Ekonomi

Shqipëria me borxhin më të lartë në rajon pas Malit të Zi

Një situatë të ngjashme kanë kaluar edhe vendet e Rajonit, dukë bërë që Shqipëria të ruajë renditjen si vendi me borxhin publik më të lartë pas Malit të Zi.

Redaksia Zëri
Shqipëria me borxhin më të lartë në rajon pas Malit
Foto ilustruese

TIRANË- Pas pandemisë Covid-19, borxhi publik i Shqipërisë u ul me shpejtësi nga ritmet e larta të rritjes ekonomike dhe performanca e mirë fiskale. Një situatë të ngjashme kanë kaluar edhe vendet e Rajonit, duke bërë që Shqipëria të ruajë renditjen si vendi me borxhin publik më të lartë pas Malit të Zi.

Të dhënat zyrtare tregojnë se Mali i Zi megjithë destabilitetin politik të viteve të fundit ka mundur të ulë borxhin publik më shumë se çdo vend tjetër në Rajon, duke e çuar në 61.7 % në tremujorin e parë të vitit 2024 nga 105.3% e PBB-së që ishte në vitin 2020, me ulje 43.6 pikë % (shiko grafikun e mëposhtëm). Pas Malit të Zi, Shqipëria shënoi uljen më të fortë të borxhit duke e çuar atë në 56.3% të PBB-së në tremujorin e parë 2024 nga 73.9% që ishte më 2020, me ulje -17.6 pikë %.

Zgjerimi i vazhdueshëm ekonomik mbështeti rritjen e të ardhurave buxhetore dhe balancat fiskale u përmirësuan pothuajse në të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor për pesë muajt e parë të vitit 2024, me përjashtim të Maqedonisë së Veriut, sipas Bankes Boterore. Për tremujorin e parë të vitit 2024, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul në shumicën e ekonomive të rajonit, krahasuar me fundin e vitit 2023, pjesërisht për shkak të rritjes së fortë nominale të PBB-së. Ulja e barrës së borxhit ishte më e theksuar në Serbi dhe Shqipëri. Raporti i borxhit publik mbeti më i larti në Mal të Zi, i ndjekur nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shfaqur qëndrueshmëri në vitet e fundit. Megjithatë, ato e kanë pasur të vështirë të shndërrohen në motorë të rritjes ekonomike, jo vetëm për shkak të efekteve të sfidave strukturore dhe demografike. Në tremujorin e parë të vitit 2024, PBB-ja e rajonit u përshpejtua në 3.9% në terma 6 vjetorë, nga 3.2% që rezultonte në tremujorin paraardhës. Rritja e PBB-së u përshpejtua më së shumti në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi. Investimet u rritën ndjeshëm në pothuajse të gjitha ekonomitë, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut. Në tremujorin e parë të vitit 2024, shkalla e papunësisë ra në shumicën e ekonomive të rajonit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në përputhje me përshpejtimin e aktivitetit ekonomik, punësimi mesatar vjetor në Ballkanin Perendimor u rrit ndjeshëm në 2.5%, ndërkohë që edhe pjesëmarrja e fuqisë punëtore pati rritje. Në përgjithësi, normat e papunësisë në rajon mbetën në nivelet më të ulëta historike.

Për tremujorin e parë të vitit 2024, inflacioni mesatar vjetor në rajon u ngadalësua më tej, në 4.1%. Rënia e normave të inflacionit brenda intervalit të objektivit u mundësoi bankave qëndrore në Shqipëri dhe Serbi të fillojnë lehtësimin gradual të politikës monetare./Monitor

Poll

MOS HUMB