
Rënia e kërkesës për apartamente në Tiranë po ndikon negativisht te disa operatorë të tregut të pajisjeve hidrosanitare dhe pllakave. Për disa nga kompanitë më të mëdha importuese të pajisjeve hidrosanitare ka pasur rënie të shitjeve gjatë periudhës 2023-2024, për shkak të ngadalësimit të kërkesës për prona në Tiranë. Të ardhurat e pesë kompanive më të mëdha ishin 15 miliardë lekë në vitin 2023, me rënie prej 1.2% në krahasim me një vit më parë. Kjo tkurrje vjen pasi xhiroja e kompanive në dy vitet e mëparshme kishte shënuar rritje të shpejtë, përkatësisht me 25% në 2021 dhe 14% në 2022.
Fitimet e kompanive arritën rreth 1,8 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2022 ranë me 8%. (shiko tabelën: Treguesit financiarë të kompanive kryesore të hidrosanitareve). Bledi Sinani, nga kompania e tregtimit të pajisjeve hidrosanitare “Haki Sinani”, pohoi për “Monitor” se si gjatë vitit 2023 ashtu edhe për periudhën janar-gusht, frenimi i kërkesës për blerje pronash në Tiranë po ndihet te shitjet e pajisjeve hidrosanitare të kompanisë.
“Stopimi i sektorit të ndërtimit në Tiranë ka ndikuar te rënia e shitjeve të pajisjeve hidrosanitare, edhe për vitin 2023, si edhe gjatë periudhës së muajve të verës. Në muajt e ardhshëm presim përmirësim të shitjeve,”- pohon ai.
Sinani pohoi po ashtu se kërkesa për shitjet me pakicë nuk ka ndryshuar. Sipas tij, rënia e popullsisë apo shpopullimi i zonave rurale nuk ka dhënë efekte te kërkesa. Rritjen më të fortë vijojnë ta kenë qytetet demografikisht më të qëndrueshme, Tirana dhe Durrësi. Në vitin 2024, veçanërisht në muajt e verës, kërkesa nuk ka pasur rritje, e ndikuar nga fluksi i turistëve apo kthimi i emigrantëve në atdhe që përkon edhe me periudhën për restaurimet apo zëvendësimet e pajisjeve hidrosanitare në banesa. Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë, sipas agjentëve të pasurive të patundshme, prej vjeshtës së vitit të kaluar ka nisur rënien e kërkesës, teksa në bregdet, kërkesa për prona vazhdon të jetë me rritje. Në muajt e verës, sipas ndërtuesve në Tiranë, pati ngadalësim të shitjeve të apartamenteve.
Agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme parashikojnë se do të vijojë gjatë tendenca e zhvendosjes së kërkesës drejt periferisë, për shkak të çmimeve më të ulëta të shitjes sesa në zonat afër qendrës. Pavarësisht ngadalësimit të kërkesës, ndërtimet e reja pritet të shtohen, duke ushqyer tregun e hidrosanitareve. Në vitin 2022, në Tiranë u dha një sipërfaqe rekord për lejet e ndërtimit prej 1.8 milionë m². Pas një rënieje në 2023, tendenca e lejeve ka ardhur sërish në rritje në pjesën e parë të vitit 2024.
Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në periudhën janar-qershor 2024, janë dhënë gjithsej leje sipas sipërfaqes prej 898,640 m², nga 660,452 m² në 6-mujorin e parë 2023, me zgjerim prej 36%. Të dhëna më të detajuara nga INSTAT tregojnë se lejet në Tiranë shënuan rritje të fortë në 3-mujorin e dytë të vitit 2022, ku sipërfaqja e re nëpërmjet lejeve u trefishua në krahasim me 3-mujorin e parë duke arritur në 667 mijë m² nga 231 mijë m² në të parin.
Të dhënat tregojnë se 55% e sipërfaqes së re të dhënë për ndërtim në të gjithë vendin, në 6-mujorin e parë, u takojnë lejeve të dhëna në kryeqytet. Nga ana tjetër, përqendrimi i blerjeve për prona në zonat bregdetare po ndikon pozitivisht te shitjet e disa prej kompanive. Projektet zhvillimore në tipologjinë e resorteve luksoze në zonën bregdetare të Jugut kanë shtuar më tepër shitjet e markave të njohura të pajisjeve hidrosanitare.
