TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, prezantoi këtë të hënë raportin vjetor të vitit 2024, në Komisionin e Ekonomisë, teksa ngriti shqetësimin për cënimin e pavarësisë institucionale të Bankës. Sejko deklaroi se këtij institucioni shpesh i kërkohet llogari jashtë tagrit që mbulon duke ushtruar kështu presion dhe cënim të pavarësisë. Sakaq, Sejko shprehet se Banka e Shqipërisë nuk ka qenë e lirshme për të ushtruar në mënyrë profesionale detyrat e saj. Megjithatë, guvernatori nuk dha detaje konkrete mbi rastet kur është ndjerë ky presion.
“Ajo që unë me sinqeritet para këtij Komisioni them që drejtim të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë (BSH-së) është se shpesh herë BSH-së i kërkohet të kryejë, fjala presion mbase është shumë, por i kërkohen gjëra jashtë tagrit ligjor. Kjo është cënim i pavarësisë. Këto dy vitet e fundit e kam ndjerë shumë cënimin e pavarësisë së BSH-së, por nuk dua të ndalem në detaje. Banka e Shqipërisë për shkak të këtij presioni nuk ka qenë e lirshme për të ushtruar në mënyrë profesionale detyrat e saj, por s’dua të zgjatem më tej. Megjithatë… Nuk është deklaratë e rëndëssishme, nëse kërkohet që Banka e Shqipërisë të jetë e fokusuar tek Bujqësia nga ju në Parlament…”, tha Sejko.
Sa i përket raportit vjetor, Sejko tha se ekonomia ka vijuar të rritet dhe trendi pozitiv do të vijojë edhe përgjatë viteve të ardhshme, edhe pse rreziqe të ndryshme janë prezentë./ZËRI