
TIRANË- Shtetasit e huaj kanë investuar 380 milionë euro për të blerë prona në Shqipëri gjatë vitit 2024, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë. Kjo ka shënuar një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2023.
Sipas “Euronews” pasuritë e paluajtshme kanë zënë 24% të totalit të investimeve të huaja direkte (IHD) në vend. Të huajt kanë investuar më shumë përgjatë bregdetit, pavarësisht rritjes së çmimeve që prej pandemisë, kjo si ka penguar ata, duke bërë që kërkesa për pasuri të paluajtshme të jetë e lartë. Ata e shohin këtë si mundësi jo vetëm për të jetuar, por edhe si një mundësi investimi. Ndërsa, sipas të dhënave, në fund të vitit 2024, stoku total i investimeve në pasuri të paluajtshme arriti në 2 miliardë euro – një rekord i lartë dhe 30% më shumë se në vitin 2023. Ndërkohë që luhatjet e kursit të këmbimit kanë kontribuar në këtë rritje, Banka Qendrore thekson se pronat e paluajtshme mbeten zgjedhja kryesore për investitorët e huaj.
Pas pasurive të paluajtshme, sektori bankar tërhoqi 287 milionë euro investime, ndërsa industria nxjerrëse, tradicionalisht një sektor kyç, ka shënuar rënie – duke rënë në 214 milionë euro, 20% më pak nga viti 2023.
Ndërsa, sektori i energjisë po shfaqet si një alternativë e re investimi. Ky sektor ka tërhequr 166 milionë euro në vitin 2024, me një rritje modeste prej 4%, e nxitur pjesërisht nga një rritje e interesit për energjinë diellore nga investitorët vendas dhe ndërkombëtarë./ZËRI