Zhvillimi i turizmit në zonat malore me ngritjen e bujtinave, agroturizmit dhe ngritja e zonave të reja rezidenciale në Golem vlerësohet një tjetër faktor që po ndikon pozitivisht te shitjet. Drejtoresha për shitjet me shumicë dhe të zonës së Durrësit të kompanisë “Delta”, znj. Alma Grabocka, theksoi se rritja e sektorit të ndërtimit dhe turizmit po ndikojnë pozitivisht në shitje.
Sipas kompanisë vijon të ketë ecuri pozitive edhe te shitjet me pakicë, ku shumë emigrantë vazhdojnë të rinovojnë pajisjet hidrosanitare të shtëpive dhe vilave në periudhën e verës, kur kthehen për pushime në atdhe.
“Janë një sërë ndërtimesh luksoze që po ngrihen në zonat bregdetare të Jugut, por edhe komplekse turistike në Golem të cilat kanë ndikuar pozitivisht te shitjet pajisjeve hidrosanitare dhe pllakave. Veçanërisht në zonën e Golemit, modeli i zhvillimit të turizmit ka ndryshuar. Nuk po ndërtohet më vetëm një godinë, por komplekse rezidenciale apo resorte turistike. Rritja e cilësisë së ndërtimit ka shtuar edhe shitjet e pajisjeve për brandet më të njohura të vendeve të BE-së. Kompania ‘Delta’ ofron produkte mjaft cilësore dhe komode që sigurojnë jetëgjatësi. Zhvillimet e projekteve ndërtimore në Tiranë, veçanërisht në komplekse me vila banimi, po ashtu janë një tjetër element që po ndikon pozitivisht. Përveç kësaj, edhe zhvillimi i turizmit malor me ngritje bujtinash apo edhe zhvillimi i zonave turistike kulturore me hotele, siç është Berati, po ndikojnë pozitivisht te shitjet. Sektori i ndërtimit vijon të jetë në rritje në Shqipëri. Tendenca rritëse pritet të vijojë në 7 deri në 10 vitet e ardhshme”, tha Grabocka.
Edhe drejtuesit të kompanisë “Teoren” thanë për “Monitor” se ecuria e kërkesës edhe për gjatë 2024 vijon trendin pozitiv. Sipas tyre, shitjet për 9-mujorin e 2024-s ishin në rritje krahasuar me 2023, i cili gjithashtu ishte vit pozitiv. Sipas tyre, ka pasur më tepër shitje për produkte hidrosanitare në Tiranë dhe zonat bregdetare për shkak të ngritjes së godinave për apartamente të reja dhe hoteleve apo resorteve turistike. Përfaqësuesit e kompanisë “Teoren” thanë gjithashtu se rritja e fluksit të turistëve vitet e fundit ka ndikuar në ndërtimin e hoteleve dhe resorteve të reja, të cilat kanë ndikuar shumë pozitivisht te rritja e shitjeve të pajisjeve hidrosanitare.
Si kanë ndryshuar importet e pajisjeve hidrosanitare dhe pllakave
Importet e pajisjeve hidrosanitare në periudhën janar-gusht 2024 sipas të dhënave të Doganave, u rritën me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023. Sasia e importuar në muajt janar-gusht ishte më e larta e 9-mujorit që prej 2015-s.
Për vitin 2023, importet e pajisjeve hidrosanitare u rritën me 10% krahasuar me 2022.
Importet e qeramikës kryesohen nga Spanja
Në muajt janar-gusht, importet e pllakave u rritën me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Rritje ka pasur edhe në sasinë vjetore të importeve të pllakave. Në vitin 2023, importet u rritën me 12% krahasuar me 2022.
