
TIRANË- Më 31 janar, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Baskëpunim (SDC) njoftoi se do të ndërpresë ndihmat për disa vende, mes tyre edhe Shqipërinë. Sipas deklaratës, Zvicra do të tërheëqë gradualisht programet për zhvillim në Shqipëri deri në fund të vitit 2028. Ambasada amerikane ka thënë për “Dosja.al” se Zvicra nuk po ndërpret fondet për Shqipërinë, por programet e financuara nga SDC do të mbyllen gradualisht deri në vitin 2028.
Sipas ambasadës, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që iu ndërprenë fondet, pasi vendi ynë është në kategorinë e vendeve me të ardhura të mesme dhe ka arritur një nivel relativisht të lartë të perfomancës ekonomike. Ambasada bën me dije se kriteri për të marrë fonde vendoset nga “nevoja aktuale në terren”.
REAGIMI I PLOTË I AMBASADËS SË ZVICRËS:
1. Pse është marrë ky vendim?
Parlamenti zviceran mori vendimin për të riorganizuar buxhetet në lidhje me bashkëpunimin ndërkombëtar të Zvicrës dhe për të prezantuar reduktime në shkallë globale. Për Shqipërinë kjo do të thotë vetëm një reduktim i fondeve të ofruara nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC.
Është e rëndësishme të theksohet se Zvicra nuk po pret të gjithë ndihmën për Shqipërinë, por deri në vitin 2028 programet e financuara nga SDC do të mbyllen gradualisht, ndërsa programet e financuara nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike SECO do të vazhdojnë.
Vendimi bazohet në situatën financiare në Zvicër, nevojat e vendeve partnere dhe vlerën e shtuar të programit të bashkëpunimit zviceran në krahasim me ato të vendeve të tjera.
2. A ka të bëj me vendimin e marrë nga SHBA për të pezulluar fondet ndërkombëtare?
Këto nuk kanë asnjë lidhje. Vendimi i Zvicrës për të reduktuar programin e saj të bashkëpunimit me Shqipërinë në vitin 2028 nuk ka të bëjë fare me vendimin e administratës amerikane për të ngrirë fondet për agjencitë e saj ndërkombëtare të zhvillimit.
3. Pse i janë ndërprerë fondet vetëm Shqipërisë dhe asnjë vendi tjetër në rajon?
Shqipëria është konsideruar si një vend prioritar për më shumë se 15 vjet nga SDC dhe SECO - dy agjencitë kryesore të zhvillimit ndërkombëtar të Zvicrës. Normalisht është njëra ose tjetra.
“Nevojat aktuale në terren” është një nga kriteret për të vendosur për vendet prioritare për bashkëpunimin zviceran për zhvillim. Këto nevoja krahasohen në mbarë botën, sipas niveleve të varfërisë dhe zhvillimit. Shqipëria është në kategorinë e vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe për këtë arsye ka arritur një nivel relativisht të lartë të performancës ekonomike.
Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm drejt integrimit evropian, gjë që çon në modalitete të reja në bashkëpunimin zhvillimor. Programi i mbetur pas vitit 2028 – financuar nga SECO – do të vazhdojë të mbështesë fushat që janë të rëndësishme për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, duke përfshirë stabilitetin makroekonomik, forcimin e institucioneve financiare, mjedisin e biznesit, rritjen e sektorit privat, shërbimet e infrastrukturës dhe ndryshimet klimatike (axhenda e gjelbër). Reduktimi i financimit të një agjencie ende i lejon programit të bashkëpunimit zviceran të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e Shqipërisë. Zvicra e sheh Shqipërinë si një partner të rëndësishëm dhe angazhimi dhe mbështetja jonë vazhdon./ZËRI