe Franca u përballën gjithashtu nga përmbytje shkatërruese, një tjetër fenomen që po intensifikohet ndërkombëtarisht për shkak të ngrohjes globale, pasi rritet lagështia maksimale në atmosferë dhe rrjedhimisht edhe intensiteti i mundshëm i reshjeve. Në SHBA dhe Meksikë, valët vdekjeprurëse të të nxehtit në fund të majit dhe fillim të qershorit janë bërë 35 herë më të mundshme se më parë. Një tjetër pasojë e valëve të të nxehtit u shënuan në rajonin e Ballkanit, në Pakistan dhe në Egjipt, ku u shënuan ndërprerje të shumta të energjisë elektrike.
Temperatura globale në fund të vitit 2024 do të varet kryesisht nga evolucioni i nivelit të nxehtësisë në oqeane, të cilat mbulojnë 70% të sipërfaqes së planetit./ZËRI