Ekonomi

Rregullat e reja për pronat, ja çfarë ndodh me aplikimet e vjetra

Sipas vendimit të ri të Këshillit të Ministrave procedurat administrative që janë ende në shqyrtim do të trajtohen sipas rregullave të reja, pavarësisht se kur është paraqitur kërkesa

M.K.
Rregullat e reja për pronat, ja çfarë ndodh me aplikimet e
foto ilustruese

TIRANË-  Ndryshimi i rregullave për objektet pa titull pronësie prek edhe qytetarët që kan dorëzuar më herët kërkesa pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, por që ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar.

Sipas vendimit të ri të Këshillit të Ministrave procedurat administrative që janë ende në shqyrtim do të trajtohen sipas rregullave të reja, pavarësisht se kur është paraqitur kërkesa. Kjo do të thotë se dosjet e mbetura pezull në Kadastër nuk do të vijojnë automatikisht me kriteret që ishin në fuqi në momentin e aplikimit.

Ndryshimet përfshijnë objektet pa titull pronësie trojet funksionale dhe oborret në përdorim. Një nga kriteret kryesore tashmë lidhet me mënyrën se si provohet posedimi i truallit.

Në rastet kur sipërfaqja është fizikisht e rrethuar punonjësit e Kadastrës do ta verifikojnë këtë gjatë daljes në terren. Nëse plotësohen kushtet e përcaktuara, mund të kalojë në pronësi një sipërfaqe deri në 300 metra katrorë në funksion të objektit.

Procedura ndryshon në varësi të statusit juridik të tokës. Kur trualli rezulton pronë shtetërore, me pronar të pavërtetuar ose pa të dhëna mbi pronësinë dokumenti për sipërfaqet deri në 300 metra katrorë mund të miratohet pa pagesë.

Në rastet kur toka është në pronësi private të një personi tjetër kalimi i saj nuk bëhet pa pagesë. Kërkuesi duhet të ndjekë procedurat e parashikuara nga legjislacioni dhe të paguajë vlerën e përcaktuar për truallin sipas kushteve favorizuese të parashikuara në ligj.

Edhe mënyra e aplikimit sjell ndryshime. Për kërkesat individuale të paraqitura nëpërmjet e-Albania qytetari duhet të paguajë një tarifë shërbimi prej 10 mijë lekësh. Kjo tarifë nuk rimbursohet edhe në rast se kërkesa nuk miratohet.

Ndërsa kur procedura nis nga vetë ASHK-ja gjatë regjistrimit fillestar përmirësimit të zonës kadastrale apo kontrolleve të kryera sipas planveprimit kjo tarifë nuk aplikohet për objektet e banimit të evidentuara gjatë procesit.

Vendimi përcakton edhe një mekanizëm për rastet kur gjatë verifikimit në terren identifikohet një pasuri, por nuk gjendet personi që e posedon. ASHK-ja duhet ta publikojë rastin për 30 ditë duke i dhënë mundësi personave që pretendojnë të drejtën mbi pasurinë të paraqiten dhe të vijojnë procedurën nëse posedimi konfirmohet.

Për qytetarët që kanë dosje të hapura ndryshimi kryesor është se data e aplikimit nuk përcakton më vetë rregullat me të cilat do të mbyllet procedura. Nëse shqyrtimi administrativ nuk ka përfunduar, kriteret e reja do të merren parasysh gjatë verifikimit dhe vendimmarrjes.

Megjithatë zbatimi i rregullave të reja nuk sjell automatikisht përfitimin e pronësisë. Për çdo rasT Kadastra duhet të verifikojë gjendjen e objektit mënyrën dhe kohën e posedimit statusin e tokës, kufijtë fizikë dhe nëse preken të drejtat e pronarëve të tjerë./ZËRI

Poll

MOS HUMB