
KENIA - Keniasve iu është dhënë një festë e veçantë për të mbjellë 100 milionë pemë, si pjesë e synimit të qeverisë për të mbjellë 15 miliardë pemë në 10 vjet.
Festa do të lejojë çdo kenian që të mbjellë fidanë, sipas ministrit të Mjedisit Soipan Tuya. Çdo kenian po do të duhet të mbjellë të paktën dy fidanë, që të mbillen fillimisht 10 milionë pemë.
Nisma synon të ndihmojë në luftimin e ndryshimeve klimatike. Pemët ndihmojnë në trajtimin e problemit të ngrohjes globale, duke thithur dioksidin e karbonit nga ajri, ndërsa lëshojnë oksigjen në atmosferë.
Qeveria ka vënë në dispozicion në total rreth 150 milionë fidanë në fidanishtet publike. Qeverisja ka vënë në dispozicion fidanët për kenianët, për t'i mbjellë në zona të caktuara publike.
Por ka inkurajuar gjithashtu kenianët që të blejnë të paktën dy fidanë, për t'i mbjellë në tokën e tyre. Presidenti Uilliam Ruto drejtoi ‘misionin’ në Makueni, në lindje të vendit. Ministrat e kabinetit u dërguan në rajone të tjera për të udhëhequr procesin, krahas guvernatorëve të qarqeve dhe zyrtarëve të tjerë.
Në një vend pranë burimit të lumit të dytë më të gjatë në Kenia, Athi, kishte dhjetëra njerëz, duke përfshirë ushtarë dhe banorë, disa me familjet e tyre.
"Kam ardhur së bashku me kolegët e mi, jam i lumtur që jam këtu për të treguar dashamirësinë time për mjedisin", tha studenti Uycliffe Kamau për BBC.
"Kam ardhur për të mbjellë pemë këtu, sepse niveli i ujit është ulur. Edhe këtu në burimin e lumit, nivelet janë shumë të ulëta. Ne duhet të luftojmë ndryshimet e klimës në mënyrë që fëmijët tanë të kenë një vend për të jetuar, kur ne të mos jemi më ", tha banori i zonës Stephen Chelulei.
Megjithatë, shumë njerëz, veçanërisht në qytete, nuk kanë gjasa të marrin pjesë në këtë ‘festë’.
Mbjellja e pemëve do të monitorohet përmes një aplikacioni në internet. Aplikacioni Jaza Miti gjithashtu do t'i ndihmojë njerëzit të mbjellin fidanët e duhur duke e përshtatur vendin me fidanet e duhura, sipas ministrisë së mjedisit.
Vendi aktualisht po përballet me shirat e dendur të El Niño që kanë vrarë dhjetëra njerëz, kanë zhvendosur mijëra të tjerë dhe kanë dëmtuar infrastrukturën – ku rajoni verior është prekur më së shumti./Zëri.ai/