
TIRANË- Enti Rregullator i Energjisë (ERE) bëri të ditur se janë 374 subjekte të licencuara prej tij që kanë detyrimin e pagesave rregullatore. Këto pagesa janë para që çdo subjekt i paguan për llogari të Entit si detyrim për licencën që mban në tregun ku operon dhe duhet të bëhen çdo vit, duke pasur parasysh xhiron vjetore që ka secili prej tyre.
Më herët, ERE gjatë prillit u kërkoi subjekteve depozitim të pasqyrave financiare, të cilat duhet të ishin të pastra nga aktivitete të tjera ku mund të jenë subjektet të përfshira për të shmangur ndërsubvencionimet.
ERE ka përcaktuar edhe detyrimet që kanë subjektet që nuk kanë pasur aktivitet gjatë vitit 2023, duke e pasur kështu të pamundur të japin një xhiro të saktë.
“Për të licencuarit që nuk kanë zhvilluar aktivitet apo që në momentin e llogaritjes së pagesës rregullatore nuk e kanë filluar aktivitetin për të cilin janë licencuar, në zbatim të dispozitave 5.2 dhe 6.3 të “Rregullores për përcaktimin e pagesave rregullatore” e ndryshuar, pagesa rregullatore është llogaritur në shumën fikse prej 100 mijë lekësh” vlerëson Enti.
Sipas vendimit, e njëjta shumë fikse është zbatuar edhe për shoqëritë që kanë më shumë se një licencë dhe nuk i kanë paraqitur pasqyrat financiare të ndara sipas aktiviteteve të licencuara në zbatim të kërkesës për ndarjen e llogarive përcaktuar në nenin 35, pika 1 të ligjit nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” i ndryshuar, dhe pikës 3 të nenit 30 të ligjit nr. 102/2015 “Për sektorin e gazit natyror” i ndryshuar.
“Kështu, në rastet kur shoqëritë i paraqesin llogaritë e konsoliduara, atëherë ndër dy ose më shume aktivitete të licencuara, vetëm njërit prej tyre i është llogaritur pagesa rregullatore nëpërmjet peshës specifike të të ardhurave ndaj totalit të të ardhurave të sektorit, ndërsa për aktivitetet e tjera është zbatuar automatikisht tarifa fikse prej 100,000 lekë” thuhet në dokument.
Enti ka sqaruar se diferencat që rezultojnë nga pasqyrat financiare të certifikuara të vitit 2023 do të konsiderohen në llogaritjen e pagesave të rregullimit të periudhës pasardhëse.
Pagesat rregulltore duhet të paguhen jo më vonë se 30 ditë nga publikimi i vendimit në Fletoren Zyrtare.
“Të licencuarit subjekt i këtij vendimi (sipas tabelës bashkëlidhur) duhet të kryejnë pagesat rregullatore ndaj ERE, jo më vonë se 30 ditë nga botimi në Fletoren Zyrtare të këtij vendimi, në të kundërt, do të jenë subjekt i aplikimit të masave administrative të parashikuara në nenin 42, pika 1, gërma ç), pika 2, gërma b) dhe nenit 107, të ligjit nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” i ndryshuar, nenit 27, pika 1, gërma “ç” dhe nenit 106, gërma “a” (xi) e Ligjit nr. 102/2015 “Për sektorin e gazit natyror”, i ndryshuar dhe nenit 5, pika 1, të “Rregullores për procedurat e vendosjes dhe reduktimit të gjobave” miratuar me vendimin nr. 125, datë 29.07.2016, të bordit të ERE-s” nënvizon vendimi i ERE. /Monitor