
TIRANË- Inflacioni dhe çmimet e larta e kanë renditur Tiranën si një nga kryeqytetet më të shtrenjta në rajon. Sipas një raporti nga “Mercer” për Koston e Jetës, Shqipëria renditet në vendin e 103-të në botë nga 226 qytete në mbarë botën. Raporti mat koston e jetesës dhe më shumë se 200 artikuj në vend, përfshirë strehimin, transportin, ushqimin, veshjet, mallrat shtëpiake dhe argëtimin.
Sipas të dhënave, Shqipëria është ngjitur mbi 50 pozicione nga viti i kaluar, ku renditej në vendin e 153-të. Renditja fillon nga vendi më i shtrenjtë deri tek ai më i liri. Beogradi renditet i dyti në rajon pas Tiranës, por në rang global është më i lirë, pasi ndodhet në vendin e 159-të. Ndiqet nga Shkupi në vend të 198-të dhe me kostot më të lira në rajon rezulton Bosnje Hercegovina. Ndërsa Sarajeva është renditur në vend të 203-të për vitin 2024, pa shënuar ndryshime krahasuar me një vit më parë. Mali i Zi dhe Kosova nuk janë pjesë e këtij indeksi.
Hong Kongu, Singapori dhe Zyrihu janë qytetet më të shtrenjta për punonjësit e huaj këtë vit tregojnë të dhënat e raportit, ndërkohë qytetet në Pakistan dhe Nigeri rezultojnë si më të lirat.
Renditja e Tiranës në 100 vendet më të shtrenjta është një kambanë alarmi, për inflacionin e lartë dhe koston e shtrenjtë të jetesës. Gjithashtu, përdorimi i monedhës së huaj ka ndikuar në zhvlerësimin e asaj vendase./ZËRI/