Ekonomi

Pagat sipas profesioneve/ Teknologjia e Informacionit dhe Forcat e Armatosura, me rritjen më të madhe

Paga mesatare në ekonomi arriti në 70.5 mijë lekë në muaj në vitin 2023, me një rritje prej 14% në raport me vitin e mëparshëm.

E.K
Pagat sipas profesioneve/ Teknologjia e Informacionit dhe Forcat e Armatosura,
rritja e pagave ne shqiperi

TIRANË- Pagat janë rritur me ritme të përshpejtuara në dy vitet e fundit, duke reflektuar si mungesën e fuqisë punëtore në shumë sektorë, ashtu dhe rishikimin e tyre në Administratën Publike. Paga mesatare në ekonomi arriti në 70.5 mijë lekë në muaj në vitin 2023, me një rritje prej 14% në raport me vitin e mëparshëm.

E indeksuar me inflacionin, paga mesatare reale në ekonomi u rrit me 8.8%, që është përmirësimi më i madh që nga viti 2015, kur raportohen të dhënat.

Profesionet që paguhen më shumë, IT del për herë të parë në vend të dytë

“Drejtues administrativë dhe komercialë” është grup-profesioni që ka dhe pagën më të lartë në vend, me 194 mijë lekë në muaj. Në krahasim me vitin e mëparshëm, paga e tyre është rritur me 15 mijë lekë, ose 8.6%.

Për herë të parë, profesioni i dytë më i paguar në vend është “Specialistë të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”, me pagë mesatare prej 144 mijë lekë në muaj. Profesionistët e IT kanë marrë mesatarisht 16 mijë lekë, ose 12.6% më shumë në 2023.

Në rritjen e pagave ka ndikuar orientimi i bizneseve drejt teknologjisë së bashku me mungesën e specialistëve të këtij sektori për shkak se është një nga profesionet që po emigrojnë më shumë. të këtij sektori për shkak se është një nga profesionet që po emigron më shumë.

“Drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara” kaluan në profesionin e tretë më të paguar, me pagë mesatare prej gati 144 mijë lekësh në muaj, me rritje 9.2% (+12 mijë lekë).

Arritja e standardeve të NATO-s dhe mungesa e personelit të kualifikuar po rrit me shpejtësi pagat e “Oficerëve të Forcave të Armatosura”. Ky grup pa rritjen më të lartë të pagave në 2023, si në vlerë (+17.5 mijë lekë), ashtu dhe në përqindje (+19%). Mesatarisht një oficer i Forcave të Armatosura u pagua me 110 mijë lekë në muaj në 2023.

Reforma e pagave në shtet filloi vitin e kaluar dhe po vijon edhe këtë vit. “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë” panë në 2023 një rritje të pagave me 12.5% (+12 mijë lekë), duke arritur në 104 mijë lekë. Ky ishte dhe grup profesioni i pestë më i paguar në vend. (për renditjen e plotë shih grafikun në fund).

“Specialistët e shëndetësisë”, u paguan mesatarisht me 89 mijë lekë, me një rritje prej 14.5%, ose 11 mijë lekë më shumë.

Për “Specialistët e mësimdhënies”, rritja e pagave të të cilëve u vu në qendër të planit të qeverisë, paga mesatare në 2023 arriti në 79 mijë lekë, me një rritje prej 7 mijë lekësh, ose gati 10%.

Për “nëpunësit e zyrave”, rritja ishte më e lartë sesa e mësuesve, me 11 mijë lekë më shumë (+19.4%), duke arritur në 67 mijë lekë.

Me ritme dyshifrore janë rritur dhe pagat e atyre që punojnë në bujqësi, ndërtim, shërbime ndihmëse, si rrjedhojë e mungesës së fuqisë punëtore në sektorët përkatës.

Në krahasim me vitin 2014, rritja më e lartë e pagave në përqindje është shënuar për profesionet që nuk kërkojnë shumë aftësi, si “Punëtorë për shitje dhe shërbime të ndryshme në rrugë” (+64%); Prodhues të produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit për nevoja familjare (+54%).

Në vlerë, rritja më e lartë në krahasim me 2014-n është për “Drejtues administrativë dhe komercialë” (+70 mijë lekë) dhe “Specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit” (+64 mijë lekë)./monitor 

Poll

MOS HUMB