Ekonomi

Skema Kombëtare, shtyhet afati: Fermerët fitues kanë kohë deri më 11 shtator për dokumentacionin

Mësohet se në total janë regjistruar 42,730 aplikime, ku kryeson Fieri, i ndjekur nga Korça, Elbasani dhe Vlora

zh.ll
Skema Kombëtare, shtyhet afati: Fermerët fitues kanë kohë
foto ilustruese

TIRANË-Fermerët që janë shpallur fitues në fazën e parë të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi kanë më shumë kohë për të përfunduar procedurat. Afati për dorëzimin e dokumentacionit është shtyrë deri më 11 shtator.

Përmes një njoftimi publik, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njoftoi shtyrjen e afatit, duke theksuar se synohet t'i jepet kohë aplikantëve për plotësimin e dokumenteve dhe verifikimin e kushteve.

Mësohet se në total janë regjistruar 42,730 aplikime, ku kryeson Fieri, i ndjekur nga Korça, Elbasani dhe Vlora. Më të kërkuarat kanë qenë masat për tufën e të imtave, me 7,240 aplikime, bletarinë me 7,000 dhe tufën e gjedhit me 6,730 aplikime.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 përfshin 12 masa mbështetëse. 

Bëhet fjalë për 9 masa direkte mbështetjeje dhe 3 masa investimi për fermerët dhe agrobiznesin që përfshijnë:

• tufën bazë të matrikulluar të gjedhit

• tufën bazë të matrikulluar të imtave

• mbarështimin e bletarisë

• tufën bazë të matrikulluar të dosave dhe/ose paradosave

• kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera dhe tunele plastike

• fermat organike

• implementimin dhe certifikimin Global GAP

• mbështetjen për sipërfaqet e mbjella

• ripopullimin e peshkimit në ujërat e brendshme

Ndërkohë, masat e investimit fokusohen te:

• mbështetja për fermerët e rinj

• ndërtimi dhe rikonstruksioni i staneve

• pajisjet, makineritë dhe mjetet për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës.

Poll

MOS HUMB