TIRANË- Projektligji i ri për cilësinë e ajrit në mjedis, i nxjerrë në konsultim publik nga Ministria e Mjedisit, sjell një sërë ndryshimesh që prekin drejtpërdrejt qytetarët.
Një nga risitë kryesore është detyrimi për informim në kohë reale të publikut mbi cilësinë e ajrit. Sipas draftit, qytetarët do të kenë akses në të dhëna të përditësuara, madje edhe çdo orë, për ndotësit kryesorë si PM10, PM2.5, dioksidi i azotit apo ozoni, si dhe për indeksin e cilësisë së ajrit. Krahas kësaj, institucionet do të duhet të informojnë jo vetëm për nivelin e ndotjes, por edhe për efektet e saj në shëndet, simptomat e mundshme dhe masat që qytetarët duhet të marrin për të reduktuar ekspozimin.
Projektligji parashikon gjithashtu masa konkrete për mbrojtjen e grupeve më të ndjeshme, si fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, duke kërkuar që informacioni dhe paralajmërimet për ndotjen të shpërndahen në mënyrë të gjerë, sidomos në vendet e frekuentuara nga këto kategori. Në rastet kur ndotja kalon nivelet e lejuara, njësitë vendore do të jenë të detyruara të hartojnë plane veprimi afatshkurtra, që mund të përfshijnë kufizimin e trafikut, pezullimin e aktiviteteve ndërtimore apo masa të tjera emergjente.
Qytetarëve gjithashtu do t’u njihet e drejta për kompensim. Drafti parashikon që çdo person që dëmtohet në shëndet si pasojë e shkeljes së detyrimeve për cilësinë e ajrit nga autoritetet, mund të kërkojë dëmshpërblim, nëse provohet lidhja mes ndotjes dhe dëmit të pësuar. Afati është deri në 3 vjet për paraqitjen e kërkesës nga momenti kur marrin dijeni për dëmin.
Projektligji synon të afrojë standardet shqiptare me ato të Bashkimit Evropian, duke kaluar nga një qasje pasive në monitorimin e ndotjes drejt një modeli më aktiv, ku qytetarët informohen në kohë reale, përfshihen në vendimmarrje dhe, në raste të caktuara, kanë të drejtë të kërkojnë edhe kompensim për dëmet e shkaktuara nga ndotja e ajrit./ekofin.al