Ekonomi

Pagesat elektronike, BSH ul komisionet: Nuk do paguhet asnjë tarifë deri në 40 mijë lekë

Konkretisht, të gjitha pagesat elektronike deri në 40 mijë lekë, do të kryhen pa komision për qytetarët.

zh.ll
Pagesat elektronike, BSH ul komisionet: Nuk do paguhet asnjë tarifë
Foto ilustruese

TIRANË- Banka e Shqipërisë (BSH) ka vendosur në mbledhjen e sotme të ulë kostot e pagesave elektronke. Konkretisht, të gjitha pagesat elektronike deri në 40 mijë lekë, do të kryhen pa komision për qytetarët. Ndërkohë, për pagesat deri në 10 milionë lekë, komisionet u ulën 10 herë. 

Komisionet janë ulur gjithashtu rreth 10 herë për pagesat në Euro, komisionet minimale dhe përqindjet e aplikueshme. Ky ndryshim ofron kushte më të favorshme për pagesat në euro brenda dhe jashtë vendit, por duket krijuar dhe trajektoren e komisioneve të aplikuara në transfertat ndërkufitare SEPA.

Sipas Bankës së Shqipërisë ëto masa do të kursejnë rreth 40 milionë euro në vit. Për më tepër, do të inkurajojnë qytetarët dhe bizneset të braktisin pagesat tradicionale me para në dorë dhe të orientohen drejt sistemit digjital. Ky hap shihet edhe si një bazë për përfshirjen e plotë të vendit në sistemin e pagesave të shpejta TIPS Clone.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar edhe një tjetër vendim të rëndësishëm që të bëjë me rregulloren për pikat e këmbimit valutor. Lidhur me këtë, BSH do të forcojë kriteret e licencimit dhe kontrollit për këto subjekte, duke kërkuar më shumë transparencë për burimin e kapitalit, reputacionin dhe qëndrueshmërinë financiare të pronarëve.

BSH bën me dije se kjo masë do të vendoset me qëllim parandalimin e pastrimit të parave dhe rritjen e sigurisë për klientët, në përputhje me rekomandimet e organizatës ndërkombëtare Moneyval. Banka e Shqipërisë thekson se të gjitha masat e reja synojnë të garantojnë që në treg të operojnë vetëm subjekte të besueshme, duke mbrojtur interesat e qytetarëve dhe duke forcuar stabilitetin financiar./ZËRI

Poll

MOS HUMB