
TIRANË- Sektori vijoi rritjen edhe performancën financiare pozitive edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të paaudituara të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, totali i aktiveve dhe portofoli i kredisë së sektorit u zgjerua më tej, ndërsa të gjitha bankat e mbyllën tremujorin e parë me rezultat financiar me fitim.
Totali i aktiveve në fund të muajit mars arriti në 1.985 trilionë lekë, në rritje me rreth 15 miliardë lekë që nga fillimi i vitit. Me bazë vjetore, totali i aktiveve të sektorit u rrit me 6.1%, rritje e konsiderueshme duke patur parasysh edhe efektin negativ të kursit të këmbimit mbi asetet në valutë të huaj.
Banka më e madhe për nga vlera e aseteve vazhdon të jetë Banka Kombëtare Tregtare, me 24.9% të tregut, e ndjekur nga Credins Bank, me 16.3%, Raiffeisen Bank, me 14.8%, Intesa Sanpaolo, me 10.5%, OTP Albania, me 9.1%, Tirana Bank, me 6.7%, Banka Amerikane e Investimeve, me 6.6%, Union Bank, me 5.1%, Banka e Parë e Investimeve (Fibank), me 2.9%, ProCredit Bank me 2.3% dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me 0.9%.
Portofoli i kredisë në fund të marsit arriti vlerën e 739 miliardë lekëve, në rritje me 21 miliardë lekë që nga fillimi i vitit 2024 dhe në rritje me 7.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu i kredisë vazhdon të kryesohet nga Credins Bank, me 19.1% të portofolit total të sektorit, e ndjekur nga Raiffeisen Bank, me 15.7%, BKT, me 13.1%, OTP Albania, me 12.9%, Tirana Bank, me 8.3%, ABI Bank, me 7.6%, Intesa Sanpaolo, me 7.2%, Union Bank, me 6.5%, Fibank dhe ProCredit Bank, me 3.9% dhe UBA, me 1.8%.
Shifrat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se të gjitha bankat e kanë mbyllur tremujorin e parë të vitit me fitim. Në total, sektori raportoi një fitim neto prej 9.8 miliardë lekësh, në rritje me 24% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Në vlerë absolute, BKT raportoi fitimin më të lartë, me mbi 2.5 miliardë lekë, e ndjekur nga Raiffeisen, me afërsisht 2.2 miliardë lekë dhe OTP Albania, me 1.35 miliardë lekë.
Në terma të kthimit nga kapitali aksioner (mesatarizuar me bazë vjetore), banka me përfitueshmërinë më të lartë ishte Raiffeisen, me 27.27%, e ndjekur nga Union Bank, me 24.78%, OTP Albania, me 24.58%, ABI Bank, me 23.72%, Fibank, me 21.95%, Tirana Bank, me 21.9%, BKT, me 20.88%, Intesa Sanpaolo, me 15.49%, UBA, me 10.59%, Credins Bank, me 10.46% dhe ProCredit Bank, me 4.34%. /Monitor