![Synohet ulja e konsumit, rritet sërish çmimi i duhanit](https://cdnimpuls.com/zeri.ai/media3/-900-0-1709027837xduhani-832.jpg)
TIRANË- Pas shtrenjtimit në dhjetorin e vitit 2024, çmimi i paketave të duhanit do të pësojë një tjetër rritje gjatë këtij muaji. Çmimi i duhanit do të rritet për shkak të akcizës, një taksë që rritet çdo vit. Sipas “Gazeta Panorama”, çdo paketë do të kushtojë 20 deri në 30 lekë më shumë. Nga 250 lekë një paketë pritet të kushtojë 270 lekë, nga 7,250 lekë për çdo 1,000 fije cigare që ishte, çmimi rritet në 7,500 lekë. Po ashtu edhe produktetet e tjera që përmbajnë nikotinë si cigaret elektronike dhe ato me djegie, pritet që të rritet çmimi.
Me anë të rritjeve të çmimeve, qeveria synon që të ulet konsumi i çigareve për të mbrojtur shëndetit. Por, sipas përvojave të kaluara ky plan jo gjithmonë ka funksionuar. Ekspertët thonë se kjo rritje është e përvitshme, me qëllimin uljen e numrit të duhanpirësve.
“Akciza vendoset për të frenuar ato që sjellin eksenalitete negative, ato produkte që dëmtojnë shëndetin. Tendenca për rritje është një realitet në çdo vend të botës, sepse duke dëmtuar shëndetin, duke rritur kostot, synohet që qytetarët të heqin dorë nga konsumi. Nga viti në vit do të shohim një rritje edhe më të madhe”, tha Klodian Muça, ekspert ekonomie.
Të ardhurat që vijnë nga duhani janë të dytat në radhë pas atyre që vijnë nga nafta. Për vitin 2023, janë mbledhur 280 milionë euro. Megjithatë, kjo shumë mendohet të jetë më e lartë, pasi 25% është tregti e paligjshme dhe kontrabandë.
“Shqipëria ka arritur që 70% e çmimit të paketës të përbëhet nga taksat e duhanit. Shqipëria ka një treg të paligjshëm që shkakton humbje të mëdha në buxhetin e shtetit. Studimet tregojnë se është më e lartë, kështu që, sidoqoftë, është një rritje e konsiderueshme dhe taksë që nuk shkon në buxhetin e shtetit. Kemi xhepa që këto taksa nuk i mbrojnë, por dëmtojnë shëndetin”, u shpreh Roland Shuperka, ekspert i Kontrollit të Cilësisë së Duhanit.
Edhe pse qëllimi i rritjes së çmimit është ulja e konsumit, kjo nuk ka dhënë rezultat. Sipas të dhënave nga ISHP, 40% e shqiptarëve konsumojnë duhanin. Ndërsa, në Evropë vendi ynë renditetit i katërti për shitjen e cigareve për frymë mbi moshën 15 vjeç.
“Nuk ka dhënë rezultat dhe nuk pritet të japë, edhe pse bëhet për të mbrojtur shëndetin publik të adoleshentëve. Por, duke pasur parasysh se ekziston tregu i paligjshëm, ky është shkaku. Duhet ta luftojë qeveria”, tha Shuperka.
Deri në fund të nëntorit të vitit të shkuar, në vend hynë 2,665 tonë duhan, niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë.
Parashikimi, 852 milionë lekë të ardhura shtesë nga akciza e cigareve
Parashikohet që gjatë vitit 2025, rreth 852 milionë lekë të jenë të ardhurat shtesë nga akciza e cigareve, si dhe 20% TVSH-ja mbi këtë shumë të rritur akcize. Kalendari për cigaret dhe duhanet 2022- 2026, programon një rritje të akcizës për këto mallra çdo vit deri në 2026-ën.
Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se në krahasim me 2023-in, të ardhurat nga akciza kanë shënuar një rritje të ndjeshme në periudhën janar-tetor të vitit 2024. Konkretisht, cigaret kanë realizuar 1.7 milionë lekë më shumë të ardhura, gazi 154 milionë lekë më shumë, ndërsa mallrat e tjera 228 milionë lekë më tepër se e njëjta periudhë e një viti më parë. Edhe konsumi i artikujve të akcizës po ashtu është rritur, me 55 tonë cigare më shumë, 6,984 tonë më shumë birra dhe 249 tonë më tepër kafe.
Gjatë periudhës janar-tetor në vitin 2024 të ardhurat arritën në 48 miliardë lekë, pothuajse 4.5 miliardë lekë më shumë se në vitin 2023. Shqipëria aplikon akcizat me tarifë specifike për njësi dhe niveli i akcizave të mallrave kryesore që ngarkohen me akcizë si karburantet dhe duhanet, është përgjithësisht me i ulët se nivelet e akcizave që zbatohen nga vendet e BE-së.
Hartimi i një kalendari të ri për rritjen e nivelit të akcizës së duhanit dhe nën produkteve të tij për periudhën 2027 e në vijim, ka qëllim përafrimin me nivelin e akcizës që aplikohet në BE duke synuar dhe një unifikim të nivelit të akcizës ndërmjet duhanit dhe nënprodukteve të tij. /ZËRI