TIRANË- Qeveria ka rikthyer Bordin e Transparencës për caktuar çmimet e karburantit në vend. Vendimi u njoftua nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Në një dalje për mediat, Ibrahimaj u shpreh se vendimi është marrë për shkak se prej disa ditësh çmimi i naftës i ka kaluar 222 lekë për litër. Ministrja theksoi se përmes aktit normativ, sa herë nafta kalon 220 lekë për litër, reduktohet akciza.
"Sot morëm një vendim që e kemi diskutuar prej disa kohësh. Sot riaktivizuam Bordin e Transparencës për karburantet. Qëndrimi deri më pak më parë, në fakt, ishte i pavendosur. Por fakti që çmimi prej dy javësh qëndron në 222 lekë për litër dhe, duke qenë se përmes aktit normativ, sa herë nafta kalon 220 lekë për litër, ne reduktojmë akcizën me qëllim që çmimi i karburanteve të normalizohet dhe, për të arritur këtë, duhet të ringrihej Bordi i Transparencës. Ndaj, sot morëm vendimin për ringritjen e këtij Bordi të Transparencës. Në mënyrë të vazhdueshme do të monitorojmë çmimet e karburanteve.", tha Ibrahimaj.
Vendimi për rikthimin e Bordit të Transparencës vjen 3 muaj, pasi më 19 qershor, qeveria vendosi shkrirjen e tij. Fillimisht, në mars të këtij viti, qeveria propozoi ngritjen e Bordit të Transparencës për çmimet bazë, me qëllim monitorimin e kostove të prodhimit për të gjithë tregtarët, vendosjen dhe ruajtjen e çmimeve, monitorimin e subjekteve me qëllim shmangien e rasteve abuzime./ZËRI
