
TIRANË- Ministria e Financave ka pranuar këtë të enjte se ka gabuar me ligjin për tatimin e profesioneve të lira. Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave Niko Lera pranoi se ligji që prashikon taksimin e profesioneve të lira ka një gabim që ai e cilësoi njerëzor, por që vështirë të medohet se më gjera kaq të rëndësishme, mund të ndodhin gabime të tilla.
“Duhet të pranojmë një gabim njerëzor që ka ndodhur me ligjin, ku të vetëpunësuarve, nuk ju është njohur paga mininale në zërin e shpenzimeve. Nuk kemi arritur ta realizojmë, por ndikimi i saj është minimal dhe me siguri do te arrijmë ta bëjmë në të ardhmen”, tha Niko Lera në një intervistë për Abc News.
I pyetur për njohjen e shpenzimeve në masën 30 për qind për të vetëpunësuarit, Lera shtoi se kjo do të bëhet vetëm për ato subjekte që kanë deklaruar shpenzimet e tyre në bilancin e vitit 2023.
Mosnjohja e kësaj shifre, ndonëse është në ligj, po i bën subjektet që artificialisht të rezultojnë me një fitim 30 për qind më të lartë dhe duke llogaritur taksimin mbi këtë shifër, edhe detyrimet e tyre kanë rezultuar më të larta duke i detyruar shumë prej tyre të mendojnë mbylljen e aktivitetit për shkak të rritjes së kostove.
Ndërkohë dy javë nga bërja publike e kësteve të tatim fitimit që duhet të parapaguajnë 30 mijë profesionistë të lirë duket se administrata tatimore do të përballen me ankesa të shumta nga bizneset. Sipas kontabilistit Armand Hasko, ankesat janë të shumta dhe pritet që të dorëzohen shkresat pranë drejtorive rajonale me qëllim të rishikohet tatim fitimi.
“Bizneset nuk e kanë menduar mundësinë për të njohur shpenzimet dhe nuk kanë kushtuar rëndësi dhe gfitimet ndoshta janë edhe pak më të larta nga realiteti. Rritja e tatimit do të reflektohet te rritja e çmimit”, thotë ai.
Grupet e interesit janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për tre paditë e dorëzuara për këtë ligj./ZËRI