Importet sipas shteteve për produktet qeramike, janar-gusht 2024 kryesohen nga Spanja, duke zënë 25% të peshës së totalit të periudhës. Pjesa tjetër e importeve dominohet nga Turqia me 22% të peshës, e ndjekur nga India, me 11%. Për shtetet e tjera si Italia dhe Greqia, pesha e importeve është për secilin vend 10%. Importet nga Serbia zënë 7% të peshës së totalit të periudhës janar-gusht 2024, importet nga Kina (3%) dhe Maqedonia e Veriut (3%).
Eksportet me humbje nga zhvlerësimi i Euros
Zhvlerësimi i Euros po jep efekte negative në shumë sektorë eksportues të ekonomisë, përfshirë edhe tregun e pajisjeve hidrosanitare dhe pllakave, ku shumë prej operatorëve eksportojnë produkte në vendet e rajonit dhe BE-së. Kompania “Haki Sinani” është e pranishme në eksporte në tregun e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Italisë dhe zhvlerësimi i Euros ka dhënë efekte negative. Z. Sinani pohon se këtë vit ka pasur edhe shtrenjtim të çmimeve të pajisjeve nga importi dhe rritjes së kostos së transportit.
Një tjetër operator pohoi se shitjet në eksport kanë rënë për shkak të zhvlerësimit të Euros. Kursi i këmbimit të Lekut ndaj monedhës europiane ka pasur tendencë mbiçmuese përshpejtuese që prej vitit 2023. Krahasuar me vitin paraardhës, Euro është zhvlerësuar kundrejt Lekut me 7%.
“Efekti kryesor është ndryshimi i kursit, i cili ka prekur shumë edhe marzhet e fitimit. Efekti i dytë është rënia e çmimit të transportit në 6-mujorin e parë 2023. I gjithë malli i vjetër doli me çmim më të lartë se tregu.
Kjo u kapërcye më lehtësisht në pakicë dhe pati shumë më tepër vështirësi nëpër distribucion brenda e jashtë vendit.
Kompanitë që kishin akumuluar stok e kishin rritje të fortë në 2022 patën më tepër pasoja në vitin 2023 nga kursi dhe rënia e çmimit të transportit që nxori një pjesë të stokut me çmim më të lartë se tregu në 3-mujorin e dytë dhe të tretë”, pohuan përfaqësues nga kompania.
Ndërsa për kompaninë “Delta”, ngritja e fabrikave “Deutsch Color” që prodhojnë produkte kimike për industrinë e ndërtimit, në Europë, Afrikë dhe Azi dhe më pas eksportohen në shumë shtete, europiane dhe tregun amerikan ka ndikuar tek amortizimi i humbjeve që mund të shkaktonte rënia e Euros.
Këtë vit “Deutsch Color” është i pranishëm me fabrikën e saj, edhe në Senegal të Afrikës, duke krijuar një nga fabrikat më të mëdha dhe moderne në atë shet. Gjithashtu prej një viti ka përfunduar investimi për ngritjen e fabrikës në Egjipt. Në shtator të 2022 nisi prodhimi i fabrikës “DC Industry” në Bergamo, në Itali, e cila ka krijuar një portofol prej 1200 klientësh.
A do të ndryshojnë çmimet e shitjeve të pajisjeve hidrosanitare?
Pavarësisht se çmimet e transportit të mallrave sivjet kanë nisur rritjen, duke shtuar kostot për kompanitë e pajisjeve hidrosanitare, ata pohojnë se nuk do të ketë rritje të çmimeve të produkteve.
“Nuk pritet të ketë ndryshime të çmimeve të shitjes, pavarësisht ndryshimeve që mund të ndodhin në tregjet e huaja. Për konsumatorin do të vijojë të ketë pajisje me çmime nga më të lirat deri te më të shtrenjtat, sipas buxheteve familjare”, thotë drejtoresha e shitjeve me shumicë te kompania “Delta”, Alma Grabocka.
Pas pandemisë së Covid-19, në vitin 2021, rritjes së çmimeve të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar nuk i shpëtoi as sektori i pajisjeve hidrosanitare dhe pllakave. Për shkak të rritjes të çmimit të gazit që përdorin fabrikat prodhuese jashtë, çmimet e mallrave u shtrenjtuan. Gazi është lëndë e parë kryesore që përdoret nga furrat e pjekjes së qeramikës në vendet e Bashkimit Europian. Shtrenjtimi i lartë i tarifave të transportit, po ashtu në atë periudhë, i detyroi operatorët të braktisin tregun kinez dhe të furnizohen më shumë nga fabrikat e Egjiptit dhe Indisë.
