Ekonomi

Nga sot, hyjnë në fuqi kufizimet për kreditë e reja bankare nga Banka e Shqipërisë

Për kredi në lekë për të blerë një banesë me vlerë 10 milionë lekë banka do të financojë maksimumi 8.5 milionë lekë.

F.I
Nga sot, hyjnë në fuqi kufizimet për kreditë e reja bankare
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Nga sot, 1 korrik 2025, kushdo që do të drejtohet për kredi bankare, nuk do marrë më financim të plotë, për shkak të hyrjes në fuqi të kufizimeve të reja të vendosura nga Banka e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë ka shpallur një seri masash të reja për kreditë e shtëpisë, duke vendosur kufizime të qarta për raportin e kredisë ndaj vlerës dhe raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave. 

Konkretisht, asnjë bankë nuk do të japë kredi për qytetarët që duan të blejnë shtëpinë e parë më shumë se 85% e vlerës së saj. Pra për kredi në lekë për të blerë një banesë me vlerë 10 milionë lekë banka do të financojë maksimumi 8.5 milionë lekë.

Kësti mujor i kësaj kredie nuk do të jetë më shumë se 40% e të ardhurave mujore të qytetarit. Pra nëse të ardhurat mujore janë 100 mijë lekë në muaj, kësti nuk duhet të jetë më i lartë se 40 mijë lekë.

Ndërsa ata që kërkojnë kredi për të blerë një shtëpi të dytë vlera e kredisë që do mund të marrin kur është në monedhën lekë do të jetë 80% e vlerës së pronës. Praktikisht nëse prona do ketë çmim 10 milionë lekë qytetari do të marrë 8 milionë lekë kredi. Ndërsa kësti mujor për këtë kredi të dytë do të jetë 35% e të ardhurave mujore.

Kufizimet janë edhe më të ulta kur kredia merret në monedhë të huaj sipas këtij vendimi. Qytetarët që për të blerë pronën e parë do të aplikojnë për të kredi në valutë do të marrin vetëm 75% të vlerës. Pra një pronë me çmimi 100 mijë euro do të financohet me 75 mijë euro kredi maksimumi. Ndërsa kësti do të jetë 35% të vlerës së të ardhurave.

Këto masa janë të dizajnuara për të zvogëluar rrezikun e dështimit të huamarrësve dhe për të ruajtur shëndetin e sistemit bankar, duke pasur parasysh rritjen e mundshme të normave të interesit dhe ndryshimet në çmimet e pasurive të paluajtshme.

Banka ka vendosur të përjashtojë nga përfshirja në llogaritjen e kufizimeve kreditë që disbursohen në kuadër të skemave që mbështesin politikat publike të strehimit; kreditë që disbursohen për rinovimet e banesave që lidhen me përmirësimin e efikasitetit të energjisë apo kalimin drejt burimeve të energjisë së rinovueshme, deri në vlerën 3 milionë lekë (ose kundërvlera përkatëse në valutë nëse disbursohen në valutë); disbursimin në kuadër të granteve të parikthyeshme publike që lidhen me përmirësimin e efikasitetit të energjisë apo kalimin drejt burimeve të energjisë së rinovueshme, te banesat.

Përfitimet dhe sfidat

Masat e reja do të ndihmojnë në ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare, duke ulur rrezikun e humbjeve për bankat dhe duke kontribuar në stabilitetin e përgjithshëm të sektorit financiar. Megjithatë, disa individë mund të kenë vështirësi në marrjen e një kredie për blerjen e shtëpisë, sidomos ata që nuk i plotësojnë këto kushte të reja.

Afati dhe zbatimi i masave

Këto kufizime do të hyjnë në fuqi për kreditë e reja që disbursohen nga data 1 korrik 2025. Për më tepër, vendimi lejon bankat të përdorin një kuotë përjashtimi nga këto kufizime, që mund të jetë deri në 15% të vëllimit të kredive të disbursuara në tremujorin përkatës.

Rekomandimet dhe masa për bankat

Banka e Shqipërisë ka rekomanduar gjithashtu që bankat të vendosin një kufi maksimal të maturimit për kredinë, duke mos e kaluar periudhën 30-vjeçare ose numrin e viteve deri në moshën e pensionit të huamarrësit.

Këto masa synojnë të mbrojnë sistemin financiar nga rreziqet e mundshme dhe të sigurojnë që huamarrësit të mbeten brenda mundësive të tyre financiare, ndërkohë që i japin mundësi bankave të vazhdojnë të ofrojnë kredi, por në kushte më të sigurta dhe më të kontrolluara./ZËRI

Poll

MOS HUMB