Ekonomi

Salinas i BB: Humbja e kapitalit njerëzor është rrezik kritik për Shqipërinë

Flet Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, z. Emanuel Salinas

B.S
Salinas i BB: Humbja e kapitalit njerëzor është rrezik kritik
Emanuel Salinas

Ecuria e ekonomisë në vitin 2023 ishte më e mirë sesa parashikohej në fillim, duke treguar potencialin e madh të Shqipërisë, sidomos turizmit.

Por, përtej optimizmit të shifrave, Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, z. Emanuel Salinas, pohon se kjo po vjen kryesisht nga ndërtimi dhe konsumi dhe këta sektorë nuk janë domosdoshmërisht ata që duhet të orientojnë rritjen që Shqipëria do të ketë në bazë afatgjatë dhe sigurisht ata nuk gjenerojnë vendet e mira të punës, për të cilat aspirojnë njerëzit.

Ndaj, e rëndësishme për të është investimi në kapitalin njerëzor, teksa humbja e tij është një rrezik kritik për Shqipërinë.

“Duhet të përqendrohemi të gjithë (dhe me vendosmëri dhe shpejtësi) në forcimin e kapitalit njerëzor dhe të sigurohemi që ai të mirëpërdoret”, thotë z. Salinas, duke rekomanduar të orientohen urgjentisht investimet në kapitalin njerëzor si prioriteti më i rëndësishëm për Shqipërinë.

Si e vlerësoni performancën e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2023? Si ishte ecuria krahasuar me parashikimin tuaj fillestar dhe pse?

Shkurt, ishte shumë më mirë sesa prisnim. Ky është një nga ato raste kur jam shumë i lumtur që gabova. Këto tendenca tregojnë potencialin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë. Veçanërisht mbresëlënëse ishte ecuria e sektorit të turizmit.

Është e qartë që Shqipëria është në radarin e udhëtarëve nga e gjithë bota. Vendi e meriton këtë, duke pasur parasysh kombinimin e jashtëzakonshëm të trashëgimisë kulturore, bukurisë natyrore dhe njerëzve të ngrohtë dhe mikpritës.

Si pritet të jetë progresi i ekonomisë së vendit në vitin 2024? Cilët janë faktorët që do të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht?

Shqipëria ka pasur një ecuri mbresëlënëse vitet e fundit, fillimisht me një rimëkëmbje shumë të fortë pas pandemisë dhe më pas duke arritur norma rritjeje që ishin ndër më të lartat në rajon.

Nëse nuk ka surpriza të mëdha, shpresoj që ky trend të vazhdojë në vitin 2024 dhe më tej.

Në të njëjtën kohë, siç e dini, ndërtimi dhe konsumi kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e Shqipërisë në vitet e fundit. Jam i dyzuar për këtë tendencë.

Në një anë po, është mirë të ketë rritje, por është e qartë se këta sektorë nuk janë domosdoshmërisht ata që duhet të orientojnë rritjen që Shqipëria do të ketë në bazë afatgjatë – dhe sigurisht ata nuk gjenerojnë vendet e mira të punës, për të cilat aspirojnë njerëzit.

Pra, është e rëndësishme për të gjithë ne të përdorim këtë fazë rritjeje në mënyrë proaktive, për të ecur shpejt në transformimin e ekonomisë nga ndërtimi dhe konsumi në investime, dhe nga rritja e brendshme në rritje të orientuar nga eksporti – që është mënyra e vetme në të cilën mund të krijohen në mënyrë të qëndrueshme vende më të mira pune dhe një jetë më cilësore. Monitor

Poll

MOS HUMB