
TIRANË- Një projekt që synon ndërhyrje në rrugë për të përmirësuar akesin dhe sigurinë si dhe përmirësime në zonat urbane të banimit do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një fond limit 8.5 milionë euro. Ky institucion çeli në sistemin prokurimeve këtë të hënë dy tenderë që kanë në objekt pikërisht këtë pjesë “Rigjenerimi Urban në zona periferike dhe informale dhe në fshatra me popullsi të dendur, etj 'Rajonet 1&2 dhe 3&4” që kanë respektivisht secili një fond 439 milionë lekë dhe 416 milionë lekë.
“Proceset e rehabilitimit urban janë ndërhyrje me ndikim të lartë në territor dhe mbi dimensionet e sistemit të jetës në tërësi. Këto procese aplikohen në zonat urbane të cilat karakterizohen nga humbja e funksionalitetit ekzistues, në zona ku ka mungesë të infrastrukturës publike dhe mangësi në përmbushjen e standardeve urbane. Për këtë arsye, planifikohet realizimi i ndërhyrjeve që rikonceptojnë zonat urbane për të rikthyer standardet e projektimit të cilat bazohen në mirëqenien fizike dhe përtej,”- thuhet në dokument.
FSHZH nënvizon se nëpërmjet këtij projekti synohet rritja e cilësisë së jetës së komuniteteve që popullojnë zonat urbane. Rehabilitimi i blloqeve urbane krijon një sistem të përmirësuar në të cilin zhvillohet jeta e banorëve të zonave.
“Ndërhyrjet rigjeneruese në blloqet e banimit janë ambientet më të prekshme nga banorët e zonave për shkak se përbëjnë habitatin në të cilin zhvillohet jeta e përditshme. Ky projekt parashikon rikualifikim të zonave dhe blloqeve të banimit, duke i rikonceptuar dhe kthyer, nga hapësira të degraduara, në hapësira të reja për banorët, me standarde të larta të ndërtimit etj,”- thuhet në raportet teknike të kontratave.
Sipas Fondit ne ketë projekt përshkruhet rehabilitimi i blloqeve urbane në zonat periferike, informale dhe në fshatra me popullsi të dendur duke i rikonceptuar dhe kthyer, nga hapësira të degraduara, në hapësira të reja për banorët, me standarde të larta të ndërtimit etj.
Përfituesit do të jenë të gjitha Bashkitë në të cilat do të aplikohet ndërhyrja ndërsa objekti i punës do të jetë përcaktimi i tipologjive të ndërhyrjeve, kostos se përafërt të ndërtimit, raport dhe specifikime teknike për zëra tip, duke paraqitur disa modele tip (seksione rruge, seksione asfaltike, tipologji fasade sipas kushteve klimaterike etj.) për çdo ndërhyrje të propozuar./Monitor