Ekonomi

Importohet më lirë, prodhohet më shtrenjtë

Ndërsa ulja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetet “Metalurgjia” dhe “Prodhimi i paisjeve elektrike” me 0,7%.

Redaksia Zëri
Importohet më lirë, prodhohet më shtrenjtë
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Kostot për produktet e importit kanë shënuar një rënie të lehtë në tremujorin e dytë të këtij viti. Në të kundër, kostot e prodhimit kanë shënuar një rritje të lehtë, sipas të dhënave që janë bërë publike nga INSTAT.

Në tremujorin e dytë të vitit 2026, Indeksi i Çmimeve të Importit arriti 107,5 (2021 = 100). Krahasuar me tremujorin e dytë 2025, indeksi shënoi ulje me 0,1%.

Një vit më parë ky ndryshim ishte -0,7%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, çmimet e importit shënuan ulje në seksionet “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri i kondicionuar” (-2,2%), “Industri nxjerrëse” (-0,2%) dhe “Industria përpunuese” (-0,02%).

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2026, Indeksi i Çmimeve të Importit mbeti pothuajse i pandryshuar, me një rritje prej vetëm 0,001%.

Pavarësisht se importohet më lirë, kostot e prodhuesve vijojnë të rriten. Sipas INSTAT, Në tremujorin e dytë të vitit 2026, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit (IÇP) arriti 129,9, kundrejt vitit 2021(2021 = 100). Krahasuar me tremujorin e dytë 2025, IÇP shënoi rritje me 0,1%.

Rritja më e lartë vjetore u regjistrua në seksionet “Industri përpunuese” dhe “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0,4% secila.

Brenda seksionit “Industri përpunuese”, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetiet “Prodhimi i produkteve të kauçukut dhe plastikës” dhe “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 1,5% secila.

Ndërsa ulja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetet “Metalurgjia” dhe “Prodhimi i paisjeve elektrike” me 0,7%. Nga ana tjetër, seksioni “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri i kondicionuar” shënoi ulje me 0,6%, pasuar nga seksioni “Industri Nxjerrëse” me 0,2%. Për tregun vendas, IÇP u rrit me 0,3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025, ndërsa për eksportet shënoi ulje me 0,3 %.

Krahasuar me tremujorin e parë 2026, IÇP shënoi rritje me 0,1%. Rritja më e lartë tremujore u regjistrua në seksionet “Industri nxjerrëse” me 0,2%, “Industri përpunuese” dhe “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0,1% secila. Nga ana tjetër, seksioni “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri i kondicionuar” shënoi ulje me 0,1%./Monitor

Poll

MOS HUMB