Projekti për rritjen e ofertës turistike të rajonit të Shkodrës që në fazën e dytë përfshin Parkun Ligatinor ka tashmë një fitues. Në sistemin e prokurimeve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) u shpall këtë javë fituesi që do të bëjë zbatimin ku rezulton se FUSHA sh.pk do ta realizojë këtë kundrejt vlerës 4.27 milionë euro.
Kontrata që është pjesë e projektit të BERZH për ndërhyrjet në infrastrukturë në zonat me potencial turistik dhe që po zbatohet përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit parashikon edhe përmirësime në infrastrukturën rajonale të Shkodrës në pjesën ku është hyrja e Liqenit.
Në fazën fillestare të shpalljes së tenderit nga ana e institucioneve u dhanë detaje sa i takon pjesës që do të prekë kjo fazë e projektit.
Konkretisht sa i takon anës gjeografike kjo zonë shtrihet nga ura e Bunës në jug, vazhdon përgjatë rrugës nacionale të Shkodrës në drejtim të qytetit deri në rrethrrotullimin e bypass-it në lindje dhe ndjek bypass-in deri në pikën e bashkimit me bypass-in e vjetër në veri. Në perëndim kufizohet me ujërat e lumit Buna dhe liqenit të Shkodrës.
“Zona e Projektit është shumë pak e populluar. Toka natyrore zë përqindjen më të madhe. Funksionaliteti i tij ndahet në dy pjesë:
– Pjesa jugore, në të cilën ka një park të rastësishëm, disa biznese dhe një shëtitore.
– Pjesa veriore, e njohur ndryshe si pjesa ndërmjet dy bypass-eve, tokë dhe natyrë.
Parku Ligatinor është një zonë e veçantë që ndodhet në veri të zonës. Kjo zonë strategjike mbron ligatinën e liqenit të Shkodrës duke lejuar prurjet e e tij në stinët e shirave.
Në të njëjtën kohë, Parku Ligatinor ofron funksione rekreative për qytetarët të tilla si zona për ecje dhe pushim me pamje nga ligatinat dhe objektet sportive.
Parku Ligatinor ka një rëndësi të madhe strategjike për Shkodrën sepse është një projekt i parë i përshtatur me aspektin e ndryshimeve klimatike në Shqipëri që rregullon prurjet.
Ky amortizues i gjelbër mund të bëhet edhe një model për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit në raport me liqenin e Shkodrës” sqarohej në atë kohë në dokumentet e argumentimit të projektit. /Marrë nga Monitor