
TIRANË- Nga 6 korriku, të gjithë emigrantët që jetojnë në Itali do të përfitojnë nga marrëveshja për pensionet me vendin tonë. Në Fletoren Zyrtare është publikuar marrëveshja me shtetin italian. Të gjithë shqiptarët në prag pensioni duhet të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në shtetin italian dhe atë shqiptar duke bërë të mundur marrjen e dy pensioneve, sipas viteve të punës që ka derdhur kontributet.
Gjithsej janë rreth 500 mijë shqiptarë që përfitojnë nga marrëveshja me Italinë. Po ashtu, shqiptarët që kanë dalë në pension përpara 2024, mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo marrëveshje. Deri tani shteti shqiptar ka negociuar dhe lidhur me marrëveshjen me 17 shtete. Ky dakordësim bën të mundur që të mos humbasin vitet e kontributeve dhe shtetasit të përfitojnë pension nga të dyja vendet.
“Bashkimi i periudhave Për qëllimet e fitimit, ruajtjes ose rikuperimit të së drejtës për përfitime në para, të parashikuara nga kjo Marrëveshje, periudhat e sigurimit ose ato të barasvlershme me to, të plotësuara sipas legjislacionit të njërit shtet kontraktues, bashkohen, nëse është e nevojshme, me periudhat e sigurimit ose ato të barasvlershme me to, sipas ligjeve të shtetit tjetër kontraktues, me kusht që ato të mos mbivendosen,”- parashikohet në ligjin e sapobotuar në Fletoren Zyrtare.
Një person që ka 10 vite pune në Shqipëri dhe 15 vite pune në Itali, mund të përfitojë një pension në Shqipëri dhe një pension në Itali për ato 15 vite që mund të ketë derdhur kontribute atje. Qeveria italiane ka parashikuar një fond prej 136 milionë eurosh për zbatimin e njohjes së pensioneve deri në vitin 2032. Ndërkohë, pritet që Shqipëria të finalizojë një marrëveshje të njëjtë edhe me shumë shtete të tjera ku ka prani të emigrantëve shqiptarë./ZËRI