Shtim të kostove pati edhe nga kompani të tjera që nuk u larguan nga furnizuesit e tyre tradicionalë siç ishte Italia dhe Spanja, pavarësisht se edhe në këto vende, tarifat e transportit dhe të pajisjeve janë shtrenjtuar. Rritja e kostos u reflektua me ndryshimet e çmimeve vetëm në disa produkte për tregun vendas për vitet 2021-2022.
Çmimet e pajisjeve hidrosanitare u rritën nga 10 deri në 20% për vitin 2022, sipas drejtuesve të kompanive kryesore. Shtrenjtimi ndikoi tek ulja e kërkesës deri në 20%. Pritshmëritë e operatorëve për kërkesën në vitin 2023 nuk ishin pozitive nëse do të vijohej të furnizoheshin me produkte të shtrenjtuara nga importi. Por në vitin 2023, tarifat e lëndëve të para në tregjet e huaja u stabilizuan, duke iu afruar niveleve të paraluftës Rusi-Ukrainë.
Problemet me skemën e kleringut
Një nga problematikat që po has sektori është rritja e shitjeve me klering për kompanitë e ndërtimit. Nga tregu i pajisjeve hidrosanitare pohohet se rreth 80% e ndërtuesve kërkojnë të punojnë me klering. Por për kompanitë që furnizojnë ndërtimin me lëndë të para është shumë e vështirë që të shesin apartamentet kur pallatet janë ende në gropë dhe nuk ka dalë hipoteka. Kjo i bën thuajse të pamundura rastet kur individët kërkojnë që të blejnë shtëpi me kredi hipotekore. Ndërsa ekspertët kontabël shpjegojnë se shitjet me klering arkëtohen si të ardhura të tatueshme nga operatorët. Nga ana tjetër, sipas operatorëve, kleringu minimalisht 3 vjet kohën nga realizimi i shitjes dhe arkëtimit të ardhurave.
“Kërkesa për shitje me klering nga ndërtuesit është e lartë. Por leverdishmëria nga shitjet me klering është shumë herë më e vogël se nga blerjet direkt me cash”, thanë drejtues të shitjeve të kompanisë “Delta”.
Nga ana tjetër, shitjet me klering po krijojnë probleme me likuiditetin e kompanive hidrosanitare.
“Kërkesa për të punuar me klering është e lartë, por për ne nuk është e favorshme të punojmë në këtë formë, pasi na krijon pengesa në likuiditet, që nevojiten për importin e produkteve hidrosanitare”, pohuan më herët përfaqësues nga kompania “Sinani”.
Me këtë numër apartamentesh që po i shtohen Tiranës çdo vit, shitja me klering është më tepër e vështirë nga kompanitë e vogla të tregtimit të pajisjeve hidrosanitare, të cilat pohojnë se nuk janë aq të fuqishme financiarisht sa të arrijnë të mbajnë një pronë të pashitur për disa vjet.
Të ardhurat dhe fitimet e kompanive
Për vitin 2023, të ardhurat e kompanisë “Brunes” janë rreth 3% më të larta se në vitin 2022. Fitimet e kompanisë u rritën 29% sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit. Të ardhurat e kompanisë “Delta” shënuan rënie për vitin 2023. Krahasuar me vitin paraardhës të ardhurat ranë me 17%. Për 2023 krahasuar me vitin paraardhës, fitimet e kompanisë gjithashtu u tkurrën me 32%.
Në vitin 2023, të ardhurat e kompanisë “BILLA” ranë me 5%, ndërsa fitimet u tkurrën 37% krahasuar me 2022. Për kompaninë “Haki Sinani”, të ardhurat u rritën me 12% në vitin 2023 dhe fitimet me 2% në krahasim me 2022. Të ardhurat e operatorit “Henri 2000” ranë 46%, ndërsa fitimet 65% krahasuar me 2022./Monitor